Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Deklaratë e Partisë Socialiste të Shqipërisë

Të reja

Deklaratë e Partisë Socialiste të Shqipërisë

25 Jun 2017    
 
Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh keqardhjen për sjelljen antiligjore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, i cili po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor qysh prej ditës së djeshme e sot në vazhdim. Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së, me akuza vulgare ndaj socialistëve dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht. Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjitha ekipeve elektorale, votuesve, mbështetësve, si dhe simpatizantëve të saj të ruajnë qetësinë. Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, sidomos të "vëzhguesve" të LSI që në disa zona janë elementë me precedentë penalë. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Shqipërisë sot me votën tuaj dhe përballoni me shumë vetëpërmbajtje ofensivën mizerabël të Presidentit të zgjedhur mbi procesin zgjedhor. Këto zgjedhje janë nisur për të qenë në çdo aspekt më të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, prandaj çdo zgjedhës e zgjedhëse që merr pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për kë voton, jep një kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar. Partia e Presidentit të zgjedhur nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t'ua prishë dot këtë festë demokratike Shqipërisë e shqiptarëve. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më e sigurt, më e fortë, më e mirë Shqipëria nesër.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm