Erion Braçe

Dhuna ndaj meje është strategji e qartë e një partie që e ka instaluar dhunën për 27 vite në këtë vend

Doja t’ju thoja dy gjëra.

Në radhë të parë të sjell në vëmendje faktin që prej javësh në parlament kërkohet të tensionohet situata në funksion të asaj kryengritjes së paralajmëruar të madhe, të dhunshme, – pas të cilës nuk do ketë më asgjë në këtë vend, – që do mbahet ditën e shtunë në datë 18. Në funksion të saj, një seri folësish jo vetëm të opozitës tradicionale, por edhe disa të tjerë kanë filluar seancë pas seance në sallën e Parlamentit të rrisin tension, veçanërisht duke sharë, fyer, ofenduar cilindo.

Ata që janë në sallë apo ata që s’janë në sallë, njerëz që s’kanë asnjë lloj lidhje me sallën, njerëz që s’kanë asnjë lloj lidhje me politikën dhe, për më keq akoma, kur bëjnë dhe asoocime të tjetrit pikërisht me ata që janë brenda në atë sallë.

Së dyti, e gjitha, siç edhe ju e patë, është një strategji e qartë dhune e një partie që e ka instaluar dhunën për 27 vite në këtë vend. Dhunë barbare si ajo që kemi parë në 21 janar; dhunë prej korrupsionit si ajo që kemi parë, vjen marsi shpejt, në 15 mars në Gërdec; dhunë kriminale si ajo që kemi vërejtur herë pas here në rrugë, etj. Brenda harkut të dhjetë ditëve kanë rrahur një qytetar, për atë më thonë që kishte qenë themelues, militant i PD në Durrës, thjesht dhe vetëm pse i tha Lulzim Bashës që deputeti yt më ka vjedhur pronën. Kanë rrahur një tjetër në Kavajë, që thjesht dhe vetëm u tha që Kavaja ka ndryshuar. Natyrisht, bëjnë edhe me këtë këtu. Pas disa seancash ku unë si zakonisht me letra dhe me prova në sallën e Kuvendit jo vetëm që kam nxjerrë të pavërtetat e tyre, por u kam kthyer në vëmendje atyre në sallë njëherë dhe pastaj shqiptarëve jashtë kësaj salle të gjitha krimet që ka kryer apo ka konsumuar qeveria e tyre në tetë vite dhe më gjerë se sa tetë vite. Këta kanë mbetur gjatë në pushtet.

Pra kjo është filozofia dhe sjellja e tyre e qartë përkundrejt kujtdo që mendon ndryshe.

Thashë, kjo që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë nuk është asgjë para asaj që ndodhi në 21 Janar në mes të Tiranës – kur thjesht dhe vetëm për shkak se patën përballë ca njerëz që mendonin ndryshe nga ata dhe natyrisht kundërshtonin në atë formë qeverisje të vendit, i vranë në mes të bulevardit, i pushkatuan pa gjyq. Ky që është këtu në këtë sallë, – dhe natyrisht nuk duhet të jetë në këtë sallë, por duhet të jetë para një banke ku ulen veçanërisht të pandehurit, – Sali Berisha i ka vrarë ata njerëz mu në mes të bulevardit, i ka pushkatuar me urdhrin e tij dhe me pushkët e shtetit. Ka dhe pastaj mundësinë që të vijë në sallën e Kuvendit dhe të sulmojë cilindo. Unë kam 20 vjet në parlament dhe 20 vjet o kam dalë bashkëpunëtor i Aldo Bares nga goja e tij, o i Hakmarrjes për Drejtësi, o i Emiliano Shullazit, o i Lul Berishës; nuk ka kriminel në këtë tokë që ky mos ta ketë asociuar me mua. Natyrisht vjen dita mbas 20 vitesh, se njëherë, dy herë, tre herë, 20 vjet rresht, dhe vjen dita mbas 20 vitesh që t’i thuash boll. Nuk ka më kuptim. Siç e ka bërë me mua, e ka bërë dhe me të tjerë.

Po kësaj radhe topin apo, të themi, serinë e llumnajës në parlament e hapi  një tjetër, që bën dhe modernin zakonisht. E hapi ai me atë lloj gjuhe, dhe pastaj ky tjetri apo këtij tjetrit iu duk sikur ai i mori podiumin dhe u çua dhe ky tjetri. Po ja u them dhe njëherë tjetër: Kjo histori dhune që është instaluar në 27 vite në këtë vend, për shkak dhe vetëm të mendimit, për shkak dhe vetëm të mendimit apo dhe të kundërshtimit, duhet të marrë fund. Në rast se në këtë vend do të kishte një sistem drejtësie, kjo gjë nuk do të ndodhte më. Por në këtë vend nuk ka sistem drejtësie, nuk ka as prokurori, as gjykata të pavarura, për më tepër që të kenë kurajon që në bazë të ligjit të marrin të hetojnë dhe të gjykojnë këtë soj kriminelësh, që për fat të keq vijnë dhe në sallën e kuvendit.

Grupi PD-së ka kërkuar përjashtimin tuaj, pretendon se keni ofenduar zotin Ndoka, keni përdorur fjalë fyese? 

Kë, unë zotin Ndoka?! Më vjen keq, shiko më vjen keq. Më thoni fjalën fyese që i kam thënë dhe po të doni ja u pohoj, po të doni ja u mohoj. Por edhe njëherë tjetër, është fare e qartë se si një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që nuk e ka për herë të parë, ka goditur disa deputetë në sallën e parlamentit; dhe kësaj jave do bëhem unë arsyeja që ky deputet të kallëzohet penalisht për goditje për shkak të detyrës dhe kjo do të ndodhë nga nesër e në vazhdim.

Ju nuk e keni fyer zotin Berisha?

Kë?! Si mund ta fyej unë lartësinë e tij?! Jo vetëm lartësinë e tij, por dhe ca lartësi të tjera aty. Lartësi të tjera aty e hapën seancën duke thënë “ku është ai gomari”, për Kryeministrin e vendit. E hapi Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe është në sallë e nuk ka turp; rri atje dhe thotë “s’kam thënë gjë”, thotë. E hapi ai, e vazhdoi ky tjetri, hajdut me çizme njërit, hajdut ordiner tjetrit, bandit, gomar, përdhunues e të tjera me radhë. Po këto ju bëjnë përshtypje ju apo s’ju bëjnë përshtypje fare?!

Kjo nuk është se ndodhi sot, kjo ndodh çdo seancë, çdo seancë sa herë e marrin fjalën këta është ky lloj fjalori. Mbi të gjitha akuzojnë dhe stërakuzojnë dhe nuk nxjerrin një letër, një letër e të dalin dhe të thonë që në bazë të kësaj letre unë të akuzoj. Ky është problemi. Pastaj kalojnë në ato akte, që janë akte dhune të mirëfillta dhe që ndiqen penalisht sipas kodeve në fuqi, dhe që kësaj radhe do të ndodhë se s’bën.

Faleminderit!

Deklaratë për media i nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Erjon Braçe, pas incidentit në Kuvend