Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Dialog me Shqiperine ne fshatrat e Pogradecit, Rodokal, Velçan, Trebinje e Stropçke

Të reja

Dialog me Shqiperine ne fshatrat e Pogradecit, Rodokal, Velçan, Trebinje e Stropçke

13 Jun 2008    
Rrugëtimi i Kryetarit të PSSH, Edi Rama ka vazhduar në fshatrat e Pogradecit. Rama ka zhvilluar takime të veçanta në fshatrat, Rodokal, Velçan, Trebinjë e Stropçke. Gjatë bashkëbisedimit me banorët Rama ka dëgjuar me vëmendje problematikat e tyre të cilat kanë specifika të ndryshme nga një fshat në tjetrin, por ajo që i bashkon të gjithë është mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes së shtetit ndaj fshatit në tërësi. Kriza e çmimeve ndjehet edhe në fshat, atje ku të ardhurat janë fare të pakëta.

Pjesë nga fjala, e Kryetarit të PSSH, në fshatin Rodokal:

“Besoj se të gjithë ne sëbashku, mund t'i japim një tjetër drejtim fshatit, qytetit dhe vendit tonë. Mund t'i japim tjetër drejtim rrugës së rinisë tonë, pasi është e papranueshme që të rejat dhe të rinjtë, të mos marrin arratinë, për të mbajtur gjallë familjen. Besoj se është e papranueshme që e gjithë zona e fshatit, të jetë sot në kushtet e mbijetesës, në pamundësi për të jetuar me një ekonomi të qëndrueshme familjare dhe për të përballuar me qetësi dhe pa sakrifica çnjerëzore jetën e cila vështirësohet çdo ditë, veçanërisht në fshat.

Është e papranueshme që ne së bashku, të mos dalim nga kjo gjendje, përmes një pune të përbashkët, bazuar në eksperiencën shumë të vyer që ka fshati ynë. Dua t'ju them se për mua është shumë e rëndësishme që të takoj të gjithë, të reja, të rinj, të moshuar, burra e gra, në çdo qytet e fshat, jo vetëm për të folur, por për të dëgjuar nga ju problemet dhe njëkohësisht për të mësuar nga ju, për të mësuar se çfarë ju mendoni se mund të ndërtojmë së bashku konkretisht. Për ta kthyer rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë fshati i braktisur tërësisht nga shteti. Është i vetmi fshati shqiptar dhe janë të vetmit bujqërit, që jetojnë si jetimë, pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje, pa asnjë vëmendje nga shteti, të lënë në tokën e tyre, e cila shumë shpesh nuk vaditet për shkak të sistemit të ujitjes dhe është e tharë, atëherë kur duhet të ketë ujë dhe të jetë e përmbytur atëhere kur nuk duhet të ketë ujë.

Është e patolerueshme që kjo gjendje të vazhdojë, ku të mos ketë ujë për të vaditur tokën, edhe pse jemi të pasur në burime ujore. Këtyre problemeve ne duhet t'ju japim përgjigje, duke dhënë zgjidhje dhe jo premtime elektorale për të marrë votat. Jo për t'i marrë votën dhe për t'i lënë më pas në rrjedhën e papunësisë, injorancës, dhunës dhe korrupsionit. Në një Shqipëri ku janë çdo ditë e më të pakët, ku janë çdo ditë e më të shumtë të rejat dhe të rinjtë, që të përballojnë jetën e së nesërmes së përfundimit të shkollës, duke hyrë në rreshtat kilometrikë të papunësisë, me të vetmen shpresë, të gjejnë një mundësi për t'u arratisur. Kjo është një gjendje që ne nuk duhet ta pranojmë.

Jemi në mes të kontinentit të mirëqenies e zhvillimit dhe nuk mund të mbetemi në hartën e Europës,vendi ku nuk ka drita, ujë, punë, rrugë, dhe s'ka shpresë. Por, duhet të kthehemi në një vend, ku njerëzit jetojnë normalisht.

Dua sot të përfitoj nga prania e kaq shumë të rejave dhe të rinjve, për t'ju thënë në mënyrë të posaçme të bëhen zëdhënës të nevojës për ta ndryshuar këtë realitet, që për 17-vjet nuk ka vesh për të dëgjuar, zemër për të ndier, hallet dhe problemet e njerëzve. Të rejat e të rinjtë, duhet të bëhen përçuesit e kësaj përvoje, duke kërkuar në çdo familje, që të kapërcejmë kufijtë e vjetër të partive, të kapërcejmë kufijtë që na mbajnë të ndarë majtas e djathtas, me shpinë nga njëri tjetri, ndërkohë që socialistë dhe demokratët e thjeshtë, kudo ku jetojnë, familjet e tyre sidomos në fshat, kanë probleme të përbashkëta, kanë nevoja të përbashkëta. Për të gjitha këto, duhet të bashkohemi, jo për parti, jo për flamurin, por duhet të bashkohemi në emër të interesave të familjeve, të fëmijëve, të fshatit dhe të komunës së tyre. Pasi njësoj, si për socialistët e thjeshtë dhe për demokratët e thjeshtë, që bëjnë të pamundurën në fshat, nuk ka drita e ujë në 24 orë, tokat e tyre janë njësoj pa vaditur, pa punuar, për shkak se çmimeve janë të larta.

E pra, kur do të ketë dy palë, shqiptare e shqiptarë të bashkuar, për ta refuzuar politikën e vjetër, që të mos rreshtohemi pas partive dhe të bashkojmë energjitë në emër të një politike, rruge dhe shprese të re, të cilën do ta japim, duke patur një program të ri, duke patur një vetëdije të re. Para se të jemi socialistë e demokratë, jemi shqiptarë, jemi prindër, të reja, të rinj, të moshuar, jemi njerëz që meritojmë të jetojmë me dinjitet dhe këtë dinjitet nuk mund të na i pengojë politika. T'i lëmë pas dasitë, përçarjet, sherret, që kanë prodhuar për 17 vjet rresht politikanët dhe politika e politikanëve. Ta refuzojmë për të mos qenë të ndarë, sepse sherret ushqejnë politikën e vjetër, mbajnë në këmbë politikën e vjetër dhe mbi të gjitha shtyjnë ditët, muajt dhe vitet e një politike, e cila e ka katandisur Shqipërinë në varfëri e papunësi. Në rast se duam t'i japim një përgjigje atyre, duhet t'i japim dorën njëri-tjetrit dhe të bashkohemi të gjithë bashkë, socialistë e demokratë të thjeshtë, njerëz të ndershëm dhe punëtor, që nuk sakfikojnë për një grusht njerëzish dhe që i sundojnë në këtë mënyrë prej 17 vjetësh. Partia jonë janë interesat e së nesërmes, të familjes shqiptare, të rejave dhe të rinjve, ëndrrat e fëmijëve, të cilat nesër duhet të bëhen realitet. Në emër të këtyre ëndrrave ju ftoj t'i lëmë pas politikanët e vjetër dhe të së shkuarës, duke i dhënë jetë një politike qytetare, njerëzish, të cilët e ndiejnë veten të përfaqësuar dhe përmes bashkimit, arrijnë të imponohen.

Në fshatrat Velçan e Stropçke, Rama është shprehur i bindur se janë të gjitha mundësitë për t'u bërë bashkë për të realizuar ndryshimin e ri të këtij vendi:

Në kushtet e sotme, jemi peng i një qeverisje të keqe, pa largpamësi. Është bindja ime e thellë, që duhet një ndryshim i ri. Kam besim se ne së bashku, mund të bëjmë të mundura ato gjëra që sot duken të pamundura. Kam besim se së bashku mund të hapim një rrugë të re, të sigurt, për të ardhmen e fëmijëve të gjithë Shqipërisë. Kam besim se së bashku duhet të hapim një perspektivë të re, për fshatin, qytetin dhe vendin tonë. Kam besim se së bashku mund ta zmbrapsim të keqen që ka vënë për poshtë Shqipërinë. Kam besim se sëbashku, mund t'i zgjidhim hallet. Kam besim se ne mund t'i japim jetë një energjie të re, për të ndërtuar një Shqipëri të re, për ta nxjerrë fshatin nga varfëria, për ta nxjerrë fshatin nga kushtet e këqia, kushte për të cilat familjet do ta mund ta presin fundin e muajit pa ankthin se çfarë do t'ju shtrojnë fëmijëve në tavolinë. Ne do ta zmbrapsim varfërinë, sepse nuk jemi as më pak të zotë, të aftë, apo të gatshëm për të sakrifikuar. Nuk ka asnjë arsye që fëmijët tanë të mos ecin me shpejtësi drejt zhvillimit dhe mirëqënies.

Ne duhet të ndryshojmë jetën tonë, pëmes punës së ndershme, si një e drejtë themelore, që nuk mund t'i mohohet askujt. Duhet t'ju japim të rinjve një mundësi, t'ju krijojmë kushtet, që aftësitë e tyre, t'i vënë në shërbim të vendit të tyre në Shqipëri. Këtë mund ta bëjmë, asgjë nuk është e pamundur nëse ne bëhemi bashkë. Nuk duhet të tërhiqemi prej hunde nga një grusht njerëzish që e konsiderojnë veten udhëheqës partish. Jam i bindur se ka ardhur koha që ne të gjithë të sillemi jo si socialist e demokrat, por në radhë të parë si shqiptar, si qytetarë, si njerëz që meritojmë të jetojmë me dinjitet dhe këtë dinjitet nuk mund të na i marrin një grusht njerëzish. Duhet ta lëmë pas politikën e vjetër dhe të bëhemi një forcë e madhe qytetare, e cila ka vetëdijen se këtë atdhe ua kemi borxh fëmijëve tanë.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Trebinjës shefi i socialistëve u shpreh se gjendja ku ndodhet sot fshati shqiptar është rezultat i një politike të vjetër pa vizionin e së nesërmes:

Kjo nuk është një gjendje e pandryshueshme, nuk është fatalitet ndaj të cilit ne nuk kemi çfarë të bëjmë, por është një gjendje që vjen si rezultat i politikës së vjetër, një politikë të ndarjes, përçarjes, sherreve, një politike të politikanëve që flasin çdo ditë në emrin tonë dhe që për 17 vjet kanë punuar për interesat e tyre, duke thelluar distancën me njerëzit.

E pra, kjo gjendje është rezultat i politikës dhe politika është rezultat i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes tonë.

Për të gjithë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, socialistë e demokratë, pa parti, problemet janë po ato. Për të gjithë njerëzit e këtij vendi, varfëria, papunësia janë njësoj dhe fëmijët e këtij vendi kanë nevojë që ne të mendojmë më shumë për ta dhe më pak për veten, duke lënë pas dasitë dhe konfliktet e së shkuarës. Të mendojmë më shumë për ta, sepse sa më shumë ne jemi, aq më e madhe është forca e ndryshimit që ne duam në këtë vend. Sa më shumë ne të gjejmë te njëri tjetri një aleat, një partner, në betejën e përbashkët me papunësinë, ne aq më shumë i afrohemi pikës së fitores. Ju të gjithë mund të bëheni zëdhënës, shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, të nevojë për t'u bashkuar bashkë, socialistë e demokrat të thjeshtë e të ndershëm, që jetojnë me punë të ndershme, apo e kanë të pamundur ta kenë atë. Njerëz që duan të punojnë tokën dhe me prodhimin e tokës së tyre, jo vetëm të mbajnë frymën gjallë, por të garantojnë një jetë normale për fëmijët e tyre dhe një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre. Të gjithë kemi halle të përbashkëta, të gjithë janë të braktisur nga shteti dhe për këtë duhet një forcë e përbashkët qytetare, në çdo qytet dhe fshat, përmes dëshirës për t'i dhënë një të ardhme fëmijëve tanë. Një forcë jo e ndërtuar mbi llogoret e partive, por në hapësirën e madhe të lirisë, ku ne në radhë të parë të jemi qytetarë, më pas socialist e demokrat. Ne nuk duhet të biem pre e një lufte të politikanëve për pushtet, se ne nuk duhet të jemi mish për top i politikës së politikanëve, se ne duhet të jemi bashkë e t'i japim jetë një politike qytetare, që diskuton me njerëzit, për problemet e njerëzve dhe që merr përsipër t'i zgjidhë ato. Jam i bindur se këto janë të mundura
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm