Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Dialog ne Miras e Drenove: Ta ndryshojme kete gjendje, per t'i dhene fund varferise

Të reja

Dialog ne Miras e Drenove: Ta ndryshojme kete gjendje, per t'i dhene fund varferise

14 Jun 2008    
Dialogu i kryetarit të PSSH Edi Rama me banorë të qarkut të Kocës ka vazhduar edhe ne fshatin Miras dhe në Drenovë, në një bashkëbisedim të gjatë me banorët e këtyre komunave të cilët pohuan se në këto zona është duke u rikthyer epoka migjeniane. Në këtë rrugëtim Rama shoqërohej nga deputetët e qarkut, Blushi, Majko e Dalipi. Edhe pse një pjesë e mirë e banorëve kanë emigruar drejt fqinjëve përsëri kjo është e pamundur për të siguruar një mirëqenie dhe zhvillim u shprehën fermerët e Mirasit e të Drenovës.

Duke dialoguar me banorët e Mirasit e Drenovës Rama u shpreh për politika të paqarta bujqësore të cilat kanë sjellë c'orientim të prodhimit vendas

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në Miras dhe në Drenovë:

Të ndërtojmë së bashku një politikë të re, që duhet të jetë instrumenti në duart e shqiptarëve në qytet dhe në fshat, të gjithë atyre që jetojnë me punë të ndershme. Duhet të kemi parasysh Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë dhe ndoshta i vetmi vend, që ka burime ujore të pafundme dhe rreth 50 % të tokës së punueshme sot e ka të papunuar, sepse nuk ka ujë për të vaditur tokën, jo sepse toka nuk ka ujë, por sepse nuk ka një politikë që ta bëjë të mundur vaditjen dhe të gjithë ata njerëz që çdo ditë braktisin tokën, të qëndrojnë aty te toka e të parëve, për të nxjerrë, jo vetëm prodhim për të mbajtur frymën gjallë, por për të garantuar mirqënien e tyre, duke i dhënë edhe qytetit prodhimet e duhura. Ky është një shembull për pasuritë tona natyrore, të cilat nuk shfrytëzohen, madje, grabiten në mënyrë të paskrupullt, duke lënë komunitetet mjerave. Jemi këtu me gjithë ekipin, për t'ju bërë të vetëdijshëm, se ndryshimi rrënjësor i jetës tonë, i një Shqipërie që kërkon të integrohet, nuk mund të vijë pa ndryshimin rrënjësor të jetës së fshatit, si rrjedhojë e ndryshimit rrënjësor të politikave të fshatit. Jemi sot këtu, për t'ju takuar dhe biseduar, ashtu sic kemi bërë me dhjetra mijëra shqiptarë, për të diskutuar problemet. “Dialogu me Shqipërinë, ka qënë hapësira e diskutimeve të mëdha publike, por jo vetëm kaq, sepse në tryezat e blegtorisë, bujqësië në fshat, që kemi ngritur në të gjithë komunat, afro 10 mijë bujqër dhe fermëre kanë dhënë sugjerimet e tyre, që ne i kemi mbledhur dhe ua kemi dhënë ekspertëve tanë.

Jam i bindur se kemi hapur rrugën e transformimit dhe për këtë duhet që të gjithë ta ndryshojmë këtë gjendje, për t'i dhënë fund varfërisë, për t'i hapur luftë papunësisë, për të bërë të mundur që çdo tokë të punohet, dhe ku kriza e çmimeve të përballohet. Nga ana tjetër jam i bindur, se kjo është e mundur duke ndërtuar një marrdhënie të re, standarde të re politike, duke bërë që këtu në fshatin tuaj dhe në çdo fshat të Shqipërisë, të jemi të bashkuar për problemet e përbashkëta. Socialistë e demokratë, bujqër e fermerë, që jetojnë sot në Shqipërinë e varfërisë, kanë të gjitha arsyet për t'u bërë bashkë dhe për të shkruar së bashku një program që i jep vëmendje fshatit dhe vendit të tyre. Kjo është një gjendje unike, pasi fshatari, bujku dhe fermeri shqiptar, janë të vetmit që nuk kanë asnjë mbështetje nga shteti. Duhet të bëhemi bashkë dhe të lëmë mënjanë paragjykimet, në mënyrë që partitë të fillojnë të mendojnë për hallet e njerëzve dhe se kush do t'i zgjidhë më mirë këto probleme. Kush e ka programin më të mirë për të vaditur tokën, për të ndërtuar tregun bujqësor, për të paketuar prodhimet e më pas të dalin në treg. Nuk duhet të bëjmë beteja për interesa të klaneve, që pasi marrin votat, i përdorin ato vetëm për të pasuruar një pakicë gjithnjë e më të vogël, kurse shumica të varfërohet gjithnjë e më shumë. Unë besoj që e drejta për t'u dëgjuar, është një e drejtë e mohuar në Shqipëri dhe në këtë mënyrë, ne kuptojmë më shumë problemet që duhen zgjidhur.

Besoj se është koha që të gjithë së bashku, t'i japim një drejtim të ri vendit, qytetit, fshatit tonë, sepse 17 vjet janë shumë dhe mund të kalojnë edhe 17 vjet të tjera, nëse ne nuk e marrim në dorë fatin tonë. Nëse ne nuk e shohim të ardhmen me sytë e fëmijëve tanë dhe nëse ne nuk marrim përgjegjësi për t'i lënë fëmijëve tanë një atdhe më të mirë, pa dyshim që varfëria do të vazhdojë t'i shtrijë hijet e saj në çdo cep të Shqipërisë. Papunësia do të vazhdojë t'i pushtojë të rejat dhe të rinjtë, të cilët kanë si alternativë të shkojnë dhe të punojnë në tokat e huaja, si skllevër për të mbledhur patate, që të mbajnë familjet e tyre. Ndërkohë që, pa as një dyshim ne nuk jemi aspak më të mençur, as më pak të gatshëm, për të përballuar sfidat e mëdha si fqinjët tanë, të cilët po ecin me shpejtësi, edhe pse mund të kenë probleme më të rënda. Ata shkojnë përpara ndërsa ne zvarritemi, duke humbur kohë, duke humbur energji dhe terren. Ne zvarritemi në një vend ku Zoti apo natyra i ka faluar gjithçka që i duhet, që populli të jetojë mirë. Shqipëria është një vend që i ka të gjitha pasuritë e nevojshme, që populli shqiptar të jetojë i mirqënë dhe i qetë. Shqipëria është një ndër vendet më të pasura ujore, por më shumë se gjysmat e tokave nuk punohen, sepse s'ka ujë për të vaditur.

Fshati shqiptar është i vetmi në rruzullin tokësor që nuk ka asnjë mbështetje apo përkrahje nga shteti. Bujqësi, blegtori dhe fshat pa shtet. Nuk mund të zhvillohet bujqësia dhe fshati nëse shteti nuk ekziston, nëse qeverisja nuk ka lidhje me problemet e fshatit. Nuk është e mundur të dilet nga varfëria në fshat, nëse qytetarët që jetojnë në fshat, të gjithë ju nuk keni një dorë që i ndihmon, që është dora e shtetit, dora e qeverisë, dora e përfaqësuesve politikë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe nëse kjo ka munguar për 17 vjet, arsyeja kryesore është politika, janë standardet e jetës politike, të cilat ne duhet t'i ndryshojmë për të ndryshuar standardet e qeverisjes, të familjeve dhe bashkësisë shqiptare. Ne mund t'i ndryshojmë këto standarde, nëse ndryshojmë këndvështrimin, duke e parë njëri tjetrin si njerëz në të njëjtin hall. Nëse ne nuk lëmë pas të gjithë dasitë, dasitë e prodhura nga një politikë që na ka ndarë, na ka përçarë, na ka futur në grindje, në çdo qytet e çdo fshat dhe na sundon prej 17 vjetësh një grusht njerëzish të mbyllur në kutinë e televizorit, që flasin çdo ditë në emrin tonë. Kjo nuk mund të vazhdojë më, ne nuk duhet ta lejojmë. Ne duhet të shohim te njëri tjetrin, jo socialistin dhe demokratin, por shqiptarin, qytetaren, njeriun, që njësoj si ne është në një hall të përbashkët. Sepse, ne sot, pa dallim, të Drenovës, apo gjithë Shqipërisë, halli është i përbashkët. Tokat nuk vaditen, njësoj për të dy palët. Fëmijët nuk kanë kushtet e nevojshme për t'u rritur dhe arsimuar ashtu si duhet. Populli sot vuan të njëjtën mungesë perspektive. Ndërkohë që arsyet që politika e vjetër që na mban të ndarë, është politika e politikanëve, jo ajo e qytetarëve. Është ajo politikë, që pasi të merr votën nuk mban asnjë premtim që bën dhe në vend të punës në shërbim të interesit tonë, na ofron shfaqje bajate, kush je ti dhe kush jam unë, akuza,fyerje, shpifje, duke mbajtur të lidhur të gjithë popullin. Kjo do të mbarojë dhe mund të mbarojë, duke e lënë flamurin e partisë dhe duke patur krahë për krahë njëri-tjetrin, për ta mbyllur kapitullin e politikës së vjetër dhe për të hapur kapitullin e politikës së re, të zgjidhjeve të halleve.

Nuk luhet me top, por me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne nuk duhet t'i lëmë politikanët të na marrin votën dhe më pas të flasin në emër të interesave të tyre. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe të votojmë së bashku për programin që është më bindës, për njerëzit që janë më bindës dhe për drejtuesin që është më bindës. Nuk ka rëndësi nëse është i Partisë Socialiste, por rëndësi ka që ne të votojmë një program, i cili do të nxjerrë Shqipërinë nga një prapambetje, e cila është si kënetë. Kjo do të thotë të nxjerrim Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Të nxjerrim nga mjerimi fshatin ku jetojnë socialistë dhe demokratë.

Gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë me punë të ndershme, të punojnë dhe të rritin fëmijët me punë të ndershme, të mos i privohet asgjë që është me ligj. Kështu mund të ndërtohet Shqipëria, sepse kështu është ndërtuar Europa.

Na duhet të zbulojmë te njëri-tjetri energjitë pozitive, duke bërë luftë me varfërinë, papunësinë, injorancën, korrupsionin, me të gjitha abuzimet e një shteti, që mbahet në këmbë me kontributet tona. Këtë luftë mund ta fitojmë duke bashkuar zemrat dhe mendjet tona.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm