Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Dialog ne Podgorie: Te ndertojme sebashku nje program te ri

Të reja

Dialog ne Podgorie: Te ndertojme sebashku nje program te ri

15 Jun 2008    
Të ndërtojmë së bashku një program të ri, që duhet të jetë instrumenti qeverisës i hartuar nga vetë shqiptarët,në qytet dhe në fshat, me këtë thirrje u është drejtuar lideri opozitar Edi Rama banorëve të fshatit Podgorie në qarkun e Korçës. Sekretari rajonal i qarkut Alfred Dalipi dhe deputetët Majko e Blushi duke dëgjuar dhe bashkëbiseduar me banorët kanë vënë theksin tek fakti se idetë dhe sugjerimet e atyre që jetojnë në fshat çdo ditë me tokën janë mjaft të rëndësishëm për programin që po harton PSSH. Kryetari i PS Rama ka ironizuar qeveritarët që flasin shumë për integrimin, por realisht bëjnë pak për një Shqipëri të vërtetë evropiane.

Duhet të bëhemi bashkë dhe të lëmë mënjanë paragjykimet, u shpreh Rama në këtë takim në Podgorie, kjo në mënyrë që partitë të fillojnë të mendojnë për hallet e qytetarët. Bashkëbisedimi me banorët e fshatit Podgorie ishte dhe takimi i fundit i zhvilluar për qarkun e Korçës, ku në harkun e disa ditëve u zhvilluan dialogje për bujqësinë në mbi 10 fshatra të këtij qarku.

Gjatë bashkëbisedimit Rama u shpreh:

“Dëshirojmë shumë që sëbashku me ju, sëbashku me të gjithë shqiptaret dhe shqiptarët, të kthejmë faqen e një historie 17 vjeçare, e cila ka shkuar duke rënduar plagët shoqërore vendit tonë dhe veçanërisht duke thelluar plagët e fshatit tonë. Ne besojmë te një Shqipëri e re, moderne dhe evropiane. Te një Shqipëri e denjë për të gjithë këta fëmijë. Ne jemi të dëshiruar ta bëjmë këtë, sepse besojmë që nuk jemi as më pak të mençur, as më pak të zotë, dhe as më pak të gatshëm për të bërë sakrifica se fqinjët tanë, që sot vazhdojnë të ecin përpara, kurse Shqipëria zvarritet. Zvarritet duke e parë Europën për ditë e më larg, ndërkohë që çdo ditë dëgjon fjalime për Bashkimin Europian. Ne duam që fjalët t'i kthejmë në vepra, duam që këto dëshira t'i kthejmë në realitete për njerëzit tanë. Ne duam që ta bëjmë këtë zonë, që i ka të gjitha kushtet, të kthejmë shpresën, punën dhe mbi të gjitha të ndërtojmë mirëqenien, në mënyrë që familjet tuaja të mos e presin fundin e muajit, me ankthin se nuk kanë çfarë t'i japin fëmijëve për të ngrënë. Duam t'i japim rëndësi arsimit profesional, në të mirë të zhvillimit profesional. Jemi të bindur se kjo është e mundur. Shqipëria e sotme nuk është fryt i talentit, i zgjuarsisë, energjive pozitive të popullit tonë, por është rezultat i një politike të vjetër, e kthyer me kurriz nga njerëzit. Është rezultat i një politike që nuk ka patur kurajën për të dëgjuar njerëzit, teksa nuk ka gjetur rrugët për t'ju shërbyer njerëzve dhe për t'i shërbyer aspiratës së shqiptarëve për zhvillim, sepse edhe kur ka dashur, nuk ka ditur. Për të ditur, në radhë të parë duhet të kesh vullnetin për të dëgjuar dhe mësuar. Nuk ka rrugë më të mirë, se sa ndërtimi i një politike të dëgjimit, komunikimit, dialogut. Dua t'ju garantoj sot, se ky “Dialog me Shqipërinë, qytet më qytet dhe fshat më fshat, për të dëgjuar të gjithë ju, lidhur me problemet e mëdha dhe me rrugët e zgjidhjes së këtyre problemeve në fshat, do të na japin në dorë instrumentat e nevojshëm për të ndërhyrë ashtu si duhet dhe aty ku duhet. Kemi ardhur këtu t'ju dëgjojmë dhe do të vijmë përsëri, përpara se të vijmë për të kërkuar votën, të cilën do t'ua kërkojmë duke ju premtuar ato që mund të bëjmë realitet, bazuar në një program që po e shkruajmë me të gjithë shqiptarët, duke i dëgjuar në 300 komuna, mbi 10 mijë bujq e fermerë, mendime të cilat i konsultojmë me ekspertët tanë dhe ata të huaj. Në këtë mënyrë, do të ndërtojmë një program, i cili do të jetë zhvillim për fshatin. Do të ecim së bashku, duke zbuluar te njëri-tjetri energjitë pozitive, për të zgjidhur hallet e përbashkëta. Përpara se të jeni socialist e demokrat, ju të gjithë jeni njerëz, që kërkoni të jetoni me dinjitet dhe që keni të njëjtin hall. Hallin që lidhet me punën, tokën dhe mirërritjen e fëmijëve. Në emër të këtij halli dhe detyrimi të përbashkët, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të mos votojmë me sy mbyllur.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm