Edi Rama

Luftë frontale me krimin

Fjala e kreut të PS, Edi Rama në aktivitetin e sotëm ” Forumi- Programi i PS, Rendi dhe Siguria”

Falënderoj të gjithë ata që e pararendën këtë fjalë!

Falënderoj të gjithë ata që gjatë një periudhe të gjatë, qysh prej Kongresit të 5 nëntorit 2011, kanë kontribuar në rrugëtimin e programit për të ndërtuar një plan konkret për qasjen e re ndaj krimit dhe sigurisë.

Falënderoj shumë ekspertë që i janë bashkangjitur kësaj rruge, qofshin ata që e kanë bërë këtë në tryezat e programit, qofshin ata që e kanë bërë këtë ilegalisht, sepse janë në detyra të larta sot në strukturat e sigurisë dhe të rendit publik.

Falënderoj, po ashtu, shumë qytetarë, shumë të reja dhe të rinj, edhe dje kam pasur një pafundësi mesazhesh në rrjetet sociale lidhur me dobishmërinë e kësaj pune që ne po bëjmë për të komunikuar shqetësimet, por dhe idetë tona.

Do ta filloja me një nga shumë tregimet që kam dëgjuar nga brenda strukturave të sotme të policisë, një drejtor burgu që i vodhën makinën dhe policia i tha më mirë mos ta regjistrojmë fare këtë si vjedhjeve, por do bëjmë çmos që ta gjejmë. Kaluan ditë të tëra dhe makina nuk u gjet. Drejtori shkonte vinte në këmbë dhe një ditë të bukur mblodhi të burgosurit dhe u tha dua të më gjeni makinën. Të burgosurit i thanë me e gjet është pak vështirë, por do të gjejmë një të re. Dua i tha makinën time dhe të ma sillni një orë e më parë, përndryshe asnjëri nuk ka leje për të dalë në ato daljet e kushtëzuara. Brenda një numri shumë të shkurtër ditësh gjeti makinën e vjedhur tek dera e burgut kur po shkonte në punë. Kjo nuk është anekdotë. Kjo është histori reale. Me histori të tilla reale sot është e mbushur Policia e Shtetit. Sigurisht, që janë histori që e dekurajojnë ende më tutje moralin e Policisë së Shtetit.

Siguria e njerëzve është qëllimi më i rëndësishëm i një shteti. Në shekullin e XVII filozofi Thomas Hobbs kuptoi dhe shkroi se “ajo që i shtyn njerëzit në formimin e komuniteteve dhe të qeverive është në radhë të parë nevoja për t’u mbrojtur duke mbrojtur njëri tjetrin. Pa këtë mbrojtje, shkruan Hobbsi, jeta është e vetmuar, e varfër, e frikshme, e egër dhe e shkurtër”. Askush që atëherë 300 vjet më parë, nuk e diskuton parimin se pa sigurinë nuk mund të ketë aq qetësi, as zhvillim normal në jetën e një individi, e një komuniteti, apo të një shteti. Siguria është gur themeli për zhvillimin në të gjitha fushat e jetës së qytetëruar, punësimit, shëndetësisë, edukimit, kulturës. Këto fusha lidhen me detyrimin themelor të çdo qeverie moderne për të garantuar sigurinë individuale dhe shoqërore. Duke luftuar pa kompromis krimin dhe duke luajtur rolin e vet të pazëvendësueshëm në parandalimin e krimit. Në luftën me krimin shkaqet e krimit janë po aq të rëndësishme në syrin e një qeverie moderne sa ç’është dhe vet krimi. Krimi sot në Shqipëri ka marrë një turravrap shumë të frikshëm dhe shkaqet e krimit vlojnë në gjirin e bashkësisë sonë në çdo komunitet. Shteti zmbrapset përditë para krimit dhe qeveria e ka humbur fuqinë përballë shkaqeve të krimit. Faktikisht, qasja, sot, për të rikthyer sigurinë është më shumë se asnjëherë një qasje e dyfishtë. Nga njëra anë hapja e një lufte frontale me krimin, nga ana tjetër hapja e një beteje shumë planëshe me shkaqet e krimit. Pa këtë të dytën nuk fitohet e para. Vrasjet, shpërthimet me eksploziv, grabitjet me armë në dorë, vjedhjet e pasurisë së qytetarëve sot janë kthyer në një lajm të përditshëm që nuk është më lajm. Trafiqe dhe kontrabanda gjithfarëshe kanë marrë përmasa të reja. Çka ka ndodhur është se është thyer ekuilibri në favor të krimit në fushën e betejës së shtetit me krimin. Nuk ka ekuilibër. Krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti, nuk do lodhemi së përsërituri që kur Partia Demokratike erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime në vit. Në 2012 u evidentuan 20 688 krime gjatë vitit. Diferenca në shtatë vjet qeverisje, 12 438 krime më shumë. Që do të thotë që vit pas viti progresioni i rritjes së kriminalitetit është mesatarisht 1500 krime. Vetëm viti 2012 në raport me vitin 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë. Shqipëria e sotme ka koeficientin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë në Europë dhe në rajon. Shqipëria e sotme është vendi europian me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë, në një kohë që ka numrin më të vogël të makinave për banorë. Kemi katër herë më pak makina për banorë sesa në çdo vend europian dhe kemi katër herë më shumë vrasje në rrugë, vdekje dhe plagosje bashkë sesa në çdo vend evropian. Katër herë!

Në vitin 2005 regjistroheshin 850 aksidente, në 2012 -2012 aksidente. Në vitin 2005 – 875 të plagosur, në vitin 2012 – 2550 të plagosur. Të gjitha këto pasi populli shqiptar me taksat e veta dhe me borxhet që i merr Saliu po i paguan çdo familje shqiptare ka investuar masivisht në rrugë. Në rrugë të cilat nuk përmbushin asnjë standard ndërkombëtar sigurie, shëndetshmërie dhe qarkullueshmërie. Pa llogaritur faktin që kanë filluar të rrënohen, ose kanë mbetur në mes të rrugës, sepse nuk përfundohen. Vetëm në korrikun e vitit të kaluar në rrugë kanë vdekur 50 vetë. Por ka ende më shumë. Çfarë ka ndodhur në mandatin e vjedhur të vitit 2009, në raport me kriminalitetin? Dyfishuar vjedhjet e banesave, në katër vjet. Dyfishuar grabitjet e kompanive private në katër vjet. Dyfishuar krimet kundër pronës, në katër vjet. Dyfishuar vjedhjet me armë, në katër vjet. Trefishuar vjedhjet me dhunë, në katër vjet. Trefishuar vjedhjet e makinave, në katër vjet. Katërfishuar vjedhjet e gjithë llojeve të tjera në 4 vjet. Ky mandat qeverisës do të shënohet në historinë e qeverisjes shqiptare të 100 vjetëve që ikën dhe të atyre 100 të tjerave që do vijnë si mandati i hajdutërisë së plasur sheshit, në të gjitha nivelet, në të gjithë territorin. Mirëpo, këto janë shifra, shifra që shënojnë fatkeqësi të të tjerëve, vrasje, vdekje, plagosjeje, dëmtime, cenime, rrënime të të tjerëve. Ndërkohë që, pas shifrave dhe grafikëve në rritje jemi të gjithë ne, qëndron një shoqëri e kërcënuar në palcë në sigurinë e saj. Një shoqëri që është e dobësuar në mundësitë e veta për punësim real, për edukim të vërtetë, për shërbim shëndetësor normal, për një jetë kulturore lehtësuese. Një shoqëri e stresuar  dhe e dëshpëruar, e lëshuar duarsh, për shkak të rrënimit të shtetit ligjor dhe harbimeve të paligjshme të pushteti politik. Ky shtet, shqiptarët duhet ta dëgjojnë, duhet ta dëgjojnë jo vetëm ata që sot janë të vendosur ta ndëshkojnë me votë këtë qeveri, por edhe ata që sot mendojnë se mund ta rivotojnë këtë qeveri, se ky shtet nuk ka më asnjë shans ta fitojë betejën me krimin sepse kjo qeveri me një dorë voton ligje për ta shtrënguar rrethimin e krimit dhe me tjetrën shtrëngon duart me krimin për të ndarë përfitime të paligjshme. Prandaj, ky shtet është i tradhtuar dhe i është dorëzuar rrënimit. Prandaj kjo qeveri ka tradhtuar jo vetëm misionin e saj, por çdo votë, që ka marrë nga cilido që për arsyet e tij ka besuar se e ka deleguar fuqinë e vet, për sigurinë e vet, për punësimin e vet, për mirëqenien e vet. Shembull tipik i faktit se ky shtet s’ka shans ta fitojë betejën me krimin dhe njëkohësisht i faktit se kjo qeveri nuk ka asgjë për të bërë përveçse me një dorë të miratojë ligje dhe me dorën tjetër të shtrëngojë duart me krimin për përfitime të paligjshme, është se midis vitit 2011 dhe vitit 2012 ne kemi punuar në parlament për të miratuar ligje, që forcojnë masat e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, me propozimin tonë, të grupit tonë parlamentar, janë forcuar norma dhe ashpërsuar masa ndaj krimit në tërësi dhe dhunës në familje në veçanti. Rezultati, 90 gra të vrara në 2011 përpara sesa të forcoheshin ligjet, 27 gra të vrara në 2012 pasi u forcuan ligjet. Ashtu sikundër dhe numri i krimeve në tërësi pas forcimit të ligjeve më vogël dhe para forcimit të ligjeve më i madh. Të jeni të sigurt që me këtë qeveri mund të vazhdojmë të forcojmë ligje, por do kemi rritje progresive të krimit dhe të dhunës në familje. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, Shqipërisë nuk i mungojnë ligjet, por i mungon ligjshmëria. Shqipërisë nuk i mungojnë tre ligje për t’u bërë europiane. Shqipërisë i mungojnë tre pushtete. I mungon pushteti legjislativ, i marr peng nga ekzekutivi, e patë përpara dy ditësh. I mungon ekzekutivi, i marrë peng nga korrupsioni. I mungon gjyqësori i marrë peng nga ekzekutivi dhe nga korrupsioni. Në këto kushte ligjet janë letra pa asnjë vlerë. Kush mendon të kundërtën, apo kush bie në batakun e tre ligjeve që na ndajnë nga parajsa tokësore, ose nuk do të shikojë, ose fatkeqësisht, është i qorruar dhe i shurdhuar nga thikat dhe nga daullet e propagandës perverse të një qeverie, e cila në Bruksel poston ligje, në Shqipëri është përgjegjëse për rritjen eksponenciale të të gjitha shifrave të pasigurisë, të varfërisë, të papunësisë dhe të rrënimit social në tërësi.

Shqipëria dhe shqiptarët sot nuk vuajnë se nuk kemi ligje në letër, po sepse ne nuk kemi shtet ligjor dhe ligjshmëri në rrugët e jetës. Fijet që lidhin krimin me zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptare nuk janë fantazi e opozitës. Ato nënvizohen si kërcënim për Shqipërinë dhe shoqërinë tonë nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vet të vitit 2012, e zeza mbi të bardhë. Policia e Shtetit është e tradhtuar, është e rrënuar dhe është e braktisur. Në një vend me 1 milion të papunë ku Policia e Shtetit trajtohet si njëra nga zyrat për të punësuar shërbëtorë të partisë së qeverisë, kushërinj apo miq krahinor dhe ende më keq, njerëz me precedentë penal që shfrytëzohen për fushata elektorale, s’ka asnjë mundësi sesi krimi të mos e vërë poshtë shtetin dhe ta shqelmojë ditë për ditë duke e dhunuar, duke e abuzuar, duke e poshtëruar publikisht.

Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit dhe i të gjitha forcave të tjera të sigurisë mbi bazën e një reforme shumë planëshe është sot për Shqipërinë dhe për shoqërinë tonë emergjencë kombëtare. Në 300 ditët e para ne do ta rivëmë policinë e shtetit në krye të detyrës dhe Shqipëria do ta shohë me sytë e saj një Polici të Shteti të rilindur. Ne do t’i japim fund rrjetës së merimangës policore në Shqipëri ku gjithfarë lloj policish me turlilloj uniformash vijnë vërdallë me duart në xhepat e miletit. Në territorin e shtetit shqiptar dhe për llogari të shtetit shqiptar, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të ligjit për të garantuar sigurinë e individit dhe paprekshmërinë e pronës do të ketë vetëm një polici, Policia e Shtetit Shqiptar.

Policia, sot, ka trajtimin financiar më të ulët në të gjithë rajonin. Nuk po flasim për Europën, por po flasim për Kosovën, po flasim për Bosnjën, po flasim për Malin e Zi apo Maqedoninë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme pasi ne publikuam planin tonë për trajtimin financiar të  Policisë së Shtetit që bazohej në një analizë shumë serioze të bërë falë kontributeve të ekspertëve ndërkombëtarë në vet Ministrinë e Brendshme gjithashtu, doli dhe tha në polici nuk ka rroga nën 520 mijë lekë. Mjafton kaq për të kuptuar se kupola drejtuese e Ministrisë së Brendshme është aty për krejt të tjera arsye dhe për krejt tjetër mision dhe qëllim. Se çfarë ndodh në të përditshmen e uniformave blu në terren, që marrin pak më shumë se 300 mijë lekë të vjetra, apo se çfarë ndodh me inspektor, kryeinspektor ose komisar që vriten në krye të detyrës, të lënë jetim dhe nganjëherë të tradhtuar pas shpine nga vetë kupola, kjo për kupolën s’ka pikë vlerë.

Janë në një fazë kur thuhet se është faza më e rrënuar dhe më e rrezikshme e atij që shkon kundër ligjit. Janë në fazën që përtojnë të fshehin dhe gjurmët. Thonë nuk ka rroga më të ulëta se 520 mijë lekë. Llogariteni vetë! Ta llogarisin vetë të gjithë ata punonjës policie se në dorën e kujt kanë mbetur dhe se çfarë duhet të bëjnë në 23 qershor.

Në mandatin tonë të parë, unë e përsëris, ne do të sigurojmë që inspektori i policisë të paguhet 570 mijë lekë.
Kryeinspektori të paguhet 632 mijë lekë.

Nënkomisari të paguhet 727 mijë lekë.
Komisari të paguhet 800 mijë lekë.
Kryekomisari të paguhet 880 mijë lekë.
Drejtuesi të paguhet 1 milion e 12 mijë lekë.
Drejtuesi i parë të paguhet 1 milionë e 113 mijë lekë.
Zëvendësdrejtori të paguhet 1 milionë e 280 mijë lekë.
Drejtori i Përgjithshëm të paguhet 1 milion e 470 mijë lekë.
Ky është angazhimi ynë. Është një plan konkret. Ne do ta realizojmë vit pas viti dhe pas 4 vjetësh nëse trupa e Policisë së Shtetit nuk do të paguhet në këto shifra që unë po deklaroj ne nuk do kërkojmë mandat të dytë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu ne në mandatin e parë do të garantojmë:

1-    Strehimin për të gjitha familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. Nuk ka turp më të madh për një qeveri, për një shtet, për një shoqëri, që familjet e njerëzve që janë vrarë duke u përballur me krimin për të garantuar jetën pronën dhe qetësinë e një komuniteti sot janë pa strehë.
2-    Punësimin për të gjitha gratë e policëve të vrarë në krye të detyrës. Që sot, për turpin e këtij shteti dhe të kësaj shoqërie bashkë me shtetin, janë shumica dërrmuese të papuna.
3-    Përkujdesjen për arsimimin e të gjithë jetimëve të luftës së shtetit me krimin.
4-    Do të bëjmë të mundur që shteti si kontribut i të gjithë shoqërisë të paguajë asiguracionin për jetën të çdo uniforme blu. Çdo polic, çdo inspektor, çdo komisar, çdo drejtues, çdokush që nën uniformën blu merr përsipër misionin e madh dhe betohet për të garantuar individin dhe pronën, në këtë vend, me kontributin e shoqërisë do të ketë asiguracionin e jetës, nga i cili do të përfitojë familja e tij, në rast se përballja me krimin do të jetë fatale për atë vetë.

Sot policët shqiptarë, që të gjithë, taksohen më shumë se të gjithë policët e rajonit. Janë të vetmit policë që paguajnë më shumë taksa se të gjithë kokat e mëdha të kupolës së inkriminuar të Ministrisë së Brendshme. Edhe më shumë taksa se Ministri i Brendshëm, koka vetë. Para ca ditësh kryeministri në detyrë, faktikisht, pranoi se sistemi i ndershëm i taksimit bazuar mbi vlerën e progresivitetit nuk qenka marksist. Mori një copë, i gjendur në vështirësi të madhe përpara alternativës sonë, e kopjoi siç di ai të kopjojë, keq dhe tha do të heqim taksën 10% për të gjithë ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë. Po nuk është sistem i ndershëm taksimi dhe kjo nuk është një masë e ndershme. Po ata që fitojnë 300 mijë lekë e pak më shumë, siç janë policët e thjeshtë, do të vazhdojnë të paguajnë më shumë se sa ai Ministri i Brendshëm, që është bërë shëmbëlltyra e të gjitha arsyeve pse në 23 qershor kjo qeveri duhet të largohet e ndëshkuar me përbuzje. Pse ata të mos hyjnë në këtë sistem? Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse kjo masë për të hequr taksën e atyre që fitojnë deri në 300 mijë lekë është elektorale. Është njësoj si ato masat e tjera për të punësuar sa më shumë njerëz në  prag të fushatës e pastaj të flaken në rrugë 2 muaj pas zgjedhjeve. Është njësoj si ajo masa e përgjysmimit të taksës së biznesit të vogël në vitin ‘05 që sot ka rezultuar në trefishim të barrës së taksave mbi biznesin e vogël. Është njësoj si ajo masa e propozuar për lehtësimin nga taksat të biznesit në Tiranë në majin e vitit 2011 që sot ka rezultuar në dyfishim dhe trefishim të taksës për biznesin e vogël. Të gjitha këto janë njësoj. Pse? Sepse sistemi i komunikimit është po aq i padrejtë sa sistemi i taksës së sheshtë. Gjithsesi kjo do të ndryshojë në 23 qershor. Kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Kush fiton më pak do të paguajë më pak. Taksapaguesi më i madh në piramidën e rendit publik do të jetë Ministri i Brendshëm. Më i vogli do jetë polici i thjeshtë. E, pastaj me radhë sa më shumë përgjegjësi e aq më shumë rrogë sigurisht aq më shumë kontribute. Është e thjeshtë! Kjo është shoqëria që unë e besoj. Ky është shteti që ne duam të ndërtojmë. Ne nuk mund t’i themi policit të thjeshtë lëre flamurin të valëvitet dhe ti vetë paguaj më shumë taksa se flamuri, me një uniformë të korruptuar, ku shqiponja është kthyer tani në një lloj zogu që më shumë i ngjan Flamurit se i ngjan, shqiponjës së flamurit, merr një bilbil kap ç’të kapësh në rrugë, rrip ç’të rrjepësh në rrugë. Kjo është e pamundur!

Ne do ta ristrukturojmë rrënjësisht organikën e Policisë së Shtetit. Sot ka 200 drejtorë që nuk drejtojnë asgjë. Por vetëm drejtohen në drejtime të paditura nga kupola e inkriminuar drejtuese e Ministrisë së Brendshme. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të lehtësohet nga hallkat dhe zinxhirët burokratikë, që sot në fakt, e kanë paralizuar duke e kthyer në një hapësirë ku vetëm shpërblehen me rroga njerëz, që konsiderohen shërbëtorë të partisë në pushtet. Përparësia në këtë shkurtim hallkash dhe në këtë shkëputje zinxhirësh do të jetë, sigurisht, fuqizimi i rolit të policisë në kontrollin e territorit, në parandalimin e krimit dhe në goditjen e tij të pamëshirshme në çdo kilometër katror të Republikës. E thashë më parë dhe po e përsëris, polici ndërtimore, polici financiare, polici policore, polici elektrike, të gjithë këto lloj policirash brenda 300 ditëve ne nuk do t’i kemi. Do kemi vetëm Policinë e Shtetit. Gjithfarë uniformash që u paraqiten në derë shqiptarëve njëri i pyjeve, njëri i telave, njëri i plehrave, njëri i vetvetes, njëri me një blu të zbardhur, tjetri me një jeshile të errët, njëri me një gri të rrjedhur, njëri me strehën këndej, tjetri me strehën andej, cigarja këtej streha andej, nuk do ketë më pas 23 qershorit. Një polic, polici i shtetit të Republikës së Shqipërisë. Nuk do ketë më Polici Shteti që shikon se si çohet dikush dhe pret pemën dhe ai ha fara dhe thotë këtë e ka policia e mjedisit. Nuk do ketë më polici shteti, që sheh se si dikush lidh në mënyrë të paligjshme telat dhe thotë këtë e ka elektriku, hajde vëlla ta pimë një dopio. Këto nuk janë për askund tjetër vetëm se për barcaleta të një kohe të shkuar. Dhe kjo do të jetë kohë e shkuar dhe ne do t’i tregojmë si barcaleta duke qeshur së bashku me të gjithë ata që më uniformën e Policisë së Shtetit do të jenë njerëz, që do të ndjejnë se do përfaqësojnë një shtet dinjitoz dhe se luftojnë jo për qeverinë, por luftojnë për nderin dhe dinjitetin e këtij kombi, për nderin dhe dinjitetin e familjes së tyre.

Ne duam të fuqizojmë njësitë policore vendore dhe të garantojmë një decentralizim që u jep atyre jo vetëm fuqi veprimi, por edhe mbrojtje. Mbrojtje të shpinës nga dekonspiruesit në qendër. Kjo është një nga problemet më të rënda më dramatiket që shpesh herë përfundon deri në tragjedi, deri në vrasje dhe që lidhet me dekonspirimin. Policia është e shitur. Policët dhe komisarët që shkojnë të përballen me krimin në terren përballen në çdo operacion me dy rreziqe, me kriminelin që do gjejnë përballë dhe me dikë në qendër që mund t’i dekonspirojë te krimineli. Sepse ato fijet për të cilat flet Departamenti i Shtetit funksionojnë në mënyrë që kupola mbron krimin dhe krimi lidhen me kupolën dhe ata që janë në mes janë mish për top. Këtë ne do ta ndalojmë! Dëgjoni çfarë thuhet. Disponojmë shumë nga këto falë padurimit të atyre që janë realisht drejtues profesionistë dhe të ndershëm në Policinë e Shtetit për ndryshimin dhe transformimin, për të cilin ne jemi angazhuar. Një raport i brendshëm konfidencial i cili është në tryezën e Drejtorit të Përgjithshëm, është në tryezën e Ministrit të Brendshëm, është në tryezën e kryeministrit nuk e di prej sa kohësh. S’jap data sepse më pas ata nuk merren me çështjen po merren me datën. “Hetimet kanë dështuar. Ato zvarriten dhe në raste të caktuara, ekstreme, lindin dhe dyshimet për dekonspirim nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Tendenca për të angazhuar policinë e qarqeve në disa prej operacioneve ka rezultuar fatale për hetimin për shkaqe që lidhen kryesisht me dekonspirimin. Strukturat e Policisë së Shtetit shihen të paangazhuara. Ajo çka ndodh nuk mund të justifikohet me mangësi logjistike, sepse vitet e shkuara me të njëjtën logjistikë janë arritur rezultate shumë më të larta.”

Nuk dua të lexoj më gjatë, ka gjëra që të ngjethin mishtë. Ja pse ne për këtë dhe për arsye të tjera do të themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit. Analiza e informacionit kriminal, antidroga, drejtimi i luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore, armëve, eksplozivëve, antiterrori, drejtimi i luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësitë speciale të agjentëve në mbulim, policia shkencore, antikrimi kompjuterik, trupa operacionale e drejtimeve dhe ndërhyrje, mbrojtja e dëshmitarëve, analiza e raportimeve ditore e policisë së rendit dhe qarkullimit në terren do të jenë të gjitha pjesë përbërëse të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndërsa SHKB, e cila nga një strukturë e domosdoshme është kthyer në një strukturë famëkeqe brenda organeve të policisë, nga një levë në dorën e Ministrit të Brendshëm për presione dhe për shantazhe do të kthehet në një gardian të integritetit moral të uniformave blu. Me Byronë Kombëtare të Hetimit nga një anë dhe me SHKB-në nga ana tjetër ne do të garantojmë një rritje shumë të shpejtë të cilësisë së punës hetimore. Do të garantojmë një shkëputje shumë të shpejtë të të gjithë atyre lidhjeve të konsoliduara të cilat e komprometojnë punën hetimore të policisë. Nga ana tjetër do të garantojmë që vërtet uniformat blu do t’i trajtojmë mirë financiarisht, do t’i mbështesim gjithë fuqinë e vullnetit politik që të luftojnë me krimin që të bëjnë detyrën, që të mos lejojnë cenimin e asnjë individi e asnjë prone, por nga ana tjetër do të garantojmë dhe kontrollin mbi uniformat blu. Kush është nën uniformën blu duhet të jetë në radhë të parë garant me qenien e tij i gjithë kësaj lufte dhe s’duhet të ketë lidhje jo me krimin e me korrupsionin, por as me ryshfetin banal.

Rishikimi i gradave dhe rekrutimi më shembullor, dhe këtë e konsideroj pjesë të programit dhe të sfidës sonë në tërësi për administratën e shtetit, po në veçanti për Policinë e Shtetit, do të ndodhë në historinë e këtij shteti.

Ne duam të ndërtojmë një Polici Shteti ku çdo shqiptar, çdo qytetar i këtij vendi, për të cilin shoqëria apo familja ka investuar përmes trajnimesh, kualifikimesh apo financimesh, si rroga në gjithë këto vite në uniformat blu është sot punonjës apo është sot i larguar, të ketë mundësinë të konkurojë në mënyrë transparente dhe të provojë se ka aftësitë dhe integritetin moral për t’u bërë pjesë e  kësaj trupe shembullore policore, që do ta kthejë Shqipërinë në parametrat normalë të ekuilibrit mes Shtetit dhe Krimit dhe që do të vendosë pacenueshmërinë e individit dhe pronës në themelin e punës së saj.

Sot policia jo vetëm nuk parandalon po nga mënyra se si është lëshuar rrugëve e braktisur është si një lloj ftese për veprime që janë në shkelje të ligjit. Dhe nuk flas vetëm për veprimet e krimit të organizuar, po flas edhe për shkelje të thjeshta të rregullave të qarkullimit. Po ashtu ringritja e marrëdhënieve me partnerët, nga një fazë rrënimi siç është do të jetë objektivi ynë dhe do ta çojmë në nivelin më të lartë të këtyre 20 viteve, qoftë duke ndërtuar një partneritet me qeverinë e Kosovës. Unë vetë po dhe nga gjithë kontaktet me drejtuesit e lartë të policisë, në detyrë ose të larguar, kam bindjen se policia e Kosovës është një shembull për t’u ndjekur nga ne. Polici kosovar në rrugë është një shembull për t’u ndjekur për atë që duam nesër të jetë polici i shtetit tonë në rrugë dhe duke vazhduar me partnerët tradicionalë. E jo si sot që ka ardhur puna për shembull që një instruktor qensh çohet oficer kontakti në vendin më të rëndësishëm për ne. Qentë i lënë pa instruktor atyre u çojnë instruktorin e qenve. Edhe qentë humbin edhe pala partnere humbet. Ndoshta instruktori i vetëm fiton falë kushedi se çfarë lidhjeje ndoshta një shpërblim më shumë edhe ndonjë veturë nëpër rrugët e metropolit ku ka vajtur, duke lënë këtu qentë vetëm dhe duke ndenjur atje vetëm se nuk e fërshëllen njeri, pasi nuk ka kualifikimin për të bërë atë punë për të cilën është dërguar.

Duke shkuar më tej, do të thosha që, në një vend ku plaga e thellë e papunësisë rinore kurohet me recetën më shkatërruese, që është shqyerja e dyerve të universiteteve. Hapja pa asnjë lloj kriteri e karari e fabrikave të diplomave fiktive, që duhen rëndom universitete private, nuk ka asnjë shans që të shmanget rritja e kriminalitetit në radhët e të rinjve. Të rinj të çoroditur, që kanë humbur komplet pikat e referimit moral, ligjor dhe komunitar.

Në kushtet e sotme sociale, papunësia rinore ka vetëm gjasa që të shtohet. Por nuk është vetëm shtimi i numrit të të papunëve. Është zgjerim i këtij boshllëku moral, edukativ dhe kulturor të shoqërisë, zgjerimi i pellgut ku krimi peshkon forcat e veta të freskëta dhe shton fuqinë e tij goditëse. U fol këtu se si të rinj të çoroditur hedhin një hap të gabuar në një shkelje fare banale të ligjit dhe pastaj ndërmarrin një rrugëtim në një tunel pa kthim, duke dalë nga ana tjetër e tunelit si eksponentë kriminalë. Kjo perspektivë është rrëqethëse. Nuk është fantazi! Nuk është as një vizion kasandrash, është një perspektivë në aksion, është një perspektivë në veprim dhe nëse nuk duam që ky proces të shkojë duke u degraduar më tej, duhet të ndërmarrim domosdoshmërisht një reformë të thellë të arsimimit dhe edukimit, e cila është më shumë se sa reforma e shkollës. Reforma e edukimit lidhet me kulturën, lidhet me sportin, lidhet edhe me median publike, që sot ç’edukon nëpërmjet televizionit shtetëror, e padyshim që lidhet edhe me standardet komunikimit publik. Edhe për këtë programi ynë ka një qasje të posaçme.

Duke vazhduar më tutje tek ndikimi që ka rritja e dëshpërimit social, në një vend ku shërbimi shëndetësor dhe të gjitha shërbimet e tjera publike nuk jepen sipas nevojës, por vetëm sipas xhepit dhe janë katandisur në bataqe plot me llumë, të mbushura me ferra dhe barishte korrupsioni, ku qindra mijëra njerëz nuk marrin dot shërbim shëndetësor pa paguar fatura. Aq sa janë të papunë, aq janë dhe të pasiguruar. Ata të papunë e të pasiguruar, që sëmuren, apo kanë nevojë për këshillën e mjekut, sot duhet të paguajnë 5 herë më shumë se pak vjet, më parë mbi dorë, zyrtarisht dhe sigurisht nën dorë, sepse është sistemi i tillë i falimentuar. Siç është sistemi në polici i falimentuar, siç është ai në edukim i falimentuar edhe ky në shëndetësi është i falimentuar. Është i ndërtuar mbrapsht. Pastaj mbrapshtia që ka përfshirë të gjithë qeverisjen e kthen atë në një sistem, që vetëm thith energji dhe të ardhura nga njerëzit e pambrojtur, që janë 99% e këtij populli dhe e kanalizon paranë në një drejtim të paditur, ose të ditur, por jo në drejtimin e duhur, ndërkohë që e bjerr energjinë e një shoqërie të tërë duke rritur dëshpërimin social. E pra, nuk ka se si të mos gëlojë krimi dhe nuk ka se si të mos ndeshemi me një rritje të vazhdueshme të fuqisë së krimit dhe me një dobësim të ndjeshëm në mënyrë të vazhdueshme të fuqisë së shtetit për t’u përballur me krimin, në kushtet kur shoqëria vetë humbet forcë, shoqëria vetë humbet aftësi reaguese, shoqëria vetë humbet shpresë dhe besim se mund të ndodhë ndryshe.

Nuk e harrova kalbëzimin e sistemit të drejtësisë dhe rënien e gjykatave në gjunjët e krimit dhe të korrupsionit, por kjo është një temë më vetë. Nëse krimi sot është mirëorganizuar, është rritur, është forcuar, është sofistikuar në nivelet e veta më të larta, është përhapur me shpejtësi në nivelin e rrugës, duke përfituar dhe nga një konjukturë e re, që e ka rritur shumë pjesëmarrjen dhe forcën e krimit për shkak të rrugëve të hapura ndërballkanike, gjë që nënvizohet troç në të gjitha raportet ndërkombëtare, sfida është që të bëjmë të njëjtën gjë. Të mirëorganizohemi, të forcohemi, të sofistikohemi në çdo nivel me forcat tona të sigurisë dhe të rendit për t’u përballur me këtë forcë që kemi përballë. Krimi sot përparon frontalisht dhe e zgjeron frontin e tij. Përgjigja jonë do të jetë frontale dhe në çdo segment të frontit që krimi i ka hapur shtetit, duke marrë përditë jetë njerëzish, duke goditur përditë dinjitetin e policisë. Sepse duket si kohë që nuk do vijë më, koha kur një makinë e shtrenjtë ndalon përpara një polici të lodhur, që ngre një tabelë të çngjyrosur dhe njëkohësisht duke dhënë dhe mesazhe shumë kërcënuese. Të jeni të bindur, se po aq sa duket sot e vështirë, thuajse e pamundur në kushtet e përballjes mes këtyre dy forcave, nga një anë një forcë e motivuar shumë financiarisht dhe e organizuar në disa nivele dhe nga ana tjetër një forcë e demotivuar financiarisht, e paorganizuar në të gjitha nivelet siç është Policia e Shtetit, nesër duke vendosur policinë në kushtet e duhura ne do t’ja dalim që t’a zmbrapsim krimin. Sepse nuk ka organizatë kriminale në botë që të jetë më e fortë se sa një polici e organizuar e një shteti normal në çdo vend të botës.

Edhe sjellja antisociale është ushqim bazë për kriminalitetin. Zbutja e kësaj sjelljeje, deri në eliminim, pastaj, të pasojave nuk është mision ekskluziv i policisë. Policia nuk mund të zbusë sjelljen antisociale e vetme dhe duke luftuar vetë. Është mision i gjerë shoqëror, që qeveria e vendit duhet ta ndajë me prindërit, me familjet, me mësuesit, me pedagogët dhe me median. Është një mision që fillon nga vetë sjellja e qeverisë, e cila sot për fat të keq nuk e lufton, por e motivon me shembullin e vet, sjelljen antisociale të të rinjve të dëshpëruar. Doni një shembull? Makinat e të fortëve, të qeverisë apo të pushtetit edhe legjislativ edhe ekzekutiv dhe gjyqësor janë ato që frymëzojnë të gjithë të rinjtë, që t’u shkojnë pas duke thyer të gjithë rregullat e qarkullimit, duke parkuar aty ku nuk lejohet dhe duke e konsideruar këtë, status të një force që është mbi shtetin, që është mbi ligjin, që është mbi shoqërinë. Ka plot shembuj të tjerë. E, kështu, qeveria nuk është në ballë të luftës me krimin. Kështu qeveria e ka pranuar ta ndajë territorin si një ekuilibër mes vetes dhe krimit, si një ekuilibër mes epshit të saj për të treguar pushtetin e mishëruar në individë të caktuar, kryeministër, ministra, drejtorë policish, drejtorë drejtorish, drejtorë inspektoratesh, drejtorë fakultetesh, e drejtorë drejtorësh, me pjesën tjetër nga ata të fortët, përballë të cilëve polici nuk ka mundësi të reagojë, se e di shumë mirë që një përballje me ta edhe në bulevardin e Tiranës, pasohet nga një telefonatë që vjen nga diku, nga larg, nga ajri, dhe që i thotë: “Largohu aty qen, se ta hoqa bukën e gojës.” Ky është pranimi i epërsisë së krimit. Është burim inkurajimi për krimin. Po ashtu është burim inkurajimi për krimin edhe më shumë sjellja e padenjë publike e qeverisë dhe vendimmarrja e errët e qeverisë, për të koncensionuar pasuri të tëra të këtij populli, për përfitime haptazi të paligjshme, haptazi vetjake. Këtë e dinë të gjithë. E di dhe çdo polic i thjeshtë. Me retorikën e shifrave të gënjeshtërta, të sukseseve imagjinare, të talljes publike se këtu ne jetojmë në një vend ku shqiptarët bëjnë një faj të madh po të mos jenë të lumtur dhe janë për t’u ndëshkuar në qoftë se palumturinë e tyre e shprehin në mjedise publike dhe për më tepër pastaj janë për t’u dënuar në bukën e gojës në qoftë se palumturinë e tyre e shprehin në një vend pune në administratë, flaken menjëherë në rrugë, sepse ky është vendi i njerëzve të lumtur. Ndërkohë që bashkëpunimi është i vendosur në fushën e betejës elektorale. Aty bashkohen dhe takohen për të bërë bilancet elektorale dhe për të aprovuar me vota të vjedhura masterplanin e zhvillimit të territorit dhe planin e biznesit të përbashkët, pushteti politik me botën e krimit, ku krimi hidhet në veprim për të kërcënuar votuesit opozitarë dhe ku pushteti i hap rrugën krimit për të garantuar shërbimet e tij të errëta në funksion të manipulimit të rezultatit të votimit.

Jo vetëm kaq, por qeveria është konkurrente sot me krimin edhe në perceptimin publik. Ajo godet haptazi Kushtetutën dhe ligjin dhe këtë publiku e di, këtë publiku e sheh, këtë publiku e kupton. Nuk ka nevojë publiku për interpretime legale dhe as për vendime gjykatash. Kjo është haptazi. E shkel Kushtetutën dhe ligjin duke gjuajtur me plumba haptazi dhe duke vrarë me pushkë protestues, duke penguar në mënyrë të dhunshme hetimet për vetveten. Ka konkurrencë më të hapur se i bëhet gjithë botës kriminale, që po në mënyrë të dhunshme pengon hetimet për vetveten? Dhe, sigurisht, duke justifikuar të gjitha vjedhjet e hatashme të të gjitha niveleve, me shpifje të përditshme ndaj opozitës, për të krijuar një mjedis tërësisht të molepsur, një mjedis ku çdo mace të duket e zezë dhe ku njerëzit të dorëzohen përpara errësirës dhe të mos fokusohen tek ajo që po ndodh. Dhe kush, në këto kushte, është pjesa më e motivuar dhe më e lehtësuar e kësaj shoqërie? Është pjesa e saj më e errët, krimi. E ky është inkurajim për krimin. Inkurajim i drejtpërdrejtë, inkurajim indirekt.

Ashtu sikundër edhe padrejtësia me qëllim fitimi, që është pjesë e sistemit të qeverisjes sot dhe bëhet shtysë për vendime qeverie dhe për ligje, e nxit çdo të ri, e nxit çdo shqiptar, që e sheh jetën publike nga televizori që të mendojë se sfida e tij është përfitimi i shpejtë, duke gjetur vendin në një rrugëtim padrejtësie me qëllim fitimi. Çdo kriminel dhe çdo bandë kriminale ka motivim të madh në këto kushte, se e ka rrugën e hapur, por dhe çdo polic i thjeshtë e ka një justifikim. Përveç të gjitha arsyeve objektive që ka sot një polic për të mos qenë performues në betejën me krimin, e ka një justifikim që të tërhiqet dhe ai në qoshen e vet, e madje ta zgjasë dhe ai dorën për të kap bakshishin e vet, që natyrshëm i duket normal. Sepse me 300 e ca mijë lekë dhe me shumë e shumë probleme të tjera që lidhen me transporte, që lidhen me vajtjen në detyrë, tjetërkund nga ku është vendbanimi, që lidhen me papunësinë e gruas, që lidhen me varfërinë familjare, që lidhen me nevojat e fëmijëve, në fund të fundit është një zgjatje dore për bukën e gojës, ndërkohë që shikon në televizor se si zgjaten kthetrat, jo për bukën e gojës, por për të lënë pa gojë gjithë publikun. Ne angazhohemi që të qeverisim ndryshe. Që do të thotë:

Së pari, ne do të sillemi ndryshe me Kushtetutën, me institucionet, me opozitën, me qytetarët dhe me komunitetet.
Së dyti, do të sillemi ndryshe me ligjin dhe me drejtësinë edhe nëse korrupsioni do të prekë këdo qoftë ndër përfaqësuesit tanë.
Do të sillemi ndryshe pa asnjë dyshim edhe me krimin dhe me shkaqet e krimit. Kjo është një luftë që sot është padyshim në favor të krimit. Po fiton krimi. Por është një luftë që nuk ka mbaruar. Katër vjet më vonë do ketë fituar shteti.

Më pëlqeu një fjalë e marrë nga Saviano në një nga referimet, se “në çdo shtet në botë ka mafie, në Shqipëri, mafia ka shtet”. Fatkeqësisht, ky është fakt sot. Besoj që nuk angazhohemi për asgjë të jashtëzakonshme, por vetëm për ta bërë si duhet detyrën tonë falë votës së shqiptarëve, që katër vite më vonë shteti të mos jetë më forca që u hap rrugën atyre që janë 0,1% e popullit, qoftë si përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, qoftë si përfaqësues të botës së krimit, por të jetë forca që garanton rrugën e 99.99% të shqiptarëve dhe që i mbyll çdo rrugë dhe që e pret në çdo shteg me gatishmërinë për t’u përballur dhe për ta zmbrapsur krimin dhe gjithë elementët që krimi përfaqëson.