Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › E gjithë vëmendja për ju!

Të reja

E gjithë vëmendja për ju!

07 Sep 2018    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së:

Përshëndetje të gjithëve!

Besoj që ia vlen të thuhet se fushata e llogaridhënies ishte një aktivitet shumë i nevojshëm prej ku, besoj, shumëkush prej nesh arriti të marrë energji pozitive dhe mësime të vlefshme nga komunikimi intensiv me njerëzit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Asnjëherë më parë, të paktën që kur unë jam në krye të Partisë Socialiste, nuk ka pasur një aktivitet me një shtrirje kaq kapilare dhe që nga anëtarët e kabinetit qeveritar deri tek drejtuesit e partisë, deputetët padyshim kanë shkuar në thuajse çdo njësi vendore të republikës tonë. 

Patjetër që është një risi, të cilën ne duhet ta pasurojmë në vijim, por nga ana tjetër është me fort rëndësi që përtej aspekteve pozitive dhe përtej falënderimeve të merituara për të gjithë ata që u angazhuan seriozisht dhe sinqerisht në këtë proces, të themi një të vërtetë me të cilën duhet të merremi menjëherë, duke filluar që nga e hëna.

E vërteta është që partia në territor është larg së qeni Partia Socialiste që duam për sfidat që kemi përpara. Është larg së qeni Partia që kryen funksionet e patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të komunikimit dhe të ndërmjetësimit me ata që na kanë besuar. Madje, pa e tepruar aspak mund të thuhet se shumica e drejtuesve tanë në territor e kanë braktisur detyrën e kryetarëve të Partisë Socialiste dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësimin. Kjo është e patolerueshme dhe kjo i bie ndesh betimit që unë dhe ne të gjithë kemi bërë për ta çuar tepsinë për skrap.

Lufta për të çuar tepsinë për skrap nuk është një luftë propagandistike, nuk është as një luftë e bërë për të ndarë Shqipërinë në të mirë dhe në të këqij, në engjëj e në djaj, në ne dhe ata, por është një luftë me një sistem të të kuptuarit të shtetit që e ka penguar Shqipërinë të bëhet shteti që shqiptarët kanë merituar prej shumë e shumë vitesh. Është një luftë me një mendësi që nuk mundet dot të bashkëjetojë në paqe me ne në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Ka shumë paqe me këtë mendësi dhe kjo paqe duhet të prishet me se s’bën dhe çka ne duhet të nisim menjëherë, si një proces thellimi i përpjekjes sonë për të qenë sa më pranë njerëzve, është prishja e kësaj paqeje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. 

Shqipëria nuk e ka luksin të lërë jashtë mundësive për të shërbyer në shtetin e vetë njerëz me kapacitete. Shqipëria nuk e ka luksin për të vazhduar të ketë brenda shtetit, fole ekskluzive për njerëz që nuk meritojnë të marrin rrogën nga taksapaguesit shqiptarë. Ky është misioni ynë i patjetërsueshëm dhe historik. Nëse ne dështojmë në këtë mision, është një dështim historik për Partinë Socialiste dhe na rrofshin dhe ju rrofshin pastaj, qokat e nderet dhe punësimet e pamerituara duke shkelur ligjin dhe duke ndërhyrë në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe të pabesë mes fëmijëve tanë dhe të ardhmes.

Askush nuk u ka kërkuar kryetarëve të Partisë Socialiste në territor që të jenë shefa kuadri, ndërkohë që është e pamundur të takosh shumicën dërrmuese të kryetarëve të partisë e të kesh një bisedë tjetër, përveç bisedës së punësimeve në shtet. Ndërkohë që kur vjen puna për të kontribuuar dhe për të ndërmjetësuar me shumë e shumë njerëz që kanë nevojë të dëgjojnë e të sqarohen lidhur me shumëçka ne bëjmë, apo nuk bëjmë, ne nuk i kemi në detyrë kryetarët e Partisë Socialiste. 

Kjo është ajo që duhet të ndryshojë e ne duhet të bëjmë çmos që ta ndryshojmë. 

Ashtu sikundër është e domosdoshme që në këtë proces, ne të jemi të bashkuar, të jemi të vendosur e të mos kemi ekuivokë. Të gjithë sëbashku, grupi parlamentar, deputetët dhe të tjerët me radhë. 

Sot nuk e pash këtu dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka ardhur deputeti i Kurbinit, i cili duhet të përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Një deputet që nuk ka bërë asnjë punë tjetër, përveç se ka shantazhuar dhe ka bërë presion mbi këdo ku ka mundur, për të marrë vende pune e që kërkonte ekskluzivitet dhe për të vënë shefa policie në Kurbin e që pastaj del atje e bën një deklaratë të tërë pocaqi kundër Policisë së Shtetit në Kurbin. Ai nuk mund të jetë deputet i Partisë Socialiste. 

Ky duhet të jetë një mësim për të gjithë deputetët, që të ndajnë një herë e mirë historinë nga futja e hundëve në çështjet e administratës dhe të ndërtimit të shtetit serioz. Sepse faturat e hajdutëve nëpër hipoteka, e hajdutëve që janë futur nëpër hipoteka me mbështetje politike, me mbështetje farefisnore, me mbështetje të mënyrave të ndryshme, nuk i marrin ata që ndërhyjnë, i merr Partia Socialiste e Shqipërisë. 

Kush nuk e ka kuptuar  që të jesh deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë është nderi më i madh që mund të të bëhet nëse je në jetën politike të këtij vendi, nuk ka vend në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Ne nuk jemi këtu një histori numrash. 

Ne jemi këtu një histori për Shqipërinë që duam dhe nëse pushteti ynë është një pushtet që duhet të rrijë në këmbë bazuar në numra dhe për këta numra, ne duhet të gëlltisim deklarata si ajo e djeshmja, mallkuar qoftë dhe në djall vaftë edhe pushteti ynë! 

Kjo është ajo që duhet të kuptojmë që të gjithë, sepse ne jemi këtu për ata që na kanë sjellë këtu e pa ata që na kanë sjellë këtu, që s’janë këtu, asnjëri nga ne nuk do të ishte këtu, as unë e as askush tjetër prej jush. Kjo është shumë e qartë. 

Lidhja e atyre që themi kur shkojmë përpara atyre njerëzve që kanë 1001 halle dhe na japin neve besimin e tyre, me ato që bëjmë, duhet të jetë e pakontestueshme. Në çdo hap, në çdo veprim, në çdo rast, ne duhet t’i kemi ata në sy, jo si skutha që të tjera gjëra thonë kur janë me njerëzit, të tjera gjëra bëjnë mbrapa dyerve të korridoreve të pushtetit. 

Kjo është e vërteta që duhet ta shohim në sy dhe duhet ta shohim në sy, më shumë se asnjëherë tjetër, sot që  jemi e vetmja forcë politike në këtë vend që mund t’i japi këtij vendi atë që ky vend meriton; Sot që jemi në fushën e betejës pa opozitë dhe kur kërcënohemi pikërisht nga boshllëku dhe nga ideja se e kemi në xhep fitoren dhe kemi në xhep edhe pushtetin. Pushtetin, ne nuk e kemi marrë si kupë në një ndeshje futbolli, në një kampionat futbolli, në një finale futbolli. Pushtetin e kemi marrë si përgjegjësi. Politika për ne nuk është futboll, që fitojmë një ndeshje dhe shkojmë bëjmë festë. Politika për ne është mision. Qeveria, grupi dhe partia janë forca që transformon besimin e njerëzve në mundësi për njerëzit. 

I them të gjitha këto, sepse nuk e meriton shumica e shqiptarëve. Nuk e meriton Partia Socialiste. Nuk e meriton pjesa dërrmuese e atyre që janë këtu të pranishëm, që të marrin kosto për hajdutë, për parazitë, për grabitqarë, për ordinerë, që janë akoma nëpër zyrat e shtetit, qofshin të trashëguar nga partitë e tepsisë, qofshin të futur rishtazi nga ata që këtu mes nesh kanë në kokë vetëm tepsinë.

Kush ka në kokë tepsinë është tradhtar i misionit të Partisë Socialiste. Kush ka në kokë tepsinë nuk ka kuptuar akoma që Partia Socialiste nuk është as Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk është as Partia Demokratike, nuk është asnjë nga ato bishtat e tjerë që ne i kemi të gjithë bashkë, kulaç, përballë.

Partia Socialiste është numri 1. Njëshi nëse bën si dyshi, apo nëse bën si treshi, bëjeni vetë si bëhet figura e gishtit.

Ne duhet të rrimë drejtë, duhet të shohim drejtë e duhet të ecim drejtë.

Partia Socialiste nuk u rrit me punësime të pamerituara dhe përmes punësimeve të pamerituara, Partia Socialiste vetëm mund të rrëzohet.

Partia Socialiste nuk u bë forca e vetme e shpresës dhe e besimit, duke shpërdoruar pushtetin dhe duke e ndarë tepsinë nëpër kushërinj, nëpër miq e nëpër shokë. Nëse ne mendojmë qoftë dhe për një sekondë se kjo ndarje rrit ca parti të vogla parazite dhe kështu rrit dhe Partinë Socialiste, bën një gabim logjik. Është e pamundur.

Shushunjat, e shpërndara nëpër trupin e shtetit nga partitë e tjera, thithin gjak për llogari të shefave dhe të klaneve që drejtojnë ato parti. Partia Socialiste, duke kopjuar shushunjat, thjesht humbet gjakun e vet. Në këtë proces, ne do të jemi shumë të vendosur e shumë të ndarë. Çfarë fushate do bëjmë ne, për të hapur Partinë Socialiste, nëse ne nuk do të fokusohemi tek forcat më pozitive, më energjike dhe më të ditura të çdo territori, pa i ndarë në “tanët” dhe në të “atyre”, pa i parë në sy, siç i shikonin në sy, dikur, në kohëra të vjetra, ata të specieve të tjera, por duke ju hapur derën dhe duke u dhënë vendin që meritojnë në këtë parti.

Një fushatë anëtarësimesh sot është e domosdoshme, sepse ne sot kemi të domosdoshme të fuqizojmë gjithë procesin qeverisës. Ne sot kemi të domosdoshme të fuqizojmë lidhjen me njerëzit, në një kohë kur mes nesh dhe njerëzve dendësohet mjegulla e krijuar nga gjithë zhvillimet mediatike dhe teknologjike dhe nga gjithë shpejtësia marramendëse e lajmeve që nuk japin kohë as për fakte, as për prova, as për shpjegime, as për interpretime, por vetëm për spektakël.

E natyrisht, për spektaklin duhen gjithmonë e më shumë gënjeshtrat, duhen gjithmonë e më shumë shpifjet, duhen gjithmonë e më shumë abuzimet, duhen gjithmonë e më shumë të gjitha gjërat negative, të cilat Shqipëria i ka siç i ka çdo vend tjetër, diku më shumë, diku më pak. Ne nuk mund t’i lëmë njerëzit e këtij vendi, ata që na kanë besuar ne, pre të këtij spektakli. Ne duhet të jemi atje, ne duhet të jemi me ta e kur jemi këtu, ne duhet të jemi për ta.

Është koha për ta riformuar të gjithë strukturën e Partisë Socialiste. Është koha që të gjithë burimeve njerëzore që kemi në dispozicion t’u shtojmë burime të reja njerëzore. Është koha që organizatat e Partisë Socialiste të marrin formën dhe përmbajtjen e kësaj kohe që jetojmë. Është koha që më të mirët në çdo territor të jenë pjesë e jona.

Më të mirët, pa dallim, pa ngjyra, pa biografi, pa histori. Më të mirët, sot që janë gati të bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje, duhet të bëhen pjesë e jona. Nuk është çështja të bëjmë një fushatë numrash dhe të regjistrojmë në Partinë Socialiste familjen dhe të kemi organizata familjare me dy familje e me tre familje në një fshat që ka 100 familje. Kjo nuk na duhet. Na duhen njerëzit që kanë diçka për të thënë e kanë diçka për të dhënë, sadopak, në të gjithë territorin. Na duhet një hapje zemre e vërtetë, e madhe dhe thellësisht e besuar nga secili prej nesh. Teatrin e disa kryetarëve partie që mbushin lista me regjistrime krejtësisht të panevojshme, në mos fiktive, ne nuk mund ta pranojmë në asnjë mënyrë e për asnjë arsye.

Për këtë duhet ristrukturuar rrënjësisht sekretariati i Partisë Socialiste.

Për këtë duhet filluar një punë në gjithë territorin në harmoni të plotë me deputetët, të cilëve unë i bëj një thirrje shumë të qartë e shumë të fortë: Jeni atje për të gjithë. Askush nuk ju ka ngarkuar barrën që të bëni kuadrin.

Ndërkohë që gjithkush kërkon prej nesh vëmendje, vëmendje, vëmendje.

Partia Socialiste duhet të jetë dhe do të bëhet me çdo kusht, ose do të dështojë, mishërimi i shprehjes së popullit, “hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj”.

Ky duhet të jetë motivi i çdo deputeti. Ky duhet të jetë motivi i çdo kryetari bashkie. Ky duhet të jetë motivi i çdo këshilltari bashkiak. Padiskutim, ky është motivi im e duhet të jetë motivi i çdo anëtari kabineti. 

Nuk mundet dot, kushdo qoftë, të mos marrë përgjigje.

Nuk mundet dot, kushdo qoftë, të mos marrë zgjidhje, kur i takon zgjidhja. 

Nuk mundet dot që qytetarët të vazhdojnë dhe të kërkojnë thjesht dhe vetëm t’ju qash hallin dhe të gjejnë përballë, thjesht dhe vetëm murin e indiferencës. Kjo nuk mundet.

Procesi ku kemi hyrë, është një proces i vështirë. Reformat që kemi bërë janë një proces i dhimbshëm dhe dhimbjet e reformave nuk i ndjen asnjëri që është këtu në këtë sallë. Dhimbjet e reformave i ndjejnë ata që janë shumë larg nga kjo sallë dhe që  na kanë dhënë votën që ne të vijmë në këtë sallë dhe të vijmë si shumicë qeverisëse, pa të tjerë në prehër. 

Për çfarë na e dhanë votën? 

Për të vazhduar reformat e për të filluar t’u kthejmë mbrapsht investimin e dhimbjeve, investimin e durimit dhe investimin e besimit dhe për t’ju shpjeguar pa u lodhur se deri ku janë kufijtë tanë sot e si do t’i shtyjmë kufijtë më larg, nesër. Pse atë që ne duam ta bëjmë sot deri në fund e kemi të pamundur e për këtë arsye do hedhim një hap e pastaj do hedhim tjetrin e pastaj tjetrin, për të arritur aty ku ata me të drejtë kërkojnë.

Ne kemi nevojë të riorganizohemi rrënjësisht në territor, duke marrë eksperiencat më të mira. Mos harrojmë pasqyrën e rezultateve të zgjedhjeve të shkuara. Të mos harrojmë diferencat mes Fierit dhe Tiranës, për të marrë një shembull. Mund të marrësh shumë shembuj të tjerë. Për të kuptuar se çfarë do të thotë organizim kapilar dhe çfarë do të thotë parti e organizuar me njerëzit dhe për njerëzit. E patëm në Fier dhe morëm 10 deputetë. Nuk e patëm në Tiranë dhe morëm më pak se në Fier, në raport me votat dhe në raport me çfarë duhet të kishim marrë me gjithë ato punë të mëdha që kemi bërë në Tiranë. Në fund të ditës, njerëzit dinë një gjë; Punët që bëjmë, i kemi për detyrë. Buzëqeshja, begenisja dhe afrimiteti që u japim, është mirësi. 

Kemi humbur shumë kohë. Unë jam përgjegjësi kryesor. Kemi humbur shumë energji. Jemi konsumuar tmerrësisht duke u marrë nga një herë më shume me ata që kemi përballë, sesa me ata që na mbajnë në krahë. Kjo duhet të ndryshojë urgjentisht. 

Vëmendja jonë duhet të jetë e gjitha tek ata që na mbajnë në krah.

Me ata që kemi përballë, në fakt, as përballë nuk i kemi, se për t’i pasur përballë, ne duhet të kthehemi këtej. Ne përballë kemi rrugën që duhet të përshkojmë për ata që ne na mbajnë në krahë. Të ndalosh, të kthehesh mbrapa e të rrish të merresh me ata që janë shumë larg dhe që gjuajnë me gjithfarë lloj mjetesh të forta e lëshojnë gjithfarë lloj lehjesh, është e padrejtë për njerëzit, të cilëve dhe ne kemi kontribuuar t’jua shpifim politikën, që në fakt nuk është e shpifur, që në fakt nuk është e keqe.

Natyrisht që dhe me ata duhet të merremi e do merremi kur të na krijohet mundësia për të diskutuar, por nuk kemi asnjë arsye më të zgjatemi e të stërzgjatkemi, për të lehtësuar veten nga balta e përditshme që e kemi kusurin tonë, sepse njerëzit nuk na e kanë këtë borxh. Në këtë aspekt, strategjia jonë duhet të jetë radikalisht tjetër dhe do të jetë radikalisht tjetër. 

Ne duhet të fillojmë zgjedhjet vendore sot, menjëherë, të mos presim fushatën. Jo për të fituar zgjedhjet. Nuk është problemi jonë të fitojmë zgjedhjet. Ndeshjen pa kundërshtarë e fiton kushdo. Problemi ynë është të fitojmë zgjedhjet, duke kaluar përmes njerëzve, duke fituar zemrat e tyre, duke kuruar plagët e tyre të dëshpërimit, të zhgënjimit, të mosbesimit, të gjithfarë lloj ndjenjash negative të krijuara nga 1001 arsye ku ne duhet të marrim pjesën tonë, duhet të marrim përgjegjësinë tonë, duhet të marrim fajin tonë. Prandaj ne duhet të fillojmë fushatën sot. 

Duhet ta fillojmë fushatën sot, edhe për një arsye tjetër. Ne nuk mundet më të jemi si vetja deri dje e si të tjerët, që listat e përfaqësuesve të këshillave bashkiakë t’i bëjmë natën e fundit. T’i bëjmë natën e fundit, t’i bëjmë sipas qejfit e t’ia faturojmë Partisë Socialiste e të mos mbajmë pastaj asnjë përgjegjësi sesi sillen, sesi kontribuojnë, se çfarë vlere të shtuar sjellin nëpër këshilla. Shumica dërrmuese e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste sot duhet t’u japin të gjithëve mundësinë që të jenë në listë përsëri. Por duhet t’u japim mundësinë dhe shumë të tjerëve. Si? 

Duke filluar në këtë fushatë të llogaridhënies së kryetarëve të bashkive, jo të qeverisë, qeveria do të vazhdojë të jetë në këtë proces, qeveria do të vazhdojë të dëgjojë, qeveria do vazhdoje të flasë dhe të komunikojë, por atë që qeveria bëri përpara pushimeve, duhet ta bëjnë të gjithë kryetarët e bashkive, njësi më njësi, lagje më lagje, për të dhënë llogari e për të dëgjuar e për të mbledhur të gjitha opinionet. E patjetër, edhe partia duhet të jetë aty, për të kuptuar nëse e ka më për betejë kryetarin e bashkisë, apo duhet të gjejë një tjetër. Po kështu, të gjithë këshilltarët dhe këshilltaret e Partisë Socialiste, ne duhet t’i kemi në terren. Jo për të humbur kohë, por për të bërë atë që është “A”-ja e detyrës sonë, që të jemi pjesë integrale e njerëzve.

Kemi ndërtuar një platformë të bashkëqeverisjes. Janë dy anë. 16 mijë zgjidhje nga 17 mijë kërkesa dhe ankesa. Nga një anë flasim për 16 mijë zgjidhje. Nga ana tjetër flasim për sa shumë ka akoma llum në zyrat e shtetit. Por e dini kush është problemi kryesor i platformës? Që kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste nuk përgjigjen. Niveli përgjigjeve të bashkive socialiste është shumë i ulët. Ata të bashkive të Partisë Demokratike nuk përgjigjen fare. A thua se platforma e ka të shkruar në ballë përkatësinë partiake, ndërkohë që platforma nuk ka asnjë përkatësi partiake, ndërkohë që të gjithë ata që shkruajnë në platformë dhe të gjithë ata të cilëve ne u shërbejmë marrin zgjidhje në rast se u takon dhe nuk i pyet njeri fare me kë jeni. 

Si ka mundësi që bashkitë nuk përgjigjen, ndërkohë që çdo ministër i qeverisë e ka detyrë të pandashme të merret me çdo ankesë që vjen në platformë për sektorin që drejton dhe çdo ministër mban përgjegjësi individuale. Ajo që ne themi që, duke u ankuar në platformë, t’i praktikisht fut mikun më të madh të mundshëm, drejtpërdrejt ministrin, për të zgjidhur hallin tënd, nëse të takon, është realitet në qeveri. Ndërsa tek pushteti vendor, tek bashkitë nuk ndodh, që duhet të jetë interesi parësor, jo njëri nga interesat. 

Kjo duhet të ndryshojë menjëherë. Urgjentisht. Do të jetë një nga kriteret e besimit që ne do t’i japim, apo nuk do t’i japim kryetarëve të bashkisë që do rikandidojnë, ose nuk do rikandidojnë. Ndërkohë që ka bashki të tjera ku ne nuk kemi drejtimin dhe ne duhet të kemi gjithë kapacitetin e dëgjimit dhe të gjithë fuqinë për t’ju dhënë një mundësi të re. Në Kukës dhe me radhë deri tek bashkia më e vogël, ne duhet t’u japim atyre komuniteteve një mundësi të re sot, duke filluar t’i dëgjojmë. Duke filluar të kuptojmë më shumë në ato territore ku sigurisht kemi përfaqësitë, kemi deputetët, kemi partinë, por na duhet një parti tërësisht e rienergjizuar dhe e orientuar ndryshe, jo si një vagon shtesë i qeverisë dhe i grupit parlamentar, por si një nga tre komponentët që janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin.

Kjo fushatë duhet të shtrihet gjatë gjithë kësaj periudhe, nga shtatori deri në prag të festave të fundvitit dhe nga kjo fushatë ne duhet të nxjerrim konkluzione të rëndësishme, por dhe njerëzit duhet të marrin shumë më tepër informacion nga të vërtetat  e qeverisjes sonë. Shikoni çfarë bëhet sot. Krimi, krimi, krimi!

Patjetër që është e padiskutueshme se asgjë nga ato që ne kemi arritur apo arrijmë nuk mjafton për t’u thënë njerëzve çfarë kërkoni më shumë, përkundrazi, nuk është as mjaft, përkundrazi, nuk del më që ne të krahasohemi me kundërshtarët, se ata nuk i llogarit as fuqia mbështetëse që ka mbrapa. Edhe njerëzit që i votojnë  nuk i llogarisin si forcë që mund t’ju zgjidhin probleme. I llogarisim ne, i kërkojnë gjërat nga ne me të drejtë. Se po nuk ia zgjidhëm ne nuk i zgjidh njeri. Po nuk e bëmë ne këtë vend, nuk e bën njeri. Këtë e dinë edhe ata që votojnë Partinë Demokratike. Flas për njerëzit e zakonshëm. Krimi, krimi, krimi ndërkohë që ne duhet të kuptojmë atë që duhet të bëjmë, por dhe njerëzit duhet të shohin që jemi në proces duke e bërë se nëse i referohemi shifrave, çfarë shohim?

Nëse i referohemi shifrave, shohim se në periudhën maj – gusht në vitin 2010 ka pasur 45 vrasje. Këtë vit, maj – gusht ka 13, duke përfshirë edhe masakrën fatale të 8 të vrarëve menjëherë nga një i çmendur. Pra, vrasjet, 45 me 13. Në periudhën maj – gusht 2011, 43 vrasje, me 13 në 2018-n. Në 2012-n, 47 me 13. Në 2013-n, 36 me 13.

Këta që na flasin, që krijojnë gjithë këtë zhurmë të ububushme sikur këtu po ndodh hataja, janë këta që kanë drejtuar Ministrinë e Brendshme, që kanë drejtuar Policinë e Shtetit, kur kishte mbi 40 vrasje çdo verë.

Ne duhet të kuptojmë tjetrën, që jetojmë në një kohë tjetër. Jetojmë në kohën kur çdo shqiptar është një kameraman. Çdo shqiptar është një gazetar. Janë rrjetet sociale, janë mediat dhe tregu mediatik nuk ka vend për t’ju dhënë njerëzve 5 shifra. Nuk ka. Është shumë e thjeshtë. Nuk ka.

Ka vend vetëm për spektaklin e emocioneve negative. Ky është realiteti. Nuk është as për t’i thënë e keni ju fajin. Po ne çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet nga njëra anë të vëmë një vijë të kuqe të qartë dhe plot ndriçim në çdo qytet për të gjithë rrugeçërit, se këtu edhe flitet banda, banda, banda, por këtu kemi të bëjmë në fakt me rrugeçër kryesisht dhe pastaj, edhe me elementë të tjerë më të rrezikshëm. Këta duhet të humbasin përfundimisht autoritetin që kanë në rrugët e qyteteve, pa hyrë fare tek krimet dhe tek këto të tjerat që janë pa diskutim objekt i punës së përditshme, policisë, i hetimeve, i provave, kërkimeve. Por këta duhet të humbasin çdo autoritet që gëzojnë prej shumë e shumë vitesh, jo sot e duhet ta humbasin sot, jo nesër. Duhet të mendohen këta kur dalin nga shtëpia për të shqetësuar njerëz, qoftë edhe me mënyrën se si ngrenë volumin e muzikës, me shfaqjet që bëjnë me makinat e tyre, ose me mënyrën se si hyjnë e shqetësojnë njerëzit në kafene, për të mos folur për të tjerat. 

Unë jam i bindur se përsa i përket aspektit tjetër të zbulueshmërisë, këta do të zbulohen plotësisht, edhe këta të fundit dhe mezi pres që t’i shoh aty ku e kanë vendin, edhe këta të fundit. Por një gjë duhet të jemi të qartë të gjithë, për t’i parë aty ku e kanë vendin, nuk mjafton vullneti ynë, nuk mjafton Policia e Shtetit, duhet dhe prokuroria, duhen dhe gjykatat. Në Shqipëri, të paktën që kur drejtojmë ne, po të llogarisim se sa nga këta kanë hyrë e kanë dalë për shkak të gjykatave, do të shikojmë që kemi një hendek të madh. 

E gjitha kjo për të thënë që duhet ta komunikojmë intensivisht me njerëzit. E këtë kush duhet ta bëjë? Duhet ta bëjnë të gjithë në gjithë territorin, me të gjitha mjetet. Ashtu sikundër për të kaluar nga shifrat globale, në shifrat konkrete dhe për ta lënë çështjen e shifrave, duhet të them vetëm kaq, që në Shkodër, sot që flasim kemi më shumë, më pak se gjysma e vrasjeve të të njëjtës periudhë, krahasuar me të gjithë periudhën e drejtimit të tyre. Por shqetësimi nuk janë shifrat. Shqetësimi është domosdoshmëria për veprim dhe qoftë në këtë aspekt, qoftë në të gjitha aspektet e tjera, një gjë ne duhet ta kemi shumë të qartë; Padurimi i njerëzve për të parë më shumë progres në një kohë më të shkurtër është 100% i justifikuar. Është detyra jonë që në vend se t’i ushqejmë me shifra e në vend që t’ju tregojmë se sa shumë gjëra kemi bërë krahasuar me më parë, të bëjmë shumë më tepër, krahasuar me vetveten dhe të jemi aty ku është shqetësimi e t’i japim përgjigje në kohë reale shqetësimit. 

Ne do t’i japim përgjigje, për shembull, shqetësimit që fluturimet nga Shqipëria kushtojnë kaq shtrenjtë. Nuk mund të themi janë kompani private, janë kështu, janë ashtu. Jo, ne duhet t’i japim përgjigje. Kompanitë mund të jenë private, por ky është vendi ynë dhe këtë vend na e kanë besuar ne, njerëzit, që ta drejtojmë.

Unë e di që nga pikëpamja juridike i kemi të gjitha arsyet për të thënë, nuk kemi çfarë i bëjmë këtyre, por nga pikëpamja praktike, këtyre duhet t’i tregojmë që kemi çfarë i bëjmë që ç’ke me atë punë. Nuk mundet dot më që shqiptarët të paguajnë kaq shtrenjtë për të ardhur me pushime në Shqipëri. Është e pamundur. Duhet t’i vëmë kufirin këtyre kompanive. 

E di shumë mirë që kemi bërë shumë për transformimin e marrëdhënieve me biznesin, por ne nuk mund të pajtohemi me faktin që ne jemi në qeveri dhe ka akoma, jo pak, inspektorë hetimesh, tatimesh, doganash, që vazhdojnë bëjnë të njëjtën gjë. Nuk mundet të pajtohemi me këtë. Se sa shumë është bërë, sa shumë ka ndryshuar, patjetër, por nuk mjafton.

Ashtu sikundër na duhet të kemi përgjigjet e duhura, jo me fjalë, por me vepra dhe me reagim për të gjitha shqetësimet me radhë që kanë njerëzit dhe njerëzit kuptojnë. Ajo që njerëzit nuk pranojnë është mos veprimi, është mjaftueshmëria me aq sa është bërë që mund të jetë bërë shumë dhe është bërë shumë. Kjo nuk diskutohet, por nuk mjafton. Nuk mjafton dhe pikë.

Nuk mjafton sepse duhet shumë më tepër. Sot kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër. Kemi mundësi të bëjmë vepra të mëdha në infrastrukturë që nuk i bënim dot, sepse na u desh të lanim gjithë ato borxhe e gjithë ato histori. E ndërkohë janë të gjitha arsyet pse zgjaten e stërzgjaten e stër-stërzgjaten veprat që trashëguam pa projekt, pa studim. Por duhet ta zgjidhim by-passin e Fierit, përfundimisht. Duhet ta zgjidhim by-passin e Vlorës, përfundimisht. Duhet ta mbyllim rrugën Tiranë – Elbasan, përfundimisht. Duhet të mbarojnë këto dhe të hymë në një fazë të re, ku të kemi të tjera gjëra përveç parave për të bërë vepra. Të kemi një supervizion krejtësisht ndryshe, të kemi projekte dhe kontrata të siguruara që mos vijë më puna që të na rriten buxhetet, siç u rritën buxhetet me financo e financo rrugë të tenderuara me të ndenjura,  jo me mend në kokë, nga ata që sot kërkojnë llogari dhe është puna e tyre, mos humbasim kohë me ta.

Ne bëmë një hap shumë të mirë. U thamë fermerëve, aplikoni me dokumente zero. E dini që sot nuk po u japim gjithë fermerëve paratë? Kush e mban përgjegjësinë për këtë? I di unë arsyet, i di dhe justifikimet, i di dhe të gjitha, por unë dua që ekipi drejtues i Ministrisë së Bujqësisë të mos shkojë në shtëpi. Këtë dua unë. Të mos shkojë në shtëpi fare. Të marri rrobat e të iki në fshat dhe të luftojë atje, të ulen të gjithë atje dhe t’ju bëjnë atyre dokumentet që ata nuk i bëjnë dot. Ashtu sikundër kryetarët e bashkisë. Çfarë do u thoni pas një viti atyre në fshat? Le të çohet njëri këtu e të thotë çfarë do i thotë. Do i thoni që keni bërë rrugë? Po pastaj? Sa agroturizme keni bërë? Sa pika grumbullimi keni bërë? Sa projekte keni bërë me ta, që janë të gjitha gjëra të bëshme. Reforma territoriale nuk është një reformë që bashkia e qytetit të bëjë thjesht rrugë dhe të çoj ujë në fshat. Është një reformë që bashkia e djeshme e qytetit të jetë një bashki me një komponent zhvillimi rural. Që bashkia të jetë një bashki që merret me tregun e fshatit, që merret me njerëzit në fshat, që ku dalin në treg, që merret me eksportet, që merret me këtë e me atë. Zero! Ti themi, shiko se kemi bërë këtë. Po mirë kemi bërë, po pastaj? Nuk kanë kohë të presin. 

Duhet të bëjmë më shumë. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çfarë t’u themi më tutje atyre që duan të vijnë në Shqipëri dhe duan të shkojnë në hotele me 5 yje? Ku janë hotelet me 5 yje, që sjellin klientë që paguajnë shumë? Sa kohë do kalojë që të fillojnë të ndërtohen? I di unë, i di projektet, i di bisedat. Puna është të bëjmë, të bëjmë, të bëjmë.

Të bëjmë gjërat që mund të bëhen e për gjëra që nuk mund të bëhen duhet të shpjegojmë, jo të themi kënaqu se shiko sa shumë kemi bërë, por të shpjegojmë dhe të përpiqemi ta bëjmë më shpejt.

Bëmë librat, por librat vijnë si rezultat i një procesi të mirëorganizuar hap pas hapi. Tani duhet të bëjmë shumë më tepër akoma edhe në këtë aspekt. Duhet t’i çojmë deri në klasën e nëntë. Por duhet të merremi fuqimisht me mësuesit.

Duke u kthyer përsëri tek turizmi, duhet të ndërtojmë aeroportet. Duhet të ndërtojmë aeroportin e Kukësit, aeroportin e Vlorës, duhet të ndërtojmë aeroportin e Sarandës. Jemi i vetmi vend ku ata që vijnë nga ajri kanë një përqindje kaq të vogël, por, nëse ata që vijnë nga ajri kanë një përqindje kaq të vogël, shifra e rritur e turizmit, që është një rritje e jashtëzakonshme këtë vit, 27% në gusht, është një rritje për të thënë që mundëm një kundërshtar që nuk ekziston, por nuk është një rritje për të thënë që ne kemi kapacitetin për të futur në ekonomi të gjithë atë sasi parash që na duhen për të bërë kapërcimin e madh nesër.

Nëse krijojmë më shumë hyrje aeroportuale, atëherë rrisim kapacitetet për të sjell më shumë turistë, me më shumë para. 

Thellimi i Portit të Durrësit është një legjendë. Duhet të bëhet. E di, është në proces, por po i them këto gjëra, për të thënë se sa shumë gjëra akoma i kemi nëpër duar, jo më në kokë, por në duar dhe duhet t’i bëjmë. Duhet t’i bëjmë një orë e më parë, pa humbur asnjë minutë. 

E shtriva bisedën për të mos krijuar idenë që po i lëmë, po ndajmë përgjegjësitë ca më shumë e ca më pak. Këtu jemi të gjithë në një varkë, kush është në qeveri, kush është në grup parlamentar, kush është në parti. Ajo që duhet të na bashkojë është bindja që këtu jemi për ata që na mbajnë në krahë dhe nuk duhet të lëmë gurë pa luajtur për ata. Nuk jemi këtu për të mundur Lulin. 

E meqë ra fjala tek Luli, dua të sjell në vëmendje që po bën po atë gabim që bëri. Normalisht atyre që janë mbi 18 vjeç ju lejohet të bëjnë gabime të reja, por të përsërisësh po atë gabim, kur je mbi 18 vjeç, nuk është shenjë maturie. Megjithatë, një element pozitiv ishte dje. Vettingu i politikanëve dhe unë jam shumë dakord. Sa më parë! 

Unë besoj që ne dhe këtu ka qenë problemi kryesor me Lulin dhe me opozitën, Vettingu i gjykatësve dhe i prokurorëve, sepse në Shqipëri, politikanët kanë dalë jashtë çdo kontrolli për arsye se nuk ka pasur drejtësi. Proceset janë mbyllur me raporte mjekësore për arsye se nuk ka pasur drejtësi. Kanë vrarë, kanë hedhur në erë, kanë grabitur, kanë bërë, nuk u ka hyrë gjemb në këmbë se nuk ka pasur drejtësi. Dhe nuk e kam për të ndarë një palë nga një tjetër. Vettingun, në një sistem funksional demokratik e bën populli me votë dhe drejtësia, një drejtësi e çliruar nga kthetrat e politikanëve është autoriteti që bën vettingun.

Strukturat që kemi ngritur në letër deri tani, por që do fillojnë të jetësohen, SPAK-u e me radhë, ato bëjnë vettingun e politikanëve.

Megjithatë, përtej kësaj, unë them që çdo instrument i ri, i mundshëm, që bën transparencë, për mua personalisht të parin, për gruan time, për tokat e gruas time, për pallatin e gruas time, për tenderat e baxhanakut tim, për kunatin, për fëmijët e mi është një instrument që mund të na vlejë. Unë jam i bindur që edhe në këtë sallë mund të ketë shumë njerëz që mendojnë që baxhanaku im ka marrë vërtetë 15 milionë euro tendera. Si sqarohet kjo, duke jua thënë unë juve, apo duke e lënë punën, duke e lënë qeverisjen e duke ndenjur të gjithë nëpër zyra e duke shkruar komunikata çdo orë, për të gjithë llojet e gomarllëqeve dhe palokllëqeve që nxjerr nga goja Partia Demokratike, ose çizmja e Partisë Demokratike, që nxjerr nga qafa e këpucës? 

Nuk mund ta bëjmë dot këtë. 

Mirëpo, si bëhet? 

Kush nga ju e vë dorën në zjarr që baxhanaku im nuk ka marrë 15 milionë euro tendera? Askush, nuk e diskutoj fare. Mbase Taulanti, por është shumë pak. 

Atëherë, si bëhet? 

Kush nga ju e vë dorën në zjarr që gruaja ime nuk ka ndërtuar pallat në tokën e tjetërkujt dhe që ku di unë se çfarë, apo që sarajet e mia nuk janë arsyeja pse kam aq shumë miqësi me sulltanin? 

Askush!

Një instrument që i bën këto më mirë, më shpejt është i mirëseardhur. 

Unë, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, kunati i kryetarit të opozitës, gruaja e kryetarit të opozitës, rrethi familjar, vjehrri, vjehrra ime, të gjithë, patjetër. Që të kuptojnë njerëzit se ku jemi e ku jetojmë këtu. A jemi të gjithë vërtet njësoj, apo ka ca që janë ndryshe e ca që janë ndryshe? Patjetër kryeministrat e mëparshëm, fëmijët e tyre. Ku udhëtojnë, çfarë shpenzojnë, sa rrinë jashtë shtetin e sa vijnë në Shqipëri, cilët bamirës jua japin këto...

Jam gati. Shyqyr që u kandis Luli ta bëjë këtë punë. Unë jam gati. Gjithë çështja është që kjo të mos jetë e lidhur, - se aty te ato parimet e Lulit e lexova pak, se nuk kuptohet gjë tjetër se çfarë ka parasysh për këtë, - me reformën në drejtësi, që të kthejmë mbrapsht reformën në drejtësi. Ai vettingu tjetër do vazhdojë. Këtë vettingun që i ka lindur në zemër Lulit jemi gati, unë jam gati ta bëjmë e ta fillojmë nga unë personalisht. Të ulemi, ta diskutojmë, të gjejmë mekanizmin, se nuk besoj që propozimi është që një komision bipartizan të merret me këtë punë, nuk ma ha mendja, se pastaj do ishte një arsye më shumë që njerëzit të ikin nga Shqipëria. 

Këtë kisha për këtë vettingun e politikanëve dhe e kemi shumë seriozisht. Kam ngarkuar Taulantin të komunikojë me zotin Spaho. Kam ngarkuar “don Agaçon” të komunikojë me Oerd Bylykbashin, kam ngarkuar Bledi Çuçin të komunikoje përsëri me Oerd Bylykbashin dhe Ulsi Manja është përsëri në dispozicion si kryetar i Komisionit të Ligjeve. 

Por një gjë. Këtë mund ta diskutojmë, por atë vettigun tjetër do e çojmë deri në fund dhe atë pallatin e drejtësisë do ta pastrojmë deri në fund dhe fllanzat dhe gjithë zogjtë e tjerë do fluturojnë njëherë e mirë nga ajo fole dhe ajo fole do ta bëjë deri në fund drejtësinë që ne duam, në rrugën që njeh bota. 

Ndërsa në këtë rrugën tjetër, unë jam gati që nesër të ulemi me Lulin. Ai do thotë nuk ulem se kështu e kemi atë, fillon me “nuk ulem”. S’ka problem, unë do vazhdoj t’i lutem, por nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka që ai të bëjë punën. Të bëjë më në fund punën. 

Ne nuk kemi asnjë problem që t’i ndajmë njëherë e mirë këto hesape dhe t’i ndajmë me libër shtëpie, siç me libër shtëpie e kanë bërë politikën 25 vjet, me libër shtëpie t’i ndajmë të gjitha. Kush e ka librin me faqe që mungojnë, të fusë librin në sqetull e të mos merret më me politikë dhe të qepi gojën. Të tjerët të shpëtojnë njëherë e mirë nga kjo politikë mizerabël me libër shtëpie.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm