Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Edi Rama: Opozita ime ndryshe

Të reja

Edi Rama: Opozita ime ndryshe

04 Jul 2008    
Në një intervistë për një nga gazetat e përditshme shqiptare, Edi Rama jep vlerësimet e tij për zhvillimet më të fundit politike në vend. Kreu socialist flet për ndryshimet kushtetuese, reformën zgjedhore dhe konfliktin e fundit rreth dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Një vëmendje të veçantë Rama i kushton edhe zhvillimeve brenda të majtës, marrëdhënieve me aleatët si dhe mënyrës së re të të bërit opozitë. Duke shpjeguar procesin përmes të cilit Partia Socialiste po kalon për të ndërtuar programin e ri qeverisës, Rama shpreh bindjen për fitoren në zgjedhjet e 2009.

Intervistë e Kryetarit të PSSH,Edi Rama dhënë gazetës “Shqip

Zoti Rama, pas një periudhe të qetë politike që karakterizoi muajt e fundit, situata sërish është kthyer te konflikti politik. A besoni se ishte e vërtetë klima pozitive e krijuar në prag të samitit të NATO-s apo thjesht ishte një përpjekje e të dyja palëve për të mos marrë barrën e dështimit për ftesën?

Nuk e di pse vini shenjën e barazimit mes të dyja palëve përderisa nuk jemi ne provokuesit e ndonjë konflikti e as ushqyesit e tij. Klima është keqësuar disi për shkak të riakutizimit të sëmundjes së vjetër të Kryeministrit Berisha që ka një problem të kahershëm psikologjik me lirinë e me pavarësinë e institucioneve të këtij vendi. Të cilat kanë vuajtur kronikisht nga politika e vjetër dhe, posaçërisht, nga shëmbëlltyra më e spikatur e saj që është kryetari i Partisë Demokratike. Së fundmi, duke mos u pajtuar dot me idenë e një Gjykate të Lartë jashtë kontrollit të tij, Kryeministri ka krijuar një konflikt jo me ne, po në radhë të parë me një pushtet të pavarur kushtetues siç është, të paktën sipas Kushtetutës, gjyqësori shqiptar. Dhe medoemos pastaj rrënja e këtij konflikti degëzon në konfliktet me Presidentin e Republikës, me opozitën e me vetë partnerët ndërkombëtarë që për rastin në fjalë kanë shprehur pa dorashka mospëlqimin e tyre kategorik.

Të ndalemi pak te rrëzimi i dekreteve të Presidentit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Veprim ky që u pasua me një kritikë të fortë ndërkombëtare, kam parasysh zotin Uidhers e Lohan, dhe më pas edhe zërat që erdhën direkt nga Brukseli... A nuk duhej megjithatë që hapja e konsultimeve me forcat parlamentare për kriteret të ishte bërë më parë nga Presidenti i Republikës dhe a mendoni se këto konsultime do të mjaftojnë për zotin Berisha që të mbyllë konfliktin shumëplanësh me një votim pro dekreteve të reja?

Mendimi ynë, bazuar në të gjitha konsultimet serioze me ekspertët e PS e me ekspertë të pavarur, është i pandryshuar qysh prej fillimit të kësaj krize sa të kotë aq edhe të dëmshme. Presidenti i Republikës veproi në përputhje me Kushtetutën, ndërkohë që spikerja e Parlamentit kaloi jo vetëm çdo cak kushtetues, po edhe caqet e imagjinatës, duke i çuar gjykatësit e emëruar prej Presidentit për verifikime në prokurori e polici. Kurse forcat qeveritare në Kuvend praktikisht e morën peng Gjykatën e Lartë duke rrëzuar në bllok dekretet dhe duke dhënë një mesazh të gabuar force e jo arsyeje për opozitën, për partnerët ndërkombëtarë dhe për vetë Presidentin e Republikës. Sot e gjithë ditën, Gjykata e Lartë është e bllokuar nga ky gjymtim politik. Ndoshta një konsultim paraprak e transparent i Presidentit të Republikës, jo për emrat po për synimet e kriteret e përzgjedhjes, jo vetëm me përfaqësuesit e partive parlamentare po dhe me botën e gjyqësorit shqiptar siç po ndodh aktualisht, e madje edhe me ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë reformën në drejtësi, mund ta kishte lehtësuar këtë proces përpara paraqitjes së dekreteve të rrëzuara. Ndërkohë, s‘është e lehtë të thuhet nëse Kryeministri do ta gëlltisë pa bërë naze racionin e ri të dekreteve që do të vijnë në Kuvend nga Presidenca. Por, gjithsesi, s‘ka fije dyshimi se një tjetër rrëzim dekretesh si i mëparshmi, do ta kthente këtë konflikt në një patate të nxehtë në duart e tij. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është shprehur shkoqur e skandalizuar me rastin në fjalë duke treguar me gisht shumicën kuvendore, ndërsa Komuniteti Evropian duket qartë se nuk është më i disponuar të durojë "shakatë pa kripë" të Shqipërisë zyrtare. Kurse, në planin e brendshëm, një "shaka" e radhës do hapte një skenar të paparashikueshëm zhvillimesh negative në dëm të sistemit të drejtësisë, të ekuilibrave institucionalë të vendit dhe të procesit të reformave të domosdoshme për të demokratizuar e modernizuar Shqipërinë në rrugën e integrimit. Duke uruar që Kryeministri ta zgjidhë e jo ta degradojë këtë krizë në një lojë force nga ato që historikisht e kanë nxjerrë një fitimtar të humbur unë shoh si domosdoshmëri, madje emergjencë demokratike, votimin një orë e më parë të dekreteve të reja mbi bazën e kritereve që Presidenti duhet t‘i bëjë transparente në një prezantim të plotë publik të atyre që do të zgjedhë. Më tutje, por pa humbur kohë, ky moment duhet të analizohet e vlerësohet me qetësi në funksion të reformës në drejtësi, duke synuar bashkërisht një ligj të vetëm organik për pushtetin gjyqësor. Ky ligj, ndër shumë të tjera, duhet të sigurojë edhe një harmonizim të plotë të veprimeve të legjislativit me ekzigjencat e gjyqësorit duke garantuar pavarësinë e këtij të fundit në të gjitha rastet.

Ju në krye të së majtës keni sjellë një stil të ri në të bërit opozitë. Ndryshe nga më parë kemi parë pakicën parlamentare që inicion reformat madhore e kërkon konsensus. Kujtoj këtu ftesën tuaj të hershme publike për reformat e mëdha, dy a tri letra publike në adresë të Kryeministrit, angazhimin gjithashtu publik për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore para Samitit të Bukureshtit. A po funksionon kjo mënyrë zoti Rama?

Padyshim mund të funksiononte shumë më mirë në rast se pala tjetër do të kishte vizionin tonë europianizues dhe vetëdijen tonë shtetndërtuese. Në vend të këtyre motorëve të brendshëm, që neve na bëjnë të shohim larg e të mendojmë me pika referimi tejpartiake për të çuar përpara Shqipërinë, kundërshtarët tanë kanë interesat e pushtetit. Ata vihen në lëvizje nga pushteti si qëllim dhe nga nevojat për kompromise me opozitën si mjet që i shërben në radhë të parë pushtetit të tyre në sytë e botës. Nuk besoj se gaboj kur them që, po të mos ishte shtruar me forcë nga partnerët ndërkombëtarë nevoja e bashkëpunimit mes palëve për reformat e mëdha dhe po të mos ishte thënë hapur prej tyre se, pa këtë bashkëpunim, ftesa e shumëpritur për në NATO nuk do të vinte, Kryeministri dhe forcat qeveritare s‘do e kishin vënë ujët në zjarr për bashkëpunimin e për reformat. Megjithatë, kjo është puna e fatkeqësia e tyre dhe e Shqipërisë që do të qeveriset edhe për një vit nga forca të tilla të së shkuarës. Puna jonë është të bëjmë atë që po bëjmë, duke i shërbyer vendit dhe ecjes së tij përpara me një opozitë të re në mendësi dhe të vendosur në politikën e re. Marrja e ftesës për në NATO është një sukses shembullor i kësaj mendësie e politike të re dhe një fryt konkret i klimës së krijuar në radhë të parë falë përqasjes sonë të re ndaj vendit e njerëzve. Por edhe vetë kjo klimë, në tërësinë e saj, është një hap i rëndësishëm për të dalë nga rrethi vicioz i konfliktualitetit shterpë e për ta kthyer politikën nga një shfaqje vulgare e agresivitetit konstant mes grupesh rivale për pushtet, në një hapësirë ku ballafaqohen vlera, parime e modele të ndryshme. Për politikën e re zgjedhësit nuk janë thjesht telespektatorë të kacafytjes mes palëve, po qytetarë të interesuar për të dëgjuar argumentet e palëve dhe gjykuar qëndrimet e tyre në një hapësirë që nuk është ekskluzivitet i politikanëve. Një opozitë që bërtet, kërcënon, demonizon kundërshtarin është karta më e mirë në dorën e atij vetë. Një opozitë që nuk i le njerëzit të dëgjojnë e gjykojnë, po u cingëris veshët e u lodh shpirtin me këngën e përditshme të të gjitha të këqijave që ata i mbajnë përditë mbi kurriz, është një opozitë që nuk u jep qytetarëve mundësinë të bëjnë dallimin mes palëve. Një opozitë që s‘u jep njerëzve arsye për të besuar se politika është fuqi për të ndryshuar realitetin ku jetojnë e jo një vegël për të ndërruar thjesht ngjyrat e qeverive dhe fytyrat e ministrave, qytetarët nuk mund ta kenë për zemër, nuk mund ta dëgjojnë me interes fjalën e saj dhe nuk mund ta shohin atë si zëdhënëse të tyre e as si shpresë për të nesërmen. Kur opozita është ana tjetër e medaljes së brutalitetit qeverisës ajo bëhet edhe kamerdarja që e ndihmon kundërshtarin t‘u rezistojë dallgëve të zhgënjimit të njerëzve. "Të tërë njësoj janë, në djall vafshin të tërë bashkë!", është shprehja e qytetarëve të neveritur jo vetëm nga kjo lloj qeverisjeje po edhe nga ajo lloj opozite, pra nga politika dritëshkurtër e politikanëve si e tërë. Një politikë e re qytetarësh, e cila e ridimensionon rolin ekskluziv të politikanëve në politikëbërjen e vendit dhe e konsideron politikën një çështje të qytetarëve, duke nxitur angazhimin e drejtpërdrejtë të tyre jo vetëm në zgjedhjen, po edhe në diskutimin, formësimin dhe jetësimin e alternativave për vendin, është përpjekja jonë. Dhe besoj se, duke u përpjekur në këtë drejtim, ne po bëhemi përditë e më shumë jo vetëm pasqyra ku njerëzit shohin sesa e deformuar është qeverisja, po edhe dritarja ku ata po shohin çdo ditë e më kthjellët sesa ndryshe mund të jetë e ardhmja e tyre. Unë s‘jam asnjëherë i kënaqur, po kjo është përditë e më shumë opozita që dua për të mirën e vendit tim.

Afrimi mes pozitës dhe opozitës në kuadër të reformave shpesh është përkthyer si "flirt" mes liderëve më shumë se një klimë politike e shëndoshë. Edhe në rastin konkret nuk kanë munguar akuzat për pakte të fshehta Rama-Berisha, madje u vu në dyshim edhe sinqeriteti juaj në momentin kur kërkonit dorëheqjen e zotit Berisha pas ngjarjes së Gërdecit...

Kultura komuniste ka mbresuar trurin e klasës së sotme politike shqiptare. Me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, aktorët politikë përshtasin zhargonin e djeshëm enverist me nevojën e ditës për të goditur kundërshtarin. Gjuha e vjetër riciklohet pambarimisht përmes akuzave për komplote në dëm të demokracisë, pazare në kurriz të popullit, marrëveshje të fshehta me pasoja për lirinë e njerëzve, shitje e interesave kombëtare për interesa meskine dhe gjithfarë dokrrash të kësaj natyre që kulmojnë me kërkesa publike për sinqeritet apo denoncime për tradhti mu në varrezat e dëshmorëve! Ky lloj vulgariteti gjuhësor i trashëguar prej kohës së shkuar dhe i përzier me baltën e sharlatanizmit lulëzues të kohëve të reja, bën që politika e vjetër e 17 vjetëve të llokoçitet në një batak ku politikanët, përherë të rrezikshëm në papërgjegjshmërinë e tyre për hir të një cope pushtet dhe rëndom qesharakë në momentet e seriozitetit të tyre artizanal, japin e marrin si e si të zhysin e mbysin njëri-tjetrin, jo si të nxjerrin vendin nga balta. Unë thjesht e neveris këtë politikë që u ka ardhur shqiptarëve në majë të hundës dhe mund t‘ju them me sigurinë më të madhe se kudo ku shkoj, në qytete e fshatra, në veri a jug, në zona të ashtuquajtura të majta apo të djathta, takoj gra e burra që pavarësisht nëse janë socialistë apo demokratë kërkojnë të shpëtojnë nga kjo lloj politike zanatçinjsh të gënjeshtrës, të cilët me pushtetin s‘dinë të bëjnë thuajse kurrgjë tjetër përveç hyzmetit të interesave të tyre. Njerëzve kudo nëpër Shqipëri po u lëviz toka nën këmbë nga kufizimi i përditshëm i mundësive për të jetuar normalisht. Çmimet që rriten përditë ndërkohë që bie fuqia blerëse e familjes shqiptare, shërbimet publike që degradojnë sistematikisht nën thithjen e përditshme të tentakulave të korrupsionit në shkolla, spitale, gjykata, hipoteka e çfarëdo zyrash të tjera ku qytetari s‘mbaron dot një punë pa dhënë bakshish, papunësia që rritet vijimësisht në mungesë të një klime nxitëse për biznesin vendas e për shkak të një mase krejt të pamjaftueshme investimesh të huaja, gjendja e mjeruar në fshat e në qytetet e vogla dhe mungesat e shumta në qytetet e mëdha, e kthjellojnë përditë e më shumë shqiptarin e thjeshtë e të ndershëm lidhur me nevojën për t‘u ndarë nga politika e vjetër e dasive, konflikteve, sherreve në emër të partive, flamujve e udhëheqësve të tyre. Shqiptarët e shqiptaret që duan të jetojnë me punë të ndershme e që ndiejnë t‘u shtrëngohet përditë litari në fyt pavarësisht nëse janë socialistë a demokratë, kuptojnë përditë e më qartë domosdoshmërinë për të dalë nga llogoret ku i kanë futur partitë në emër të konflikteve të vjetra mes gjyshërve. Ata kuptojnë pa shumë vështirësi se është koha për t‘i shembur muret që politika e përçarjeve partiake ka ngritur mes tyre në çdo qytet e fshat të Shqipërisë dhe për ta kapërcyer hendekun që politika e politikanëve u ka hapur në mes të fshatit e të lagjes, duke i ndarë për t‘i sunduar lehtësisht. Në Shqipëri ka filluar të fryjë era e një ndryshimi historik që do të jetë jo thjesht ndryshimi i një pushteti me një tjetër, po ndryshimi i procesit politik, i marrëdhënieve të politikës me njerëzit, i kthimit të partive nga çeta që luftojnë për të rrëmbyer pushtetin e disave, në kantiere ku ndërtohen alternativat qeverisëse për të gjithë. Ky është ndryshimi themelor që duhet ta bëjmë të ndodhë për të lënë pas, njëherë e mirë, politikën e vjetër që vazhdon të ushqehet nga vorba e kulturës komuniste ku zanatçinjtë e gënjeshtrës ziejnë tash 17 vjet çorbën e një kapitalizmi klientelist, pa konkurrencë të lirë e të ndershme.

Nëse i referohemi ngjarjes së Gërdecit, a mendoni se po punon me ritmet e duhura Kryeprokurorja Ina Rama. Më parë jeni shprehur se është herët për ta gjykuar dhe se e respektonit pikë së pari si një femër në rol drejtues. Pas kësaj ngjarjeje, por edhe pas hetimeve të pambyllura për rrugën Durrës-Kukës, ndoshta keni krijuar një ide fikse për të...

Hetimet nuk janë as artikuj gazetash as fjalime kuvendore që shkruhen "flakë për flakë" me situatën dhe unë s‘kam asnjë arsye ta paragjykoj apo aq më pak keqgjykoj Prokuroren e Përgjithshme për sa kohë nuk kemi ende asnjë fakt që të na e lejojë një gjë të tillë. Në dijeninë time hetimet vazhdojnë qoftë për fondet e humbura në rrugën Durrës-Kukës, të cilat kanë bërë që prokuroria të kërkojë deri edhe heqjen e imunitetit të një ministri punësh publike, qoftë për katastrofën e Gërdecit ku një tjetër imunitet ministror është hequr me kërkesën e prokurorisë së drejtuar nga zonja Rama. Padyshim që ne presim rezultate konkrete, siç presin rezultate konkrete edhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ju siguroj se e ndjekim me vëmendje në veçantë evoluimin e hetimeve lidhur me tragjedinë jonatyrore të Gërdecit, duke shpresuar që e vërteta të zbardhet deri në fund dhe asnjë nga fajtorët të mos i shpëtojë dënimit të merituar. Sigurisht, në një kohë sa më të shpejtë! Në rast se këto çështje kyçe për drejtësinë në atdheun tonë do të hyjnë në hullinë famëkeqe të zvarritjes, ne nuk do të ngurrojmë të ngremë zërin në adresë të kujtdoqoftë. Madje në radhë të parë në adresë të Prokurores së Përgjithshme. E cila, e përsëris, nuk duhet të vonojë sidomos me dy çështjet e lartpërmendura.

Duke kaluar te reforma zgjedhore dhe detajet e saj, a besoni zoti Rama se ajo çka paraqiti PS dhe produkti i diskutimeve në Kuvend është alternativa më e mirë për Shqipërinë dhe proceset e saj zgjedhore dhe ku mendoni se po çalon puna për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor?

Hëpërhë kemi vendosur vetëm sistemin dhe jam i bindur se sistemi që kemi zgjedhur, jo duke shpikur apo arnuar alla shqiptarçe një sistem çfarëdo, po duke iu referuar një modeli që funksionon më së miri në një demokraci të madhe evropiane, është alternativa më e mirë në kushtet e sotme të Shqipërisë. Për Kodin Zgjedhor jemi përgatitur gjithashtu shumë seriozisht dhe jemi gati të paraqesim në tryezën e komisionit përkatës alternativën tonë për çdo pikë të tij. Sipas atyre që në Partinë Socialiste janë marrë edhe herë të tjera me këto çështje, asnjëherë më parë nuk është bërë një punë kaq imtësisht e studiuar dhe e diskutuar mes ekspertëve të partisë dhe me ekspertë të pavarur e të huaj për reformën zgjedhore, duke filluar praktikisht dy vjet përpara zgjedhjeve.

LSI akuzon publikisht se "tradhtia e tretë" është gati të bëhet publike, pasi ju keni rënë dakord me Berishën për të gjitha pikat e kodit...

Më vjen keq po nuk po arrij ta ndihmoj dot mikun tim Ilir Meta të dalë nga bataku ku ka rënë dhe nga ku vjen era e rëndë e një të majte të vjetër, të rënë nga vakti e të mbetur pa identitet, pa projekt, pa ide. Mangësi këto që s‘mund të kompensohen as me antiberishizëm primitiv, as me akuza e shpifje në adresë të Partisë Socialiste e as me teatrin absurd të ribashkimit të vlerave të vitit 1991 që në fakt nxjerrin në pah krizën e ideve. Më vjen vërtet keq.

Pse Partia Socialiste pranoi kushtin e Berishës për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe mocionin e Kryeministrit?

S‘ishte kusht po propozim i palës tjetër që ne e konsideruam të arsyeshëm e të dobishëm për konsolidimin e sistemit politik të vendit. E vetmja keqardhje mbetet që nuk u la më shumë kohë për debatin publik sikundër ne kërkuam disa herë dhe kësisoj u krijuan, si gjithnjë në Shqipëri, shumë keqkuptime. Madje u hap një shteg i madh për abuzime, me qëllim thjesht mbrojtjen e interesave të ngushta partiake nga ana e disa të vegjëlve që ndihen të mëdhenj, po mendojnë si të vegjël dhe veprojnë si kalamaj.

U pasqyrua në media një takim i juaji me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. A është e vërtetë se Ju jeni përpjekur të ndikoni në shuarjen e kauzës së LSI-së për mbajtjen e referendumit kushtetues?

Nuk shoh asnjë kauzë të ndezur nga ana e atij grupimi që sot vuan pikërisht sepse ka mbetur pa kauzë, por gjithsesi takimi im me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një shkëmbim joformal e miqësor idesh lidhur me çështjen e ndërlikuar të pronës në Shqipëri.

Kur vendoset "vulën" tuaj në mënyrën e organizimit të Partisë Socialiste premtuat gjithashtu se zgjedhja e kandidatëve të ardhshëm për deputetë do të realizohej përmes parimit demokratik "Një anëtar, një votë". Si do funksionojë kjo në kushtet e listave të mbyllura dhe sistemit të ri që pritet të konkretizohet?

S‘kam thënë asnjëherë që kandidatët për deputetë do të zgjidhen me parimin "Një anëtar, një votë". Një gjë e tillë nuk shkruhet as në statutin tonë, ku ky parim zbatohet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të njësive të pushtetit vendor dhe zgjedhjen e kryetarit të PS-së, si edhe të kryetarëve të partisë në çdo njësi vendore. Madje nuk di as ndonjë parti në Evropë, e majtë apo e djathtë qoftë, që kandidatët për deputetë t‘i zgjedhë me këtë parim. Sidoqoftë jemi duke punuar për të ndërtuar një sistem të brendshëm të marrjes së mendimit nga drejtime të ndryshme për seleksionimin e kandidaturave tona.

Si do t‘u përgjigjeshit atyre që mendojnë se thirrja juaj për bashkimin përtej së majtës e të djathtës po i humbet Partisë Socialiste identitetin politik?

Nuk do humbisja kohë me këtë debat shterpë por, në respektin tuaj, mund të them se përtej të majtës e të djathtës nuk do të thotë që të mos ketë të majtë e të djathtë dhe as që në rastin konkret të gjithë të bëhen si ne. Por do të thotë, nga njëra anë, që partia s‘është qëllim që i ndan njerëzit në "tanët e të atyre" po instrument që i bashkon ata përmes një programi, një ekipi e një lideri në një zgjedhje që askush nuk duhet ta bëjë symbyllur. Përtej të majtës e të djathtës është një zgjedhje jo në emër të konflikteve historike mes gjyshërve tanë dhe as në emër të një besnikërie partiake që lidhet me të shkuarën e secilit, me ngjyrën e flamurit të partisë apo me bariun e saj. Është një zgjedhje që gjithkush duhet ta bëjë me sytë hapur, individ e jo si numër rendor apo rreshtor. Një zgjedhje në emër të vetes, të familjes, të vendit. Duke e çuar votën aty ku ajo shërben më shumë për të zgjidhur hallet e përbashkëta që s‘njohin kufij partiakë dhe jo duke e hedhur atë në vazhdim të avazit të vjetër brenda kufijve partiakë, çdonjëri sot mund të bëjë shumë për Shqipërinë. Ndërsa, në kuptimin identitar, përtej të majtës e të djathtës, është një qendër e re radikale që refuzon çdo paragjykim ideologjik duke u mbështetur në idealet e mëdha të lirisë, barazisë e vëllazërimit dhe duke u ushqyer nga idetë e reja të zhvillimit. Pa mohuar për asnjë çast rolin e tregut e pareshtur për asnjë çast në përmirësimin e mekanizmave që kompensojnë atë që vetë tregu nuk e kryen dot. Me një fjalë që s‘është lojë fjalësh, përtej të majtës e të djathtës është një e majtë e re, progresive dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërsa po realizohej ideja juaj për transformimin e Partisë Socialiste, në debat e sipër e identifikuat ish-kryeministrin Nano si pjesë të pandashme të politikës së vjetër. Së fundmi keni identifikuar edhe zotin Meta me të njëjtën "diagnozë". A vlen shenja e barazimit në këtë rast?

Dua të besoj se Iliri mund të ndahet nga politika e vjetër, jo vetëm sepse është shumë i ri për të mbetur peng i një kujtimi kryeministror, por edhe sepse ka ende plot njerëz të mirë, të ndershëm e të zotë nëpër Shqipëri që besojnë tek energjia e te vullneti i tij. Të cilët është vërtet gjynah të gënjehen e zhgënjehen nga një projekt që lindi për të sfiduar të vjetrën dhe po vjetrohet me shpejtësi duke ecur drejt së shkuarës.

Hartimi i projektit qeverisës të Partisë Socialiste bazuar mbi atë çka keni deklaruar është drejt përfundimit. A jeni gati të merrni "timonin" e drejtimit të shtetit dhe a besoni se dalja e së majtës e ndarë në zgjedhjet e vitit 2009 do rrezikojë rezultatin?

S‘ka një Shqipëri të majtë të ndarë, po ka një grup udhëheqësish të majtë në Tiranë që nuk arrijnë të adaptohen me ndryshimet e ndodhura në kohë dhe i mendojnë shpeshherë gjërat sikur vitet të mos kishin kaluar, duke e bërë të vështirë bashkimin e grupimeve të tyre me Partinë Socialiste për shkak të një sërë pretendimesh që, sipas nesh, nuk u përshtaten interesave që ka sot vendi e as ekzigjencave që kanë qytetarët. Të cilët janë me të drejtë krejt të pakënaqur nga "kioskëzimi" i sistemit politik e i jetës parlamentare dhe nga parcelizimi i fushave të jetës së vendit në funksion të kënaqjes së interesave e orekseve të çdo grupimi, sado të vogël, politik. E vërteta e dhimbshme është se sot në Shqipëri qeveria menaxhon këto interesa dhe orekse që po e shkatërrojnë shtetin duke e katandisur në një konglomerat strukturash partiake, të cilat, sipas pjesëve që çdo parti qeveris për hesapin e saj, kanë bastarduar krejtësisht administratën shtetërore. Strukturat dhe drejtuesit vendorë të demokratëve kanë uzurpuar sektorët që qeverisen nga ministrat e PD-së, ndërkohë që sektori i arsimit është bërë serbator i partizës së ministrit në fjalë, i cili është kthyer në distributor ofiqesh e vendesh pune për ndjekësit e tij, shëndetësia është "demokristianizuar" deri në nivelin e qendrave shëndetësore të komunave, mjedisi e peshkimi janë "xhuvelizuar", d.m.th degjeneruar, falë formave të përsosura dhjetëravjeçare që Lufteri zotëron në vënien e shtetit në shërbim të partisë, duke e kthyer një parti praktikisht inekzistente në një rrotë rezervë pa të cilën asnjë Kryeministër s‘ka guxuar të ndezë makinën e qeverisë. Pa folur për republikanët që thonë "Të çojmë pronën tek i zoti!", por votojnë çdo gjë që Kryeministri bën në dëm të ish-pronarëve, vetëm për të ruajtur çadrën e tyre ushtarake, e cila u shpërtheu në hava nga plasja e një zullumi të padëgjuar. Kush është kostoja e kësaj të djathte "të bashkuar"? Po çmimin e këtij lloj bashkimi që pasuron çdo ditë e më shumë një pakicë gjithnjë e më të vogël duke varfëruar një shumicë gjithnjë e më të madhe kush e paguan? Vërtet shqiptarët e shqiptaret që shohin majtas për një Shqipëri më të mirë e duan edhe në krahun e tyre një "bashkim" me të tilla konseguenca shpartalluese për shtetin e vendin? Kujt ngutet të më thotë se po ve në një plan miqtë e aleatët tanë me kundërshtarë të shpërfytyruar prej pushtetit i them jo, në asnjë mënyrë. Unë vetëm po shpreh bindjen se kjo dukuri kalbëzuese e partizimit të shtetit, e cila ka dalë krejt jashtë kontrollit këto tre vitet e fundit që shteti ka rënë në duart e papërgjegjshme e të paafta të Sali Berishës, nuk ka filluar në vitin 2005 dhe nuk ka të bëjë me njerëz të këqij a të mirë, po me një sistem të keq që duhet ndryshuar medoemos. Pa ndryshuar këtë sistem që ka vënë në gjunjë shtetin përpara "bashkimeve" partiake, të djathta a të majta, të cilat e kanë parë tradicionalisht pushtetin si qëllimin e tyre e jo si mjet për të realizuar qëllimet e shoqërisë, nuk mund ta ngremë në këmbë Shqipërinë dhe as të ndërtojmë një shtet garant të rendit ligjor, të konkurrencës e të meritës. Për sa më takon mua dhe Partisë Socialiste kemi qenë e jemi të gatshëm të bashkohemi me çdo shqiptar e shqiptare si edhe me çdo grupim politik e shoqëror që e kërkon këtë ndryshim historik, por e kemi të pamundur të bashkohemi me cilindo qoftë në dëm të cilësisë së këtij ndryshimi. E kemi të pamundur të plotësojmë kushte që mbajnë të pandryshuar gjendjen e rëndë të politikës duke cenuar interesat e qytetarëve e të vendit. E kemi të pamundur të logjikojmë thjesht me aksiomën e një shumicë aritmetike që ndërron pushtetin, po nuk ndryshon asgjë esenciale në jetën e Shqipërisë. Pushtetin nuk e duam për vete, po për të ndryshuar jetën e njerëzve, duke ndryshuar esencën e filozofisë qeverisëse të këtyre 17 vjetëve. Projekti ynë po zhvillohet jashtë kornizës tradicionale të politikës dhe jashtë qerthullit të vjetër të bashkimeve thjesht partiake, pa program e as frymë reformiste. Kemi zgjedhur një rrugë tjetër përmes një komunikimi intensiv me njerëzit në të gjithë Shqipërinë. Fitorja jonë po ndërtohet përditë duke ngritur urat e bashkimit mes njerëzve në çdo fshat e qytet, përtej të majtës e të djathtës, në emër të halleve e të interesave të tyre. Njerëzit po e kuptojnë përditë se s‘duhet ta presin ndryshimin të bjerë nga qielli apo të vijë nga kutia e televizorit ku politikanët japin prej 17 vjetësh shfaqjen bajate të politikës që, njësoj si shtëpia e "Big Brother"-it, zbavit telespektatorët me sherret, thashethemet e batutat e ditës, pa zgjidhur asgjë. Ata po vetëdijësohen përditë se janë ata që duhet të bashkohen, janë ata që duhet të dëgjohen, janë ata që duhet të bien në ujdi për kë duhet të votojë fshati apo lagjja që të ketë më shumë siguri, më shumë punë, më shumë shpresë. Siç e tha një bujk i mençur, "Po e pritëm hajrin të na vijë nga bashkimi i gjelave në Tiranë, s‘kemi pse presim kokërr veze nga pulat e fshatit tonë!". Kam bindjen se fati i zgjedhjeve të ardhshme varet nga njerëzit e thjeshtë, jo nga disa politikanë apo kalkulime aritmetike përqindjesh. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë një zgjedhje e qartë mes të shkuarës e të ardhmes. Ja pse do të fitojmë ne!

Pa aleatët?

Jo, me më shumë aleatë se asnjëherë më parë.

Përgjithësisht keni deklaruar se mënyra se si po qeveris zoti Berisha po e bën më të lehtë kontrastin me atë çka ofron e majta dhe socialistët. A i njihni ndonjë meritë qeverisjes së zotit Berisha?

Janë aq pak sa nuk shquhen dot.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm