Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Është themelore të ndërtojmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm

Të reja

Është themelore të ndërtojmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm

11 Jul 2017    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë të Tiranës:

 

Shumë faleminderit që keni ardhur!

 

Pas 25 qershorit, ku ne morëm një rezultat fantastik, jemi angazhuar në një proces, që nuk është bërë ndonjëherë më parë. Procesin e dëgjesave në të gjithë territorin e vendit, nga të gjitha skuadrat tona fituese, për të filluar të ndërtojmë bazën e një koalicioni të madh, që do të jetë edhe fuqia e domosdoshme për të përballuar sfidat shumë të mëdha që kemi përpara. Një koalicion i madh me njerëzit e zakonshëm, të cilët ne duam t’i bëjmë pjesë aktive të qeverisjes.

 

Kjo, për shkak edhe të eksperiencës së të shkuarës, por edhe për shkak të faktit që është inovative, tingëllon si një mënyrë për të komunikuar e për të thënë që ne jemi me njerëzit dhe për njerëzit. Por faktikisht nuk është kaq, sepse unë besoj shumë që, edhe falë teknologjisë së re, falë përdorimit gjithmonë e më masiv të internetit dhe falë aksesit që gjithmonë e më shumë njerëz kanë në internet përmes celularit apo kompjuterit në shtëpi, është plotësisht e mundur që ne të krijojmë një bashkëqeverisje reale, ku çdo individ, i cili ka dëshirën dhe vullnetin për t’u bërë pjesë e një trupe të madhe bashkëqeverisjeje mes ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste që do të qeverisë e vetme pa koalicion me parti të tjera dhe vetë njerëzve, të mund të jetë një trupë që komunikon në kohë reale për problemet, për nismat e ndryshme që merr qeveria, për vendimmarrjen e qeverisë dhe sigurisht, edhe për idetë e sugjerimet që kanë vetë njerëzit.

 

Mes njeriut të zakonshëm dhe qeverisë ka një zonë ku vështirësitë janë të panumërta dhe ku vështirësia kryesore është çuarja më sipër sesa një zyrtar apo një drejtues që bëhet pengesë për të zgjidhur një problem e vetë problemit. Pra, si një njeri i zakonshëm mund të kapërcejë pengesën që i del përpara, duke komunikuar drejtpërdrejtë me pjesën më lart dhe po ashtu, çdo anëtar i kabinetit qeveritar, çdo autoritet i lartë shtetëror të mund të marrë në kohë reale sinjalin se në këtë pikë, një njeri i zakonshëm, një familje e zakonshme ka ngelur.

 

Kjo është plotësisht e mundur. Ne po ndërtojmë një platformë që është e para e këtij lloji, për të mundësuar regjistrimin e çdo individi si pjesë e trupës së bashkëqeverisjes përmes lidhjes direkte në internet, duke shfrytëzuar këtë platformë me qeverinë.

 

Këto dëgjesa janë shumë të rëndësishme, edhe për të përcaktuar sëbashku prioritetet kryesore, në kuptimin që, nëse i marrim me radhë të gjithë problemet që njerëzit kanë në çdo komunitet, problemet janë të panumërta, njësoj si në çdo shtëpi. E nëse secili prej nesh rendit problemet që duhet të zgjidhë në familjen e tij për të pasur një jetë më të mirë dhe një siguri më të madhe për të ardhmen e fëmijëve, numri i gjërave që duhet të zgjidhim është më i madh se mundësitë. Atëherë, si në çdo shtëpi duhen vendosur sipas mundësive, edhe prioritetet, kush është gjëja e parë, e dytë dhe e tretë që mund të bëjmë. Duke i bërë këto tre gjëra, fuqizohemi për të bërë edhe të tjerat.

 

Unë kam shumë besim se do të arrijmë sëbashku ta thyejmë pengesën e sikletit që vjen nga mosbesimi që kanë njerëzit e zakonshëm, kur duhet të përballen me dilemën “t’i jap ryshfet dikujt në një zyrë dhe të mbaroj punë, apo të kërkoj më lart, që çka më takon të më jepet pa paguar ryshfet”. Kjo dilemë, për fat të keq, në 99.99% të rasteve zgjidhet gjithmonë në favor të së parës. Njerëzit preferojnë të japin ryshfetin, ta mbyllin aty për aty çështjen, sesa t’i hyjnë një historie ku kanë frikë, kanë edhe një siklet. Frika se mos duke ngritur zërin s’kanë për ta marrë më kurrë atë që iu takon, sepse zyrtari, drejtori apo struktura përkatëse do të hakmerret dhe sikleti se “do spiunoj?”

 

Në fakt, të dyja kanë një bazë nga e shkuara, por as njëra e as tjetra nuk janë një sjellje normale qytetare në një shoqëri europiane. Natyrisht, nëse analizojmë shkaqet për këtë, ato nuk vijnë nga qytetarët, por nga mënyra si është qeverisur dhe mënyra si është sjellë institucioni apo autoriteti shtetëror me problemet e qytetarëve, që bien rëndom në vesh të shurdhët.

 

Duke pasur një rrugë komunikimi të hapur, duke pasur një trupë të tërë njerëzish që janë të regjistruar pa qenë deputetë, pa qenë ministra, zëvendësministra apo zyrtarë, si pjesë e bashkëqeverisjes, si pjesë e koalicionit, atëherë atmosfera e përgjithshme për individë apo struktura që nuk i shërbejnë me dinjitet e ligjshmëri njerëzve, bëhet shumë më mbytëse, si kudo në vendet e zhvilluara.

 

Nuk janë spiunë as gjermanët, as zviceranët, as francezët, janë qytetarë të mirë, që në momentin kur shohin që dikush cenon rregullat e bashkëjetesës dhe prish cilësinë e jetës së tij, apo të familjes së tij, menjëherë bëjnë me dije autoritetet shtetërore. S’mund të kesh polic në çdo 100 metra, që të shohë çdo gjë. Nuk mund të kesh inspektor në çdo kazan mbeturinash, që të shohë kush i hedh brenda e kush i hedh jashtë. Nuk mund të kesh roje në çdo cep, që të dëgjojë kush e ngre muzikën në kupë të qiellit, kur të tjetër flenë. Nëse qytetarët janë të tillë dhe e ndiejnë si përgjegjësi të tyren që të mbrojnë vetveten, familjen dhe komunitetin nga keqbërësit e çdo niveli, atëherë, trupa që mbron rregullat, që mbron pacenueshmërinë e njerëzve të zakonshëm është shumë më e madhe.

 

Unë jam i bindur që hap pas hapi, kjo do të bëhet. Puna është ta bëjmë shpejt dhe të mos lëmë asnjë ditë të këtij mandati të ri të na ikë pa bërë një hap përpara në këtë drejtim.

 

Unë i kam ndjekur me vëmendje raportimet që kanë bërë të gjithë të deleguarit kryesorë, bashkë me ekipet e tyre dhe rezulton që barra më e madhe psikologjike mbi njerëzit është ajo që ne e kemi konstatuar; pamundësia për të marrë në kohë reale një shërbim dinjitoze, apo një përgjigje dinjitoze nga shteti.

 

Jo çdo gjë mund të zgjidhet. Jo për çdo gjë, gjithkush ka të drejtë. Por gjithkush, edhe kur s’ka të drejtë në atë që kërkon, ka të drejtën të marri një përgjigje serioze në kohë reale, ku t’i thuhet se kjo nuk bëhet, për një, dy, tre arsye.

 

Ky proces do të shkojë paralelisht me një reformë shumë rrënjësore të administratës. Reformë që ne kemi diskutuar gjatë fushatës e për të cilën ju kam thënë se kjo bëhet vetëm nëse na e jepni ne timonin, pa na ulur të tjerët në prehër. Çuarja e tepsisë për skrap, e thënë ndryshe. Kjo do të ndihmojë shumë, se nuk është thjesht që njerëzit duhet të përfshihen, duhet të ngrenë zërin e të vënë në dukje shqetësimet e tyre, por është edhe sa administrata është e gatshme t’iu përgjigjet nevojave të tyre. Pra, si do risistemohet e gjithë administrata shtetërore, që nga mënyra si është e strukturuar qeveria, që duhet të ndryshojë, tek mënyra si është e strukturuar e gjithë puna e deputetëve, që duhet të ndryshojë dhe tek mënyra si është strukturuar çdo mekanizëm, çdo strukturë, çdo zyrë, që duhet të ndryshojë.

 

Unë jam i bindur se, aq sa është e vështirë, aq bëhet e thjeshtë, nëse jemi bashkë. Këtë “jemi bashkë” nuk e them se tingëllon bukur, por sepse është e vetmja mënyrë. Nëse dikush shkon për të marrë një dokument dhe reagon për të mbrojtur të drejtën e vet, ne duhet të garantojmë që reagimi të dëgjohet deri në nivelin më të lartë. Për këtë nuk bëhet fjalë që çdo ministër do rrijë gjithë ditën duke marrë mesazhet dhe ankesat, por qeveria do të këtë një strukturë, ministritë do kenë një strukturë të posaçme për të garantuar këtë bashkëqeverisje, që asgjë nga ato që ngrihen në sistemin e brendshëm të koalicionit, nga çdo anëtar dhe anëtare e regjistruar përmes platformës që ne tani e kemi nxjerrë për diskutim dhe do ta bëjmë plotësisht funksionale në shtator, të mos ta marrë era. Çdo zyrtar ta dijë që, nëse nuk i përgjigjet me korrektesë qytetarit që ka përballë, potencialisht qytetari që ka përballë mund të jetë një anëtar i kësaj trupe bashkëqeverisëse. Sa të dalë nga zyra, menjëherë e çon sinjalin deri tek ministri në sektorin përkatës. Këtu sigurisht flasim për shërbime.

 

Ndërkohë që aspekti tjetër është ai i prioriteteve dhe i mënyrës sesi këto zbatohen. Nëse në zonën tuaj përcaktohet që prioriteti kryesor është “x” kanal i madh vaditës apo kullues, apo “x” segment ujësjellësi apo rruge dhe nëse kjo fillon të adresohet duke e financuar, përsëri, edhe aty njerëzit kanë syrin e tyre dhe gojën për të thënë çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon me atë projekt.

 

Në këtë vend kanë ndodhur çudira. Është fakt se aq para sa janë harxhuar nga buxheti i shtetit, nga taksat, nga kreditë që ka marrë shteti nga Banka Botërore etj., për të ndërtuar ujësjellësit në 25 vjet, do të mjaftonin që ujësjellësit e Shqipërisë të ndërtoheshin dy herë nga e para. Jo vetëm nuk janë ndërtuar, por gjërat kanë shkuar për keq në shumë zona.  

Aq para sa janë harxhuar në çerekshekulli për kanalet ujitëse dhe kanalet kulluese, do të ndërtoheshin tre herë. Këtu nuk është vetëm korrupsion, por është edhe mungesë e plotë organizimi, cilësie, ndjekje e punëve në çdo hap, që nga projekti, tek gara, kontrata, supervizori e deri tek dorëzimi i punës. Në çdo hap janë humbur para, që jo domosdoshmërisht janë vjedhur. Janë humbur, janë keqpërdoruar. Shembuj të tillë ka në çdo sektor.

 

Sfida jonë është që me paratë që kemi, të bëjmë më shumë punë dhe të bëjmë punët e duhura. Nëse njerëzit që kanë votuar për çfarë ne jemi zotuar, por dhe ata që nuk kanë votuar, bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje, figura e qytetarit në sytë e administratës fuqizohet e nuk ka rëndësi nëse nga frika se dikush po më denoncon e po më merr në qafë, apo nga vetëdija që do krijohet hap pas hapi, sepse të gjitha ankesat, të gjithë sinjalet, të gjitha rastet do të shikohen hap pas hapi.

 

Kemi ligje të shkruara mirë, ose rregulla të brendshme të institucioneve, që për një kërkesë, apo për një shërbim, afati është 7 ditë. Që do të thotë se brenda 7 ditësh duhet të jepet përgjigje, qoftë “po”, qoftë “jo”. Edhe “jo”-ja është përgjigje. Ama qytetari duhet ta marrë përgjigjen, jo të presë me “eja nesër”. Këto gjëra nuk bëhen as me kontrolle nga lart, as me hiq njërin, se u kap në flagrancë. Këto bëhen bashkë, për të krijuar një frymë bashkëqeverisjeje, ku të gjithë ndjehen pjesë dhe ku shteti është i imi, si qytetar i zakonshëm, kur më duhet. Natyrisht, si qytetar je i detyruar të respektosh gjithë ligjet dhe rregullat që ka vënë shteti. Por shteti është i qytetarit, nuk është i atij tek dera e zyrës së shtetit që ai troket. Nëse ai nuk të përgjigjet, ai nuk është shteti. Është thjesht një individ apo një strukturë me të cilën qeveria duhet të merret si problem.

 

Besoj shumë që, duke bërë një strukturim të tillë, përfitimi është në dy aspekte; mund të kursejmë para që shkojnë kot, rroga që shkojnë kot për njerëz që i marrim e rrinë në kafe gjithë ditën, apo duke iu rënë në qafë njerëzve, por mbi të gjitha do mund të krijojmë një sens shumë pozitiv të të qenit pjesë e të njëjtës shoqëri. Nuk ka rëndësi nëse unë jam “askushi”, ama shteti është i imi. Kur unë kërkoj nga shteti atë që më takon, shteti do të ma japë, pa pasur rëndësi nëse jam në fshat apo në qytet, jam i pasur apo i varfër, më njohin apo jo.

 

Duke ndjekur reagimet e njerëzve, shumë prej tyre, me të drejtë dhe unë i kuptoj, thonë “e bukur është, por nuk bëhet”, apo “nuk jemi spiunë”.

 

Jo, bëhet! E nuk është çështje spiuni. Nëse të vjen një hajdut në shtëpi, ti lajmëron policinë. Atëherë, pse dikush në një zyrë  të mohon atë që të takon në shtëpinë tënde, që është vendi yt, është Shqipëria, është shteti yt, u dashka falur, apo u dashka paguar që të të japë ty atë që të takon?! E nëse thua “po e paguaj”, atëherë nuk ke më për çfarë ankohesh.

 

Ashtu sikundër e përsëris, njerëzit nuk kanë faj, sepse i kanë bërë provat edhe për t’u ankuar. Nuk i ka dëgjuar njeri, ndaj thonë sa të humb kohë, më mirë po i paguaj lekët. Por këto janë gjëra që mund t’i ndryshojmë. Ne jemi shumë seriozë, kur themi që duam të bëjmë një koalicion me njerëzit e zakonshëm. Kini parasysh që në çdo dëgjesë ka njerëz që mbajnë shënime. Të gjitha këto shënime futen në një raport. Në raportin e përgjithshëm për të gjithë dëgjesat në të gjitha zonat, do përcaktohen problemet kryesore që kanë dalë, që do i shkojnë qeverisë dhe kryetarëve të bashkive.

 

* * *

Është shumë e rëndësishme që të kuptohet, jo për arsye justifikimi, apo shmangie nga përgjegjësia, por për hir të vërtetës, që, së pari, uji i pijshëm është shërbim bashkiak në të gjithë Shqipërinë. Nuk është qeveria qendrore përgjegjëse për shërbimin e ujit të pijshëm, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, padiskutim që është përgjegjësi kombëtare për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm. Ajo që unë mund t’ju them si fakt në Bashkinë e re të Tiranës është që për herë të parë ka një vizion, ka një plan për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm. Por kini parasysh se koha është e shkurtër, në raport me sa shumë vite kanë kaluar që nuk është bërë asgjë dhe janë shkatërruar gjerat. Unë kam shumë besim që në Bashkinë e Tiranës, çështja e ujit të pijshëm do të shkojë vetëm duke u përmirësuar, që furnizimi do të shtrihet hap pas hapi edhe në zonat ku s’ka as rrjet. Por kjo kërkon kohën e vet. Natyrisht ju keni të drejtë të thoni, kemi 100 vjet që presim. Po si mund të bëhet ndryshe? Nuk është se kemi mundësi ta bëjmë sa hap e mbyll sytë.

 

Ne po mendojmë edhe për një reformë të sistemit të shërbimit të ujit të pijshëm, pasi, përveç Bashkisë së Tiranës dhe shumë pak bashki të tjera, nga mungesa e një reforme serioze në këtë shërbim që nga viti 1990, pjesa më e madhe e ujësjellësve janë financiarisht të falimentuar. Pjesa më e madhe e bashkive që e bëjnë këtë shërbim nuk kanë asnjë shans që ta rimëkëmbin shërbimin, në qoftë se nuk zbatojnë me rigorozitet planin e duhur për shërbimin. Ajo që konstatohet me ujin është se askund ku njerëzve iu kërkohet ta paguajnë, nuk ka diskutime. Njerëzit janë të gatshëm ta paguajnë.

 

Uji është qartësisht, sot, një sfidë kombëtare. Çka thashë se është shërbim bashkiak nuk është justifikim dhe nuk është për t’iu shmangur përgjegjësisë. Është një sfidë kombëtare që ne duhet ta përballim, siç përballëm sfidën kombëtare që kishim në fillim të mandatit të parë për energjinë. Nuk mundet më të vazhdojmë që ta shpërdorojmë ujin. Nuk mundet më të vazhdojmë të mendojmë që një pjesë e paguan e pjesa tjetër me lidhje të paligjshme, jo vetëm që  e vjedh, por edhe e shpartallon komplet si pasuri, duke ujitur me ujë të pijshëm arat. E papranueshme!

 

Ashtu sikundër është e papranueshme që ndërmarrjet e ujësjellësve përdoren si ndërmarrje punësimi, ndërkohë që duhet të jenë ndërmarrje shërbimi.

 

Kështu që për ujin na duhet kohë për të arritur rezultatet e dëshiruara, por do ta trajtojmë këtë çështje më shumë përparësi.

 

Po ashtu kemi filluar programin që do të vazhdojë dhe nuk do ketë asnjë metër katror tokë buke që nuk do ujitet. Në 2013-ën e kemi marrë Shqipërinë me 120 mijë hektarë që ujiteshin, në krahasim me 420 e ca mijë hektarë që ujiteshin në 1990-ën. 300 mijë hektarë më pak, një pjesë e tyre sigurisht nuk janë më tokë buke, sepse janë bërë ndërtime. Ne, në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e ujitjes, nga 120 mijë në 240 mijë dhe mund të shkojmë në 350 mijë. Më tepër nuk shkojmë dot, se për shkak të transformimit të tokës nuk është më tokë bujqësore. Bashkitë kanë marrë ekskavatorë të mëdhenj që punojnë vazhdimisht dhe besoj se në harkun e dy viteve, kjo gjë do të jetë e zgjidhur kudo.

 

Për çështjet e legalizimeve, ne kemi filluar punën për atë që ne thamë në fushatë, nuk do i kemi më legalizimet këtej, hipotekat andej e pronat nga ana tjetër. Nuk do të ndodhë më që ta jep legalizimin njëri, por s’ta hipotekon tjetri. Do jetë një Agjenci Kombëtare e Pasurive të Patundshme, e cila do të funksionojë në një kontakt. Atë që bën ALUZNI duke ardhur tek ju, ju ndihmon falas për të gjithë procedurën, do e bëjë edhe hipoteka, duke e sjellë hipotekën në shtëpi, pas një verifikimi të domosdoshëm të identitetit. Këtë  do ta bëjmë shumë shpejt, po e përgatisim. Brenda 100 ditëve të mandatit të dytë, kjo do të bëhet dhe do të jetë një agjenci komplet e re, që do të shërbejë vetëm për pasuritë e patundshme. Kështu që, procesi do të lehtësohet shumë. Ne arritëm në 140 mijë legalizime, nga 21 mijë që u bënë në 8 vjet. 51 mijë legalizime nuk janë të hipotekuara, sepse ju e dini vetë historinë. Kjo nuk do të ndodhë më.  

 

Ne do të punojmë shumë fort për shërbimet në një pikë, që njerëzit të mos shkojnë në 100 zyra. Kemi bërë disa projekte pilot. Po ashtu do të punojmë që shumë shërbime të bëhen direkt në celular, pa pasur nevojë të shkohet as në zyrë, as tjetërkund. Aty ku do jetë e nevojshme do të vendosim në njësitë administrative pika shërbimi online, sepse ka shumë njerëz, sidomos të moshuarit, që nuk mund ta bëjnë. Njerëzit në njësitë administrative do të jenë aty për të ndihmuar dhe të mos jetë e nevojshme të shkohet për të paguar dritat deri tek OSHEE-ja, apo tarifa të tjera. Këto do i lehtësojnë shumë njerëzit dhe do ulin shumë atë barrën e tmerrshme të tepsisë.

 

Po punojmë gjithashtu për të hequr sa më shumë dokumente, të ulim maksimalisht numrin e dokumenteve që duhen në këtë shtet. Biznesin e rëndojnë. Njerëzit i rëndojnë. Ka shërbime për individë në Shqipëri që kërkojnëmbi 20 dokumente. Një tmerr! Do të bëjmë të kundërtën. Nëse  shkon në një sportel dhe të duhen 20 dokumente nga shteti, nuk do të shkosh t’i marrësh ti në 20 zyra, por do t’i marrë ajo zyrë për ty.

 

Është themelore të ndërtojmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm. Sa më shumë njerëz të zakonshëm të regjistrohen në platformën tonë të koalicionit, që do të jetë publike, e hapur për të gjithë në fillim të shtatorit, aq më shumë do të kemi një bashkëqeverisje efikase dhe aq më thellë mund ta operojmë kancerin e të gjithë kësaj skeme torturash, zvarritjesh, persekutimesh dhe grabitjesh, në çdo rast që njerëzit takohen me shtetin. Është plotësisht e mundur! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm