Të reja

FALEMINDERIT!

27 Jun 2017    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama me rastin e fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit:

 

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

 

Shqipëria ka folur troç. Shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuqezi.

Ata kanë zgjedhur të ardhmen dhe na kanë thënë të gjithëve:

Shqipëria që duam është mbi të majtën e mbi të djathtën.

Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve.

Misioni i të zgjedhurve, është puna për Shqipërinë dhe mirëqenia për shqiptarët, jo politika e kacafytjeve për partinë dhe interesave për pushtetarët. 

 

Populli ka zgjedhur Partinë Socialiste, për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qeverisëse. Dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë, jo me shembullin e forces, kundër të tjerëve.

Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare.

Janë sfida të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve pa dallim. Nën të njëjtin flamur kombëtar. Për familjet dhe në radhë të parë, për fëmijët e të njëjtës tokë; ku jemi lindur jo të majtë, jo të djathtë; jo të ndarë në tanët e të atyre; po të njëjtë në gjak, të njëjtë në gjuhë, të njëjtë në vazhdimësinë e historisë e në porositë e të parëve tanë, për të ardhmen: Thjeshtë Shqiptarë!

 

Duke u përulur përpara të gjithë atyre që na zgjodhën, qytetarëve socialistë, demokratë, pa parti, të moshuar e të rinj, nga Veriu në Jug, burra e gra, djem e vajza, po duke falenderuar edhe të gjithë ata që e kryen detyrën e lartë qytetare të pjesëmarrjes në zgjedhje, pavarësisht se nuk votuan njësoj si shumica absolute e shqiptarëve, u them të gjithëve:

Fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Ndërsa e jona, e të zgjedhurve të tyre, është vetëm barra e madhe e përgjegjësisë.

E imja në radhë të parë. Për të mos harruar, në asnjë minutë të katër viteve të ardhshme, se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam.

 

Për të mos harruar se, ata e besuan, edhe me më shumë vota se katër vjet më parë Partinë Socialiste, jo sepse ne nuk kemi të share, por thjesht sepse duan të provojnë deri në fund, sa më të mirë mund të jemi ne për Shqipërinë, po ta kemi të vetëm timonin në rrugën drejt të ardhmes.

 

Për të mos harruar se, në vend të një koalicioni të radhës mes partive që ndajnë tepsinë e pushtetit, shqiptarët kanë zgjedhur koalicionin  tonë drejtëpërdrejtë me ta; jo që ne ta marrim atë tepsi të vjetër të gjithën për vete, po për ta çuar për skrap njëherë e përgjithmonë!

 

Për ne të zgjedhurit nuk mund të ketë një nder më të madh, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi nuk ka investim më të madh.

Ndaj, mos e dhëntë Zoti që këtë besim ta marrim si një kupë futbolli e të mos kuptojmë, që të gjithë, se nga sot, prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi për sa shumë kemi për të ndryshuar, korrigjuar, përmirësuar, tek vetja jonë dhe në punën tone në radhë të parë.

E po ashtu, mos qoftë e thënë, që konkurentët tanë, të zgjedhur prej atyre që nuk na zgjodhën ne, t’i shohim si armiq të mundur dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk kemi fituar një kampionat, po kemi marrë një detyrë shumë të vështirë. Ata nuk kanë humbur një kampionat, po kanë marrë një tjetër detyrë aspak të lehtë.  

E jo atyre, konkurrentëve tanë, po në radhë të parë neve, pastaj edhe atyre, të gjithëve bashkë na takon të bëjmë çmos për t'i dhënë fund politikës së rrahjes së gjoksit për meritat dhe të drejtimit të gishtit për fajet tek njëri-tjetri!

 

Katër vitet që vijnë, nuk duhet të jenë një tjetër lojë politike, e ka, kush e ka fajin, për çka nuk shkon mirë, po një përpjekje shqiptare, e përbashkët, për çfarë duhet të bëjmë, për ta bërë Shqipërinë më të mirë.

 

Ne duhet ta bëjmë më të fortë demokracinë tonë, duke e bërë më të mirë, më të arsyeshme, më njerëzore, politikën tonë.

Ne duhet të veprojmë dhe të veprojmë që tani e në vazhdim, me shembullin tonë. Dhe populli shqiptar do të shikojë kush është i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë, jo vetëm me fjalë, po edhe me vepra. Unë jam i gatshëm të veproj dhe ju kërkoj të gjithëve të njëjtën gatishmëri.

 

Prandaj, dua t'u them udhëheqësve të partive të opozitës, se fushata ka mbaruar. Shqiptarët na kanë shikuar, na kanë dëgjuar, na kanë duruar për një kohë më të gjatë se zakonisht këtë herë dhe e kanë bërë zgjedhjen e tyre.

 

Tani është koha për të vënë veten tonë në dispozicion të tyre dhe Shqipërinë përpara partisë; prioritetet e vendit, përpara interesave të grupimeve tona politike dhe shqiptarët, pa dallim, përpara dallimeve politike apo hendeqeve tradicionale, ose të porsahapura mes nesh.

 

Është koha për të vënë flamurin përbashkues kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, përpara flamujve të feudeve tona politike.

 

Është koha të gjejmë forcën e arsyes për të punuar më shumë së bashku, në interes të njerëzve dhe t’u marrim atyre më pak kohë me llogjet e katundit tonë politik, që nxjerrin në pah pa kriter e pa karar, veç dasitë tona.

 

Motra dhe vëllezër, këtu të pranishëm dhe në të gjithë Shqipërinë,

 

E ardhmja që duam nuk vjen, po arrihet.

E sa më shumë të bashkëpunojmë për të ardhmen, ne përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve, në qeveri apo në opozitë, aq më pak e shkuara do të jetë pengesë, për Shqipërinë që duam për gjithë familjet shqiptare e për fëmijët e këtij vendi, pa asnjë dallim.

 

Ky besim i madh që më është dhënë dhe na është dhënë nga kaq shumë njerëz, edhe përtej kufijve ndarës mes partive; mesazhet e panumërta të mbështetjes, që kam marrë të dielën, nga votues tradicionalë të Partisë Demokratike kudo nëpër Shqipëri, apo nga njerëz të pavendosur deri ditën e fundit; miqtë e shumtë të rrjeteve sociale në emigracion, që kanë ngritur telefonin për të çuar në votim, të afërm dhe të njohur këtu në Shqipëri, më sjellin këtu sonte, jo me grushtin e mbledhur, po me dorën e shtrirë ndaj opozitës dyngjyrëshe të katër viteve të ardhshme. 

 

Unë nuk jam naiv. Ju siguroj se nuk po ëndërroj asgjë të pamundur. Thjesht mendoj se, nëse do të jemi pak më shumë shqiptarë -  pasardhës ca më të denjë të etërve të këtij kombi - dhe pak më pak politikanë, pjella defektoze të një kohe kapërcimi historik që e ka mundur shumë këtë popull, asgjë nuk do ta ndalte dot Shqipërinë, për t’u bërë zonja e rëndë që ëndërronin rilindasit tanë.

 

Mjafton të mos shohim vetëm defektet e njëri-tjetrit në çdo moment që lufta politike na kundërvë me njëri-tjetrin, po edhe të shikojmë brenda nesh e thjesht të pyesim veten, çfarë është në këtë moment gjëja e duhur për popullin shqiptar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe Shqipëria është bërë më e mirë në atë moment.

 

Mjafton që të kemi sa më shumë momente të tilla dhe jo të sfilitemi vetëm duke luftuar njëri me tjetrin në çdo moment, që shumë më shumë gjëra të mira të bëhen papritur të kalojnë vite e vite të tëra.

 

Mjafton të mos harrojmë se detyrat tona janë të përkohshme, ndërsa atdheu është i përjetshëm e jetesa e shqiptarëve është më e rëndësishme se vendi ku ata na kanë ulur përkohësisht dhe e ardhmja bëhet më e afërt për të gjithë vendin.

 

Këto zgjedhje nuk ishin perfekte, po ishin pa as më të voglin diskutim më të çliruarat nga pesha e traditës sonë jo aq të lumtur zgjedhore.

 

Qytetarët u ndjenë më të patrazuar se asnjëherë më parë, qoftë nga nxehtësia e retorikës politike, qoftë nga influenca e partive në qeveri mbi administratën e mbi zgjedhësit, përmes mekanizmave të pushtetit, qoftë nga presioni i shëmtuar pamor i megaposterave, afisheve, banderolave e flamujve të partive nëpër rrugët e vendit e në cdo lagje e fshat të Shqipërisë.

 

Shfaqja e papritur dhe jashtë kontekstit të përgjithshëm e disa çjerrjeve acaruese e acarimeve artificiale gjatë javëve të fushatës, përbën një përjashtim që më mirë të mos kishte ndodhur, por që nuk i cenon arritjet e reja në të mirë të publikut që solli ky proces zgjedhor.

 

Padyshim, as marrëveshja ime politike me kryetarin e opozitës, pas një periudhe të zgjatur konflikti politik, ku u rrezikuan vetë zgjedhjet dhe stabiliteti demokratik i vendit, nuk ishte perfekte.

 

Por, siç kam besuar deri dje, besoj edhe sot se ajo marrëveshje ka të gjithë potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate vere, në një Shqipëri, ku qeveria dhe opozita janë të ndara në llogoret e tyre politike, po duhet të jenë të bashkuara për interesat kombëtare dhe politike të vetë Shqipërisë,  në rrugën për Europën që duam.

 

Natyrisht, duke pasur një fitues kaq të qartë pas përfundimit të zgjedhjeve, do të duhet pak kohë për të parë e kuptuar nëse fryma e marrëveshjes që shpëtoi zgjedhjet dhe solli një klimë të pazakonshme qetësie në vend, nuk është tretur bashkë me pritshmërinë e natyrshme të liderit të opozitës për të dalë fitues në këto zgjedhje.

 

Po, unë dua ta rikonfirmoj publikisht, dëshirën për ta pasur marrëveshjen politike të 18 majit, një busull orientuese të marrëdhënieve të qeverisë së re me opozitën e re. Duke shprehur këtu vullnetin për ta respektuar atë më tutje, pa asnjë presje, dua ta falenderoj sot Lulëzim Bashën për faktin se në 18 maj vuri Shqipërinë të parën! Siç e shohin tani të gjithë, marrëveshja është ajo që është dhe nuk është ajo që cinikët e përhershëm të kazanit donin t’i bënin shqiptarët të besonin se ishte!

 

Kjo është sidoqoftë një mbrëmje e bukur gëzimi, për të gjithë shqiptarët që me zërin e tyre të fuqishëm e shprehën vullnetin e tyre. Po edhe për miqtë e partnerët e pazëvendësueshëm të shqiptarëve, që panë një proces zgjedhor të qetë e demokratik. I falenderoj edhe ata, që të gjithë, për gjithçka bënë e në fakt e bënë me sforco të jashtëzakonshme, që Shqipëria t’ia dilte kësaj sprove, e cila, kujtohuni pak, vetëm 38 ditë më parë dukej një mision i pamundur.

Nesër është një ditë e re dhe për mua e për ne socialistët, puna për Shqipërinë nis me një barrë shumë më të rëndë se ajo që kishim deri dje.

 

Në këtë pak kohë që ka mbetur mes sot dhe nesër, përpara se të fillojmë punën edhe me më shumë pasion, me edhe më shumë angazhim, me edhe më shumë kokëfortësi shqiptarçe për Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie, lejomëni t’ju shpreh të gjithë atyre që u angazhuan në fushatën tonë fantastike kuqezi, mirënjohjen time më të thellë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

 

Faleminderit 139 herë të 139 anëtarëve të skuadrës sonë kombëtare, që bëri një betejë të paharrueshme për të fituar zemrat e mendjet e njerëzve, në çdo qark të Shqipërisë, që nga Kukësi ku edhe pse për shumë pak, nuk e fituam qarkun, ishim skuadra më e besuar nga zgjedhësit në bashkinë e re të Kukësit. E deri në Vlorë ku thyem rekordin historik të mbështetjes për Partinë Socialiste.

 

Pa asnjë xhelozi, ju lutem më falni, t’i dërgoj një puthje të gjithë vlonjateve e vlonjatëve.  

 

Një duartrokitje e merituar për skuadrën e qarkut të Shkodrës, ku i kemi vendosur bazat e një lidhjeje të re me komunitetin e mbajeni mend pas dy viteve do të jemi forca më e votuar.

 

Një përshëndetje e megjithëzemërt për skuadrën e Qarkut të Lezhës, ku për herë të parë jemi të parët me diferencë nga i dyti dhe me një borxh të madh me atë komunitet.

Një tjetër duartrokitje e stërmerituar për skuadrën e Qarkut të Durrësit, e cila, megjithëse na ka mësuar me thyerje të çdo rekordi historik në çdo palë zgjedhje, këtë herë kapërceu edhe parashikimet e Dakos.

Një duartrokitje e posaçme për skuadrën e Qarkut të Elbasanit, që bëri një punë organizative shembullore dhe e arriti objektivin, me numrin më të madh të votave që kemi marrë ndonjëherë në atë qark, pavarësisht vështirësive shumë të posaçme të kësaj here.

Një përshëndetje e ngrohtë për skuadrën e Qarkut të Korçës, ku na është dhënë një besim edhe më i madh se katër vjet më parë për të vijuar më tej transformimet e mëdha.

Duartrokitje flakë të nxehta për skuadrën e Qarkut të Beratit, e cila e riktheu Partinë Socialiste në lartësinë e ambicieve tona për atë zonë të lënë për shumë vite pasdore, ku tanimë ka nisur të fryjë dhe nuk do të pushojë era ripërtëritëse e Rilindjes.

Patjetër, edhe një duartrokitje të stuhishme për skuadrën fenomenale të Qarkut të Tiranës, e cila me numrin rekord të votave realizoi kapërcimin e objektivit duke arritur 18 mandate dhe duke na dhënë një dorë të fuqishme në realizimin e objektivit tonë kombëtar për ta udhëhequr Shqipërinë, duke çuar për skrap tepsinë!

Jo më kot e lashë në fund, një ovacion për superskuadrën e Qarkut të Fierit - dhe tani do ma falin të gjithë një veçim me emër - për forcën më domethënëse të shembullit në familjen tonë të madhe politike, Gramozin. E meritonte të ishte në fund edhe në falenderime sepse sfidoi një traditë të pa sfiduar asnjëherë, që i vendos udhëheqësit të parët në listë, duke i udhëhequr socialistët e progresistët e Fierit nga vija e kuqe e objektivit tonë dhe duke arritur një rezultat spektakolar. Dhe për ata që nuk e kuptojnë çfarë është vija e kuqe, po ia them ndryshe, mbase pak labçe: Vajti në betejë me 9, i 9-i dhe u kthye vetë i dhjeti!

Po nuk është i vetmi emër, në fakt, që dua të veçoj sonte, sepse pa Gramozin, sot Partia Socialiste nuk do ishte këtu ku është, ndërsa pa Linda Ramën, sot unë nuk do isha këtu ku jam!

Prapë kam bërë një gabim, gabimin që Gramozi më ka porositur gjithmonë se si nuk duhet ta bëj, sepse thotë, “mos lavdëro me rradhë sepse do harrosh ndonjë”! E kam harruar më të paharrueshmen, Dibrën! Por Dibranët, jam i bindur që nuk do ma harrojnë këtë gabim, deri kur, se tani fushata ka mbaruar, përpara filimit të dimrit, ne do kemi filluar rrugën e Arbrit!

 

Si gjithmonë, mes meje dhe Lindës, u fut prap politika!

E kuptoni sa e madhe është fitorja, që kemi luksin të harrojmë e prapë kemi fituar, se edhe po mos ishte Gjirokastra, ne do e kishim vetë timonin. Megjithatë, po the Gjirokastër, i ke thënë të tëra, mirënjohje për skuadrën e bukur të Gjirokastrës dhe një duartrokitje për ata që i harruam me mend, por i kemi në zemër.

 

E prapë, dua të kthehem tek gruaja.Faleminderit Linda, që vazhdon të më durosh shumë më heroikisht se sa ç’duroj unë të gjithë miqtë e klubeve të katundit mediatik.

Faleminderit edhe gruas tjetër të jetës time, Aneta Ramës, e cila megjithëse është e vetmja në familjen tonë që nuk le gazetë pa lexuar e portal pa klikuar, akoma nuk e ka humbur besimin tek unë, po nuk ka humbur as durimin me mua.

 

Sidoqoftë, një gjë është e sigurt, ylli më i madh i kësaj fushate të suksesshme ka qenë shpirti ynë i skuadrës. Angazhimi i të gjithëve. Shembulli i drejtuesve në punë dhe puna e të gjithëve në grup.

E po ju them, nuk ju kam parë kurrë ndonjëherë më skuadër se këtë herë dhe kjo më mbush me besimin që pavarësisht se mandati ri është më i vështiri që mund të kishim, ditët më të mira për Shqipërinë janë përpara nesh!

Prandaj besoj shumë që kur të rritet, Zaho që s’do mbajë mend asgjë nga kjo fushatë, jo vetëm pse është shumë i vogël, po edhe sepse është ende tërësisht i depolitizuar nën një çati ku nuk shihen lajme e emisione politike e ku kurrë nuk flitet për politikë në prani të tij, do të krenohet sidoqoftë, kur të rritet, me ato që falë kësaj fitoreje ne do të kemi bërë për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.

 

Rrofshi të gjithë ju!

Rrofshi të gjithë ju që na ndiqni, të majtë e djathtë, socialiste e demokratë, që na keni votuar apo s’na keni votuar!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria!

 

Duke ju falenderuar, përpara se të largohem, dua të lajmëroj, nesër në 08:00 mbledhje shtabi! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm