WhatsApp Image 2017-02-05 at 22.05.40

Faleminderit Dritëro që na le edhe një model tjetër pastërtie të politikës!

Nga Gramoz Ruçi/

Më lejoni të shpreh edhe unë hidhërimet në këtë ditë të vështirë, në këtë ditë të rëndë të përcjelljes së këtij njeriu të madh. Si shumëkush nga ju, edhe unë e kam njohur në rininë time Dritëroin jo vetëm drejtpërdrejt fizikisht, por edhe nëpërmjet krijimtarisë së tij, të romaneve, skenareve, të filmave të tij, të poezive, të poemave të tij.

Por nuk do të flas në këtë sesion për këtë pjesë të tij, pasi nuk jam njeriu i përshtatshëm për këtë. Do të flas për dimensionin tjetër të tijin, dimensionin e politikanit.

Fizikisht u takova me të kur ende nuk kisha mbushur 35-vjeç, ndërkohë ai ishte 55-vjeç.

Me të u njoha në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, kur ai ngrihej dhe fliste. Duhet të keni parasysh se unë isha një njeri i ardhur nga provinca dhe më dukej diçka e rëndë ish-Komiteti Qendror. Por ajo që vura re ato katër vjet ishte se, kur fliste Dritëroi të gjithë dëgjonin, megjithëse kundër linjës politike askush nuk guxonte ta kundërshtonte, madje as ta kritikonte.

Mesazhi i parë që unë mora nga ky njeri, tani që reflektoj, është se mendja e Dritëro Agollit shkurtoi ditët e sistemit që kemi lënë pas.

Faleminderit Dritëro për këtë kontribut të vyer që ti ke dhënë në fushën e politikës.

E dyta, më kujtohet viti 90′ që shumëkush nga ju e di, përsëri në atë plenium ku konkuronin 2 vendime ndaj studentëve: të përdorej forca apo të plotësoheshin kushtet dhe të përdorej mendja. Sigurisht që Dritëroi ishte me këtë të dytën dhe ishte flamurtar i pranimit të pluralizmit politik dhe ndaj studentëve të mos përdorej forca, por dialogu, duke plotësuar deri më një kërkesat e tyre.

Shumëkush thotë që demokracinë e prura unë apo ai, por unë do të thoja që ka qenë një paradoks. Në 90′-ën, si rezultat i këtyre njerëzve të mençur që kuptonin dhe kishin kurajon intelektuale që të ndanin qëndrime, pluralizmi politik në Shqipëri u fut pa atë dhimbjen e madhe që u fut në vendet e tjera të Lindjes.

Faleminderit dhe për këtë shërbim, Dritëro i madh.

Së treti, pas një viti, në këtë sallë ku jemi sot, ishte mbledhur Kongresi i Partisë së Punës. Shumë nga ne që ishim aty i themi vetes themelues të Partisë Socialiste. Besoj se këto ditë, secili nga ne e ka freskuar memorien me një insert që kanë dhënë televizionet, ku Dritëroi na drejtohej dhe e gjithë salla e vërshëllente, megjithatë ai nuk u tremb, deri në fund qëndroi stoik dhe mbrojti qëndrimet e tij.

Ajo sallë brohoriste për ish udhëheqësin, por Dritëroi ishte nga ato burra që mendonte se nuk janë turmat ato që duhet të udhëheqin intelektualët, por janë intelektualët ato që duhet të udhëheqin turmat. Dhe ata që duartrokisnin harronin se udhëheqësit që duartrokisnin, Dritëroi me shumë intelektualë të tjerë këtu në Tiranë, kishin vendosur për herë të parë t’ia hiqnin nga presidiumi bustin e tij dhe në vend të tij kishin vënë lulëkuqe. Ata nuk kuptonin që Dritëroi me shokët e tij kishin përgatitur programin ku nuk përdorej fjala Marksizëm-Leninizëm, por përdoreshin termat pluralizëm, ekonomi tregu dhe shtet i së drejtës. I pari ishte Dritëroi që dha sinjalin ose kushtrimin. Ditën e dytë, ajo sallë përjashtoi bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë të Enverit nga partia, të gjithë byronë politike; dhe ditën e tretë nuk zgjodhi asnjë nga ata, por zgjodhi vetëm Dritëronë në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues. E gjitha kjo brenda 3 ditëve.

Faleminderit Dritëro, në emër të të gjithë socialistëve, për themelimin e Partisë Socialiste!

Jo vetëm kaq, aty u bashkuan dhe 20 vjeçarët si Ilir Meta, Pandeli Majko, Ndre Legisi apo Ilir Zela, por edhe profesorët si Maqo Lakrori, Servet Pëllumbi, Ethem Ruka, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Xhevat Lloshi e shumë të tjerë. Kishte pra brezin e parë, brezin e dytë, që ishim unë e Namiku me shokë, dhe brezi i tretë ose intelektualët. Vështirë të gjeje një të dytë që ta pranonte, ta dëgjonte, ta respektonte dhe që fjala e tij të ishte ligj edhe tek brezi i parë, edhe brezi i dytë, edhe brezi i tretë në PS. E me gjithë dallgët që ka kaluar PS në ato vite, Dritëroi dinte të mbështeste lidershipin e partisë kur duhej mbështetur, ashtu sikurse dinte të kritikonte, ashtu sikurse ka kritikuar lidershipin e PS-së në vite. Faleminderit përsëri Dritëro, në emër të të gjithë socialistëve!

Është e vështirë që të flasësh gjithë dimensionin që kishte në fushën e politikës Dritëroi, po është e vështirë të gjesh një të dytë në politikën shqiptare këto 25 vjet, që nga malli apo nga halli e respektojnë të gjithë, dhe këtë e tregoi më së miri kjo ditë. E vështirë të gjesh ndonjë politikan që nuk erdhi, që nuk u përul, që nuk nderoi dhe respektoi këtë ditë mortore për përcjelljen e Dritëro Agollit.

Pasi u vendos pluralizmi, të gjithë u turrën për ta quajtur veten njëri më demokrat se tjetri, por vetëm një fjali e Dritëroit i uli të gjithë në gjunjë. Kujtoni katër partitë e para pluraliste shqiptare, dhe Dritëroi tha: “Të gjitha partitë shqiptare kanë dalë nga mitra e përgjakur e PP-së!” – dhe të gjithë heshtën dhe e pranuan.

Kështu mund të vazhdoja me momente të tjera, por për ta mbyllur këtë pjesë të politikës do të thoja: Dritëroi grua ka pasur krijimtarinë, dashnore ka pasur politikën. Ai për sytë e bukur të dashnores politikë, asnjëherë nuk e braktisi krijimtarinë. E thashë këtë, që asnjëherë nuk u tundua që të bënte karrierë në politikë. Në qoftë se do të kishte dhe tundimin më të vogël, e kush nuk do ta bënte ministër, kryeministër apo president, Dritëro Agollin?! Jo vetëm kaq, ai asnjëherë nuk u tundua edhe për të këqijat e këtyre 25 vjetëve të demokracisë. Edhe unë, që jam ai që mendoj që nuk ka të tillë. Dritëroi iku nga kjo jetë dhe jeta politike pa asnjë cen, pa përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë fije floku nga sëmundjet e tmerrshme të këtyre 25 vjetëve të demokracisë.

Faleminderit Dritëro që na le edhe një model tjetër pastërtie të politikës!

Për ta mbyllur,

E dashur Sadije! Të gjithë ne burrat themi: “Bashkëshortja është pjesa më e mirë”, por ti je vërtet një simbol i kësaj ane. Ti ke qenë lexuesja e parë e Dritëroit, ti ke qenë dhe redaktorja e parë, ti ke qenë dhe dashuria e parë, por ti ke qenë dhe kritikuesja e parë shumë e rreptë. “Kali i kuq e ka një huq”, dhe Dritëroi kishte shumë huqe. Eh, moj Sadije, të faleminderit shumë që huqet e Dritëroit ti i ke kthyer shembull për të gjithë ne, sepse shtëpia jote ka qenë gjithmonë plot dhe ti asnjëherë nuk u vrejte, por na ke pritur të gjithëve, edhe fshatarin, edhe çobanin, edhe intelektualin, edhe krijimtarin, edhe punëtorin, edhe të arsimuarin, pasi Dritëroi e donte gjithmonë shtëpinë plot. Faleminderit Sadije, deri në momentin e fundit.

U prehsh në paqe, i dashuri ynë Dritëro!

*Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në ceremonialin e homazhit në nderim të shkrimtarit Dritëro Agolli