Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Falenderoj të gjithë ata të rinj që sot i bashkohen familjes sonë. Është e nevojshme që Partia Socialiste të ripërtërihet në vazhdimësi

Të reja

Falenderoj të gjithë ata të rinj që sot i bashkohen familjes sonë. Është e nevojshme që Partia Socialiste të ripërtërihet në vazhdimësi

08 Nov 2018    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, në takimin me të rinjtë që anëtarësohen për herë të parë në Partinë Socialiste, në fushatën e anëtarësimeve të reja, në Lezhë:

Përshëndetje të gjithëve dhe mirëkuptoni emocionet e mia mbasi një ish polic reciton poezi, por nga ana tjetër, më vjen jashtëzakonisht mirë që këtu sot jemi me forumin e rilindur rinor eurosocialist të Lezhës dhe nuk diskutohet që kjo është shprehje kuptimplotë e një pune të mirë që po bëhet në gjithë qarkun dhe pa diskutim në bashkinë e Lezhës, falë qoftë drejtimit të Linditës, qoftë edhe vëmendjes së posaçme dhe pranisë së vazhdueshme të Pjerinit në këtë zonë sepse është shumë e rëndësishme që deputetët të jenë pranë njerëzve dhe në këtë aspekt, e vërteta është që Pjerini dallon për dedikimin dhe për kohën që shpenzon.

Jam shumë i kënaqur që të jem këtu edhe me kryetarin e Forumit të Lezhës edhe me Kryetarin e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë dhe para se të vinim këtu, ishim sëbashku, duket që kjo këtu është rezultat i një projekti që është në zhvillim dhe i falenderoj të gjithë ata, të cilët sot janë këtu për të kurorëzuar si të thuash atë procesin e përfshirjes në Partinë Socialiste, si pjesë e forumit, por edhe për të marrë kartën e anëtarësisë në Partinë Socialiste, duke qenë i bindur që ajo që tha Lindita është jo vetëm e vërtetë, por është dhe një shtysë e rëndësishme për të çuar më tej këtë proces ripërtëritjeje, pasi Partia Socialiste edhe në këtë qark, edhe në këtë bashki, ka nevojë të ripërtërihet në vazhdimësi.

Ka nevojë që të ketë gjithmonë e më shumë përmasën e ëndrrave dhe të shpresave të gjeneratës më të re, ka nevojë të ketë energjinë dhe zemërgjerësinë e më të rinjve, pasi në shumë zona, në shumë qendra, vuan nga mbyllja dhe nga një lloj vjetërsimi për shkak të mbylljes.

Ne duhet ta çojmë sëbashku këtë formë rrethimi që i bëhet strukturave të Partisë këtu apo atje, si rezultat i refuzimit për të parë përtej mureve dhe si rezultat i moskuptimit të një nevoje themelore që Partia të reflektoje shoqërinë, që partia të reflektojë atë që është shoqëria sot dhe pastaj duke reflektuar, të rrezatojë vizion dhe të rrezatojë forcë qëllimesh të përbashkëta për të ardhmen.

Shumëkush thotë me kollajllëk që “nuk merrem me politikë”, “nuk dua të di për politikën”, “nuk dua t’i dëgjoj as emrin” dhe gënjen veten sepse politika nuk është diçka të cilës ti mund t’i shpëtosh, askund, edhe në vendin ku jeton, edhe matanë vendit ku jeton, ti nuk i shpëton dot sepse politika merret me ty, merresh apo nuk merresh ti me të dhe sa më pak njerëz të merren me politikën, aq më shumë rrezikojnë të vuajnë për shkak të vendimeve të gabuara dhe veprimeve të dëmshme që politika mund të bëjë kur mbetet në dorën e shumë pak njerëzve.

Sa më shumë njerëz të merren me politikën, aq më e mirë dhe aq më e përgjegjshme bëhet politika. “Nuk merrem me politikë”, është muhabet kot. E këtu, nuk është fjala për t’u bërë politikan. Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikan, nuk do të thotë të braktisësh ëndrrat dhe dëshirat e tua, nuk do të thotë të braktisësh karrierën, nuk do të thotë të braktisësh mësimet, absolutisht.

Të merresh me politikë në nivelin e një qytetari është të jesh qytetar, të mos jesh thjesht një njeri i mirë familjar, por të jesh qytetar. Të jesh një person që shqetësohesh edhe për çfarë ka përtej pragut të shtëpisë tënde.

Madje dhe brenda shtëpisë tënde. Edhe të mbyllësh dyert e dritaret në mënyrë hermetike, ti nuk i shpëton dot politikës sepse prapë, vendimet e politikës dhe energjitë pozitive apo negative të politikës të futen deri brenda në shtëpi sepse politika vendos. Politika vendos se sa taksa paguan ti dhe faktikisht, shumë shpesh njerëzit janë të prirur të thonë: “të gjithë janë njësoj”. Por nuk janë të gjithë njësoj, se nëse do ishin të gjithë njësoj, atëherë gjërat do mbeteshin njësoj.

Nëse do ishin të gjithë njësoj, atëherë njësoj do të ishte sot për ata që paguhen më pak, që fitojnë më pak, por nuk është njësoj.

Ata që fitojnë më pak, deri dje paguanin më shumë.

Ata që fitojnë më pak, sot paguajnë më pak.

E këtë e bën politika, nuk e bën kush tjetër.

Nëse dikush që ka një pagë të ulët apo mesatare, sot paguan më pak taksa se dje, kjo vjen si rezultat se politika sot është ndryshe nga ajo që ishte dje.

Politika dje thoshte që kush fiton më pak duhet të paguajë më shumë, që sanitarja e kryeministrisë apo shoferi i Kryeministri duhet të paguajë më shumë taksa se kryeministri dhe kështu ishte. Që një furrë buke në Lezhë do të paguajë më shumë taksa se 15 katëshi në Tiranë,  e kështu ishte politika dje.

Sot është e kundërta. Secili paguan sipas nivelit të asaj që fiton e kush fiton më shumë, paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak.

Sot sipërmarrja e vogël biznesi i vogël, paguan 0 taksë, deri në 50 milionë xhiro në vit. Dje paguante 10% dhe do të thotë më shumë se sa biznesi i madh.

Në 1 janar, të gjitha bizneset deri në 140 milionë ose 140 mijë dollarë xhiro në vit, do paguajnë vetëm 5% taksë. Paguanin 15%. Kush e bën këtë ndryshim? E bën politika.

Ti del nga shtëpia dhe rruga është keq. Ti nuk e rregullon dot. As nuk e rregullon dot dhe as e zgjidh dot problemin, duke thënë “unë nuk merrem me politikë”. Por ama politika, ka lindur që njerëzit sëbashku të bëjnë gjëra që vetëm nuk i bëjnë dot. Ti nuk e rregullon dot sistemin, duke qenë fëmija i dikujt që është i panjohur dhe që nuk ka lidhje gjaku apo lidhje të tjera, rrezikon ose më sakt nuk ia kalon dot një fëmije që ka të atin të njohur apo që ka të atin milioner.

Por politika bën që ti t’ia kalosh.

Faktikisht, nëse sot në universitetet e Shqipërisë, nuk ka rëndësi se fëmija i kujt je, por ka rëndësi se sa di, - këtë e bëri politika. Deri dje ishte e kotë. Fëmija i një shoferi nga Lezha nuk e kalonte dot fëmijën e një ministri në konkursin për mjekësi. Nuk e kalonte dot. Le të ishte 100 herë më i mirë. Fëmija i ministrit do futej e do t’i zinte vendin. Sot nuk ndodh dot. Pse? Sepse politika që kemi bërë ka sjellë si rezultat një ndryshim që ka garantuar që në universitet futesh sipas meritës, jo sipas emrit, jo sipas xhepit, jo sipas partisë, jo sipas krushqisë dhe si? Sepse ne hoqëm njeriun dhe vumë kompjuterin që të bënte matjen e rezultateve. Rezultatet e maturës shtetërore, plus rezultatet e testeve për të hyrë dhe ti, nuk ta kalon dot njeri se në rast se do ta kalojë, lë gjurmë dhe po la gjurmë, sigurisht që ka ndëshkim, por edhe kjo nuk bëhet dot teknikisht. Nuk futesh dot në atë kompjuter që të ndryshosh rezultatin. Këtë e bën politika.

Këtu vjen edhe rezultati i thjeshtë, si e bën? E bën me votën. Të futesh në FRESH ose të futesh në Partinë Socialiste, nuk do të thotë të bëhesh deputet nesër, as të merresh me politikë në kuptimin e përditshëm. Do të thotë që të jesh pjesë e një organizimi njerëzish që luftojnë sëbashku për ta çuar votën në një drejtim të caktuar e pastaj nga drejtimi ku shkon vota, të marrin drejtim disa gjëra të tjera. Nëse vota në 2013 nuk do kishte qenë ajo që ishte, shumë gjëra do kishin mbetur siç ishin. Nëse vota në 2015 këtu në Lezhë do kishte qenë ndryshe, sigurisht që gjërat do kishin shkuar ndryshe. Po gjërat në Lezhë ngecën e unë këtu nuk dua të bëj fare polemika, as dua të them asgjë personale për Kryetarin e Bashkisë, nuk ka lidhje, por e vërteta është që në dy vite ne bëmë për Lezhën sa nuk ishte bërë në shumë vite. Po vazhdojmë të bëjmë sa mundemi, në ato pjesë që kemi ne mundësi t’i bëjmë, pa pasur nevojë për ndërveprim me bashkinë, por nuk është e lehtë dhe këtu nuk është çështje personash. Këtu është çështje e një familjeje. Kjo familje politike që ne kemi, Partia Socialiste, është e vetmja familje politike, ku me të gjitha të metat, me të gjitha boshllëqet, me të gjitha gabimet, mendohet për vendin e mendohet për njerëzit. Është e vetmja parti në historinë e partive politike të Shqipërisë pas vitit 1990 që nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar, kurrë.

Mos më vini tani të them si e kanë tradhtuar të tjerët se nuk është çështja këtu për të akuzuar të tjerët, por është fakt. Ashtu sikundër është e vetmja parti që di të bëjë qytete. Që di të bëjë zhvillim në zonat ku banojnë njerëz. Është fakt. Lezha tregon.

Para 2013 në këtë zonë këtu, këtu në vendin tonë këtu, këtu ku jam unë ishte dashi i kopesë që hante bar afër varrit të Skënderbeut, aty ishte parkim makinash. Domethënë, qendra e qytetit ishte për makinat dhe për delet edhe gjithë çfarë është pjesa aty në mes, kanali, ishte plot me plehra. Ky është fakt.

Atyre nuk i bëjnë përshtypje, as delet, as makinat, as plehrat. Iu duket zhvillim. Bashkëjetesa e deleve me plehrat dhe me makinat iu duket një zhvillim i madh. Një gjë që tregon që shiko se sa të përparuar jemi, se dikur delet i kishim në pyll, makinat si kishim. Tani i kemi dhe delet dhe makinat, në mes qytetit. Është një zhvillim. Është një vizion.

Pse u mbush Shqipëria me ndërtime pa leje? Atyre u pëlqejnë.

Mendojnë që ndërtimet pa leje janë një zhvillim i madh. E ka thënë vetë lideri i tyre legjendar që në Shqipëri është bërë mrekullia e tetë e botës. Bota njeh 7 mrekulli, ka dhe të tetën, që është të ndërtosh një qytet të tërë pa leje. Për Bathoren e kishte fjalën. E mendon, e ka thënë dhe ky është vizion. Kjo është politika. Një vizion i tillë të çon, më falni për shprehjen, “për lesh dhie”. Por të çon, kjo është e vërteta dhe kur ky vizion mbështetet me votë, pastaj rri dhe duroje e këtu është dallimi. Pse vota vlen? Vlen për këtë. “hë se nuk ka rendësi, si të votosh si të mos votosh, njësoj është”. Nuk është njësoj, fare. Nuk është njësoj. Është ndryshe. Është ndryshe dhe kjo gjë mund të shikohet fushë për fushë, sektor për sektor se si ndryshon. 

Është ndryshe. Është ndryshe te taksat. Është ndryshe tek sjellja me shtetin. Është ndryshe tek sjellja me të mirat publike. Si qenka njësoj? Kur votoje për ata, kush paguante drita paguante dhe për ata që vidhnin dritat. Kush vidhte drita ishte i zoti, i mençur, i fortë edhe i respektueshëm. Si qenka njësoj kjo?! Si është njësoj që, unë të paguaj për vete, të paguaj edhe për atë komshiun që vjedh dhe ai komshiu që vjedh të jetë dhe ai i respektuar, si i mençur dhe unë të quhem budalla, - njësoj është kjo, - sesa kur thonë, “jo, ti do paguash atë që të takon, ai do paguajë atë që i takon”. Nëse s’paguan do i priten dritat. Kaq. Nuk mund ta marrësh të mirën e përbashkët dhe ta trajtosh sipas qejfit, se s’është njësoj dhe këtë e bën politika.

Politika ka bërë gjëra të mrekullueshme për njeriun. Po të mos ishte politika s’do ekzistonte demokracia, s’do ekzistonte e drejta e grave për të votuar, s’do ekzistonte aborti, s’do ekzistonte Bashkimi Europian, s’do ekzistonin Shtetet e Bashkuara.

Politika ka bërë dhe të këqija të mëdha. S’do ekzistonte pa politikën as fashizmi, as komunizmi. Varet se kujt i bie në dorë dhe varet se sa shumë njerëzit interesohen dhe marrin pjesë. Sa më pak njerëzve t’ia lësh në dorë e të thuash s’më intereson, aq më shumë je në rrezik kur del nga shtëpia, edhe kur je në shtëpi, se, vjen uji, s’vjen uji, kjo ka lidhje me politikën.

E merr, apo nuk e merr atë që takon kur shkon të marrësh një shërbim, kjo ka lidhje me politikën.

Nëse politika nuk e çan kokën për atë shërbim, ti nuk e merr kurrë, e ti thua, “hë mo, se këta janë të gjithë njësoj”. Jo mo, nuk janë të gjithë njësoj. As në pyll nuk janë të gjithë njësoj. As brenda të njëjtës specie, nuk janë të gjithë njësoj. Edhe delet që duken njësoj, po t’i shohësh me kujdes, janë të gjitha ndryshe, jo më njerëzit dhe jo më pastaj kur vjen puna te dallimet që njerëzit kanë në idetë.

 

Më vjen shumë mirë, që jam këtu për të folur me një grup njerëzish që i përkasin një gjenerate tjetër dhe që bëhen pjesë e PS, bëhen pjesë e rrugës tonë të përbashkët. Unë kam shumë besim që ne kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër sesa kemi bërë. Natyrisht, hap pas hapi. Është njësoj si në shtëpi. Asnjë nga prindërit tuaj nuk është i kënaqur me çfarë ju jep. Do të donte t’ju jepte më shumë. Por, për t’ju dhënë më shumë, punon më shumë, përpiqet më shumë që të krijojë më shumë mundësi. Por aq sa ka mundësi bën. Për të pasur më shumë mundësi punon më shumë. Kjo është edhe ajo që bëjmë ne. Këtu ka 1 mijë nevoja. Ne nuk i plotësojmë dot të gjitha, mund të plotësojmë një pjesë dhe luftojmë që të mund të plotësojmë sa më shumë prej tyre. Do ishte shumë mirë që rrugën Balldren-Milot ta kishim bërë më parë, por nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë më parë. Kemi mundësi ta bëjmë sot dhe do e bëjmë.

 

Do ishte shumë mirë që këtë xhepin fallso këtu që kthehesh për të ikur në Mal të Zi, sikur kthehesh për të kryer ndonjë nevojë personale, këtu te kthesa e Lezhës, ta kishim eliminuar më parë. Nuk kemi mundur ta eliminojmë me tunelin që do bëhet dhe s’do ketë më nevojë për t’u kthyer këtu dhe kjo pjesë e rrugës do jetë pjesë qyteti, pjesë e Bashkisë, rrugë bashkiake. Nuk do jetë më rruga nacionale.

Do ishte shumë mirë që dhe lidhjen e Thumanës me Kasharin ta kishim bërë më parë. Nuk kemi pas mundësi, e bëjmë tani.

Do ishte shumë mirë që rrugën e Torovicës ta kishim bërë më parë. Do ta bëjmë tani. S’kemi pas mundësi.

Do ishte shumë mirë që dhe rrugën Shëngjin-Velipojë që është rrugë kyçe për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e turizmit, shumë gjëra, ta kishim bërë më parë, s’kemi pasur mundësi. Tani e kemi mundësi ta bëjmë. Të gjitha këto tani janë në fazën që janë gati për të filluar, apo do fillojnë pak më vonë, por u krijuan mundësitë. Tani dikush mund të thotë, “po, prit se duhen dhe këto, këto të tjerat”. Patjetër, por s’kemi mundësi t’i bëjmë sot. Do t’i bëjmë nesër kur të kemi më shumë mundësi. Krijimi i mundësive, rritja e mundësive është beteja e përditshme e politikës. Për të pasur mundësi që edhe rrogat të jenë më të larta duhet të rrisim ekonominë. Nuk vendosen rrogat sipas dëshirës së Kryeministrit. S’ka Kryeministër në botë që të mos dojë që rrogat të jenë më të larta se ato që janë. Nuk ka. Nuk ekziston. Nuk ka qeveri dhe parti në pushtet që të mos dojë që rrogat dhe pensionet të jenë shumë më të larta! Pse nuk janë dot? Sepse aq janë mundësitë. Si bëhen më të larta? Duhen mundësi më të mëdha. Mundësitë më të mëdha krijohen duke bërë reforma, duke punuar, duke pasur durim.

Një gjë të fundit kam. Nëse sot ne kemi një brez 30-vjecarësh që paguan koston e mungesës së reformave që duhet të ishin bërë qysh në vitet ’90, ne nuk mundet dot që fëmijëve të sotëm t’ju bëjmë të njëjtën gjë. Reformat që ne bëjmë sot janë baza e asaj që do të jetë Shqipëria nesër. Natyrisht, hap pas hapi ne marrim disa fryte, por finalizimi i rezultateve i takon gjeneratës së atyre që janë fëmijët e sotëm.

Gjithmonë më kujtohet një gjyshe e moçme, stërgjyshe në një zonë në jug të Shqipërisë në një takim me pensionistët që u çua dhe tha, “dëgjo, - ne ishim në fushatë përpara sesa të vinim në qeveri, - sado të ma rrisësh ti mua pensionin, unë, nga 2 domate do kem 3, nga një copë djathë do kem 2 copa, nga një lugë vaj ulliri do kem dy lugë vaj ulliri dhe ndoshta dhe pak më shumë. Çfarë do ndryshojnë këto për jetën time? Ndërkohë që, nëse ti do të ma rrisësh shumëfish kënaqësinë e të jetuarit sot, si një stërgjyshe që jam në fund të jetës, rriti mundësitë e nipërve e mbesave dhe stërnipërve të mi që të shkollohen më mirë, sepse, në fund të fundit, këto janë mundësitë”.

Nëse do t’i ndajmë në mënyrë të barabartë do të ketë më pak për më të vegjlit. Nëse ka sot më pak për më të vegjlit ka më pak për Shqipërinë nesër. Këto dhe shumë të tjera mund të thuhen për politikën. Prandaj, të merresh me politikë është të bësh një kapërcim nga njeri i mirë të bëhesh qytetar. Njeri i mirë je për vete, je për familjen tënde, je për komshinjtë. Qytetar je për vendin tënd, përveçse je dhe për familjen, për komshinjtë dhe për të afërmit e tu.

 

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm