Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fenomeni Ruzhdie në shumë qendra votimi

Të reja

Fenomeni Ruzhdie në shumë qendra votimi

11 Mar 2010    

Partia Socialiste ka bërë publike sot fakte të reja, në lidhje me rastin e fshatit Ruzhdie, ku tashmë krimi elektoral është i vërtetuar katërcipërisht në atë qendër votimi. Sipas Deputetit Namik Dokle, këto fakte rrënqethëse, ia kanë mekur zërin Kryeministrit dhe gjithë tellallëve të tij, brenda e përreth PD-së.

Më poshtë, lexoni të plotë deklaratën për shtyp të Deputetit, Namik Dokle:


Në ditën që Komisioni i Ligjeve të Kuvendit filloi shqyrtimin e projektligjit të opozitës për transparencë të plotë e të pakufizuar të zgjedhjeve, në fshatin Ruzhdie të Fierit, përfaqësuesi  zgjedhor i PD përdori dhunën kundër përfaqësuesit zgjedhor të PS.

Kjo është simbolika e masakrës elektorale të qeverisë Berisha, e dhunës dhe e krimit kundër votës së lirë që mazhoranca ka përdorur dhe vazhdon të përdorë sot e gjithë ditën; e presionit mediatik dhe presionit për bukën e fëmijëve ndaj opozitarëve; e mashtrimeve dhe e veprimeve antikushtetuese dhe antidemokratike.
Rasti i Ruzhdies, krimi elektoral i vërtetuar tashmë katërcipërisht në atë qendër votimi, ia ka mekur zërin Kryeministrit dhe gjithë tellallëve të tij, brenda e përreth PD-së, por të zhytur në terrin elektoral ata nuk pranojnë hapjen e kutive sepse e dinë mirë çfarë kanë ato!
-    Në  Ruzhdie 94 persona që kurrë nuk kanë patur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë. Po kështu votuan edhe qindra e qindra të tjerë në Shkodër, Kukës, Kamëz, Elbasan, Durrës etj;
-    Në Ruzhdie, 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti, rezultojnë se kanë votuar me kartë identiteti. Të tillë pati me mijëra në gjithë vendin.
-    Në Ruzhdie, 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që s’kishin ardhur fare në Shqipëri. Kështu ndodhi edhe në Krujë, Paskuqan, Lezhë, Laç, Shijak, Librazhd etj.
-    Në Ruzhdie, komisionerët e PD-së dhe manipulatorë të tjerë të vullnetit të lirë të zgjedhësve, falsifikuan 376 firma dhe mbushën kutitë me vota. Po kështu ndodhi edhe në Dibër, Mirditë, Bathore, Kavajë, Malësi e Madhe, Devoll etj, duke vjedhur kështu mijëra e mijëra vota.
-    Në Ruzhdie u bënë falsifikime në regjistrat e votimit, që ndryshojnë nga regjistri  civil dhe i shpërndanë votuesit e një familjeje në dy tre dhe deri katër qendra votimi. Kështu ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë.

Tashmë shqiptarët e dinë mirë çfarë ndodhi më 28 qershor. Edhe më mirë e dinë ata që e menduan, projektuan dhe e zbatuan krimin elektoral, duke filluar me kryeministrin, ministrat, deputetët, dhe duke përfunduar me gjithfarë vagabondësh elektoralë. Nuk do të guxonte kurrë Kryetari i Komisionit në Ruzhdie të falsifikonte 32 herë firmat e zgjedhësve, po të mos kishte licencën e qeverisë. Prandaj, të gjithë në një korr, bërtasin dhe nuk pranojnë hapjen e kutive, nuk pranojnë transparencën, shkelin mbi të drejtën dhe lirinë e votës.

18 Marsi, dita kur parlamenti do të shqyrtojë dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për mazhorancën që t’i hapë rrugë demokracisë evropiane në Shqipëri, është shansi i fundit që të dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hap rrugën e transparencës.

Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e tyre demokratik për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve, për mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të votës së lirë!

 
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm