Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fino, Kuvend: Konkurset ne administraten publike zhvillohen artificialisht

Të reja

Fino, Kuvend: Konkurset ne administraten publike zhvillohen artificialisht

29 May 2008    
Sikur të mos mjaftonin spastrimet e kryera gjatë vitit 2005 dhe 2006, kur erdhi në fuqi kjo mazhorancë, duhet të vazhdonte spastrimi nëpërmjet të ashtuquajturit ristrukturim edhe në vitin 2007. Konstatimet e KSHC që edhe gjatë vitit 2007 në këto institucione janë bërë shumë largime nga puna nëpërmjet ristrukturimeve e shkurtimeve dhe shumë shpejt pas largimeve janë marrë punonjës të tjerë në punë,

Sipas ligjit të SNC, KSHC është organ që:

- Zgjidh ankesat ndaj vendimeve lidhur me pranimet në shërbimin civil, periudhën e provës, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, vlerësimin, masat disiplinore dhe të drejtat e nëpunësit civil.

- Mbikqyr menaxhimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji.

Në vitet e mëparshme raportet e KSHC janë përqëndruar tek problemet që dalin nga shqyrtimi i ankesave, ndërsa për menaxhimin është folur më pak, pasi menaxhimi në vitet e kaluara është kryer vetëm në disa njësi të qeverisjes vendore dhe ato shpesh periferike.

Këtë vit, siç del edhe nga raporti, puna e KSHC për menaxhimin e shërbimit civil ka qënë më e mirë së çdo vit tjetër, me gjithë problemet që ka pasur në ristrukturimin e tij (janë ndryshuar dy anëtarë) dhe disa problemeve që janë krijuar pas dorëheqjes së ish- kryetarit. Fakti që ka kryer menaxhimin në tre ministri, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në 6 minibashki të Tiranës, punë që nuk është kryer asnjëherë në këto 8 vjet të veprimtarisë së Komisionit, tregon për një përmirësim të punës edhe në këtë fushë. Në të ardhmen kjo veprimtari duhet shtrirë në shumë institucione, pasi nuk janë vetëm problemet që dalin nga shqyrtimi i ankesave ato që pasqyrojnë gjendjen e shërbimit civil.

Me këto dy kompetenca, KSHC është një organ që, nëpërmjet shqyrtimit të ankesave dhe mbikëqyrjes së menaxhimit, konstaton e nxjerr në pah punën e mirë ose jo të organeve qëndrore apo lokale, punonjësit e të cilëve trajtohen nga ligji i Statusit të Nëpunësit Civil (SNC).

Unë mendoj se ky është shkaku që raportimet e KSHC në vitet e kaluara janë përkrahur e mirëpritur nga opozita dhe janë vlerësuar si një farë oponence nga mazhoranca.

Problemet dhe shkeljet që janë konstatuar gjatë menaxhimit të shërbimit civil në institucionet e kontrolluara, ku janë gjetur shumë shkelje, si në zbatimin e proçedurave ligjore për pranimet në punë ashtu edhe në ato për largimet, do të duhej ta bënin raportin e këtij viti më problematik e më kritik se të çdo viti tjetër, por në fakt është e kundërta. Këtë mendim e krijon kushdo që lexon shifrat që jepen në raport për largimet e shumta nga puna në kuadër të ristrukturimit apo shkurtimit të vendeve të punës si dhe të ankesave me objekt shqyrtimi masa disiplinore. Sikur të mos mjaftonin spastrimet e kryera gjatë vitit 2005 dhe 2006, kur erdhi në fuqi kjo mazhorancë, duhet të vazhdonte spastrimi nëpërmjet të ashtuquajturit ristrukturim edhe në vitin 2007. Konstatimet e KSHC që edhe gjatë vitit 2007 në këto institucione janë bërë shumë largime nga puna nëpërmjet ristrukturimeve e shkurtimeve dhe shumë shpejt pas largimeve janë marrë punonjës të tjerë në punë, po në këto institucione, pa respektuar proçedurat ligjore si për largimet nga puna, ashtu edhe për pranimet në Shërbimin Civil, tregojnë qartë se këto veprime nuk janë bërë për nevoja pune e kursim të buxhetit, por për të larguar disa që të futen në punë të tjerë. Në këtë aspekt e mendoj se raporti i këtij viti duhet të ishte më transparent. Megjithatë, edhe nga ky raport pavarësisht nga formulimet e trajtimi i “butë i problemeve të konstatuara, vërehen mjaft shkelje në zbatimin e ligjit të SNC. Ky konstatim del jo vetëm në pjesën e dytë të raportit, ku shkeljet për mendimin tim janë serioze, por shkeljet verëhen edhe në pjesën e parë kur flitet për shqyrtimin e ankesave.

Megjithëse në raport theksohet se ankesat me objekt masat disiplinore për vitin 2007 kanë një rënie në krahasim me vitin 2006, unë edhe këtë shifër prej 149 punonjësish të larguar me këtë motivacion, e quaj një shifër të lartë për arsyet e mëposhtëme:

Ligji i SNC ka 8 vjet që aplikohet në shumë institucione qëndrore të administratës shtetërore, në bashkitë dhe qarqet e vendit dhe në një sër institucionesh të pavarura. Punonjësit e këtij sistemi janë të gjithë të arsimuar me arsim të lartë, shumë prej të cilëve me 2-3 fakultete, të shumtë janë ata me tituj e grada shkencore. Gjatë këtyre 8 vjeteve punonjësit e kësaj administrate kanë krijuar një përvojë të mirë pune, për ta janë bërë shumë shpenzime financiare dhe është investuar nga shteti dhe organizmat ndërkombëtarë për kualifikimin profesional dhe në aspektin e njohjes së ligjshmërisë nga ana e tyre, puna dhe kërkesat e Kodit Etik, i ka bërë pjesën dërrmuese të tyre të ndërgjegjshëm për realizimin e detyrave të tyre. Në këto kushte duket pak si e pabesueshme që 149 punonjës të larguar me masa disiplinore t'i kenë shkeljet të bazuara e të argumentuara ligjërisht dhe të kenë kryer veprime që cënojnë figurën e tyre morale. Do të qe bindëse kjo shifër sikur këta punonjës të ishin edhe më shumë, por të ishin larguar për shkelje që kanë të bëjnë me mosplotësimin e detyrave, për thyerje të disiplinës në punë dhe rregullave të etikës, për korrupsion e abuzime me detyrën dhe fondet e shtetit etj., gjë që në fakt nuk konstatohet. Përkundrazi, shumica e tyre janë punonjës që për vitet e mëparshme, bile edhe në vitet 2005 e 2006, kanë vlerësime mirë dhe shumë mirë të punës së tyre dhe papritur po këta punonjës gjatë vitit 2007 largohen me masë disiplinore për paaftësi.!

Problem tjetër që nxjerr në pah qëllimin e largimit të punonjësve jo për shkelje, por për të liruar vende pune për militantët e kësaj mazhorance është ai i moszbatimit të vendimeve të KSHC dhe organeve gjyqësore.

Eshtë vendi të përmendim këtu angazhimin publik të këtij Kryeministri kur erdhi në pushtet në vitin 2005, se në fund të vitit nuk do të kishte asnjë vendim gjykate pa zbatuar. Sipas raportit, KSHC ka kthyer në punë 118 punonjës (vendime që janë lënë në fuqi nga gjykata), por asnjë prej këtyre vendimeve nuk është zbatuar. Kohët e fundit DAP, i detyruar me titull ekzekutiv nga gjykata (përmbarimi) për vendime të KSHC të konsideruara të drejta, ka emëruar në disa institucione qëndrore punonjësit që i kanë fituar këto të drejta, por institucionet vazhdojnë të mos i marrin në punë. Raste shumë flagrante vërehen bile edhe në Ministrinë e Brendshme, strukturë e së cilës është vetë DAP, ku disa punonjës të emëruar nga ai departament nuk pranohen në punë nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore e po kësaj ministrie. Në këto kushte as që mund të mendohet që emërime të tilla të zbatohen në ministritë e tjera, kur ato nuk i zbaton vetë ministria e linjës.

Lidhur me respektin ndaj ligjit dhe zbatimit të vendimeve të organeve përkatëse desha t'i kujtoj kësaj mazhorance, se kur ishim ne në pushtet, edhe pse nuk kishim marrë ndonjë angazhim publik, respektonim vendimet e organeve përkatëse midis të tjerash edhe vendimet e KSHC.

Vërtet në vitin 2007, sipas raportit janë paraqitur në KSHC 350 ankesa më pak se në vitin 2006, por duhet të kemi parasysh se spastrimet e mëdha u bënë në vitin 2005-2006 dhe sikur të mos mjaftonin këto dy vjet duhej spastrimi apo masat ndëshkimore edhe në 2007-ën. Vetëm në organet qëndrore pa futur doganat (që u hoqën nga shërbimi civil në kundërshtim me ligjin me vendim të KM) dhe tatimet, janë larguar nga Shërbimi Civil, domethënë KM + 14 ministri, aq punonjës të shërbimit civil sa janë larguar në 77 organe të qeverisjes vendore (bashki-qarqe) dhë këto pas zgjedhjeve të shkurtit 2007.

Problem tjetër që bie në sy është pranimi në Shërbimin Civil. Megjithëse në raport ky kapitull trajtohet shkurt problemet negative dalin qartë. Në raport në fillim thuhet se vetëm 7 ankesa ka për objekt mënyrën e kryerjes së proçedurave të konkurimit në administratën qëndrore, por kur vjen puna tek problemet e ngritura, thuhet se në punë janë marrë me dhjetra punonjës me kontratë dhe pastaj janë zhvilluar formalisht konkurset, ku në të gjitha rastet kanë fituar ata që ishin marrë me kontratë në një kohë që në listë-pritje kanë qënë mbi 340 nëpunës, që janë deklaruar të “tepërt jo për shkelje e paaftësi.

Ashtu siç del edhe në raport, ankesat për konkurset kanë qënë të pakta për shkak se konkurset janë zhvilluar formalisht, ato janë zhvilluar për pozicione të shpallura vende të lira, kur në to kanë qënë persona të emëruar me kontratë, të cilët kanë konkuruar me kolegë të tjerë të punësuar në po atë institucion. Konstatimi i KSHC-së pjesëmarrja në konkurse ka qënë minimale shpjegohet me faktin se të interesuarit sa kanë marrë dijeni se vendi i punës është i zënë ose nuk dorëzojnë dokumentat e konkursit ose i tërheqin ato në proçes, sikurse ka ndodhur në mjaft raste. Duke mos marrë pjesë në konkurs për këto arsye s'kishte kush të ankohej për proçedurat e pranimit në Shërbimin Civil ndaj edhe 7 ankesat unë i quaj se janë mjaft e jane bërë ose nga njerëz të painformuar për prapaskenat e proçesit ose nga njerëz që akoma besojnë tek drejtësia. Nuk po zgjatem më në këtë problem se formalitetin e proçedurave të pranimit në Shërbimin Civil për këtë vit e pohon edhe KSHC në pjesën e dytë të raportit ku flitet për kontrollin e ushtruar për menaxhimin e Shërbimit Civil, ku thuhet se në konkurse për shumë vende punë kanë marrë pjesë punonjës të emëruar me kontratë dhe kandidatë të tjerë formalisht, të cilët nuk kanë qënë punonjës të pazënë me punë, por punonjës të punësuar po në atë ministri, të cilët janë futur sa për të plotësuar numrin që kërkon proçesi i konkurimit, janë futur të papërgatitur dhe kanë marre 8-10 pikë.

Për sa i përket ristrukturimit ose shkurtimit të vendeve të punës, sidomos në ministritë që përmenden në raport, del qartë se ato janë bërë për të krijuar vende për militantët e mazhorancës së sotme dhe më e keqja pa zbatuar as formalisht disa kërkesa që kërkon ligji, siç janë ndryshimi i objektivave, ndryshimi i përshkrimit të vendit të punës, funksioneve etj.

Nuk dua të përmend të gjitha shifrat që janë në faqet 23 e mbrapa të raportit të KSHC, por është haptazi veprim i paligjshëm dhe që prek direkt të drejtat e nëpunësve civile, emërimi në punë pa konkurse të disa qindra nëpunësve me kontratë dhe kryesisht në postet drejtuese si sekretar i përgjithshëm, drejtor drejtorie, përgjegjës sektori, kur në listë pritje kanë qënë qindra nëpunës të shkurtuar disa muaj më parë për efekt të ristrukturimit ose shkurtimit të vendit të punës në këto ministri apo në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kur për këta punonjës, veç arsimit përkates dhe eksperiencës disa vjeçare në punë, janë investuar shuma të mëdha monetare dhe kualifikime për t'i aftësuar në standardet e kërkuara.

Veprimet e përmendura më sipër dhe të pranuara nga KSHC, për shumë prej të cilave unë nuk hyra në detaje, tregojnë edhe një herë se janë shkelur haptazi kërkesat e ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil, është shkelur një nga të drejtat themelore të punonjësve të administratës shtetërore që janë subjekt i këtij ligji dhe ajo çfarë është akoma më e rëndë, këto veprime kanë të bëjnë me një faturë financiare që rëndon jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në xhepat e taksapaguesve shqiptare .
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm