Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fitorja e 30 qershorit ishte shumë më e madhe se sa një fitore zgjedhjesh të radhës!

Të reja

Fitorja e 30 qershorit ishte shumë më e madhe se sa një fitore zgjedhjesh të radhës!

17 Jul 2019    

Deklarata për media e Kryeministrit, njëhershësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Zoti Kryeministër, gati rreth 5 orë diskutime në kryesi. Pse kaq gjatë?

Kryeministri Rama: Pikërisht pse ishin 5 orë diskutime edhe unë po ndaloj në respektin tuaj që keni 5 orë këtu. Më vjen keq që keni pritur kaq gjatë por kemi pasur një diskutim të gjatë me pjesëmarrjen e të gjithëve për të vijuar procesin e brendshëm sepse kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor, pavarësisht fitores është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar dhe të përpiqemi sëbashku të lexojmë votën, të lexojmë pritshmërinë, të lexojmë atë që është baza besoj e formësimit të një qasjeje strategjike elektorati. Diskutimi është lidhur sigurisht me ndërtimin e strategjisë. E strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër duke konsideruar si afatmesëm zgjedhjet e qershorit të 2021 dhe si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve në Partinë Socialiste, kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe të administrimit të gjithë këtyre territoreve që tanimë i janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e republikës.

Kishte vend për tërheqje veshi në analizën e sotme të PS-së?

Kryeministri Rama: Ne, ndryshe nga çfarë shpeshherë thuhet shumë gabimisht diskutojmë hapur dhe nuk ia përtojmë tërheqjes së veshit të njëri – tjetrit kështu që jemi ballafaquar me të gjithë elementët që kemi vënë në tavolinë për të adresuar dhe sigurisht dhe me të gjitha përgjegjësitë që secili ka për të vijuar këtë proces që kemi luksin ta zhvillojmë edhe në një kohë si të thuash përpara vitit të ri politik që fillon në shtator.

Cilat kanë qenë problematikat, nëse mundet, në ndonjë bashki konkrete për sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit? Për sa i përket dhe pjesëmarrjes por qoftë dhe votave të pavlefshme?

Kryeministri Rama: Kemi bërë një diskutim lidhur me strategjinë sepse ne jemi një organizatë që funksionojmë në bazë strategjie. Pastaj hap pas hapi vijnë dhe lëvizjet taktike. Kemi dakordësuar besoj të gjithë që është shumë e rëndësishme të ngremë ën një nivel të ri dialogun me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen, me njerëzit e zakonshëm në çdo sektor pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre politike. Dialogun e brendshëm në parti, që do ë nisë shumë intensivisht edhe në funksion të zgjedhjeve në çdo organizatë, pastaj të forumeve të reja të partisë, dialogun me opozitën parlamentare dhe patjetër edhe dialogun me opozitën jashtëparlamentare.

Është gati maxhoranca për një marrëveshje qoftë kjo edhe për integrimin e vendit në tetor? Për çeljen e negociatave?

Kryeministri Rama: Ne jemi absolutisht të disponueshëm për tu ulur në tryezë me të gjithë pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë paragjykim dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe patjetër edhe për çka është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës që do të thotë në funksion të reformës zgjedhore. Për sa i përket pastaj Kushtetutës, ligjshmërisë nga njëra anë dhe mandatit tonë qeverisës, këto nuk janë çështje që ne i kemi për diskutim me askënd tjetër sepse lidhen me detyrimet tona. Jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin ë forcojmë kulturën e ligjit dhe të fuqizojmë në tërësi ligjshmërinë në këtë vend në çdo aspekt dhe nga ana tjetër jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe me dinjitet një mandat që na është dhënë për të qeverisur deri në 2021.

A do ta pranoni propozimin që ka bërë presidenti Ilir Meta për sa i përket emrit të ri për kreun e KLSH zoti Petraq Milo?

Kryeministri Rama: Nuk jam në dijeni për këtë propozim.

Është propozim që e ka bërë sot Presidenca për ti a propozuar kuvendit, do ta mbështesë maxhoranca?

Kryeministri Rama: Nuk jam në dijeni për këtë propozim, tani po e dëgjoj se më duket ka ndohdur gjatë kohës që unë isha në mbledhje dhe nuk e kam dëgjuar.

Për sa i përket 13 tetorit, zoti Meta vazhdon të bëjë thirrje se është për interes të integrimit europian të Shqipërisë, datën 13 tetor për 3 palë zgjedhje.

Kryeministri Rama: Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor. Jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore, për këtë kemi ngritur edhe 3 këshillat drejtues në rajonin verior që drejtohet nga unë, në rajonin e mesëm që drejtohet nga sekretari i përgjithshëm dhe në rajonin jugor që drejtohet nga kryetari i Kuvendit dhe ky është fokusi jonë. Ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve, nuk  e kemi sfidën me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të presidencës. 13 tetori për mua është një soj si 12 tetori, si 14 tetori, si 15 shtatori, si 6 nëntori, si 22 dhjetori kështu që nuk njoh ndonjë 13 tetor, nuk di çfarë i bie, ndoshta i bie e dielë por është një e dielë si të gjitha të dielat që kemi përpara.

Kryeministër, ju, zoti Balla, zoti Ruçi do drejtoni superstrukturat e Partisë Socialiste në tre rajone. Nuk ka funksionuar deri më tani? Si ka qenë e përcaktuar më përpara në terren?

Kryeministri Rama: Filozofia ime dhe filozofia jonë ka qenë dhe mbetet mos flemë mbi dafina. Çdo fitore siç ishte dhe fitorja e 30 qershorit por fitorja e 30 qershorit ishte shumë më e madhe se sa një fitore zgjedhjesh të radhës për arsye që i kemi thënë dhe nuk po ndalem, nuk është një arsye për të mbyllur sytë përpara problemeve apo për të ulur ritmin por është një arsye për të gjetur të gjitha pikat e dobëta që duhen forcuar e për tu përmirësuar më tutje. Pra, asnjëherë unë nuk kënaqem me asnjë rezultat, as të qeverisë, as të partisë. Ka gjithmonë vend për përmirësim, ka gjithmonë vend për të kërkuar më shumë, ka gjithmonë vend për të bërë më shumë dhe kjo është arsyeja se pse Partia Socialsite rritet dhe se pse Partia Socialiste fiton, sepse Partia Socialiste kërkon gjithmonë të vete përmirësohet për të ndikuar në përmirësimin pastaj të gjithave që janë pjesë e sfidave të politikës.

A do jetë kjo ndarje me tre rajone që ju keni bërë, një prej të cilëve e drejtoni vetë, si një tryezë që mund të shtrohet për reformën zgjedhore?

Kryeministri Rama: Në tre rajonet, ne kemi ngritur 3 këshilla drejtues me praninë e tre drejtuesve të këtyre këshillave, me praninë e drejtuesve politikë të deleguar të kryesisë në qarqe, me praninë e kryetarëve të bashkive dhe me praninë e kryetarëve socialistë, pra kryetarëve të partisë së çdo bashkie. në këto tryeza, do të diskutohet në mënyrë të përmuajshme për problematika që lidhen me funksionimin e institucioneve të qeverisjes vendore, që lidhen me funksionimin e institucioneve të qeverisë në territor, pra drejtori, agjenci, inspektorat e kështu me radhë, që lidhen me domosdoshmërinë për ta ngritur në një nivel tjetër procesin e trajtimit të burimeve njerëzore, për shembull, në mbledhjen e parë kemi bërë shumë të qartë për të gjithë kryetarët e rinj të bashkive se aty ku deri dje ka qeverisur e djathta, përdor një eufemizëm sepse dihet që nuk është e djathtë, nuk do të ketë në mënyrë absolute asnjë qasje triumfaliset e asnjë abuzim me burimet njerëzorë. Nuk do preket asnjë punonjëse grua apo vajze padiskutim dhe për çdo lëvizje do të jepen argumente të qëndrueshëm, ashtu sikundër për çdo zëvendësim, sigurisht me propozim të kryetarëve të bashkive do të jepen argumente. Duam që të bëjmë maksimumin që të kemi burime njerëzorë cilësore, që ti japim akses në administrim të gjithëve pa dallim partish e pa dallim me diferencë të asnjë kategorie nga ato që kemi ndeshur e duam ti japim fund qoftë favoreve nga lartë, qoftë qokave personale nga poshtë apo nga anash dhe të bëjmë një proces ku ata që kanë kontribuuar deri më sot në këto bashki, nëse janë aty në përputhje me meritën dhe nëse vendi i tyre i punës përputhet me arsimin dhe me kontributet e tyre të mos ndihen aspak të kërcënuar dhe ky tranzicion drejtimi të mos jetë një përmbysje primitive e karrierave dhe e normalitetit të administratës.

Sigurisht që do të ketë lëvizje por lëvizjet do të bëhen në mënyrë të strukturuar dhe nuk do të jenë thjesht dhe vetëm një inerci e të shkuarës prej të cilës janë dëmtuar të gjithë por mbi të gjitha janë dëmtuar ata që duhet të shërbehen dhe që janë qytetarët.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm