Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fondacioni Qemal Stafa zhvillon spektaklin politik me teme: "Ç'eshte politika"

Të reja

Fondacioni Qemal Stafa zhvillon spektaklin politik me teme: "Ç'eshte politika"

01 Jun 2008    
Spektakël dhe Politikë, ky ishte formati që Fondacioni Qemal Stafa dhe Partia Laburiste Britanike zgjodhën për të debatuar së bashku me të rinjtë në bregdetin e Vlorës mbi kuptimin e politikës dhe angazhimin rinor. Mbi 300 të rinj dhe shumë qytetarë të pranishëm në takim morën pjesë në këtë spektakël politik, i pari në llojin e tij në Shqipëri. Përveç personaliteteve të ftuar nga Tirana të cilët bashkëbisedonin me publikun, pjesëmarrësit patën rastin të shijonin ndërmjet fjalimeve, performanca artistike të trupës së teatrit dhe muzikantëve të ftuar.

Interesant ishte fakti se çdo fjalim shoqërohej nga një violiniste që gjatë gjithë kohës luante pjesë të zgjedhura.

Në hapje të takimit, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Qemal Stafa deklaroi: Politika është vullnet, vullnet të duash ndryshimin, ta kërkosh, ta gjesh e ta realizosh atë. Politikë nuk është të shohësh televizorin e të lexosh gazetat e të marrësh vesh se si lloj lloj figurash ekzaltohen duke u tallur me interesat tona ndërkohë që mbushin xhepat e tyre. Politikë nuk është as të rrish mënjanë duke injoruar çdo zhvillim publik e duke u përkujdesur për hapësirën private. Sindroma e “brenda derës është po aq e dëmshme sa edhe hutimi pas premtimeve të çdo sharlatani që vjedh vota për tu zgjedhur e pastaj vjedh edhe lekët tona për të qëndruar po aty.

Padrejtësitë që janë bërë në të shkuarën tonë të shkurtër demokratike, apo ato që bëhen sot ndaj nesh si qytetarë në kërkim të mirëqenies, nuk mund të shkurajojnë angazhimin e të rinjve në politikë, por përkundrazi duhet të shërbejnë si modeli i domosdoshëm mbi të cilën mund të ngremë të gjithë bashkë mundësitë e të ardhmes. E këtë nuk mund ta bëjmë me fjalë, por me vepra. Mund ta bëjmë duke i zënë vendin atyre individëve që sot në politikë rrinë se nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër, ose atyre të tjerëve që sot në politikë rrinë për të mbushur xhepat, ose akoma atyre të tjerëve që nuk kanë më energjitë tona për ti dhënë këtij vendi të ardhmen që meriton.

Publicisti i njohur Mustafa Nano tha: “Politika është ti shërbesh interesit publik dhe jo interesit privat. Politika është mjeti që shërben për realizimin e qëllimit, pra është një instrument në funksion të qëllimit madhor që është përmbushja e interesit publik. Politikë gjithashtu është të ushtrosh pushtetin që të dhurojnë qytetarët e ti japësh llogari po atyre për të gjitha veprimet që bën në ushtrim të këtij pushteti të dhuruar. Pra politika do të thotë domosdoshmërish edhe llogaridhënie.

Kryeredaktorja e Gazetës Shqiptare, Anila Basha deklaroi: “Natyrisht politika është mjet për të arritur qëllimin dhe jo qëllim në vetvete. E natyrisht politika nuk duhet të ishte kështu siç ka qenë këto 18 vjet në Shqipëri, e nuk duhet të jetë edhe kështu siç është sot. E shembujt më të këqij të politikës së mbrapshtë të këtyre viteve janë padyshim vitet 1996 dhe 2001, vite ku politika na dëshmoi më shumë se qartë se mund të bëjë gjithçka për interesat e vete e të harrojë interesat e publikut. Politika duhet të jetë e premtimeve të mbajtura dhe jo e premtimeve të gënjeshtërta, e projekteve të realizueshme e jo e fantazive elektorale që nuk realizohen dot kurrë.

Juristi Gent Ibrahimi deklaroi: “Politika është përfaqësim dhe si e tillë ka për detyrë të ndryshojë pamjen dhe përbërjen që ti përgjigjet zhvillimit të shoqërisë. Përderisa ndryshojnë brezat e shoqërisë, duhet të ndryshojnë edhe brezat e politikanëve.

Publicisti Artan Lame deklaroi: “Politikanët janë ata që ne kemi votuar për të qeverisur. E kur ne gabojmë e votojmë njerëz të papërgjegjshëm, e votojmë njerëz që sapo marrin pushtetin bëjnë interesat e tyre personale, atëherë nuk mund të ankohemi dot deri sa të vijnë zgjedhjet e tjera. Për këtë arsye është e domosdoshme të jemi të ndërgjegjshëm për ata që votojmë, e të votojmë më të mirët.

Në mbyllje të takimit, Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Valentina Leskaj deklaroi: “Politika është beteja me të ardhmen dhe kjo është sfida jonë, e shoqërisë, por edhe e PS. Një politikë duhet të jetë me vizion nga e ardhmja. Në këtë rast falenderoj edhe Fondacionin Qemal Stafa që po kontribuon në nxjerrjen e politikës nga bunkeri, duke iu bashkuar qytetarëve në një proces pjesëmarrës dhe përfshirës.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm