Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fshati ne fokusin e Dialog me Shqiperine per muajin qershor

Të reja

Fshati ne fokusin e Dialog me Shqiperine per muajin qershor

05 Jun 2008    
ryetari i PSSH Edi Rama ka hapur muajin e fundit të Dialogut me Shqipërinë, duke rikthyer në fokus fshatin. Ky muaj përkon dhe me 12 tryezat rajonale të bujqësisë në të cilat do të përvijohet dhe programi i ri i socialistëve për fshatin. Rrugëzgjidhjet për fenomenet e punës në bujqësi, nxitja dhe kthimi i fermerëve në punimin e tokave bujqësore apo shtimi i punës së blegtorëve janë disa nga pikat ku do të përqendrohet i gjithë debati publik.

Rrugëtimi për muajin qershor është hapur me një takim në qytetin verilindor te Pukës ku Rama ka shprehur bindjen se vetëm duke besuar tek vetja qytetarët e këtij vendi do të bëjnë ndryshimin e madh.

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH, Edi Rama mbajtur në takimin e zhvilluar në qytetin e Pukës:

Të merresh me politikë nuk do të thotë të bësh karrierë politike, nuk do të thotë të futesh në organizata partie, sepse besoj që në këtë mënyrë ne vazhdojmë të bëjmë një gabim që është bërë historikisht, që fatin tonë, t'ia delegojmë të tjerëve, fatin tonë ia lëmë disa njerëzve, apo një njeriu të vetëm, fatin tonë e trajtojmë si një gjë që s'ka të bëj me ne, por me detyrat e dikujt tjetër dhe pastaj kur me fatin tonë dikush apo disa luajnë, apo kur fati ynë nuk është ai që ne meritojmë apo dëshirojmë të jetë, ngrejmë supet dhe ia lëmë fajin politikës. Në fakt, faji është i yni, sepse mendojmë gabimisht që politika nuk është puna jonë. Mendojmë gabimisht që politika nuk ka të bëj me jetën tonë, nuk ka të bëj me ne dhe është diçka prej të cilës duhet të rrimë larg, duhet të ruhemi, duhet të mbajmë distancë, sepse harrojmë apo nuk kuptojmë, apo nuk e dimë, që në fakt, sa më larg të rrimë ne nga politika, aq më e dëmshme mund të jetë kjo distancë për ne vet. Sa më shumë ne të mendojmë se problemet tona do t'i zgjidhin të tjerët, aq më shumë ne jemi viktima të mospërfshirjes drejtpërdrejt në zgjidhjen e problemeve tona. Sa më pak të jenë ata që e kanë në dorë zgjidhjen e këtyre problemeve, aq më e vogël është mundësia që këto probleme të zgjidhen me avantazhin e shumicës tonë.

E ardhmja mund të jetë e mirëqenë nëse ne të gjithë marrim pjesë në ndërtimin e saj dhe jo nëse dikush të na duket ne se mbart dritën e së ardhmes. Do të përsëritnim një gabim të bërë disa herë në historinë e vjetër dhe të re të vendit tonë, ku shqiptarët kanë menduar se mjafton t'ia delegosh fatin e tyre një personi dhe gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur. Kanë menduar se e kanë gjetur personin e duhur, për t'ia lënë në dorë fatin e tyre dhe pastaj janë gjendur viktima të kësaj mendësie.

Nuk do të ishte kështu jeta juaj sot nëse ju do të ishit aktiv, në raport me problemet që ju i konsideroni si rezultat i mungesës së largpamësisë dhe i mungesës së shpirtit të politikës dhe këtu keni të drejtë, por aty ku gaboni, është që i konsideroni si probleme që në fund të fundit nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me përgjegjësinë tuaj, ndërkohë që unë ju them, se kanë të bëjnë me përgjegjësinë tuaj. Duke u bashkuar të gjithë bashkë, atëhere të jeni të bindur, që diçka do të ndryshonte. Sepse do ta kishin të vështirë ata që marrin vendimet, për të mos e dëgjuar zërin tuaj, nëse ky do të ishte korr dhe një korr i realizuar vajza dhe djemsh, të cilët nuk duan të jetojnë në një gjendje që nuk është e denjë për ëndrrat, interesat dhe ndenjat e tyre sot. Ky korr, i cili do t'i jepte mundësinë vendimarrësve ta dëgjonin fort zërin tuaj dhe që do t'ju fuste ju të gjithëve, në raporte negocimi me vendimmarrësit, do t'ju bënte ju palë në vendimmarrje.

Ajo që unë shpresoj që Partia Socialiste të bëjë është të mbrojë interesat qytetarëve, por Partia Socialiste nuk është nocion abstrakt, nuk është as një grup njerëzish i dhënë një herë e përgjithmonë. Partia Socialiste është një instrument që çdo kush mund dhe duhet ta përdorë për të mbrojtur interesat e tij. Kështu krijohet korri i zërave që bashkohen për t'i dhënë zë interesave të përbashkëta. Kështu, ju të rejat dhe të rinjtë në radhë të parë, të mund të mbroni këto interesa. E fundit që do t'ju them, është që nuk dua thjesht që ju të besoni te unë, por të besoni te vetja juaj. Për sa kohë që ju do të besoni te vetja juaj, kjo do të mjaftojë për të realizuar gjërat që dëshironi.

Nga Puka Rama ka udhëtuar drejt fshatit Qelëz ku ka bashkëbiseduar me banorë të këtij fshati të cilët i kanë përcjellë kryetarit socialist shqetësimet për çmimet e larta të farërave, karburanteve, dhe rrugë e energji të munguar dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë Si mielli, vaji e sheqeri etj.

Pjesë nga bashkëbisedimi i kryetarit të PSSH me banorët në fshatin Qelëz:

Ajo që unë besoj, është se për sa kohë kjo punë do të jetë, dikush në tribunë që mban fjalime dhe të tjerët që rrinë në sallë, që thonë duam këtë apo atë, dhe ai në tribunë thotë do t'i bëjmë ato, kjo do jetë vetëm një vjedhje vote. Po kjo histori do vazhdojë, do futen në kutinë e televiziorit dhe do vinë sërish ditën e votës. Ajo që duhet të ndryshojë, është bashkimi juaj këtu. Se kjo politikë, nuk sjell në pushtet popullin që voton, por ca njerëz, ku ulen nga kali ca dhe hipin ca të tjerë. Pra, çfarë ndryshoi këtu? Ne duhet të zgjidhim disa probleme, që kanë 17 vjet aty dhe nuk po zgjidhen. U bënë 17 vjet që nuk ka kooperativa në Shqipëri. Kjo punë dihet, por tani si duhet ta bëjmë? Në dorë të Zotit nuk duhet ta lëmë. Atëhere për të realizuar këtë, duhet një kapërcim i madh, që të fillojë te secili nga ju dhe nuk fillohet nga unë. Duhet kapërcyer ndarja mes socialistëve apo demokratëve, mes të majtëve dhe të djathtëve. Ne duhet të kapërcejmë pa paragjykime, se gjyshi im ka qënë partizan, kurse gjyshi jot i pushkatuar. Pra, ne duhet të jemi kundërshtar. Pse dhe për çfarë arsye? Për arsye të historisë? Jo! Ne duhet të jemi bashkë për arsye të bukës së përditshme, familjes tonë dhe fëmijëve tanë, për arsye të bukës së përditshme që hamë, apo edhe arsimit, shëndetësisë, rrugëve etj.

Si të mos rriten çmimet kur një vend që nuk prodhon asgjë, asnjë ushqim, një vend i cili borxhin e vet, e ka si shtëpia e secilit prej jush, një borxh me listë. Patatja vjen nga jashtë, qepa po nga jashtë. A e dini se Shqipëria importon bar të thatë, është në listën e importeve.

Duhet t'i rikthejmë besimin tek puna fshatit është shprehur Kryetari i PSSH duke iu premtuar banorëve të Qelëz se shumë shpejt nga PSSH do të përvijohen dhe zgjidhjet.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm