Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ftesa jonë për një pakt kombëtar me Europën

Të reja

Ftesa jonë për një pakt kombëtar me Europën

12 Feb 2018    

Fjala e Bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Taulant Balla në takimin e sotëm:

 

Mirë se erdhët në Kuvendin e Shqipërisë!

Gjithashtu edhe kolegëve të mi, 14 deputeteve dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ju uroj punë të mbarë në këtë mbledhje të radhës të Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

Për ne është shumë e qartë se rruga për hapjen e negociatave kaloi nëpërmjet Reformës në Drejtësi dhe Vettingut, e cila është sot arritja më e madhe e Shqipërisë, e shoqërisë shqiptare, e shtetit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndoshta sot është momenti që edhe njëherë tjetër, në emër të mazhorancës, t’ju rishpreh përfaqësuesve të opozitës dorën tonë të shtrirë për një pakt kombëtar për Europën, në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo vetëm i qeverisë apo mazhorancës sonë; e për ta shfrytëzuar hapjen e negociatave si një pikënisje për të krijuar kushtet që të kemi një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe dialog konstruktiv me opozitën këtu në Shqipëri; nga ana tjetër po ashtu, që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat.

Është mëse e qartë se tashmë në Bruksel janë gati t’i hapin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, ndërkohë që të gjithë e dimë shumë mirë se në qoftë se na ikën ky stacion, nuk është për fajin e Brukselit por është për fajin tonë, për problemet që ia krijojmë vetes këtu në Tiranë. Nuk do të thotë që treni do të jetë po aty edhe një muaj më pas, edhe dy muaj apo gjashtë muaj më pas, në qershor apo korrik.

Prandaj çdo politikan shqiptar duhet të vendosë mbi interesin politik të momentit, interesin e Shqipërisë, të paktën njëherë të vetme në jetën e tij politike. Të paktën për fajin tonë nuk duhet të ndodhë absolutisht që ne të humbasim qoftë edhe një milimetër pozicion nga ky moment historik, që Shqipëria bashkë me Maqedoninë të jenë dy vende të tjera të Ballkanit që hyjnë në fazën tjetër të procesit, atë të negociatave.

Kolege dhe kolegë deputetë, edhe ju miq të Shqipërisë eurodeputetë,

Në diskutimet përgjatë këtij komiteti, ne  do t’i vendosim një theks të veçantë paraqitjes së hapave të hedhur nga vendi ynë për implementimin e reformave sa i përket pesë prioriteteve kyçe.

Le të jetë kjo mbledhje e kësaj radhe në Tiranë, një model i zhvillimit të komiteteve të Stabilizim Asociimit krahasuar me, siç e tha edhe zonja Mimi Kodheli, mbledhjet e mëparshme; ku në fund të këtij takimi do të ishte mirë që me  një frymë dialogu konstruktiv të miratonim rekomandimet e përbashkëta, të cilat do t’i mundësonin Kuvendit të Shqipërisë, por edhe Parlamentit Europian që t’i adresonim këto rekomandime me institucionet e tjera të Bashkimit Europian.

Duke vlerësuar dhe duke falenderuar eurodeputetët për prezencën e tyre, nuk mund të rri pa përmendur faktin që në emrin tuaj, të kolegëve shqiptarë të falenderoj grupet më të mëdha politike të Parlamentit Europian, Grupin e Partive Popullore Europiane, atë të Socialistëve dhe Demokratëve, por edhe të tjerë në Parlamentin Europian që janë shprehur qartë në mbështetje të hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë dhe të vijueshmërisë më tej të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm