Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fushata jonë, hapja e Partisë Socialiste me vëmendjen vetëm tek njerëzit dhe aleancë vetëm me njerëzit

Të reja

Fushata jonë, hapja e Partisë Socialiste me vëmendjen vetëm tek njerëzit dhe aleancë vetëm me njerëzit

07 Sep 2018    

Fjala në Asamble e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare,

Më lejoni ta them që prej fillimit se që sot, jemi vetëm 250 ditë larg zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe për ne, prej sot, fillon sezoni politik, me këtë mbledhje të Asamblesë Kombëtare, i cili përfundon me përfundimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, ku ne garojmë si kandidatë fitues në të 61 bashkitë e vendit. 

Të gjithë e dimë se në Zgjedhjet Vendore 2019, ne kemi vetëm një aleat.Në koalicion me ne do të jenë vetëm qytetarët e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe përballë kemi përsëri një aleancë politikanësh, që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë. 

Ne jemi të vendosur ta kemi vëmendjen vetëm tek njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi.

Jemi të përkushtuar për t’u marrë me hallet dhe problemet e njerëzve dhe vëmendja jonë janë vetëm ata.

Sigurisht, duke qenë të përgjegjshëm, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën për reformat e mëdha, që përmirësojnë jetën e njerëzve dhe që bëjnë shtet. 

Por, nëse opozita do të vazhdojë të zgjedhë baltën si alternativë të vetën, atëherë natyrshëm e gjithë vëmendja jonë do të përqendrohet vetëm tek njerëzit dhe çështjet që kanë të bëjnë vetëm me ta.

Është e vërtetë që Parlamenti është arena e debatit politik, por ne, si Grup Parlamentar, e kemi thënë prej ditës së parë të këtij sesioni të ri parlamentar që ne do ta fokusojmë debatin prej këtej e tutje, vetëm tek problemet reale të njerëzve, aspak tek shterpësia politike e kësaj opozite kuturu.

Program? Jo.

Ekip? Jo e jo.

Lidership? As që bëhet fjalë. 

Kjo është opozita që kemi përballë. 

E siç duket dhe siç ka rifilluar po njëlloj, këtë vjeshtë politike, me këtë opozitë që do të vazhdojë po njëlloj të hedhë baltën e radhës, përgjigja jonë do të jetë puna dhe përqendrimi vetëm tek nevojat e njerëzve.

Të jemi të gjithë të bindur se njerëzit nuk kanë më asnjë interes të dëgjojnë këtë lloj politike që ka vijuar në dy sesionet e kësaj legjislature.

Me vëmendjen tek njerëzit, më lejoni të bëj para jush një përmbledhje të informacionit mbi Llogaridhënien Publike të qeverisë.

Gjatë muajve Maj, Qershor e fillim Korriku, u zhvilluan takimet e llogaridhënies publike të Qeverisë në mbi 300 Njësi Administrative të vendit. Në këto takime, anëtarët e kabinetit, kryeministri, deputetët, kryetarët e bashkive realizuan bashkëbisedime e ballafaqime të frytshme me publikun e gjerë. 

Megjithëse dua ta theksoj se jo në të gjithë territorin u zbatua udhëzimi i kësaj Asambleje Kombëtare që në përfundim të llogaridhënies publike, në çdo njësi, të zhvillohej edhe një takim i mbyllur vetëm me strukturat e partisë. 

Në këto takime u vërejt fakti që asistuan dhe ngritën probleme e shqetësime edhe drejtues të bashkive që drejtohen sot nga opozita, këshilltarë të tyre dhe pothuaj masivisht anëtarë të thjeshtë apo votues të partive opozitare.

Takimet ishin realisht një proces i mirëfilltë llogaridhënie i qeverisë dhe strukturave të saj përballë zgjedhësve.

Llogaridhënia nxori në pah problematika të ndryshme përgjegjësi të pushtetit qendror, rajonal dhe lokal, pasi pjesëmarrësit në këto ballafaqime paraqitën kërkesat e tyre, jo vetëm individuale, por më së shumti ngritën probleme e shqetësime në emër të banorëve, të fshatrave, komuniteteve në lagje qytetesh, në grupe shtëpish, në pallate në rrugë si probleme të përgjithshme të jetës në komunitet, por edhe çështje të politikave në nivel kombëtar.

Nga një paraqitje statistikore na rezulton se kanë realizuar takimet llogaridhënëse në 100% të Njësive Administrative ose me mungesa të vogla në qarqet si më poshtë: Qarku i Lezhës nga 21 njësi ka realizuar 21, Qarku u Kukësit nga 27 ka realizuar në 26 njësi, Qarku i Tiranës nga 39 njësi ka realizuar në 35 njësi, Qarku i Beratit nga 25 njësi ka realizuar në 25 njësi dhe Qarku i Korçës nga 37 njësi ka realizuar në 36 prej tyre. Por edhe në qarqet e tjera ka bashki që i kanë realizuar 100 % takimet llogaridhënëse si: Vlora nga 5 njësi në të 5 njësitë, Himara nga 3 njësi në të 3 njësitë, Saranda nga 2 njësi në të 2 njësitë, Delvina nga 2 njësi në të 2 njësitë, Cërriku nga 5 njësi në të 5 njësitë, Belshi nga 5 njësi në të 5 njësitë, Prrenjasi nga 4 njësi në të 4 njësitë, Librazhdi nga 7 njësi në të 7 njësitë, Puka nga 5 njësi në të 5 njësitë, Mati nga 8 njësi në të 8 njësitë, Durrësi nga 6 njësi në të 6 njësitë, Kamza nga 2 njësi në të 2 njësitë, Vora nga 3 njësi në të 3 njësitë, Dropulli nga 3 njësi në të 3 njësitë.

Është lënë porosia në Grupin Parlamentar dhe në Kryesinë e Partisë Socialiste, që në ato pak njësi ku nuk janë zhvilluar takimet e llogaridhënies, gjatë fushatës së re që fillojmë tashmë, si dhe me detyrimin që kanë ministrat që çdo javë duhet të kenë takime në territor, edhe në ato pak njësi ky proces të vijojë.

Fushata jonë në vijim për hapjen e Partisë Socialiste me vëmendjen vetëm tek njerëzit do të jetë po ashtu një formë llogaridhënie edhe më e hollësishme e qeverisjes, flas për atë, në nivel lokal.

Nëse llogaridhënia ishte në çdo njësi, tani do të shkojmë në çdo fshat, në çdo lagje apo bllok pallatesh nëpër çdo qytet.

Duhet të trokasim në çdo familje shqiptare, duke e hapur Partinë Socialiste për këdo që dëshiron të kontribuojë për Shqipërinë që Duam.

Përsa i përket formatit të raportimeve, siç e thashë edhe pak më parë se ne kemi përgatitur raportin kombëtar të procesit të llogaridhënies, ku për herë të parë kemi radiografinë më të plotë të situatës, të problematikave në çdo njësi administrative të territorit.

Në takimet llogaridhënëse përgjithësisht, sipas informacioneve të dërguara rezulton që janë ngritur mjaft shqetësime e problematika komunitare, por edhe mjaft halle e shqetësime familjare. Siç thamë, në pak raste këto problematika nuk janë përshkruar hollësisht. 

Ne kemi bërë një përmbledhje të të gjitha shqetësimeve ku mbizotërojnë në më të shumtën e takimeve, pothuaj në të gjitha Bashkitë apo Njësitë Administrative problematika që lidhen me infrastrukturën, me rrugët rurale, me çështje të ujit të pijshëm, me çështje të furnizimit me energji elektrike, me infrastrukturën bujqësore, me kanalet kulluese, me probleme rikonstruksionit të linjave, të mbi faturimeve, problematika të lidhura me OSHEE. Të gjitha këto shqetësime ministrat e linjës i kanë pjesë të punës së tyre. Probleme të çështjeve të arsimit, probleme të shërbimit shëndetësor, probleme të përshpejtimit të procedurave e veprimeve në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, si dhe të ALUIZNI-t. 

Të gjitha këto janë pjesë e këtij raporti përfundimtar të dalë nga njerëzit, të cilët kanë marrë pjesë në këto takime. 

Janë me dhjetëra-mijëra njerëzit që kanë marrë pjesë në takimet e llogaridhënies.

Dua ta ritheksoj se llogaridhënia publike është boshti i bashkëqeverisjes sonë.

Ne jemi të angazhuar të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj atyre që na votuan, por edhe ndaj atyre që nuk na votuan, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. 

E kur them se duhet të qeverisim, nuk kam parasysh vetëm e thjeshtë qeverinë, por edhe Grupin Parlamentar dhe Partinë Socialiste si boshti i koalicionit të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm. 

Qeverisja jonë përbëhet nga tre pjesë: partia, grupi parlamentar dhe qeveria. 

Ky është një proces që mund të ketë sukses vetëm nëse të treja pjesët bashkëjetojnë në harmoni, bashkëveprim me njëra-tjetrën dhe në funksion të njëra-tjetrës. 

Si Sekretar i Përgjithshëm dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar dua të nënvizoj faktin se partia është baza e këtij procesi. 

Strukturat e Partisë Socialiste në çdo çep të territorit janë ura lidhëse e Grupit dhe e Qeverisë me njerëzit e zakonshëm në çdo komunitet.

Anëtarët e organizatave socialiste në çdo lagje, bllok banesash janë garancia e mos-harresës për asnjë ditë prej nesh këtu lart, të atyre atje poshtë, në hartën e Shqipërisë reale të halleve, problemeve, shpresave e pritshmërive të shqiptarëve. 

Në rendin e ditës kemi një pikë shumë të rëndësishme që ka të bëjë pikërisht me një fushatë të re, me një aksion kombëtar për hapjen e Partisë Socialiste dhe vëmendjen tek njerëzit. 

Nuk jemi aty ku duhet me anëtarësimet e reja në parti, referuar edhe çfarë kemi vendosur si objektiv në fillim të këtij viti, në 6 janar 2018 në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, qoftë në sasi, por më keq akoma në cilësi. Duhet domosdoshmërisht që të gjithë të angazhohemi në afrimin e elementëve cilësorë në Partinë Socialiste.

Njerëzit më të mirë në çdo komunitet duhet t’i ftojmë dhe t’u japim mundësinë të kontribuojnë për Shqipërinë që duam dhe Partinë Socialiste.

Anëtarësimet e reja duhet të kenë si qëllim një përmirësim rrënjësor listave të kandidatëve për Këshillat Bashkiake me persona me shumë reputacion publik në komunitetet ku ata jetojnë dhe punojnë, por synimi kryesor duhet të jetë që përmes tyre të kemi një rrjet edhe më të mirë patronazhimi në çdo cep të territorit.

“Partia Socialiste e hapur për ty” imponon një riorganizim të partisë dhe forcim të strukturës ekzistuese të saj, por gjithashtu është themelore që Partia Socialiste të jetë instrumenti bazë i komunikimit të përditshëm të qeverisjes më njerëzit dhe të tregojmë që ne jemi të përkushtuar për t’u marrë me hallet dhe problemet e njerëzve dhe se vëmendja jonë janë vetëm ata.

Ndërthurja mes hapjes së partisë dhe vëmendja tek njerëzit është fushata dhe aksioni ynë politik bazë në javët në vijim.

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare,

Ne duhet t’i qëndrojmë besnik angazhimit tonë për të çuar përfundimisht për skrap “tepsinë e pushtetit” dhe të gjithë biem dakord se “lufta kundër tepsisë” ende vazhdon dhe ne nuk e kemi fituar atë, ende.

Sikurse ende nuk e kemi një regjistër të plotë, sikurse e kanë plot parti të tjera të mirë-organizuara në disa vende të BE, një Regjistër të Burimeve tona Njerëzore.

Dhe pikërisht sekretariati i ri ekzekutiv i yni do ta ketë këtë një objektiv primar.

Gjatë dy viteve të fundit ne jemi përpjekur të ngremë rrjetin e koordinatorëve digjitalë, por jemi ende shumë larg një rrjeti të plotë dhe unik digjital që të na mbajë non-stop të lidhur me anëtarësinë e partisë dhe me zgjedhësit. Ne miratojmë sot në materialet që keni në dosjet tuaja një vendim për një organizim të plotë digjital të partisë sonë.

Gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë, Grupi ynë parlamentar ka udhëhequr dhe ka mundësuar një proces legjislativ efikas, pavarësisht sjelljes jo bashkëpunuese së opozitës.

Në të dy sesionet parlamentare janë miratuar 55 ligje, nga të cilat me shumicë absolute 26, me shumicë të thjeshtë 29, nga të cilat me konsensus 8 prej.

Kryefjala ka qenë miratimi i pjesës së ligjeve të Reformës në Drejtësi, në proces, ku komisioni ynë i çështjeve ligjore ka një meritë të veçantë. Janë miratuar 20 ligje, pjesë e Paketës së Reformës në Drejtësi dhe janë në proces diskutimi edhe 6 projekt-ligje. 

Kuvendi i Shqipërisë e ka përfunduar procesin e përzgjedhjes së kandidatët për trupat kryesorë të qeverisjes së drejtësisë, KED-së , KLGJ-së dhe KLP-së.

Ka disa ligje të tjera të rëndësishme të miratuara, qoftë në përmbushje të angazhimeve të programit qeverisës 2017 – 2021, qoftë në nxitje të procesit të integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë, qoftë me synim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe hapësirës konkurruese të sipërmarrjes së lirë.

Detyra kryesore e jona gjatë këtij sesioni të ri deri në fund të dhjetorit do të jetë finalizimi i Reformës Zgjedhore.

Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të miratojmë sëbashku me opozitën mundësinë e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik off-line. 

E kemi bërë këtë propozim në fillim të këtij sesioni, ka qenë një kërkesë kryesore e opozitës dhe deri më sot, pavarësisht propozimit tonë, nuk ka asnjë lloj përgjigje nga ana e opozitës.

Por ndërkohë duhet të përmbyllim, brenda afatit të standardeve më të mira: 6 muaj para zgjedhjeve, adresimin e plotë të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR.

Në këtë mbledhje Asambleje, siç e thashë edhe në fillim të saj, marrin pjesë të gjithë drejtuesit e strukturave tona në emigracion, ose më mirë të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, të cilët dua t’i garantoj se Partia Socialiste të drejtën e votës së tyre e ka patur dhe ka kërkesën e vetme për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Faleminderit dhe punë të mbarë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm