Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fytyrë të re për Policinë e Shtetit

Të reja

Fytyrë të re për Policinë e Shtetit

30 Jan 2013    
Vizioni i Partisë Socialiste për një Polici Shteti të ndërtuar mbi bazën e ligjit dhe meritës profesionale, si dhe strategjia e parashikuar në programin për një Rilindje Shqiptare për të realizuar këtë qëllim janë prezantuar dje gjatë një takimi të zgjeruar që kreu i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar me ish-punonjës policie të nxjerrë në lirim nëpërmjet reformave politike të qeverisë aktuale. Kryetari i Partisë Socialiste ka theksuar zbatimi i programit për rimëkëmbjen e Policisë së Shtetit, për rivendosjen e dinjitetit të policit, për ringritjen e autoritetit të komisarit dhe për rivënien e profesionalizmit në themelin e punës së uniformave blu do të sjellë një ndryshim rrënjësor për forcat e rendit. Kryesocialisti është ndalur veçanërisht në trajtimin e efektivave të Policisë së Shtetit, që sipas tij aktualisht janë më të keq paguarit në gjithë Evropën, përfshirë dhe rajonin. Rama tha se qeveria e Partisë Socialiste do të rrisë pagat e punonjësve të policisë të të gjitha shkallëve dhe do të garantojë edhe trajtimin ushqimor të tyre, që tashmë është kthyer në një term të harruar. Të gjitha masat që do të merren për trajtimin e policisë por edhe riorganizimin e motivimin e kësaj strukture, që aktualisht është e tradhtuar dhe e braktisur nga kupola drejtuese e Ministrisë së Brendshme, do ta rikthejnë policinë në krye të detyrës në mbështetje të qytetarit dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të jetës, të punës dhe të pronës së secilit brenda 300 ditësh.
 

 

Më poshtë mund të lexoni fjalën e plotë e Kryetarit të PS Edi Rama:

 

Vetëdija se krimi ka marrë një epërsi është një vetëdije shumë e përhapur sot në opinionin publik. Opinioni publik është shumë i tkurrur për shkak të pasigurisë. Prandaj, unë besoj se hapja e një lufte frontale dhe rivendosja e autoritetit të shtetit, në gjithë territorin e Republikës, përmes Policisë së Shtetit duhet të jetë prioriteti themelor i 300 ditëve të para të qeverisjes tonë.

 

Gjatë gjithë kësaj periudhe kam pasur shumë kontakte jo vetëm me ushtarakë apo oficerë të policisë të liruar, por dhe me oficerë policie në detyrë, kuptohet kontakte ilegale, sepse ky është i vetmi vend në botën demokratike, ku opozita e ka të pamundur të kontaktojë publikisht me të gjithë shërbëtorët e shtetit, nga ata me uniformë tek ata në mësuesi, në kujdesin shëndetësor, e me radhë. Po nuk është vetëm opozita që e ka këtë privim. Edhe shërbëtorët e shtetit e kanë këtë privim. Ata nuk komunikojnë dot me opozitën, ashtu siç komunikojnë në gjithë botën demokratike. Sigurisht, jo në zyrat, apo në auditorët e institucioneve të shtetit, por në hapësirën publike. Po ashtu kam pasur kontakte rrëqethëse me familje të komisarëve apo të policëve të vrarë. Të dyja anët e medaljes janë tronditëse. Është tronditëse, ana e medaljes që tregon se ku është katandisur sot Policia e Shtetit dhe është tronditëse ana tjetër e medaljes që tregon se në ç’varfëri jetojnë sot familjet e komisarëve apo të policëve të vrarë. Më ka mbetur në mend, shprehja e një oficeri të lartë policie, sot në detyrë, i cili tha tekstualisht: “Në vitin ’97 të paktën në rrugë ne mbaheshim, sot edhe rrugët i ka marrë krimi”.

Superioriteti i krimit është një fakt që provohet përditë. Ashtu sikundër, është një fakt që provohet përditë boshllëku i lënë nga policia, për shkak se policia është e tradhtuar, është e braktisur, është e rrënuar. Është një boshllëk, në një hapësirë ku vepron jo vetëm krimi, po ku rriten në mënyrë marramendëse aksidentet në rrugë. Ky fakt nuk është rezultat thjesht i hulumtimit të vrasjeve, plagosjeve, grabitjeve, apo edhe kontrabandimit me bekimin e zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme, por është një fakt që provohet edhe nga pamja e rrënimit moral dhe profesional të vetë Policisë së Shtetit. Dua ta ritheksoj, se nuk është pa të drejtë ajo çka njëri prej parafolësve nënvizoi për dobësitë dramatike të Partisë Socialiste në 8 vitet e qeverisjes së saj, arsye që kryesisht e çoi Partinë Socialiste në opozitë, por nga ana tjetër është e domosdoshme që asnjëherë të mos humbasim në njehsimin e padrejtë të të dyja palëve. Sepse të dyja palët nuk janë njësoj dhe as kjo qeverisje me atë qeverisje, për të cilën unë vetë kam qenë shumë kritik, nuk kanë të krahasuar.

Kur PD erdhi në qeveri, atë vit evidentoheshin 8 250 krime, në 2012, pas shtatë vjet qeverisje të PD-së numri i krimeve të evidentuara ishte 20 688. Pra, kurba e rritjes së kriminalitetit në shifra kokëforta është mesatarisht 1500 krime në vit. Ndërkohë diferenca në shtatë vjet është 12 438 krime më shumë. Diferenca mes vitit 2011 dhe 2012 është 3029 vepra penale më shumë. Mos harrojmë se midis vitit 2011 dhe vitit 2012 ne kemi punuar në parlament për të miratuar ligje, për të forcuar norma në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Kemi forcuar norma dhe ashpërsuar masa për dhunën në familje. Rezultati: 19 gra të vrara në 2011, 27 gra të vrara në 2012. Ashtu sikundër dhe numri i krimeve në tërësi rritet. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë që Shqipërisë nuk i mungojnë ligjet, i mungon ligjshmëria. Shqipërisë nuk i mungojnë tre ligjet për t’u bërë europiane, Shqipërisë i mungojnë tre pushtete. I mungon pushteti legjislativ, i marrë peng nga ekzekutivi. I mungon ekzekutivi i marrë peng nga korrupsioni. I mungon gjyqësori i marrë peng nga ekzekutivi dhe korrupsioni. Kush mendon të kundërtën, apo kush bie në batakun e propagandës së tre ligjeve që na ndajnë nga parajsa, ose nuk do të shikojë, ose fatkeqësisht nuk ka sy për të parë.

 

Ne kemi koefiçentin më të lartë të vrasjeve në Europë për 100 mijë banorë, përfshirë dhe rajonin. Shqipëria sot është vendi me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë për 100 mijë banorë në të gjithë Europën, përfshirë dhe rajonin. Kemi katër herë më pak makina për 100 mijë banorë, kemi katër herë më shumë njerëz të vrarë për 100 mijë banorë. Nuk na mungojnë ligjet na mungon ligjshmëria, sepse na mungon shteti që ligjin në letër e kthen në ligjshmëri, në realitet.

 

Policia sot ka trajtimin më të ulët financiar në të gjitha rajonin. S’po flasim për Europën, po flasim për Kosovën, për Bosnjën, po flasim për Maqedoninë, apo edhe Malin e Zi. Sot policët shqiptarë taksohen më shumë se të gjithë policët e rajonit, sepse janë të vetmit policë që paguajnë më shumë taksa se sa ata ‘kokat e mëdha’ të kupolës së inkriminuar të Ministrisë së Brendshme. Edhe më shumë taksa se sa vetë Ministri i Brendshëm koka vetë. Ju të gjithë e keni lexuar raportin e fundit të Departamentit të Shtetit. Flitet hapur dhe qartë për lidhje të zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar me krimin e organizuar. Po ku janë këto lidhje me krimin e organizuar. Sigurisht, në radhë të parë në Policinë e Shtetit. Lidhje me krimin e organizuar për të cilat të flasin drejtpërdrejtë oficerët e lartë të policisë sot.  Në polici, ju e dini mirë, të gjitha merren vesh. Zbatimi i programit tonë për rimëkëmbjen e Policisë së Shtetit, për rivendosjen e dinjitetit të policit, për ringritjen e autoritetit të komisarit dhe rivënien e profesionalizmit, në themelin e punës së uniformave blu do të sjellë një ndryshim rrënjësor për forcat e rendit.

 

Ne do t’ua kthejmë qytetarëve sigurinë e humbur, duke filluar nga kthimi i sigurisë në jetën e policit, sigurisë në punë, sigurisë në raport me meritën, sigurisë në raport me detyrat. Sot policia është e shitur. Ky është fakt. Sot operacionet shiten, ky është fakt. Sot lidhjet, për të cilat flet raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, garantojnë dështim operacionesh të njëpasnjëshme, ky është fakt.

 

Dua të flas për diçka që lidhet drejtpërdrejtë me programin dhe me masat që ne duam të marrim dhe që është trajtimi financiar i Policisë së Shtetit. Ai sot nuk është motivues për punonjësit, sepse ai sot, trajtimi financiar, nuk plotësosh nevojat e tyre më minimale. Duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës, duke marrë parasysh punën shpeshherë jashtë vendbanimit, duke marrë parasysh gjendjen familjare të punonjësve të policisë, të cilën e kemi analizuar dhe papunësinë dërrmuese në pjesën më të madhe të familjeve të policëve, ky trajtim financiar është lëmoshë. Kjo lëmoshë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm në kryerjen e  detyrës, por edhe në cilësinë e rekrutimeve në polici. Pjesa më e madhe fakt e atyre që aplikojnë për të hyrë në polici kanë një mesatare notash 5 deri në 6-të. Që të vënë këto shkolla 5 e kuptoni vetë se sa nën 5 je. Trajtimi financiar i punonjësve është shumë i rëndësishëm edhe për të mbajtur në marrëdhënie pune punonjësit aktualë, jo vetëm për të pasur aplikime cilësore. Punonjës për të cilët shteti shqiptar me paratë e popullit shqiptar dhe të partnerëve ndërkombëtarë ka investuar në vite për t’i kualifikuar. Ne kemi në Shqipëri sot një numër të mjaftueshëm punonjësish të kualifikuar policie. Disa prej tyre janë ende në detyrë, disa prej tyre janë në punë të tjera. Disa prej tyre janë në rrugë. Ne kemi në Shqipëri sot një numër të mjaftueshëm punonjësish të kualifikuar policie për t’i mbledhur bashkë dhe për ta rikthyer policinë në krye të detyrës në mbështetje të qytetarit dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të jetës, të punës dhe të pronës së secilit brenda 300 ditësh.

 

Po të shohësh përsëri fakt numrin e kërkesave për lirime nga policia ai është në rritje. Kush kërkon të lirohet nga policia?! Më të kualifikuarit. Pse?! Sepse trajtimi financiar është krejtësisht jo motivues. Ka një monopol në Policinë e Shtetit në rrugët e korrupsionit. Dihet mirë se kush e zotëron këtë monopol. Ashtu sikundër pse jo ndër ata që kërkojnë të largohen prevalon sensi i ndershmërisë në detyrë. Për më tepër është fakt që një personel policor i keqpaguar është i predispozuar të kryejë veprimtari të jashtëligjshme edhe sepse “sheh rrushi rrushin dhe piqet”. E kur rrushi në majë është tërësisht i kalbur nga korrupsioni gjithë vreshti fillon preket prej tij. Është fakt se 70% e rasteve të atij korrupsioni të vogël që i përkasin punonjësve në nivelin zbatues janë raste në nivelin më të ulët të trajtimit financiar në polici. Por, është fakt se punonjësit e policisë nuk kanë mundësi të tjera për të rritur të ardhurat familjare. Ata nuk mund të dypunësohen përveç rasteve spektakolare të një grupi punonjësish të policisë së trafikut që ditën janë policë dhe natën janë taksistë pa licencë. Por në tërësi ata nuk mund të dypunësohen. Natyra e punës policore e ndalon këtë gjë. Ne flasim se çfarë duhet të bëjmë për policinë dhe për policin në kushtet e ligjit.

 

Shikoni pak raportin e pagave të punonjësve civilë në Policinë e Shtetit, sepse kur flasim për punonjës civil në Policinë e Shtetit nuk flasim për njerëz që rrinë në zyrë dhe luajnë ‘solitarin’, siç luan Flamur Noka kur s’e telefonon kryeministri. Por, flasim për ekspertë që lidhen me krimin, që lidhen me ndjekjen e veprimtarive të ndryshme kriminale dhe që janë në rrezik, në një shkallë rreziku të caktuar në raport me institucione të tjera të administratës. Sot qysh prej vitit 2009 dhe në vazhdim ky raport është 65% më pak në disfavor të punonjësve të policisë në raport me punonjësin civil të administratës. Ishte 1 me 1.5 sot është 1 me 1.

 

Rritja mesatare e pagave, e parë kjo mbi shifra, jo mbi programin dhe nevojat e ballafaqimit politik, ka qenë në një raport të zhdrejtë diskriminues për policët dhe për gjithë nivelet e policisë me ndalesat në pagë dhe koefiçenti real i rritjes së pagave ka ardhur në rënie. Nga 23% në vitin 2003 në -4% në vitin 2011. Ndërkohë që koefiçenti i ndalesave në pagë është rritur nga 16.2% në 2003 në 25.6% në 2011. Pra, kemi një ç’balancim që në fund e mban mbi kurriz familja e policit, familja e komisarit, familja e drejtuesit të policisë.

 

Paga e policisë sot është fakt, nuk i reflekton përgjegjësitë e pozicionit të punës. Për shembull në një institucion të zbatimit të ligjit paga e një pastruesi është më e lartë se paga e një punonjësi të patrullës së përgjithshme në Policinë e Shtetit. Apo paga e Drejtorit të Përgjithshëm në administratën publike që menaxhon 5 deri në 7 drejtorë është e njëjtë, ose dhe më e lartë, se paga e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që menaxhon 9915 punonjës policie. Shikoni çfarë ndodh dhe cilat janë shifrat e braktisjes së Policisë së Shtetit, e trajtimit të Policisë së Shtetit si një strukturë në dispozicion të listave të punësimit të atyre më të pamundurve militantë për t’ju dhënë një uniformë, një kapele, një bilbil. E, për t’u thënë shkoni tani fishkëlleni se kur të vijë dita partia do t’ju thërrasë që të këndoni për partinë nëpër mitingje.

 

Paga minimale në shkallë vendi në Shqipëri, jo në polici, në vitin 2011, 200 mijë lekë, mbetet e tillë, paga minimale. Ndërkohë që me shifra dhe me statistika, për këtë kemi pasur - dhe i falënderoj - ndihmën e një grupi në ministrinë e brendshme,- me shifra është 75% e familjeve të punonjësve të policisë kanë të ardhura mujore familjare nën pagën minimale në shkallë vendi. 75% e familjeve të punonjësve të policisë kanë të ardhura nën pagën minimale dhe këta janë njerëzit që ky shtet i ka vënë përballë krimit të organizuar.

 

I ka vënë përballë krimit të rrugës, i ka vënë përballë rrugeçërve që vijnë vërdallë me makina super të shtrenjta dhe që nuk e kanë për gjë ta shkelin me këmbë çdo polic që gjejnë përpara. Këta i ka vënë përballë shteti, njerëz të varfër, njerëz të abuzuar, njerëz të dhunuar në dinjitetin e tyre. Po të shohim të ardhurat për frymë në raport me minimumin jetik, jo me rrogën minimale, me minimumin jetik që është 75 mijë lekë, minimumi që përposht të cilit njeriu konsiderohet që nuk jeton dot, do të shikojmë se në familjet e tyre punonjësit me gradë inspektorë policie janë mesatarisht më afër këtij minimumi kur llogarisim të ardhurat për frymë që kanë si familje.

 

U prek këtu, e dinë të gjithë masa e gjerë e policëve në familje është një masë njerëzish ku i vetmi i punësuar është polici, të tjerët pa punë që të gjithë. Sigurisht, tani me këto nivele pagash dhe me këtë gjendje përfytyroni sesa është në gjendje Policia e Shtetit të rekrutojë ekspertë cilësorë për krimet financiare, për krimet kompjuterike, për polici shkencore, për gjithë burimet që i duhen sot një Policie moderne Shteti nga teknologjia e lartë, apo sesa ne mund të shpresojmë në civilizimin e funksioneve policore.

 

Vijmë tek vjetërsia në punë, sepse ajo ju intereson të gjithëve. Vjetërsia në punë nga e cila përfitojnë të gjithë punonjësit e administratës publike nuk jepet për punonjësit e policisë nga viti 2003 dhe në vazhdim, për të gjithë punonjësit e policisë. Megjithëse është përcaktuar në nenin 88, pika  4 e ligjit për Policinë e Shtetit, duke bërë që sot punonjësit të marrin aktualisht 13% më pak të ardhura mujore. Mesatarja e vjetërsisë në punë e punonjësve të policisë është rreth 13 vjet. Vazhdojmë me kontributin që paguajnë punonjësit e policisë për trajtim suplementar. Ai është rritur. Kontributi që e nxjerrin nga xhepi është rritur nga 1 në 5%. Ndërkohë që përfitimi financiar që marrin me pension të parakohshëm është ulur 2.5 herë. Janë shtuar kontributet, janë ulur përfitimet 2.5 herë. Po të marrim pagat neto vetëm në tre vitet e fundit ato kanë pasuar ulje 4%, si neto.

 

Ka dhe një tjetër gjë, kur sheh sesi është zhveshur tërësisht policia nga të gjitha ato mbështetje që i duhen, që është trajtimi ushqimor. Ju do thoni ç’është kjo, sepse kush e di sesa vite ka që nuk është më pjesë e kërkesave. Por, në fakt, sot e gjithë ditën, me vendim të kësaj qeverie që rend pas miratimit të letrave dhe të ligjeve sepse përgjithësisht nuk i zbaton fare, realisht çdo punonjës nuk merr 100 mijë lekë në muaj, 10 mijë lekë të reja në muaj edhe pse i takon me ligj. Kanë trajtim ushqimor Forcat e Armatosura, pa dyshim duhet të kenë. Ka trajtim ushqimor Garda e Republikës, pa dyshim duhet të ketë. Kanë trajtim ushqimor të gjithë punonjësit e policisë në Kosovë, në Bosnje, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe më gjerë dhe pa dyshim që duhet të kenë. Punonjësit e policisë në Shqipëri nuk kanë trajtim ushqimor, “ngaqë i kanë rrogat të larta”.

 

Ka dhe një tjetër më shumë element që ka të bëjë me faktin që përveç rrogës së pamjaftueshme, përveç mungesës së trajtimit ushqimor, një pjesë e punonjësve të policisë, dhe kryesisht ata me nivele më të larta kualifikimi dhe përgjegjësish, duhet të paguajnë sepse transferohen jashtë vendbanimit me pasoja direkte financiare. Dëm direkt financiar për familjen ku bashkëshortja është përgjithësisht e papunë, ku shumë janë të pastrehë, ku fëmijët kanë nevojë për mbështetje. Trajtimi i përfituar, se ka një masë trajtimi të përfituar për lëvizjen larg vendbanimit, është 30% e shumës që duhet harxhuar objektivisht për shpenzime, 70% nga xhepi. Në rastet e transferimeve bashkëshortja apo bashkëshorti trajtohen financiarisht për kohën e qëndrimit pa punë, por masa nëse ndjekin bashkëshortin ose bashkëshorten se po ndenjën aty s’ka problem, po nëse e ndjekin trajtohen, por masa është 50% e pagës që merrnin kur ishin pa lëvizur. Se çfarë mund të pritet në nivelin e performancës nga një polici e tillë që paguan për të qëndruar në detyrë, shpenzon për të qëndruar në detyrë, dëmton ekonomikisht familjen e vet për të qëndruar në detyrë këtë askush me mend në kokë nuk e kupton. Po gjithkush me mend në kokë kupton që kjo polici është tradhtuar, është braktisur, është rrënuar. Ja pse sot krimi ka marrë yrysh. Vetëm udhëtimet që bëhen në spostime marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të çdo punonjësi të transferuar.

 

Ju e dini shumë mirë që një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të policisë punojnë me turne. Ata që punojnë me turne dhe që kanë dhe lëvizje, përveç kostos që kanë për udhëtimin kanë dhe një kosto tjetër. Dy tre orë vajtje ardhje për në punë që është kohë që as paguhet dhe sigurisht as nuk sjell as të mira për gjendjen morale dhe fizike, se linjat e autobusëve e kanë rrezen jo pa limit, kështu që vazhdon vazhdimi.

 

Shkurt, është e qartë që me këtë nivel të ardhurash për familjet e punonjësve të policisë nuk mund të kemi një polici të motivuar. Është e qartë që ky është një teren tërësisht i lirë për korrupsionin që tundon çdokënd, aq më tepër kur çdo polic, çdo shërbëtor me uniformë ushqehet përditë me shembujt e korrupsionit të madh, e korrupsionit të lartë, e korrupsionit shumëmiliardësh që nuk është për bukën e gojës. Po është një korrupsion që jua heq bukën e gojës familjeve të policëve dhe gjithë familjeve shqiptare që sot jetojnë me hallet e varfërisë dhe papunësisë, që janë shumë, jashtëzakonisht shumë. Punonjësi i policisë me ligj duhet të përfitojë pagën e 13-të në fund të vitit. Ka një nen në ligjin për Policinë e Shtetit. Por kjo nuk ndodh. Llogariteni pak me shifra, se sot erdha të flasim me shifra që nuk janë të improvizuara nga ne, janë shifra të bazuara mbi dokumente zyrtarë. Të gjitha përfitimet financiare në total që nuk i jepen punonjësit të policisë që i takojnë me ligj dhe me zakon përbëjnë sot rreth 20% të fondit të përgjithshëm të pagave. Ky fond që arbitrarisht qeveria, Ministria e Financave e mban në shkelje të ligjit, në shkelje të zakonit të thjeshtë që atë që ke vënë për roje do ta paguash mjaftueshmërisht që të mbrojë çka i ke lënë për të mbrojtur dhe jo të bashkëpunojë me atë që do të të marrë atë që ti do të mbrosh, jemi në kushtet kur vetëm nga kjo rritja është 20%. Vetëm nga zbatimi i ligjit dhe nga qëndrimi në linjën logjike që na duhet një polici e motivuar. Një polici aktive, një polici që e përball dhe e zmbraps krimin. Për këtë polici sot të gjithë shqiptarët janë të gatshëm të pranojnë çfarëdo kursimi nga çfarëdo xhep tjetër i buxhetit të shtetit e jo më të mos pranojnë që ky 20% që mbahet arbitrarisht t’u jepet.

 

Dua të sqaroj se në ligjin e Policisë së Shtetit ka një pikë ku thotë se punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë, por dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë. Kjo është në ligj. Nga ana tjetër shtesa e fondeve për trajtimin financiar, ajo pjesë e fondeve që nuk iu jepet, s’ka ndikim të ndjeshëm në buxhet të shtetit, dhe është e padiskutueshme që nga një trajtim më i mirë financiar i punonjësve të policisë do të kemi një rritje të menjëhershme të parametrave të sigurisë. Do kemi një ulje të ndjeshme të rasteve të korrupsionit, të ryshfetit në radhët e policisë. Ja ku i keni policët e Kosovës. Udhëtoni me makinë nëpër Prishtinë, ndaloni para një polici dhe do të shikoni menjëherë diferencën. Nuk duket sikur shkon nga një shtet shqiptar në një tjetër shtet shqiptar, por sikur shkon nga ky shtet i rrënuar në një shtet europian kur ndeshesh me policin kosovar. Nuk bëhet fjalë që të kapërcesh duke dhënë ryshfet. Oferta për ryshfet të çon menjëherë në komisariat. Do të kemi patjetër edhe minimizim të korrupsionit në vetë administratën publike të policisë. Sepse edhe në tërësi do të rritet perfomanca. Fuqia parandaluese dhe zbuluese do të shtohet. Besimi i policit tek uniforma dhe besimi i ndërsjellët mes policit dhe qytetarit sigurisht do të forcohet. Është shumë e rëndësishme një polici e tillë që do të luajë një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Sa më shumë ligjshmëri të kemi në këtë vend aq më shumë para do të kemi për të shpenzuar për këtë vend. Sa më shumë paligjshmëri të kemi në këtë territor aq më shumë para do të grabiten nga ky territor për t’u shpenzuar në drejtime tërësisht të ndryshme me interesin kombëtar dhe publik të këtij vendi.

 

Angazhimi ynë për pagat:

 

Inspektori i policisë në vitin 2012 e filloi me 31. 920 lekë në një mandat do ta çojmë 570 mijë lekë.

Kryeinspektori e nisi vitin 2012 me 338.400 lekë në një mandat do ta çojmë 632 mijë lekë.

Nënkomisari e filloi me 505 mijë lekë total. Këto të gjitha janë shuma totale. Në një mandat do ta çojmë 727 mijë lekë.

 

Komisari, komisarët që vriten, e filloi me 635 mijë lekë, në një mandat do ta çojmë 800 mijë lekë.

Kryekomisari e filloi me 737 mijë lekë, në një mandat do ta çojmë në 880 mijë lekë.
Drejtuesin 859 mijë lekë është totali me të cilin filloi vitin 2012, do ta çojmë në 1 milion e 12 mijë lekë.
Drejtuesin e parë nga 1 milion e 48 mijë lekë, do ta çojmë në 1 milion e 113 mijë lekë.

Zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, po mos keni parasysh këtë se ky nuk do jetë, nga 1 milion e 58 mijë lekë në total, do ta çojmë në 1 milionë e 280 mijë lekë. Drejtorin e Përgjithshëm nga 1 milionë e 240 mijë, do ta çojmë në 1 milionë e 470 mijë.

 

Këto janë rritjet e planifikuara në mënyrë racionale dhe në bashkëpunim me ekspertë, të cilët kanë konfirmuar faktin, që një plan i tillë që ne e kemi marrë në dispozicion, falë kontributeve që kanë filluar të shtohen përditë nga strukturat e shtetit, është ai momenti kur ka shumë njerëz brenda shtetit që nuk durojnë dot më dhe japin kontribute për publikun, është një plan që e ka në tavolinë qeveria, këtë që po them. E ka në tavolinë që prej 2011. Nuk e bën, se nuk do t’ia dijë fare për policinë. Specifikisht plani përmban një projeksion rritje të pagave që shkon edhe për punonjësit, që nga sanitarët apo punonjësit e mirëmbajtësit, deri edhe te përgjegjësit e sektorëve dhe drejtorët e drejtorive, sepse është pjesa tjetër pjesa e veprimtarive të specializuara që nuk janë nën uniformë.

 

Kështu të dashur miq, ne kemi një angazhim konkret dhe kemi një plan të shtjelluar konkret. Sot fola për pagat. Kemi një plan për një reformë rrënjësore që do ta paraqesim më tutje. Sot ka 200 drejtorë që vetëm drejtohen se nuk drejtojnë gjë. Drejtohen në drejtim të paditur. Ne do ta ndryshojmë këtë strukturë. Sot ka tre lloj policish që merren me trafikun. Njëra është lart, tjetra është poshtë, njëra është tek komshiu tek ministria e punëve publike. Kuptohet që përplasen me njëra-tjetrën se kush do marrë ryshfetin. Prandaj, Shqipëria sot ka numrin më skandaloz të aksidenteve në raport me vetveten dhe në raport me të gjithë rajonin. Prandaj, sot politika rrugë, rrugë, rrugë, nuk ka rritur sigurinë në rrugë, por ka rritur pasigurinë dhe rrezikshmërinë. Nuk janë fajet e policisë vetëm aksidentet, ato vijnë nga mungesa e sensit të ligjshmërisë, po vijnë edhe nga mungesa e standardeve të rrugëve. Një reformë strukturore rrënjësore duke vendosur në themel parimin që çdo shqiptar i kualifikuar me paratë e këtij populli apo me kontributet e partnerëve, që ka motivimin dhe integritetin për të punuar nën uniformën e policit, duhet të ketë shansin që të punojë nën uniformën e policit apo në rolin e ekspertit të policisë sipas meritës dhe jo sipas teserës apo sipas rrugëve të klientelave, që krijohen menjëherë sapo një forcë politike vjen në pushtet.

 

Asnjë punonjës policie, asnjë drejtues policie, asnjë drejtues i lartë policie që ka këtë kualifikim dhe që është sot e gjithë ditën në polici nuk duhet të ketë asnjë lloj frike se Partia Socialiste sa të marrë qeverinë do t’i vërë shqelmin. Jo! Përkundrazi! Do ta bashkojë me kolegë të tjerë që padrejtësisht janë lënë rrugëve dhe të gjithë bashkë do ndërtojmë një Polici Shteti që t’i shërbejë shtetit dhe jo pushtetit. Procesi i rekrutimit në polici do të jetë një proces transparent publik duke vlerësuar lirinë dhe të drejtën e çdo shqiptari. As nuk na duhet fare tesera. Çdo shqiptar që ka kualifikimin, ka eksperiencën, ka motivimin, ka sigurisht integritetin në rrugën e tij dhe duke i dhënë mundësinë t’i shërbejë shtetit të tij deri në fund me dinjitet. Po nuk i dhamë dinjitet Policisë së Shtetit askush s’duhet të presë trajtim me dinjitet pasi e lë Policinë e Shtetit. Kjo që ndodh me shumë nga ju, që jeni lënë rrugëve, ndodh sepse vetë policia është lënë rrugëve. Ka humbur tërësisht respekti për uniformën, respekti për Policinë e Shtetit. Është një çetë atje në majë që e drejton policinë sipas kushtrimit të partisë. Sigurisht, kjo reformë do të shoqërohet me një plan të detajuar për trajtimin. Duke filluar nga uniforma nuk diskutohet. Uniforma më qesharake. E filluan me një shqiponjë dhe ka përfunduar një zog që më shumë i ngjan Ministrit të Brendshëm se sa shqiponjës.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm