Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Gati projektligji i kodit të etikës për sjelljen e deputetëve

Të reja

Gati projektligji i kodit të etikës për sjelljen e deputetëve

04 Oct 2017    

Deklaratë për media e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Dua t’ju informoj që kemi depozituar dhe kemi bërë kërkesën, sipas rregullores në Konferencën e Kryetarëve, për përfshirjen në agjendën e punës së Kuvendit të Shqipërisë të projektvendimit për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili në vlerësimi tonë është një përpjekje shumë e rëndësishme për të ndërtuar besimin e publikut tek parlamenti, për të forcuar integritetin dhe transparencën në sistemin e qeverisjes dhe për të konsoliduar institucionet kombëtare demokratike përmes miratimit të këtij Kodi Sjelljeje për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Miratimi i këtij akti rregullator do të shërbejë si në drejtim të përmirësimit të standardeve etike por edhe performancës së deputetëve, ashtu edhe në drejtim të rifitimit, të forcimit të besimit të qytetarëve ndaj sistemit politik në tërësi dhe parlamentit në veçanti.

Rregullimi i këtyre standardeve etike dhe i sjelljes luan një rol të rëndësishëm në garantimin se sjellja e deputetëve nuk është vetëm në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, por gjithashtu plotëson pritshmëritë e publikut për të. Shpesh, votuesit tanë presin që ne deputetët të japim llogari për mënyrën se si po e ushtrojmë mandatin që ata na kanë besuar; dhe jo vetëm për veprime apo lëvizje të caktuara politike, por edhe për sjelljen e deputetëve; për mënyrën se si Kuvendi shpenzon buxhetin e vet, për mënyrën se si duhet të jetë tërësisht ndryshe transparenca financiare e këtij institucioni.

Hartimi i këtij Kodi Sjelljeje në vlerësimin tonë është një gur i parë, pra nismëtar në përpjekjet e Kuvendit për të luftuar korrupsionin. Funksioni themelor i Kuvendit në miratimin e ligjeve anti-korrupsion dhe në mbikëqyrjen e institucioneve publike që i zbatojnë ato, nuk mund të jetë efektiv nëse vetë ligjvënësit, pra ne deputetët nuk i kemi të qarta rregullat e sjelljes për veprimtarinë që ne duhet të kryejmë. Standardet e qarta dhe lehtësisht të identifikueshme për mënyrën se si duhet të sillen deputetët, mund të ndihmojnë për të parandaluar një fenomen 27-vjeçar për shpërdorimin e detyrës dhe format e tjera të korrupsionit. Këto standarde të zbatuara në mënyrë të vazhdueshme do të ofrojnë qartësi më të madhe për deputetët dhe administratën e Kuvendit në shërbim të një politike më korrekte dhe më transparente. Për shkak të pozicionit të veçantë që ne kemi si përfaqësues të popullit, deputetët përballen vazhdimisht me dilema të karakterit etik. Atyre u duhet shpesh të zgjedhin midis interesave të ndryshme konkurruese qofshin ato kombëtare, qofshin ato të zonës zgjedhore, politike, partiake, por edhe personale.

Në projektvendimin e depozituar, është caktuar një ekspertizë shumë e mirë ndërkombëtare, vendos edhe kufizime për aktivitete që deputeti nuk duhet lejuar kurrsesi që t’i kryejë gjatë ushtrimit të mandatit (neni 6). Deputetët nuk mund të jenë as drejtues as anëtarë të organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijojnë të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, të ekspertit të licencuar si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara,- në pikën “a” të këtij neni,- dhe nuk mund të jetë i punësuar me kohë të plotë në një detyrë tjetër. Deputeti nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive aksione me pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, nëse ato rezultojnë të jenë me pozitë dominuese në treg.

Doktrina politike, dhe sidomos ajo mbi etikën dhe sjelljen në parlament, e konsideron marrjen e dhuratave si një moment shumë problematik për ligjvënësit. Është një praktikë tashmë e konsoliduar në shumë vende, që më në fund përmes këtij kodi do të ketë rregulloren e marrëdhënieve që kemi me një institucion tjetër sikurse është Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Komunitetet me të drejtë kanë pritshmëri të lartë për mënyrën e sjelljes së deputetëve. Ne, përmes këtij Kodi Sjelljeje, do synojmë ta miratojmë brenda tre javëve të ardhshme ku Kuvendi i Shqipërisë do t’i japë mundësinë çdo komuniteti kudo në Shqipëri, çdo zone zgjedhore të ketë më të qarta pritshmëritë por edhe llogaridhënien e çdo deputeti për secilën zonë që mbulon.

Sigurisht në vlerësimin tonë kjo do të ndikojë në rritjen e përgjegjshmërisë së deputetit ndaj zgjedhësve të tij. Miratimi i këtij kodi për sjelljen e deputetit është një tregues i përgjegjësisë së tyre për funksionimin dhe statusin që gëzojnë dhe për respektimin e vlerave të institucionit të Kuvendit në tërësi. Ne vlerësojmë se miratimi i këtij kodi i cili promovon integritetin, ndershmërinë, përgjegjshmërinë e deputetit gjatë ushtrimit të mandatit të tij është një shprehje e implementimit dhe respektimit të standardeve dhe normave ndërkombëtare.

Dua t’ju them se janë të shumta dokumentet që janë konsultuar. Është një punë 3-vjeçare, e cila nuk duhet të zgjatet më. Në Konferencën e Kryetarëve kemi pasur dakordësinë e njërit prej grupeve të opozitës për të ecur përpara. Shpresojmë që shumë shpejt e gjithë opozita të jetë mbështetëse e këtij materiali, e këtij projektvendimi, i cili është një hap tjetër drejt konsolidimit dhe vendosjes së ligjshmërisë së punës së Kuvendi të Shqipërisë. Përveç hapit të rëndësishëm që është hedhur në mënyrën e respektimit të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, në sallën e Kuvendit nuk ka më deputetë dhe “superdeputetë”, por ka vetëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ku rregullorja funksionon për të gjithë njëlloj. Po kështu edhe miratimi sa më i shpejtë i këtij vendimi për të pasur një Kod Sjellje të deputetëve të Shqipërisë është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të forcimit të legjitimitetit të institucionit të Kuvendit  të Shqipërisë, në një republikë parlamentare sikurse është kjo e jona.

Z. Balla, ka një deklaratë të Ambasadorit Amerikan Donald Lu ku 20 familje ushtrojnë aktivitet kriminal në Republikën e Shqipërisë. Deri tani mazhoranca nuk ka dhënë asnjë një koment. Ju keni një koment?

E para, unë dua që të mos flas përpara autoriteteve ligjzbatuese në Shqipëri, por dua të them shumë qartë se qeveria jonë ka një plan të mirëkoordinuar me të gjitha institucionet ligjzbatuese, në çdo rast që do duhet të jetë në mbështetje të Kuvendit të Shqipërisë për ndryshimet ligjore në drejtim të forcimit të goditjes së shtetit kundrejt krimit të organizuar. Të jeni të sigurt që në ditët në vijim, në javët në vijim, në muajt në vijim do të jeni dëshmitarë të forcës goditëse të institucioneve të Policisë së Shtetit, të koordinuara me të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese në Shqipëri për t’i adresuar çdo shqetësim jo vetëm të ambasadorëve, por kujtdo qytetari të thjeshtë të Republikës së Shqipërisë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

A keni një koment për reformën zgjedhore; mbi funksionin që do të kenë partitë parlamentare në komision?

Po e filloj nga pyetja e parë, e cila ka të bëjë për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Partia Socialiste e Shqipërisë prej momentit të parë e ka thënë shumë qartë që: “Ne i qëndrojmë marrëveshjes së 18 majit dhe duam që së bashku jo vetëm të bëjmë një reformë zgjedhore të rëndësishme, por të kemi mundësi që të adresojmë dhe çështje të tjera.” Kemi bërë një ftesë për krijimin e një tryeze politike për të diskutuar çështje që nuk janë vetëm pjesë e reformës zgjedhore. Siç edhe e dini, ne kemi shprehur dakordësinë për ngritjen e këtij Komisioni në mënyrë të menjëhershme. Dua t’ju them se opozita ende nuk ka gati formulën e saj për kompozimin, pra përfaqësimin. Sapo ajo ta ketë gati do të bëhet edhe vendimi për përbërjen e Komisionit. Komisionet zgjedhore gjithmonë përbëhen nga një numër i barabartë anëtarësh mazhorancë-opozitë së bashku me dy bashkëkryetarë, një i PD-së dhe një i PS-së.

Ju do të keni 5 anëtarë në përbërje?

Ju lutem mos hyni në çështje numrash, sepse sado dëshira jonë është për të pasur një dialog konstant dhe konsensus të plotë me opozitën, ne do të presim fillimisht propozimin nga opozita. Edhe në këtë rast jemi ne të parët që shprehim gatishmërinë për të gjetur zgjidhje, gjë kjo që e bën punën e komisionit edhe më të thjeshtë. Nuk do të isha në favor të një Komisioni me përbërje shumë të madhe, sepse të gjithë e dimë që shpeshherë këto komisione më shumë kanë diskutime boshe se sa punë reale. Nisur nga eksperienca e bashkëkryesimit të këtij komisioni në legjislaturën e kaluar, do të doja që të ishin ekspertët ata që të flisinin më shumë, dhe të flasin sa më pak politikanët që janë pjesë e këtyre komisioneve.

Të jeni të sigurt që Kuvendi i Shqipërisë nuk do të marrë një vendim që nuk është i bazuar fort në Kushtetutën e Republikës Shqipërisë dhe në ligje apo aktet e tjera ligjore siç është Rregullorja e Kuvendit.

Është një domosdoshmëri që Shqipëria, që parlamenti shqiptar të ketë një kod sjelljeje. Ju lutem, mos e konsideroni Kodin e Sjelljes të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë thjesht dhe vetëm një marrëdhënie etike ndërmjet deputetit dhe Kryetarit të Kuvendit, drejtuesit të seancës, por është një hap shumë i rëndësishëm që ne do ta hedhim. Për ne, si Parti Socialiste dhe si grup parlamentar socialist të Kuvendit të Shqipërisë, është një hap i rëndësishëm në atë që jemi angazhuar ta bëjmë çdo ditë në këtë mandat katërvjeçar: bashkëqeverisjen me njerëzit. Ne duhet ta rregullojmë tërësisht marrëdhënien që deputetët kanë me zgjedhësit. Nëse nuk do të bëhet e detyrueshme llogaridhënia që deputeti ka përkundrejt zgjedhësve, ne cënojmë rëndë besimin e qytetarëve ndaj institucionit të Kuvendit. Këtu dua ta theksoj që, është bindje e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që Kodi i Sjelljes, në gjuhën e përditshme të punës parlamentare njihet ndryshe si Kodi Etik, ka të bëjë edhe më një aspekt që ka munguar ose ka ndryshuar tërësisht në vitet e fundit. Ka plot qytetarë të Shqipërisë, në çdo cep të vendit, që nuk dinë se kush është deputeti i tyre e nuk dinë se ku duhet të drejtohen për të adresuar çështje të cilat deputeti i ka për detyrë t’i sjellë në Kuvendin e Shqipërisë. Unë doja t’i bëja me dije se grupi parlamentar këtë dokument, që nuk është një dokument i njëanshëm por është një dokument që ka ardhur nga ekspertiza e partnerëve, ndër ta dhe të Këshillit të Europës, OSBE-së dhe nga eksperiencat e mara, modelet e ngjashme në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që ky model i ri i punës së Kuvendit të Shqipërisë të funksionojë edhe për sa i përket kodit të sjelljes së deputetëve.

PD i ka drejtuar një kërkesë KQZ për të verifikuar të dhënat në formularin e vetëndeklarimit të dy deputetëve, njëri prej të cilëve është i PS. A do ta mbështesë PS një kërkesë të tillë?

Ligji është shumë i qartë dhe nuk ka nevojë për mbështetje, por institucionet do të bëjnë detyrën e tyre. Nuk kam asnjë koment shtesë për aq kohë sa janë institucionet e ngarkuara me ligj. Unë jam bashkëhartues i ligjit për dekriminalizimin, dhe ligji ka hequr ndikimin e çdo lloj ndërhyrjeje nga një grup parlamentar apo çdo lloj partie politike; janë institucionet e ngarkuara që bëjnë detyrën e tyre.

Ju, përpara se t’i vendosni në lista, keni bërë një verifikim?

Ne e kemi bërë verifikimin dhe ju duhet të dini që procesi i verifikimit ka dy faza: fazën përpara zgjedhjes dhe fazën pas zgjedhjes se deputetëve. Të jeni të sigurt që ligji do respektohet për këdo qoftë ai.

Cili është grupi parlamentar që nuk pranoi kodin?

Në vijim të respektit që kam për dy kolegët Spaho dhe Vasili, pak rëndësi ka kush është, e rëndësishme është që ka një nevojë shumë të madhe për publikun për të ndryshuar tërësisht mënyrën e sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. E kjo është gjëja më e rëndësishme.

Faleminderit !

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm