Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore

Të reja

Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore

14 Jan 2020    

Fjala për media e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri:

Pyetje: Z. Gjiknuri, çdo të thotë ky nivel i ri takimi?


Përgjigje: Kemi një marrëveshje mes palëve politike, që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutimet me Komisionin e Reformës Zgjedhore me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar. 


Ju e keni parë, që edhe nga minutat për të cilat kemi rënë dakord, që është edhe kuadri i përgjithshëm i kësaj marrëveshje, ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus. 


Ne do i kërkojmë ekspertëve të OSBE/ODIHR që të vijnë në Tiranë me qëllim që të adresojnë çështje për të cilat palët mund të ndahen.


Me pak fjalë, ajo çfarë  kemi nisur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe ajo çfarë  kemi thënë me kohë që jemi të gatshëm që të gjejmë çdo lloj mënyre komunikimi me opozitën, e materializuam sot.


Pyetje: Për çfarë çështjesh? 


Përgjigje: Çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, rekomandimet e ODIHR-it dhe çështje që janë objekt i punës së Komisionit të Reformën Zgjedhore. Sistemi Zgjedhor është objekt i punës së Reformës Zgjedhore, pra nuk e kemi përjashtuar. Çështja e sistemit kërkon një dakordësi, por nuk lidhet me rekomandimet e OSBE/ODIHR.


Për problemet e sistemit zgjedhor nuk ka asnjë rekomandim ndërkombëtar dhe asnjë nuk mund ti japë mend Shqipërisë se çfarë sistemi i duhet. Çështjet për të cilat ne do të kërkojmë asistencë, rekomandime dhe ekspertizë, do të jenë çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.


Pyetje: Z.Gjiknuri, Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk funksionon më?


Përgjigje: Komisioni i Reformës Zgjedhore funksionon, sepse të gjitha diskutimet do të bëhen në Komisionin e Reformës Zgjedhore me përfaqësuesit e opozitës.


Çdo draft miratohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ju e dini që në vendimin e Kuvendit ka një klauzolë ku opozita ka një vend, por që për arsye politike nuk e ka shfrytëzuar. 


Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ky është një vullnet i mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën duke ruajtur kuadrin ligjor, kushtetues dhe parlamentar. 


Unë jam këtu për të dhënë përgjigje për çështjet e Reformës Zgjedhore dhe ai dokument përmend Reformën Zgjedhore. Nëse do të ketë çështje të tjera kjo mbetet për t’u parë.


Pyetje: A është kjo një lëvizje për të rikthyer në Parlament Partinë Demokratike dhe aleatët e saj?


Përgjigje: Unë nuk e di se si mund të kthehet opozita sërish në Parlament. Këto janë çështje që nuk i përkasin kësaj teme. Opozita e ka marrë vendimin e saj. Mazhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore dhe nëse ato janë në përputhje me propozimet e ODIHR-it, ne do ti pranojmë.


Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm