Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Godina e re e Teatrit do të jetë një godinë që të huajt do të vinë ta shohin për shkak se kanë dëgjuar nga mediat botërore si një prej godinave artistike më të mira për nga arkitektura në botë

Të reja

Godina e re e Teatrit do të jetë një godinë që të huajt do të vinë ta shohin për shkak se kanë dëgjuar nga mediat botërore si një prej godinave artistike më të mira për nga arkitektura në botë

06 Jul 2018    

Fjala në seancën e sotme e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla: 

Pas moralit politik që sapo dëgjuam, për transparencë të gjithë atyre shqiptareve e shqiptarëve që ndjekin seancën, sot Kuvendi nuk miraton ndërtimin e një Teatri të ri.
Sot Kuvendi, si rrallëherë me një procedurë tepër transparente, autorizon procedurën për negocimin dhe lidhjen e kontratave me objektin. Objekti është projektimi dhe realizimi i një projekti urban dhe godinës së re të Teatrit. Nuk është ky më Parlamenti që vuloste kontratat që bënte ai zotëria atje dhe i sillte për vulë në Parlament.
Projektligji për ndërtimin, projektimin, realizimin e një projekti për godinën e re të Teatrit Kombëtar që ne votojmë sot,  i jep fund  të gjitha spekulimeve, të gjithë baltës që është hedhur në një nga projektet më të rëndësishme dhe më të bukura jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë trojet shqiptare anë e mbanë.
E dëgjova dje Lulzimin, që burrëri nuk paska të përballet një herë të vetme sy më sy për këtë projektligj, që kishte marrë me vete  edhe Koço Kokëdhimën për të na luftuar ne, se gjoja ne i paskemi hapur luftë shqiptarëve e që Luli bashkë me Koçon medemek do udhëheqin rezistencën kundër kësaj lufte.
Në fakt, tek i shihja bashkë në atë fushën e Teatrit me zonjën Vokshi, mendova se Koço mos ka ende ndërmend ato idetë idioteske të kultivimit të kanabisit në këto fushat e lëna djerrë, ndërkohë që për zonjën Vokshi dua të të them se nuk ka rezerva nafte poshtë tokës së Teatrit. Janë  bërë studimet zonja Vokshi, sepse ti ku ka toka me rezerva nafte turresh e para, por fajet i paçim ne për mungesën ende të transparencës së kontratave të naftës.
Qofshim ne qeveria e vetme në botë që i paskemi hapur luftë shqiptarëve për t’u ndërtuar Teatër. E paçim këtë gjobë jetë e mot, por Teatri do të bëhet.
Nëse Luli me luftë kupton investimet tona për qytete më të mira, për punë publike që përmirësojnë standardet e jetesës së qytetarëve, për vepra që na bëjnë të ndjehemi krenarë për vendin ku jetojmë, atëherë Po Lul, jo vetëm që e kemi hapur këtë luftë, por do ta vazhdojmë o Lul derisa të kemi transformuar e modernizuar çdo qytet e çdo fshat të Shqipërisë.
Ky Luli nuk ka fare hallin e Teatrit. Ndërtimi i Teatrit të ri është padyshim një lajm i mirë për shqiptarët. Këtë e di qoftë Luli, qoftë Saliu, e di edhe deputeti më vulë-humbur i partisë së Lulit.

Problemi i Lulit e Saliut me shokë është se ato e shohin automatikisht çdo lajm të mirë për shqiptarët si një lajm të keq për opozitën, sikurse një javë më parë patë lajmin e mirë për negociatat.
Sot po protestoni prapë, por për çfarë protestoni?
Përgjigja është e shkurtër: protestoni sepse nuk keni ç’bëni gjë tjetër. Ju nuk keni agjendë, ju nuk keni ekip, ju nuk keni program.
Të më thotë njëri një projektligj që ka sjellë opozita në një vit me dy sesione parlamentare, një projektligj të vetëm, një ide, se për të protestuar keni protestuar për gjithçka e kundër gjithçkaje. Më thoni një gjë të re, të bërë në Shqipëri që ju nuk keni protestuar, një gjë e re e bërë në Tiranë që ju nuk keni protestuar?
Protestoni pasi fabrikoni shpifjet te portali i Zenit dhe kunati i Lulit për të programuar protestën e radhës. Protestuat dhe ende jeni duke protestuar, çdo ditë protestoni kundër Reformës në Drejtësi. Dje protestuat kundër Vetingut. Vetingu ecën përpara thotë Bashkimi Europian,. Këshilli Europian përshëndet rezultatet e para të Vetingut, ndërsa Partia Demokratike proteston kundër Vetingut.
Protestuat e nuk latë gjë pa bërë kundër hapjes së negociatave. Nuk latë të zhvillohet një seancë e vetme kuvendore e rregullt deri ditën që u mor vendimi, por çdo seancë bënit protestë në Parlament.
Pastaj vutë ulërimën për 600 mijë luftëtarët dhe refugjatët që do vinin në Shqipëri. Protestuat edhe për ato, dërguat e-mail-e, vutë alarmin, ishit gati për grevë urie.
Shpikët “Babalen”, e tani ja keni harruar fare emrin. Dëgjoi njeri “Babalen” “dëshmitarin x” , sot këtu?
Kur të dalë historia e “Babales” këtë bashalen e partisë ku do ta çoni?
Protestuat për aksionin e Policisë. Doli zotëria këtu e u bëri thirrje kriminelëve: Mos i bini nga Ankona, por bjerini nga Bari. Po sapo doli fotoja e Lulit me vëllain e personit në kërkim sigurisht nuk protesuat më as për këtë çështje.
Këtë fillim historie të një proteste të re është një film që ne e kemi parë. Keni protestuar kundër çdo projekti të madh në Tiranë. E nisët me protestën kundër një këndi lojërash. Po shihja dje një foto të  Strazimirit duke protestuar para Teatrit. U gëzova shumë që kësaj radhe  kishte shkuar pa pistoletë se ky pistoletë në brez e mban kur shkon të protestojë për kënd lojërash për fëmijët.

Ai ishte një kënd lojërash, ishte një dështimi i parë i madh i kësaj strategjie për të penguar gjithçka, sepse këndi ishte një super sukses i jashtëzakonshëm që në minutën e parë që u hap. Iu bashkua dhe Jari, Bujari, ish-Presidenti, në atë kohë president. Ai kënd sot vizitohet të paktën nga 500 qytetarë, familjarë, prindër dhe gjyshër që çojnë atje fëmijët dhe nipërit dhe Tirana sot ka plot 30 kënde të tilla në çdo kënd të qytetit. Shkoni protestoni në secilin prej 30 këndeve të reja të lojërave në Tiranë.
E vazhduat me protestat kundër Pazarit të Ri, u përpoqët të ngrinit tregtarët kundër Bashkisë. Sot në diçka më shumë se një vit ai investim prej 5 milionë dollarësh në Pazarin e Ri ka gjeneruar 20 milionë dollarë investime nga vetë privatët dhe duke krijuar 3000 vende të reja pune. 
Çohu Lulzim, pse protestove kundër 3000 vendeve të reja pune të Pazari i ri?!
Protestuat kundër Sheshit “Skënderbej” të cilin pasi e bllokoi Luli bashkë me Saliun pasi  vodhën në mënyrë të turpshme mandatin e Bashkisë së Tiranës, që e rrënuan Bashkinë e Tiranës për katër vite rresht, madje e kthyet momentalisht në një panolinë të vogël në mes të kryeqytetit, sot ai shesh që aq shumë e luftuat, është një prej hapësirave më të bukura të Shqipërisë sonë dhe sigurisht u vlerësua si fituesi i çmimit për hapësirën më të mirë publike në Europë në vitin 2018 në Barcelonë.
Këtu ju them që Teatri i Ri Kombëtar do të ketë përsëri të njëjtën histori suksesi në konkurset e arkitekturës botërore. Këtu do të jemi prapë. Ne këtu , në shumicë, e ju në një pakicë edhe më të vogël se kjo pakica që jeni tani. Godina e re e Teatrit do të jetë një godinë që të huajt do të vinë ta shohin për shkak se kanë dëgjuar nga mediat botërore si një prej godinave artistike më të mira për nga arkitektura në botë.
Mund të vazhdojmë me Bulevardin e Ri dhe parkun e Lumit të Tiranës.
Një shifër konkret në katër vjet e dini se sa i realizoi Lulzim Basha në krye të Bashkisë së Tiranës punimet? Vetëm 2% te Bulevardi. Në tre vjet që pasuan Lulin, punimet janë realizuar në masën 80%. Ky në katër vjet  vetëm 2%, ne në tre vjet 80%. 40 herë ritëm më të shpejtë pune sesa ritmi pa ritëm i Lulzimit. Ndërkohë që kanë sulmuar projektet e gjelbërimit, projektet e rehabilitimit të lagjeve, projektet e infrastrukturës.

Zotëria aty në radhë të dytë, i treti nga mesi nuk duhet të flasë për çështje të Teatrit Kombëtar. Zotëria aty ka konflikt interesi sepse një investim për një projekt të Teatrit Kombëtar të filluar gjatë kohës së tyre te Piramida. Ju artistë që më dëgjoni, ky zotëria ja dha kunatit të vet. Agim Rama nuk është ai fotografi atje, por Agim Rama që përmendi ministri është kunati i atij zotërisë atje i cili ka pasur zbatimin e projektit për rikonstruksionin e Piramidës dhe për ta kthyer Piramidën në një Teatër Kombëtar.
Tani dëgjojini këta dashnorët e Teatrit se sa bukur bëjnë aktrimin e radhës!
Faleminderit!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm