Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Gramoz Ruçi zgjidhjet Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

Të reja

Gramoz Ruçi zgjidhjet Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

09 Sep 2017    

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi pas zgjedhjes së tij:

 

 

Të dashur dhe të respektuar qytetarë që jetoni këtu në Shqipëri dhe në emigracion,

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,

Të nderuar klerikë,

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar kolegë, deputete dhe deputetë,

 

Mirënjohje të thellë për besimin që më dhatë duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, një detyrë e lartë dhe fisnike në shërbim të atdheut.

Dëshiroj të shpall që në fillim se, gjatë ushtrimit të kësaj detyre, do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, kurdoherë në shërbim të qytetarëve dhe në mbështetje të secilit prej jush, për të ushtruar përgjegjësitë dhe të drejtat si deputetë të popullit, në shërbim të Republikës.

Për qytetarët Kushtetuta është themeli i të drejtave. Për ne, ligjvënësit dhe funksionarët publikë, është themeli i detyrimeve në shërbim të të drejtave të qytetarëve.

Unë jam i vetëdijshëm se drejtimi i legjislativit, si kolona bazë e sistemit demokratik është një detyrë supreme, sepse Kuvendi është institucioni i vetëm pluralist, por kryesimi dhe ushtrimi i funksioneve legjislative të Kuvendit të Shqipërisë bëhen edhe më përcaktues e vendimtarë në kushtet kur qeverisja ushtrohet vetëm nga shumica socialiste, si triumfuese e qartë dhe e vetme e zgjedhjeve të 25 qershorit. Vullneti i popullit ia delegoi qeverisjen një partie të vetme. Përgjegjësia jonë politike, qeverisëse dhe kombëtare do t’ua kthejë këtë pushtet qytetarëve nëpërmjet ligjeve, politikave dhe reformave që do të hartojë e do të projektojë ky Parlament në shërbim të të gjithë shqiptarëve.

Ky Kuvend është rezultat i vendimit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 25 qershorit, por, nisur nga bindjet dhe morali im politik, i bëj thirrje shumicës se fitorja nuk është gjithçka, por vetëm fillimi i përgjegjësive.

Qëllimi ynë nuk është të triumfojmë gjithmonë e mbi të gjithë. Misioni ynë ka qenë dhe do të jetë t’u shërbejmë të gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht, opozitave parlamentare u bëj thirrje që, duke respektuar programet e tyre politike, të venë në plan të parë interesin kombëtar dhe publik, duke kontribuar për të sjellë dhe hartuar ligje të mira, vizionare dhe bashkëkohore. Opozita nuk i shërben shumicës dhe qeverisë, por zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve. Qytetarët vërtet nuk e votuan opozitën të qeverisë, por nuk e lanë atë pa përgjegjësi. Ata presin nga të dy opozitat të kontrollojnë qeverisjen, si nëpërmjet hartimit të ligjeve të dobishme dhe funksionale që garantojnë një zhvillim gjithëpërfshirës, ashtu edhe nëpërmjet mekanizmave të kontrollit parlamentar.

Qytetarët vërtet e dërguan Partinë Socialiste të vetme në qeverisjen e vendit, por ata presin nga ajo të qeverisë nën kontrollin e opozitës dhe t’i krijojë kësaj të fundit të gjitha kushtet dhe burimet për të ushtruar përgjegjësitë e saj në sistemin tonë demokratik.

Prandaj, bashkë me ju, të nderuar kolegë deputetë, ne duhet të investojmë maksimumin e dijeve, përvojave, vullneteve dhe kontributeve tona për të bërë të mundur që fryma dhe përmbajtja e ligjeve, që do të miratojë Kuvendi i Shqipërisë, të përfaqësojnë dhe të shprehin interesat, nevojat dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ne do të hartojmë ligje të drejta, të mbështetura në një moral të drejtë, sepse përvoja legjislative dhe qeverisëse na mësojnë se disa gjëra ligjërisht të drejta mund të mos jenë gjithmonë moralisht të drejta.

Fryma, përmbajtja dhe germa e ligjeve do të garantojnë bashkëqeverisjen dhe do të mbështesin politika të dobishme për të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë e paparti, në fshat e në qytet; gra e burra; të rinj e të moshuar; të pasur e të varfër; jugorë e veriorë, malësorë e fusharakë, myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashi apo ateistë; punëtorë e sipërmarrës; emigrantët dhe diasporën.

Ne do të garantojmë bashkëqeverisjen funksionale dhe të përgjegjshme me qytetarët, si një kontratë e ligjshme dhe e kontrollueshme prej tyre.

Bashkëqeverisja me qytetarët nuk është një artificë dhe sjellje e shtirur, gjasme demokratike. Ajo udhëhiqet nga parimi i madh jetësor i demokracisë se askush nuk mund ta qeverisë tjetrin, pa pasur konsensusin dhe bashkëpunimin e tij.

Për të mundësuar këtë bashkëqeverisje, ne deputetët, por edhe të gjithë funksionarët publikë, duhet të bëhemi apostuj të njerëzve të thjeshtë.

Zëri dhe verdikti i qytetarëve do t’i sjellin qeverisjes legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore ndjeshmërinë e publikut. Me publikun dhe qytetarët, nuk dështojmë kurrë. Pa ta, kurrë nuk fitojmë, as ne, as Shqipëria.

Kuvendi i Shqipërisë ndodhet sot përballë imperativash e sfidash jo të zakonshme, politike, ekonomike, zhvillimore, gjeopolitike dhe ndërkombëtare.

Do të jetë në nderin, lartësinë dhe dinjitetin tonë t’u bëjmë ballë atyre me vizione të qarta e largpamëse, bashkëpunim të sinqertë e produktiv dhe kontribute e përkushtim të pakushtëzuar.

Ky Kuvend vërtet është një institucion pluralist, por unë ju ftoj t’i bashkoheni festës sime, që kur të hyjmë në këtë tempull, t’i lemë jashtë derës partitë që përfaqësojmë.

Në këtë sallë, e vetmja parti është dhe duhet të jetë Shqipëria.

Me ligjet që do të përgatisim ne duhet të kontribuojmë që të flakim partitokracinë jashtë Kuvendit të Shqipërisë, por edhe t’i largojmë partitë dhe të gjitha paudhësitë e tyre nga çdo ndikim i paligjshëm, i pamoralshëm dhe korruptiv në menaxhimin e pasurive publike, të burimeve njerëzore natyrore të vendit, si edhe në reformat e administratës publike.

Kuvendi i Shqipërisë nuk do të reshtë së punuari për të garantuar një qeverisje të fortë dhe efikase. Një ekzekutiv i fortë do të thotë një qeverisje e fortë. Një qeverisje e fortë do të thotë një qeverisje e mirë. Një shtet i qeverisur mirë, do të thotë, praktikisht edhe teorikisht, një shtet i mirë që krijon mundësi për më shumë punë e mirëqenie për qytetarët.

Ne nuk do t’i kërkojmë dhe as imponojmë qeverisë varësi prej legjislativit, por varësi prej ligjeve që ne do të përgatisim për një qeverisje më të mirë.

Ky Parlament do të nxisë e mbështesë vazhdiminin dhe thellimin e reformave të mëdha të jetës ekonomie, politike, administrative e shoqërore të vendit.

Sepse rruga drejt zhvillimit dhe mirëqenies kalon nga reformimi i thellë i shtetit, nga vazhdimësia e reformave që prodhojnë produkte të prekshme për qytetarët, të ardhura dhe mirëqenie për ta.

Para së gjithash, ne do të shpiem deri në fund reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut, për të mos lejuar që interesi publik, qytetarët, institucionet, ekonomia dhe mirëqenia e këtij vendi të vazhdojë të nëpërkëmben, të tallen e sfidohen nga një grusht politikanësh, zyrtarësh, prokurorësh dhe gjykatësish të korruptuar.

Për ne, reforma në drejtësi është rruga për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, me akses të barabartë për të gjithë qytetarët.

Për të rithemeluar e rikthyer organet e drejtësisë në shërbim të ligjit e qytetarit.

Për të shembur murin, deri tani të pakalueshëm, të pandëshkueshmërisë;

Për të garantuar një ekonomi të hapur, të lirë e konkurruese;

Për të mbrojtur pronën e çdo qytetari;

Për të mbështetur solidaritetin shoqëror për punëtorët, të pamundurit, të dobëtit, të varfrit;

Për të finalizuar betejën e nisur kundër krimit, drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Ne do të vazhdojmë të hartojmë ligje që mbështesin politikat e barazisë mes qytetarëve, mbrojnë individin nga arroganca e pushtetit dhe fuqia e tepruar e tregut dhe pengojnë që dora e padukshme e tij të mos shndërrohet në një grusht të padukshëm dhe të pashpirt për të dobëtit.

Por, që t’i arrijmë këto qëllime fisnike, ne duhet të jemi e të bëhemi deputetë të ditur e të mençur. Nuk mund të jemi ligjvënës të aftë nëse nuk u shtojmë qëllimeve të ndershme e gjykimeve të shëndosha njohuri të reja për ligjet që përgatisim.

Ne duhet të jemi e të bëhemi deputetë të duruar e të përmbajtur. Sepse, në një legjislaturë, shpejtësia për të marrë vendime është më shumë e keqe se sa e mirë. Prandaj ne duhet të hartojmë ligje vizionare dhe afatgjata, që ndihmojnë rritjen dhe progresin e qëndrueshëm të vendit.

Karakteri i deputetit është pema, prestigji që ai kërkon është hija e saj.

Në aktivitetin tonë parlamentar dhe publik, le të mbjellim e të kujdesemi për pemën dhe frytet, jo për hijen.

Ne duhet të punojmë për të prodhuar ligje të frymëzuara nga parimet e mëdha të demokracisë, të patriotizmit dhe Kushtetuta e Shqipërisë.

Ligje për të garantuar një sistem dhe proces zgjedhor që “lexon” me ndershmëri votën e çdo qytetari dhe që u mundëson mbi një milion motrave e vëllezërve tanë emigrantë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për të ardhmen e Shqipërisë në vendet ku jetojnë.

Ligje për arsimimin, që fëmijët tanë të fitojnë shkollim dhe edukim cilësor, të krahasueshëm me moshatarët e tyre europianë.

Ligje për një shëndet më të mirë, që qytetarët e Shqipërisë të jetojnë më gjatë dhe të kenë më shumë vite të shëndetshme në jetën e tyre.

Ligjet për tokën dhe pronën, që 500 mijë fermerët shqiptarë të mos rropaten ditë e natë vetëm për të siguruar bukën e gojës, por të prodhojnë produkte cilësore e konkurruese për në tregjet e vendit dhe të huajt.

Ligjet për 500 mijë të rinj shqiptarë, që secili prej tyre të ketë akses në shkollim, formim profesional ose punësim.

Ligje për një milionë e gjysmë gra dhe vajza të Shqipërisë, që të mos vetëmjaftohemi se ato përbëjnë një të tretën e Kuvendit dhe gjysmën e qeverisë, por t’u garantojmë të gjithave atyre akses në treg, punësim, formim e shërbime, njëlloj si burrave e djemve.

Ligje për mbi 600 mijë pensionistët shqiptarë, veteranët dhe ish-të persekutuarit, të cilët kanë nevojë për pensione e shërbime më të larta, shërbime më cilësore e jetë më dinjitoze.

Ligje për të nxitur përfshirjen kundër përjashtimit dhe të drejta për shumicën, pa përjashtuar ose e tepruar mbi pakicat.

Ligje që Shqipëria që duam të jetë shtëpia e shqiptarëve, të cilët jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

Ligje që Shqipëria të bëhet edhe më shumë mbështetje dhe frymëzim për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Ligje që Shqipëria jonë të rritet ekonomikisht, fuqizohet politikisht, respektohet diplomatikisht dhe të bëhet një partnere edhe më e denjë e aleatëve tanë të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe botës së qytetëruar.

Ligje që Shqipëria që duam të ecë vetëm përpara. Ne të gjithë duhet të punojmë që ky Parlament t’i ngjasojë një kantieri që vlon nga puna dhe ku askush nuk ka as mundësi dhe as arsye ta shpenzojë kohën me grindje e debate pa bukë.

Le të mos lodhemi e të mos reshtim së punuari në këtë kantier, në shërbim të qytetarëve.

Ju falënderoj edhe një herë nga zemra për nderimin dhe besimin që më dhatë! Ju uroj të gjithëve suksese në misionin tuaj fisnik si legjislatorë të Republikës!

Shqipëri, bekuar qofsh! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm