Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Grupi i deputeteve te PSSH u premton minatoreve se do ta ngrene ceshtjen ne Kuvend

Të reja

Grupi i deputeteve te PSSH u premton minatoreve se do ta ngrene ceshtjen ne Kuvend

01 Jul 2008    
Grupi i deputetëve të PSSH angazhohet se do të ngrejë zërin fort në Kuvend për kërkesat legjitime të minatorëve të cilët prej 14 ditësh gjenden në grevë. Deputetët e Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, Andis Harasani, Alfred Dalipi dhe Shpëtim Idrizi, vizituan sot në mesditë, grupin e minatorëve, të cilët po bëjnë këtë sakrificë sublime. Pasi dëgjuan kërkesat e tyre, të katërt deputetët premtuan se do të kërkojnë në sallën e Kuvendit që kjo çështje të marrë sa më shpejtë zgjidhje, pasi shurdhëria e qeverisë përballë këtyre kërkesave është e pafalshme.

Qemal Minxhozi përpara mediave u shpreh:

“Minatorët kanë qënë iniciatorët e parë të prurjes së demokracisë në Shqipëri, të cilët sot ndihen të zhgënjyer, tradhtuar dhe përbuzur. Është e pafalshme, që në ditën e 14-të të grevës së urisë, asnjë qeveritar, asnjë deputet i mazhorancës të mos vijë t'i vizitojë, të bisedojë për të gjetur urat e bashkëpunimit. Faktet flasin vetë, këta njerëz luftojnë, jo për interesin e tyre personal, por për interesin e një mase të gjerë minatorësh, që për dekada me radhë, kanë derdhur djersë, e cila nuk po përfillet.

Sekretari i sindikatës, falënderoi grupin e deputetëve socialist për mbështetjen morale që po ju japin në këto momente, duke shtuar:

“Kjo është sindikata e krijuar në janar 1991, në janarin e ftohtë të atij viti, por që më mbrapa u përdorë politikisht. Gjithë sindikatat u shkatërruan dhe neve na lindi e drejta, që përpara një viti e gjysmë, të mblidhemi prapë dhe ta krijojmë sindikatën nga e para, duke thënë dhe duke pretenduar me krenari që jemi përbërës të demokracisë shqiptare. Te greva jonë më tepër ka ardhur opozita se sa mazhoranca, e cila nuk është dukur fare. I bëj thirrje qeverisë, që duke u mbështetur në ligjin 78 dhe 82 paragrafi i parë i Kushtetutës, që trajtohen punët e vështira, ku hyjmë edhe ne minatorët e grupit A, ta zbatojë atë, sepse sot është dita e 14-të, ku shëndeti i këtyre grevistëve është tejet e rënduar dhe alarmant. Qeveria të vij dhe të ulet në bisedime, qoftë edhe teknikisht. E përsëris, ne jemi mbështetur nga opozita, e cila duhet të kërkojë që problemi ynë të futet në Parlament.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm