Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Grupi parlamentar do vazhdoje te kerkoje ne Kuvend te drejtat e grevisteve te Tragjedise se Gerdecit

Të reja

Grupi parlamentar do vazhdoje te kerkoje ne Kuvend te drejtat e grevisteve te Tragjedise se Gerdecit

09 Jun 2008    
Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj dhe sekretari i grupit kuvendor, Musa Ulqini, në emër të Partisë Socialiste, vizituan në shenjë solidariteti 7 grevistët e urisë, të strehuar një apartament në Vorë. Të mbetur pa punë pas tragjedisë në fabrikën e predhave në Gërdec, pa shtëpi, dhe pa asnjë lloj të ardhure, grevistët, me një moshë shumë të re, prej 4 ditësh, po bëjnë një sakrificë sublime, në përpjekje për të arritur plotësimin e kërkesave të tyre.

Por, për hir të së vërtetës, askush nga përfaqësuesit e shtetit, nuk i ka vizituar ata gjatë këtyre ditëve, madje, kanë patur edhe presione nga policia për të dalë nga greva.

Të 7 grevistët, i falenderuan nga zemra të 3 deputetët socialist për mbështetjen e tyre morale dhe sidomos për nismën që kanë ndërrmarrë në Parlament, duke u shprehur, se janë të gatshëm të vetflijohen, sepse nuk kanë më asnjë të ardhur në familje. Deputetët socialist, Ruçi, Leskaj dhe Ulqini, garantuan grevistët e urisë, se do të vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre në Parlament, derisa të plotësohen kërkesat e tyre minimale për dëmshpërblim, që erdhën si rrjedhojë e një krimi shtetëror.

Leskaj: Të drejtat tuaja do të vazhdojmë t'i kërkojmë në Parlament

Ne si Grup Parlamentar i Partisë Socialiste, i kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë në Kuvend të drejtat tuaja, sepse janë të drejta që u janë marrë dhe jo privilegje që kërkoni. Na vjen keq që arrini në këtë ditë dhe që ju shohim në këtë gjendje. Për mua është një emocion i madh edhe si nënë, që fëmijë të shtrirë këtu nga një hall shumë i madh, si rrjedhojë e një krimi shtetëror. Kemi paraqitur dhe po presim në Parlament, projektin për sa i takon kompesimit të anës materiale, por edhe dëme të tjera, si pagesa për dëmtime fizike, pagesën për humbjen nga vendi i punës, pagesën për invaliditet për ata që kanë nevojë për të, pagesën për kohën e humbur nga mosnjohja e periudhës së punës nga sigurimet shoqërore dhe të gjitha të drejtat që ju takojnë, sepse ju jeni viktima të një krimi shtetëror dhe këto kosto nuk duhet ta paguajë populli i Gërdecit, por shkaktarët e krimit. Është humane, njerëzore dhe prezenca jonë këtu do të vazhdoj, teksa do ta ngremë zërin edhe në Parlament, siç kemi bërë deri tani, madje, edhe më shumë në rast se qeveria nuk plotëson kushtet tuaja.

Ne do të vazhdojmë me nismën e dytë që e kemi lançuar që më 16 prill, që e përsërita edhe sot, pra me të gjitha kompensimet dhe të drejtat e tjera që ju takojnë të gjithë atyre që kanë punuar në Gërdec, të gjithë familjarëve që kanë humbur jetën në Gërdec, të gjithë atyre që kanë jetuar rreth e rrotull dhe vazhdojnë të kenë pasojat e kësaj tragjedie të madhe. Ajo lidhet me pagat, pensionet, çështje të invaliditetit, për të cilat këta po bëjnë edhe një sakrificë sublime, duke qënë në emër të komunitetit dhe atyre që po vuajnë pasojat. Që sot, do t'i kërkojmë në Parlament kërkesat, derisa të plotësohen.

Ruci: Ju nuk duhet të trajtoheni si kundërshtar të qeverisë

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është tepër i shqetësuar dhe ky shqetësim nuk është sot, as për ju dhe ata që ju mbështetin jashtë. Këtë shqetësim opozita shqiptare dhe Partia Socialiste, e ka patur që ditën që ndodhi dhe me këtë ngjarje tragjike nuk bërëm politikë, nuk deshëm kredo politike. Por, përkundrazi, si njerëz jetuam me këtë fatkeqësi, përcollëm ata fatkeq, ju gjendëm të gjithë atyre që ishin në spitale, nuk hapëm asnjë pushtet politik me pushtetarët dhe zhvilluam një mbledhje të Asamblesë Kombëtare këtu në Vorë, për të jetuar dhe për të bërë një zgjidhje sa më institucionale, halleve dhe problemeve, shqetësimeve tuaja. Ato nuk janë të majta, të djathta, por vetëm njerëzore. Kjo qe arsyeja që grupi parlamentar ndërmori një nisëm parlamentare. Sepse kjo tragjedi nuk mund të zgjidhet me deklarata politike, as të maxhorancës, as të minorancës. Ideja e kësaj nisme, është që me një ligj nga Parlamenti shqiptar, të zgjidhen të gjitha hallet, problemet dhe shqetësimet, të cilat duhet të përballohen 100 % nga shteti. Deri më sot, ka patur deklarata poltike, që post-Gërdeci është administruar në mënyrë të shkëlqyer, por prania juaj e këtu sot, e atyre që nuk janë, e atyre që janë në kovalishencë, deklaratat që ata bëjnë, tregojnë se nuk është e vërtetë ato që janë thënë nga qeveria. Ne si opozitë, kemi fjalën tonë, kemi mbështetjen tonë për ju, për ata që kanë humbur shtëpitë e mbi të gjitha njerëzit, për ata që janë aksidentuar e sakatuar dhe do të vazhdojmë, që qysh sot e në vazhdim, ku asnjëherë nuk e kemi ndërprerë veprimin tonë, do të vazhdojmë të kërkojmë në parlament, që qeveria aktuale të mos bëj shurdhin, të mos bëj memecin apo qorrin. Vendimet e saj duhet të jenë, syri, veshi, mendja, zemra, halli, problemi dhe shqetësimi juaj. Ne këtë kemi në dorë dhe këtë nuk do ta kursejmë, duke e bërë në rrugë institucionale dhe demokratike. Ju përshëndesim për qëndrimin tuaj shumë civil e qytetar dhe nga ana tjetër, ashtu sikurse nuk pajtohemi me miopi që dikush qoftë presioni i policisë, apo civil, përfaqësues të pushtetit vendor, apo përfaqësuesi juaj në parlament, apo maxhoranca, nuk duhet t'ju trajtojë ju si kundërshtar, por ta përcaktoj veten si pjestar të hallit tuaj, duke i zgjidhur ato. Kjo është arsyeja që ne jemi sot të pranishëm këtu dhe angazhohemi se do të jeni tërësisht në vëmendjen tonë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm