Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Hapja e negociatave të anëtarësimit midis BE-së dhe Shqipërisë, fillim i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit

Të reja

Hapja e negociatave të anëtarësimit midis BE-së dhe Shqipërisë, fillim i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit

24 May 2018    

Fjala e sotme në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla: 

Ju falenderoj,

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kemi depozituar për miratim Rezolutën për Rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

Do të kishim dashur shumë, që në frymën e ligjit për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, në frymën e Kushtetutës së vendit, të kishim pasur mundësinë që këtë Rezolutë ta miratonim së bashku me opozitën, megjithatë detyra jonë është që Kuvendi i Shqipërisë, ashtu siç është i ngarkuar me ligj, ta miratojë këtë projekt-rezolutë në seancën e sotme.

Në respekt të mbështetjes së gjerë popullore për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke ri-afirmuar se objektivi strategjik i Republikës së Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian;

duke ri-afirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për të respektuar vlerat mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Europian, si dhe vendosmërinë tonë për zhvillimin e një shoqërie demokratike bazuar në sundimin e ligjit, respektin për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe parimet e ekonomisë së tregut;

duke theksuar vendosmërinë tonë për konsolidimin e një kuadri ligjor tërësisht të përputhur me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe të një administrate publike eficiente për zbatimin e këtij legjislacioni;

duke vlerësuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se bashkëpunimi rajonal është pjesë e pandarë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

duke nënvizuar rëndësinë gjeopolitike të procesit të zgjerimit, si për shtetet kandidate apo ato kandidate potenciale, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian; duke vlerësuar mbështetjen që Bashkimi Europian ka dhënë për Shqipërinë në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e saj ekonomiko-social, me bindjen se përparimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit bazohet tërësisht në meritë në përputhje me reformat dhe arritjet konkrete;

duke besuar plotësisht se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të kontribuojë në zhvillimin e gjithanshëm të Republikës së Shqipërisë në forcimin e sigurisë kombëtare, në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë;

duke marrë në konsideratë zbatimin e mirë dhe të qëndrueshëm të marrëveshjes së stabilizim-asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe komuniteteve europiane dhe shteteve të tyre anëtare;

duke marrë në konsideratë përparimin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e rekomandimeve kyçe të Komisionit Europian; duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave si konfirmim përparimi të bërë nga Republika e Shqipërisë;

duke marrë në konsideratë se rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave të anëtarësimit është një nxitje për të përshpejtuar reformat e gjithanshme dhe në veçanti Reformën në Drejtësi;

duke marrë parasysh rekomandimet e Komitetit ndër-parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-BE; duke marrë në konsideratë reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian si: Reforma në Drejtësi dhe reforma të tjera për konsolidimin e  funksionimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut;

duke marrë në konsideratë faktin që dialogu politik i realizuar nëpërmjet gjithëpërfshirjes dhe transparencës është elementi kyç për përparimin e Shqipërisë në procesin e Integrimit europian, sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shprehet me këtë deklaratë:

Mirëpresim Raportin e Komisionit Europian të vitit 2018 për progresin dhe shkallën e përgatitjes për anëtarësim të arritur nga Shqipëria. Vlerësojmë rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si njohje e qartë e arritjeve të Shqipërisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, specifikisht me Reformën në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Reformën në Administratën Publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

I bëjmë thirrje njëzëri vendeve anëtare të Bashkimit Europian të marrin vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si fillim i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit, me vetëdije se kjo do të jetë një rrugë e vështirë dhe e gjatë, porse hapja e negociatave do t’i japi shpresë këtij rrugëtimi.

Shprehim vullnetin tonë të plotë për të ecur në rrugën e nisur të reformave në frymën e mirëkuptimit partiak dhe në bashkëpunimin e plotë me shoqërinë civile.

Theksojmë se angazhimi i qëndrueshëm për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, përbën përparësinë kryesore të punës së Kuvendit të Shqipërisë, të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera.

Angazhohemi të shqyrtojmë me prioritet projekt-ligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian apo kanë rëndësi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 I kërkojmë qeverisë të thellojë dhe të përshpejtojë ritmin e reformave të ndërmarra, veçanërisht të reformave që lidhen me sundimin e ligjit.

 I bëjmë thirrje Qeverisë që rekomandimet e paketës së zgjerimit të vitit 2018 të shërbejnë si udhëzues në përpjekjet për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 Angazhohemi që të përdorim çdo instrument të diplomacisë parlamentare në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 Angazhohemi që të zhvillojmë me forcë edhe më tej aktivitetin e Këshillit Kombëtar për integrimin europian, të cilin ia kemi besuar opozitës, për rritjen e transparencës në procesin e integrimit europian nëpërmjet gjithëpërfshirjes së aktorëve pjesëmarrës.

 I kërkojmë Qeverisë shqiptare që të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të zgjerojë pjesëmarrjen në nismat rajonale.

 I kërkojmë Qeverisë që të zgjerojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit, duke përmirësuar hartimin dhe zbatimin e projekteve të ndërlidhshmërisë.

 Kjo është Rezoluta, të cilën do të ftoja ta votonin të gjithë anëtarët e Kuvendit! Do kisha dashur shumë, edhe një herë, që këtë Rezolutë ta votonin edhe deputetët e opozitës, megjithatë detyra jonë është që këtë proces ta çojmë përpara!

 Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm