Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Harasani: Kryeministri te tregoje te verteten cfare po ndodh me nivelin e jeteses se shqiptareve

Të reja

Harasani: Kryeministri te tregoje te verteten cfare po ndodh me nivelin e jeteses se shqiptareve

04 Jul 2008    
Kryeministri ynë që mbeti me gërshërë në dorë si rrobaqepës province do të bënte mirë që përpara se të njoftonte rritjen e pagave, të sqaronte se çfarë po ndodh në të vërtetë me nivelin e jetesës së shoqërisë shqiptare. Me një inflacion të hapur të deklaruar në masën 4 përqind, por që në të vërtetë i ka kapërcyer edhe dy-tre pikë të tjera dhe është pothuaj në nivelin e 7 përqindshit e ndoshta diçka më shumë, kjo rritje page, është në fakt vetëm një indeksim i tyre.

Është bërë tashmë një ritual i rëndë dhe qesharak, që fare pak metra nga vendi ku ngriheshin dikur tribunat e parakalimit të 1 majit, kryeministri ynë, i vetmi ish-komunist në pushtet në Evropë, flet e flet në të njëjtën mënyrë që flisnin dikur etërit e tij shpirtërorë dhe ideologjikë. Nga poltroni i tij në sallën e mbledhjes së qeverisë, zoti Berisha që ende nuk ka kuptuar se është vetëm administrator i parave publike, u soll sërish si pronar i tyre.

Qoka e tij e rradhës ishte falja e kamatë vonesave të faturave të energjisë elektrike dhe rritja e pagave. Nuk do shumë mend se në rastin e parë, kryeministri bën demagogji, e cila në vështrim të fundit është dhe njëherë një tjetër barrë që i hidhet në kurriz qytetarit të ndershëm të cilit i thuhet: ti do të vazhdosh të paguash, sepse kush vjedh energji, kush nuk e paguan atë, do të ketë amnisti. Ti do të paguash edhe për atë që nuk paguan.

Kryeministri ynë që mbeti me gërshërë në dorë si rrobaqepës province do të bënte mirë që përpara se të njoftonte rritjen e pagave, të sqaronte se çfarë po ndodh në të vërtetë me nivelin e jetesës së shoqërisë shqiptare. Me një inflacion të hapur të deklaruar në masën 4 për qind, por që në të vërtetë i ka kapërcyer edhe dy-tre pikë të tjera dhe është pothuaj në nivelin e 7 për qindshit e ndoshta diçka më shumë, kjo rritje page, është në fakt vetëm një indeksim i tyre. Eshtë thjesht një përpjekje e dëshpëruar dhe pa frut për të ndjekur pas rritjen galopante të çmimeve, duke nisur që nga energjia elektrike e deri tek artikujt bazë të ushqimit të përditshëm.

Nëse Berisha do të lëshonte nga dora gërshërën e tij iluzive dhe do të merrte torbën që të bënte pazar, do të shihte se sa janë rritur çmimet që nga speci e preshi, e deri tek sheqeri dhe vaji. Do të shihte se qindarkat që ai shton në xhepa, rrëmbehen sa nga fatura e energjisë që e paguan vetëm qytetari i ndershëm, e deri tek karburanti. Në këtë mënyrë, do të kishte mundësi ndoshta edhe të kryqëzohej rrugës me minatorët e Valiasit dhe ata të Bulqizës, qoftë dhe me punonjës të tjerë në skaje të tjera të Shqipërisë apo edhe brenda në Tiranë e në Gërdec, të cilët urinë nuk po e provojnë për shkak të grevës së tyre, por si një mjet të imponuar nga realiteti i trishtuar ekonomik që po jeton vendi. Ai nuk mbajti as premtimin për fiksuar pensionin minimal të minatorëve, nuk dëgjoi as propozimin e Partisë Socialiste në këtë drejtim thjesht nga urrejtja e verbër që ai ka për të varfërit dhe të munduarit.

Cilido prej tyre ndoshta do t´i mësonte pak matematikë ekonomike kryeministrit tonë edhe ish-komunist, edhe demagog, se në 86 milionë eurot e deklaruara si fitim nga firmat që ndërtojnë rrugën Durrës - Kukës, të paktën 50 milionë të tilla janë vjedhje e pastër. Sepse norma e fitimit është e standartizuar në masën deri në 15 për qind, kurse në këtë rast ajo e ka kapërcyer vlerën e mbi 70 për qindshit.

Matematika e thjeshtë do ta bënte atë të kuptonte se sa rrugë të tjera nacionale e rurale do të mund të ndërtoheshin me këto para të grabitura nga shqiptarët , sa shkolla, kopshte, ujësjellësa, sa kafshata bukë do të ushqenin të uriturit që nga Tropoja e deri në Konispol apo dhe sa do të mund të rriteshin pagat e pensionet. Do ta bënte të kuptonte se më shumë se për kafshatën iluzive të atomit me të cilën ai kërkon të ushqejë shqiptarët, ata kanë nevojë për bukë në kuptimin konkret të kësaj fjale.

Matematika e thjeshtë do ta bënte të mësonte se në kushtet kur energjia elektrike është rritur deri në 35 për qind, rritja që ai propozon dhe nuk e kalon nivelin e 15 për qindshit dhe nuk do të mjaftonte as për të paguar këtë mall që për më tepër vazhdon të mungojë për qytetarin dhe bizneset.

Tre vjetet e mandatit të kësaj qeverie ishin të mjaftueshëm për të kuptuar të gjithë shqiptarët sesa e paaftë është kjo qeveri. Sa kapacitete të munguara ka ajo për të krijuar politika të sakta ekonomike, sa pak ndryshon ajo nga ai realitet që komunistët e dikurshëm shqiptarë i dhanë gjithë shoqërisë shqiptare.

Hipokrizia edhe kësaj rradhe ka një emër konkret dhe ky është emri i kësaj maxhorance, ka dhe një fytyrë të qartë dhe kjo është gjithashtu fytyra e kësaj maxhorance.

Vetëm të vërbërit nuk duan të shohin dhe shurdhërit nuk duan të dëgjojnë se në Shqipëri po troket kriza ekonomike, se të varfërit po bëhen më të varfër dhe të pasurit po bëhen më të trembur e më vulnerabël ndaj politikës.

Përveç një grushti besnikësh, përveç atyre segmenteve të pushtetit okult fare pranë majës së piramidës qeverisëse të cilët natyrisht po bëhen edhe më të pasur. Dhe këta të fundit janë eskluzivisht pjestarë të familjes biologjike të kryeministrit ose të familjes së tij fare të ngushtë politike. Që përveçse të vjedhin, edhe të vrasin, që kur nuk të vrasin, dëshmojnë me mendjelehtësi mënyrën sesi të vjedhin edhe nëpërmjet internetit. Shqiptarët mësuan dhe njëherë se mosha e internetit të vendit, është në fakt vetëm mjeti tjetër për të treguar sesi e bija e kryeministrit i tregon me arrogancë të gjithë shoqërisë se falë emrin dhe hijes së të atit, mund të bëjë gjithçka do në këtë vend.

Ka një milion e një arsye se pse Berisha dhe kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë nga vendi. Ka gjithashtu dhe një arsye të madhe që ky njeri i paaftë të ikë; mbas çdo pjate supë të munguar në tryezat e shqiptarëve, pas çdo kafshate më pak në këto tryeza, ata mund të shohin paratë që përfundojnë në pak duar dhe numurohen në tryezën e kryeministrit të tyre gënjeshtar dhe të paaftë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm