Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Jemi të vendosur që të garantojmë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët!

Të reja

Jemi të vendosur që të garantojmë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët!

24 Apr 2019    

Fjala për gazetarët e zëdhënëses së Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali:

Jemi mbledhur si Kryesi e Partisë Socialiste dhe kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 Qershorit, qark më qark, bashki më bashki, zonë më zonë, lagje më lagje, njësi më njësi, sepse jemi të vendosur që të garantojmë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët.


Znj. Spiropali, a ka një ndryshim strategjie nga fakti që tashmë ju nuk do të keni më si kundërshtar opozitën? Mendoni se këto zgjedhje do të jenë njësoj, a jeni të frikësuar nga paralajmërimi i tyre, të cilët kanë thënë se do të pamundësojnë zgjedhjet dhe këto zgjedhje do jenë me shumë tensione? Çfarë masash do të merrni?


E para, ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën. Ata nuk janë opozita e vendit, por janë disa parti politike që kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në sistem. Nuk ka qenë zgjedhja jonë, nuk ka qenë kërkesa jonë, në fakt nuk është as dëshira jonë që Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim të mos jenë pjesë e procesit zgjedhor. Atë vendim e kanë ndërmarrë prej frikës dhe prej arsyes së tyre dhe jo për arsyet tona.

Arsyeja jonë dhe arsyeja e të gjithë shqiptarëve përket me interesin e përgjithshëm që është: shqiptarët të kenë zgjedhje në 30 Qershor për krerët e bashkive.


Znj. Spiropali, për partitë të cilat kanë krijuar një front të tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje, a ka hapësirë për një ri-negocim për të qenë dhe ato pjesë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.


Ne nuk jemi këtu për të negociuar, ne nuk jemi këtu për datën e zgjedhjeve, sepse këto janë çështje kushtetuese. Ne jemi një forcë politike që i përgjigjemi kësaj thirrje për t’u zgjedhur.
Në dijeninë tonë janë rreth 42 parti politike që janë regjistruar në zgjedhje. Shumë prej këtyre partive do jenë në koalicion me ne, do të jenë në koalicionin përballë, do të zgjedhin të kenë kandidatët e tyre në këto zgjedhje dhe ne do i përgjigjemi kësaj thirrje.


Për t’ju kthyer pyetjes suaj për frikën e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dua t’u bëj me dije se ne nuk do marrim pjesë në luftë, ne do të marrim pjesë në zgjedhje. Ne shpresojmë që asnjë forcë politike apo asnjë drejtues i ndonjë partie politike nuk e ka lënë mendja që të ndalojë shqiptarët të votojnë apo të përmbysë rendin kushtetues duke ua hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar.
Çdo akt dhune është i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen që meriton.


Znj.Spiropali ju thoni që nuk do të marrin pjesë disa parti, por kujtojmë që Partia Demokratike ka një numër të konsiderueshëm zgjedhësish në vendin tonë dhe është hera e parë që kjo forcë politike nuk futet në zgjedhje. A është e moralshme kjo?


Nuk është e moralshme fare. Është një turp që Partia Demokratike ka zgjedhur që t’i lërë në rrugë zgjedhësit e saj duke djegur mandatet dhe duke mos u futur në zgjedhje. 
Është ndoshta hera e parë në botë, nuk ka ndodhur asnjëherë që disa parti politike të mblidhen dhe të vendosin të mos hyjnë në zgjedhje dhe këtë ta konsiderojnë një fitore.
Pra, jam shumë dakord me ju, keqardhje e madhe dhe turp për ato parti që kanë marrë këtë vendim për të lënë në rrugë votuesit e tyre.


Kur do të publikohet lista me 61 kandidatët e Partisë Socialiste?

Ne jemi duke punuar, sot ishte mbledhja e Kryesisë, pra filloi puna për organizimin në territor. Shumë shpejt, në bazë të afateve që jep edhe Kodi, ne do të përcaktojmë koalicionet dhe do të  nxjerrim edhe kandidatët. Afati i fundit në dijeninë time është 13 maji.

Çfarë risie do të ofrojnë kandidatët e Partisë Socialiste?

Ne do të bëjmë përzgjedhjet më të mira. Kemi një shumësi zgjedhjesh. Do zgjedhim në bazë të kontributit që kanë dhënë dhe votave që sjellin në Partinë Socialiste, CV-të e tyre të pastra, etj.  Do t’u ofrojmë shqiptarëve zgjedhjet më të mira për bashkitë.


Do kandidoni emra që kanë më shumë se tre mandate në krye të bashkive?
Kjo është çështje për t’u diskutuar në Asamblenë dhe Kryesinë e Partisë Socialiste.

Nesër opozita do të bllokojë disa nga akset rrugore të vendit. Ju si e gjykoni, a mendoni se kjo do ta tensionojë më shumë klimën politike në vend?

Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të opozitës për të tensionuar gjendjen në vend, për të sjellë destabilitet dhe për ta kthyer Shqipërinë shumë pas. 
Ne jemi të vendosur ta çojmë Shqipërinë përpara dhe nuk do të çedojmë në asnjë moment për ta bërë këtë, duke vendosur ligj, duke garantuar siguri për qytetarët dhe duke garantuar në fund edhe një proces zgjedhor që e çon Shqipërinë më pranë standardeve Evropiane.

Një proces që në fund do të ketë 10% votues, do të njihen zgjedhjet?

Ne do të hyjmë në zgjedhje, gjithçka tjetër si pjesëmarrja, kontributi i qytetarëve do të varen nga oferta politike, të cilën ne jemi të vendosur ta japim maksimale dhe t’i garantojmë atyre zgjedhjet më të mira.
Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm