Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ju mbytën në gënjeshtra, mbytini me vota kundër

Të reja

Ju mbytën në gënjeshtra, mbytini me vota kundër

30 Apr 2011    

Kreu i opozitës që në orët e para të ditës së sotme ka qenë në qytetin e Gramshit. Mes mijra banorëve të këtij qyteti Edi Rama tha se është në dijeni të shpërndarjes së parave dhe thasëve të miellit në këmbim të votës. Porosia e kreut të PS për këtë fenomen ka qenë “Merruani, janë paratë tuaja! Votën investojeni për të ardhmen tuaj. Të ardhmen tuaj mos ua shisni kusarëve”.  


Në këtë takim elektoral Edi Rama rikujtoi ceremoninë e gënjeshtërt të zhvilluar në 2009 për gjoja ndërtimin e një hidrocentrali ku do të punësoheshin me mijëra gramshiotë. Por siç do premtim edhe ky i Saliut rezultoi një gënjeshtër e madhe: “Ju e mbani mend mirë të dashur miq kur Saliu ngriti një podium diku këtu dhe premtoi një hidrocentral me mijëra vende pune. E pastaj bashkë me podiumin dhe me Saliun iku edhe hidrocentrali. E asnjë vend pune nuk u hap, përkundrazi mbeti në vend të podiumit të Saliut gropa e madhe e një gënjeshtre si mijëra e miliona gënjeshtra që Saliu shpërndan si tym në të gjithë Shqipërinë. Sepse mendon që sa më të varfër e sa më të papunë të jenë njerëzit aq më shumë i besojnë gënjeshtrat. E sa më të mëdha të jenë gënjeshtrat aq më shumë njerëzit hutohen e venë mbas berihait. Po në 8 maj qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi do të tregojnë me fuqinë e votës së tyre se janë të neveritur nga kjo politikë e mbrapshtë, e vjetër dhe e pabesë gënjeshtrash, shpifjesh e mbi të gjitha kusarish e matrapazllëqesh të patolerueshme.
Mesazhi i Edi Ramës ka qenë i drejtpërdrejtë: “Kanë kaq vite që ju mbysin në gënjeshtra e është koha që t’i mbysni me vota.”
Duke folur për modelet e suksesshme të Aleancës për të ardhmen, Rama tha se Saliu nuk ka asnjë model suksesi për të treguar, ndaj i ka mbetur veç të kërcënojë  me bukën e gojës në këmbim të votës:
“Shihni qytetet dhe fshatrat e qeverisura nga Saliu. Shihni se ç' ka bërë Saliu i Gramshit këtu në këto vite. Mirë që nuk ka bërë asgjë për Gramshin, por më keq akoma ka vepruar këtu në kurriz të këtij populli si një bajraktar për të kallur frikën, për të kërcënuar mësues, për të kërcënuar nëpunës, për t’i mbajtur njerëzit lidhur pas varfërisë e pas  papunësisë duke i ndarë në blu e në rozë, në tanët dhe në të atyre, me ne ose kundër nesh. Në atë rrugë qorre,  në atë rrugë të verbër pashpirtësie, mllefi e ndasie ku Saliu e ka futur këtë shoqëri dhe nga e cila kjo shoqëri do të dalë duke filluar nga 8 maji, për të vetmen rrugë, për rrugën që i bashkon njerëzit. Që i bashkon shqiptarët duke vënë mbi flamujt e partive, flamurin kuq e zi të Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të heronjve të luftës. Të të gjithë atyre që dhanë çfarë mundën për të na e lënë pas si amanetin e tyre këtë pasuri të përbashkët që quhet Shqipëri. Të cilën ne kemi misionin të shpëtojmë nga kthetrat e një regjimi kusarie e matrapazllëku.”
 


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm