Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ka ardhur momenti ti drejtohemi ODIHR për të na dhënë një opinion mbi propozimet për Reformën Zgjedhore

Të reja

Ka ardhur momenti ti drejtohemi ODIHR për të na dhënë një opinion mbi propozimet për Reformën Zgjedhore

09 Mar 2020    

Prononcimi për media i bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore z.Damian Gjiknuri, në përfundim të tryezës së sotme politike të Reformës Zgjedhore:


 Gjiknuri: Në takimin e sotëm diskutuam mbi dy çështje. Së pari, propozimi që kishin palët në tryezë në lidhje me sistemin zgjedhor dhe çështja e dytë ajo që ka të bëjë me administrimin zgjedhor. Për çështjet e sistemit, u paraqitën nga znj. Hajdari disa opsione që kanë qenë të paraqitura edhe në Kuvend. PD nuk paraqiti ndonjë propozim për sistemin zgjedhor. Ashtu siç dhe ramë dakord, meqenëse çështja e sistemit është një çështje e hapur dhe që mund të kërkojë potencialisht prekje të Kushtetutës, u kërkuam ekspertëve një mendim që sistemet e propozuara prekin Kushtetutën apo jo? Nëse e prekin, shkohet pastaj tek qasja e dytë se si do të vazhdohet nëse do të kemi dakordësi për adresimin e sistemit në Kushtetutë. Për sa i përket propozimeve të PD në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, dua të them që ishte një opsion, i cili nuk çonte në departizimin dhe depolitizim, siç ka qenë rekomandimi i kahershëm i ODIHR. Ju e dini se ODIHR nënvizon se zgjedhjet në Shqipëri nuk duhet të menaxhohen më nga partitë.  Propozimi i bërë nga PD, përkundrazi është një sistem i përforcuar i përfaqësimit politik, por që fut ndonjë element të administrimit teknik pa vendimmarrje, do të thotë që vendimmarrjet kryesore prapë i kanë përfaqësuesit politikë. Ne mendojmë që ka ardhur momenti dhe meqenëse ka pasur edhe një draft të përgatitur nga ekspertë teknikë të komisionit, ekspertiza e ODIHR të japë një opinion në lidhje me këto propozime. Pra, ODIHR të thotë se cili prej këtyre propozimeve është më afër adresimit të rekomandimit të kahershëm që është depolizitim dhe departizim i procesit zgjedhor. Ka një element që është bazë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe që përgjithësisht, potencialisht ka qenë problemi kryesor: militantizimi dhe futja dorë e partive në procesin zgjedhor. Si? Nëpërmjet emërimeve, detyrimit të komisioneve, tërheqjes së komisionerëve dhe shumë elementë të tjerë që fatkeqësisht prishin procesin zgjedhor. Ne kërkojmë që partitë të heqin duart nga zgjedhjet, gjithçka të jetë një proces transparent, teknik, i rastësishëm dhe nga njerëz të trajnuar që mbajnë përgjegjësi ligjore. Pikërisht ky ka qenë qëndrimi ynë.


 Pyetje: Zonja Hajdari propozoi ndryshim të sistemit zgjedhor. A e mbështesni ju ndryshimin?
 

 Gjiknuri: PS është e hapur të diskutojë për sistemin. Ne nuk kemi dalë në një opsion tonin, qëndrimi ynë ka qenë që sistemi aktual nuk është i keq, por nëse ka, (sepse kjo do një dakordësi të madhe) nëse do të krijohet një komision mbase edhe i reformës kushtetuese, për sa i përket çështjeve të sistemit zgjedhor,  patjetër që ne do të hulumtojmë propozimet dhe do të dalim edhe ne me opsionet tona. Por, çështja e sistemit është një çështje që kërkon më shumë konsultime dhe do një fizibilitet më të qartë se çfarë synojmë.


 Pyetje: Zoti Gjiknuri këto nuk janë propozime të reja, ju keni patur në tryezë edhe më herët.  ga 4 variantet që janë paraqitur edhe sot, ka një opsion që është më afër gjykimit tuaj për sa i përket sistemit zgjedhor? 


 Gjiknuri: Unë e kam thënë që nëse ka patur ndonjë (dhe ky është gjykim personal), PS mund të ketë qenë për opsionin e heqjes së koalicioneve, mund të jetë një opsion. Por, pse duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos ta marrim të mirëqenë këtë? E para, sepse unë dua të jemi në konsensus edhe me PD edhe me opozitën. Nuk mund të marr vetëm një element, vetëm njërën palë dhe mos të dëgjoj palën tjetër. Pra, nëse ka dakordësi edhe nga opozita jashtëparlamentare, që dhe ajo përfaqëson patjetër diçka dhe prandaj jemi në tryezë, atëherë edhe ne mund të dalim me propozimet tona, që mund të ishte edhe kjo. Po e them që personalisht kam qenë partizan i idesë që të mos ketë më koalicione para zgjedhore, por gjithçka të vendoset nga zgjedhësit dhe pas zgjedhjeve të vendoset koalicioni qeverisës, sipas votave që ka marrë secili subjekt.


 Pyetje: Z.Gjiknuri është dakord PS me një propozim të bërë së fundi nga Lulzim Basha për krijimin e një Senati? 


 Gjiknuri: Në tavolinë nuk erdhi ndonjë propozim nga z.Basha. Siç duket, z.Basha e ka vizion qeverisës atë dhe kjo mund të jetë një opsion, që të dalë para shqiptarëve me një nga formulat për tu kërkuar votën dhe me një projeksion të ri të ndërtimit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, çështjet e Dhomave janë trajtuar edhe në vitin 1998 kur është bërë debati mbi çështjen e Reformës Kushtetuese. Unë frenohem të jap mendim lidhur me këtë; çdo parti ka të drejtën të paraqesë vizionin e saj për shtetin dhe ti drejtohet elektoratit shqiptar.  Përpos asaj mund ti drejtohet nesër, me një referendum nëse vërtetë partia fiton, propozon ndryshimet kushtetuese dhe mund ti drejtohet edhe shumicës në një të ardhme të afërt apo të largët sipas rezultateve të zgjedhjeve.


 Pyetje: Z.Gjiknuri cili është opinion juaj për përbërjen e komisionerëve qoftë në qendrat e votimit apo dhe në KZAZ, sikundër propozimet e demokratëve nuk ju duken të arsyeshme? Cila do të ishte formula? 


 Gjiknuri: Formula që kanë paraqitur ekspertët teknik të komisionit është formulë shumë e mirë. Pse? Është formulë e hapur, e balancuar  dhe që përbëhet jo vetëm nga zyrtarë shtetëror siç thuhet, por përbëhet nga çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili aplikon. Pra, ka kritere minimale që të ketë arsim të lartë apo të jetë student në vitin e fundit të shkollës, ka të drejtë aplikojë për komisioner zgjedhor dhe e drejta e tij është e përmbushur automatikisht. Do të thotë që përzgjidhen nga KQZ,  të trajnohen, të kalojnë me sukses trajnimin dhe pastaj hidhen në short, këtu nuk kanë më gjë në dorë partitë. Pra, mund të jenë dhe të majtë dhe të djathtë, mund të kenë bindje të caktuara politike sepse shqiptarët kanë bindje politike, ne nuk do ti zhveshim shqiptarët nga bindjet politike. Por, ata emërohen në mënyrë rastësore, përgjigjen para ligjit dhe para KQZ, organeve që i emërojnë dhe nuk përgjigjen përpara partive. Mendoj që kjo e adreson siç duhet çështjen e depolitizimit të vendimmarrjes në komisionet e administrimit zgjedhor. PD solli një version tjetër. Unë mendoj që ka ardhur momenti ti drejtohemi  ODIHR për të na dhënë një opinion, se cili nga këto opsione adreson më mirë rekomandimet e ODIHR ose ndryshe më mirë PD të dalë dhe të thojë që ne duam skemën politike siç është, megjithëse fatkeqësisht janë ankuar se administrimi zgjedhor nuk ka qenë i duhuri.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm