Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kemi punuar me shumë vullnet për ta futur Shqipërinë në rrugën e një transformimi pa kthim

Të reja

Kemi punuar me shumë vullnet për ta futur Shqipërinë në rrugën e një transformimi pa kthim

09 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Dibër:

Shumë faleminderit për këtë pritje entuziaste dhe për mbështetjen e madhe që, duke ardhur këtu, megjithëse ora nuk ishte e përshtatshme dhe temperatura ishte e lartë, ju i jepni Dionisit dhe Lefterit.

Përpara se të vinim këtu ne bëmë një vizitë në kantierin e Rrugës së Arbrit dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që ndryshe nga të gjithë politikanët e tjerë që për vite e vite kanë ardhur këtu para jush dhe sa herë që kanë ardhur për t’ju kërkuar votat ju kanë thënë se do bëjnë Rrugën e Arbrit, unë sot jam këtu dhe ju them që Rruga e Arbrit po bëhet dhe deri në pranverën e vitit 2021 do të jetë ndërtuar tërësisht. Do t’i japë fund këtij izolimi dhjetëra e dhjetëra vjeçar dhe të padrejtë të këtij qarku, duke hapur një perspektivë të jashtëzakonshme për Dibrën, duke afruar jo vetëm kohën e lidhjes me Tiranën, por edhe duke shpalosur përpara të gjithë atyre që nuk jetojnë këtu, bukuritë e jashtëzakonshme dhe të panjohura të të gjithë kësaj zone.

Më lejoni që po këtu dhe duke qenë i bindur se me Dionisin, ne kemi bërë një zgjedhje të duhur për t’i dhënë një shtysë më tutje punëve, dua po ashtu t’i shpreh të gjithë falënderimet dhe mirënjohjen doktorit, Muharremit, për shërbimin qytetar që i bëri gjithë kësaj bashkie dhe këtij komuniteti, duke u vënë në dispozicion. Jam i bindur se mbi atë bazë që është krijuar, ne do të bëjmë shumë më tepër akoma me Dinosin dhe me të gjithë skuadrën.

Natyrisht që unë nuk kam ardhur këtu t’ju them se çfarë mrekullish kemi bërë, se ne s’kemi bërë asnjë mrekulli. Jemi përpjekur me mish e me shpirt që të bëjmë sa më shumë që mundemi. Kemi bërë shumë, po krahasuar me çfarë duhet bërë akoma, kemi bërë ende shumë pak dhe jo gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë shumë mirë, kemi bërë dhe gabime padiskutim, por një gjë është e sigurtë, që kemi punuar me shumë dashuri dhe me shumë vullnet për të bërë më të mirën dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e një transformimi pa kthim.

Prandaj jam i bindur se 30 qershori do të ishte padiskutim dita e një fitoreje absolute me kundërshtarët tanë, por në kushtet kur kundërshtarët tanë janë larguar në drejtim të paditur, ne, në 30 qershor, jo vetëm që do të zgjedhim kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, por me mbështetjen e të gjithëve ju do të vendosim një kufi të qartë, duke ndarë 30 vite që ikën me 30 vitet që vijnë.

Ata ikën nga Parlamenti, i dogjën mandatet që ua dhanë njerëzit për të qenë në Parlament dhe për t’i përfaqësuar duke qenë aty zëri i tyre, për të kundërshtuar, për të reaguar, për të ofruar një alternativë tjetër. Ikën jo për njerëzit, por ikën për hesapin e tyre.

Ikën njësoj siç ikën 2 vjet më parë, kur nuk donin të votonin vettingun dhe u mbyllën të gjithë në çadër si në bunker. Edhe këtë herë ikën, sepse nga njëra anë kishin frikë dhe kanë frikë të madhe që të ballafaqohen me ne në zgjedhje, por nga ana tjetër kanë dhe një hall më të madh, janë të tmerruar që Reforma në Drejtësi, tanimë ka hyrë në rrugën e zbatimit dhe duan të bëjnë çmos që ta fusin vendin në kaos, për të penguar Reformën në Drejtësi dhe për t’iu shmangur ata vetë drejtësisë.

Ju keni dëgjuar njerëz rreth e rrotull, edhe dashamirës që thonë edhe pa të keq, çfarë është i gjithë ky sherr, e ç’është i gjithë ky konflikt, pse të jetojmë me këtë tension, hajde t’i shtyjmë zgjedhjet.  

Në fakt, këtu nuk është çështja të shtyjmë një dasmë. Këtu është çështja se, nëse ne do pranonim të shtynim zgjedhjet, ne do pranonim të hapnim një rrugë pa krye për shumë e shumë vite me radhë, se, nëse ne do pranonim të shpërblenim politikën e shkatërrimit, politikën e kërcënimeve, politikën e molotovëve, politikën e bojkotit, politikën e djegies së mandateve, duke i hapur rrugë një pakice që thotë, “o kështu, o rashë e vdiqa”, atëherë çdo pakicë, edhe nesër, pasnesër dhe më vonë bënte të njëjtën gjë.

Çdo pakicë do çohej do thonte po i bie shkurt, po iki nga Parlamenti dhe po kërkoj tani që të fillojë loja nga e para. Dhe ju e keni parë sesi, për fat të keq, ata, në përpjekjen e tyre të dëshpëruar i kanë bërë dhe Shqipërisë një dëm shumë të madh. Nuk janë kursyer jo vetëm në hedhjen e baltës së përditshme, nga mëngjesi deri pas mesnate, ndaj meje, ndaj nesh, këtu në Shqipëri, por nuk janë kursyer në hedhjen e baltës kudo ku kanë shkuar dhe nuk e kanë kursyer shpërndarjen e baltës në çdo kanal, në çdo ekran, në çdo portal, në çdo gazetë nëpër botë, që kanë pasur mundësi.

Ata kanë menduar dhe mendojnë se politika e propagandës që e shpiku mjeshtri i propagandës së nazizmit, - nëse do popullin tënd të besoji një gënjeshtër, bëje gënjeshtrën sa më të madhe dhe përsërite sa më shumë, - nuk ka pushuar një ditë, me të gjitha fjalët më të zeza të gjuhës shqipe, nuk kanë pushuar një ditë me gjithë akuzat më monstruoze, nuk kanë pushuar një ditë në përpjekje për t’iu futur njerëzve sa më thellë në mendje dhe në shpirt bindjen se ato që thonë ata janë të vërteta.

Më e keqja është që e gjithë kjo përpjekje ka qenë një plan i bërë hap pas hapi, ku nuk është kursyer fare as Shqipëria, edhe pse sot Shqipëria duhet të përfaqësohej nga të gjithë sëbashku, të paktën kur vjen puna tek të folurit me një zë në raport me Europën për çeljen e negociatave dhe brenda këtij plani kanë përfshirë edhe segmente të Prokurorisë. Siç e patë, dosja e famshme që e përsërisin, e përsërisin, e përsërisin si mister, filloi të hapej, por nuk u hap siç hapet një dosje hetimore nga prokurorët për t’u hetuar dhe për t’u nxjerrë para gjyqit dhe për të ndëshkuar fajtorët, por u hap nga partia, pak këtu, pak në Gjermani, që medemek t’u thonë shqiptarëve Gjermania i zbuloi këto, në fakt është nxjerrë sekreti hetimor për t’u përdorur për politikë, për shantazh, për baltosje dhe për çoroditjen e njerëzve dhe jo për të bërë drejtësi. Sepse kështu kanë bërë gjithë jetën e tyre me drejtësinë dhe kështu është drejtësia që duan ata, një mekanizëm për të baltosur kundërshtarët, një mekanizëm për të sulmuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur veten e tyre.

Për shumëkënd papritur e pakujtuar, por jo për mua, jo për ne, doli edhe Presidenti, - kur protesta e tyre doli qartësisht një protestë që po bie, po pakësohet në numër, po pakësohet në energji dhe pikërisht pasi morën një goditje shumë të rëndë, për të ardhur keq për të gjithë ne, jo vetëm për ata, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, ku u trajtuan me emër dhe mbiemër si persona shoqërisht të rrezikshëm dhe ku u paralajmëruan me emër dhe me mbiemër se nuk do hynin më në Shtetet e Bashkuara po të vazhdonin të ushtronin dhunë ndaj një populli të tërë, duke i thënë nuk do lejojmë njeri të shkojë në zgjedhje, - në mes të lojës që ka filluar, mes ndeshjes që ka filluar, mes fushatës që ka filluar, thotë po anuloj zgjedhjet.

Ajo që tha Presidenti vlen po aq sa, sikur të kishte dalë dje e të thoshte, anuloj ndeshjen Islandë – Shqipëri, do ju jap të hënën arsyet pse. Njësoj është. Nuk ka asnjë ndryshim. Ka bërë një akt politik, duke u shfaqur, jo akoma tërësisht se ka akoma, do ta shikoni, por duke u shfaqur si një përfaqësues i lartë madje si lider i opozitës dhe ka vendosur të na vërë të gjithëve në pozitën jashtëzakonisht të sekëlldisshme, sepse unë mendoj se, që nga dje, Ilir Meta nuk e meriton më zyrën ku rri.

Nuk e meriton më titullin më të lartë të gardianit të Kushtetutës, nuk e meriton më titullin dhe figurën më të lartë të shëmbëlltyrës së unitetit kombëtar. Ajo që ka bërë dje, është përçarëse, është konflikt nxitëse, është nga pikëpamja politike një vetëvrasje, nga pikëpamja ligjore një nul, zero akt, njësoj si të kishte thënë anuloj ndeshjen Islandë – Shqipëri dhe nga pikëpamje morale është një turp i pashembullt që do t’i mbetet atij.

T’ju jap një shembull për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe se sa skandaloze është kjo. Ju e mbani mend të gjithë, në 2017-n, ne bëmë një marrëveshje, ku megjithëse u kërkua ehe atëherë nga të gjithë të huajt, nga të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë që të shtyheshin zgjedhjet, përtej afatit kushtetues. Unë thashë jo, gjithçka mund ta negociojmë, Kushtetutën e Shqipërisë nuk e negociojmë, se po i shtymë një herë, do t’i shtyjmë gjithmonë se për fat të keq, në gjithë këto vite, jemi mësuar me hilet përpara rregullave dhe shembullin për të mësuar hilet përpara rregullave e kanë dhënë politikanët. Kështu që dakord marrëveshje, por nuk shtyhet përtej kufirit kushtetues dhe në atë kohë kufiri kushtetues ishte 1 javë.

Ishin në 17, në mos gabohem dhe u shtynë në 25 që ishte fati i fundit. Pasi ne kishim bërë marrëveshjen, pasi marrëveshja ishte publike, presidenti i asaj kohe, - mund të themi çfarë të duam, por në këtë rast kjo është e vërteta, - Bujar Nishani, e kërkoi me shkrim, e kërkoi me firmë, e kërkoi me vulë në një letër të përbashkët, timen dhe të shokut tim që më ka humbur dhe nuk po e kap dot më Lulzim Bashës, që t’i kërkonim presidentit atë shtyrje brenda Kushtetutës si kërkesë konsensuale e forcave politike sepse është detyrimi numër 1, nuk mundet dot kurrë presidenti të vendosë diçka të tillë si shtyrja e zgjedhjeve, pasi e ka deklaruar se kur bëhen zgjedhjet, pa pyetur të tjerët dhe jo më pastaj ta çojë matanë Kushtetutës. Ndërkohë që, ky shoku tjetër imi, - unë nuk e di se ku i kam gjetur këta shokë që më dalin duarsh gjithë kohës, - del dhe bën një skandal duke thënë “anulim loje” se jam i shqetësuar për stabilitetin, - do t’i thotë të gjitha, jua them unë, por nuk kam kohë t’i rreshtoj tani të gjithë fjalët e bukura, - dhe kështu i bie në mëngjes ju thotë atyre para se të dali nga shtëpia, ju sulmoni fort që të digjet e unë pastaj do dal që ta shuaj, ju bëni rrëmujën dhe unë pastaj do dal të shpëtoj Shqipërinë. Nga kush do e shpëtojë Shqipërinë? Nga ata. 

Nga ata, Shqipëria do shpëtojë vetë në 30 qershor dhe është e vërtetë, për fatin e keq të gjithë demokratëve, flas për njerëz të zakonshëm, flas për ata që e kanë votuar Partinë Demokratike, e votojnë Partinë Demokratike, nuk kanë votuar kurrë për Partinë Socialiste, nuk duan ta shohin me sy qeverinë tonë, duan që unë të iki një orë e më parë, është e drejta e atyre, por është fatkeqësia e atyre me këta udhëheqës të falimentuar nga trutë e kokës, me këta njerëz që nuk shohin, me këta njerëz që nuk dëgjojnë, me këta njerëz që nuk kuptojnë dhe që e kanë kthyer Partinë Demokratike, e kanë kthyer opozitën, - se LSI nuk diskutohet se ka qenë e kthyer që kur u bë, - në një ndërmarrje interesash komplet personale. E ndërkohë është ai plaku i madh mbrapa, njësoj si plaku Mere, që të gjithë këta i ka si kokrrat e tespiheve të veta dhe do ta bëjë lak rreth qafës së Shqipërisë.

Mbajeni mend çfarë po ju them, kush e ka parë filmin, t’ia tregojë dhe atyre që janë më të rinj. Njësoj siç u shpërndanë tespihet e plakut Mere do shpërndahen dhe këta pas 30 qershorit, keni për ta parë. Keni për ta parë se ia nxinë jetën këtij vendi, ia nxinë jetën këtij mileti, krimi – krimi, dogra – droga, vetëm zi dhe sa herë patën mundësi të bëjnë diçka, nuk bënë asgjë. Sa herë e morën shtetin në dorë, vetëm shkatërrim. Sa herë kaluan në opozitë, vetëm kërcënime dhe zjarr dhe atëherë kur fituan përsëri, fituan vetëm nga përçarja e socialistëve dhe e progresistëve dhe e mësuan këtë lojë 30 vjet dhe thonë “me të fortë, me zor do tua marrim prapë socialistëve”.

Unë po ju them që, jo që nuk merrni dot asnjë gjë sepse kjo nuk është diçka që më takon mua apo diçka që i takon atyre që përfaqësojnë socialistët, por kjo është diçka që i takon vetëm popullit sovran të Shqipërisë dhe është populli sovran i Shqipërisë që e vendos kush zgjidhet dhe kush nuk zgjidhet, kush shkon në qeveri e kush rri në opozitë dhe kush nuk do të rrijë në opozitë, pasi populli e ka caktuar të rrijë në opozitë dhe merr rrugët, rrugëve le të mbetet dhe nuk është fare problemi ynë ky.

I shkoi jeta duke u përpjekur të mbjellin frikë. I ka ardhur dita të treten nga frika e tyre dhe mos kujtoni se janë trima kur bërtasin se bërtasin për të trembur frikën e vetë, nuk bërtasin se janë trima.

Nga ana tjetër, ne, e thash në fillim po e them dhe në fund, nuk jemi absolutisht më të mirët e mundshëm në këtë botë, por më të mirë se ne as ka pasur, as nuk ka e as nuk do ketë për shumë kohë, deri kur ai plak të vazhdojë t’i rrijë mbi kokë Partisë Demokratike, më të mirë se ne nuk ka për të pasur dhe me një falënderim të madh dhe një herë për praninë tuaj këtu dhe duke ju thënë të gjithëve se akoma ka njerëz që pyesin çfarë do bëhet e çfarë nuk do bëhet, duke ju thënë të gjithëve që në 30 qershor ne do të zgjedhim të gjithë kryetarët e bashkive të Shqipërisë dhe në 30 qershor, Shqipëria do të zgjedhë qartësisht rrugën e të ardhmes, jo rrugën e të shkuarës, rrugën e punës, jo rrugën e sherrit, rrugën e përpjekjeve jo rrugën e dembelëve, rrugën e paqes, jo rrugën e dhunës, i ftoj të gjithë që të mos shohin parti, madje dhe demokratëve u them, atyre të zakonshmëve jo kryetari të PD-së këtu për shembull, i them që këtë herë vota është më shumë se asnjë herë tjetër, një votë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Nëse nuk e doni partinë tuaj të mbetet një gërmadhë e të shkuarës, lërini në fatin e tyre rrugëve dhe pastaj në 1 korrik kërkojuni llogari pse e katandisën partinë tuaj njësoj si rrugët që lanë rrugëve dhe që mezi tani po i përfundojnë, pasi na u desh të shlyenim gjithë borxhet e tyre.

Tani ne atyre nuk i kemi asnjë borxh, ata i kanë borxhe demokratëve, ia kërkojnë, nuk ia kërkojnë demokratët borxhin, është puna e demokratëve nuk është puna ime.

Puna ime është t’ju them vetëm kaq, me ne në drejtimin e bashkive, të gjithë socialistë dhe demokratë do të trajtohen njësoj, do të ndihen njësoj dhe njësoj do të përfitojnë nga frytet e punës tonë.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm