Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kërkesë drejtuar KQZ për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve

Të reja

Kërkesë drejtuar KQZ për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve

19 Apr 2017    

KËRKESË


Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)

I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë të KQZ,

Me anë të këtij komunikimi, në respekt të neneve 64 dhe 65 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 (i ndryshuar) “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i cili rregullon përkatësisht në lidhje me regjistrimin e partive politike në zgjedhje si dhe në lidhje me regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, duke parashikuar si afat përkatësisht periudhën kohore “jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve” dhe “jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve” dhe, duke pasur parasysh që afati në lidhje me regjistrimin e koalicioneve zgjedhore përmbushet në datë 19.04.2017, në mbështetje të neneve 41 e vijues të Kodit të Procedurave Administrative, ju drejtohemi me këtë kërkesë.

Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18.06.2017. Në këtë kontekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend, aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor).

Në gjykimin tonë, tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës.

Duke ju falenderuar paraprakisht,

Partia Socialiste                                                                                                            Lëvizja Socialiste për Integrim
Kryetar i Grupit Parlamentar,                                                                                   Kryetar i grupit Parlamentar
Gramoz RUÇI                                                                                                                Luan RAMA

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm