IMG-20170415-WA0027

Prezantohet kandidati i PS në Kavajë, Klodian Shehi

I deleguari i Kryesisë së Partisë Socialiste për Kavajën, Arben Ahmetaj ka prezantuar para strukturave vendore zyrtarisht kandidatin për zgjedhjet e 7 majit, Klodian Shehi. Takimi zhvillohej me anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste Kavajë.
Anëtari i Kryesisë Arben Ahmetaj, gjatë fjalës së tij e vuri theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 7 Majit dhe njëkohësisht në zgjedhjet 18 Qershorit, për të vazhduar më tej me reformat e qeverisë.

 

Më poshtë fjala e anëtarit të Kryesisë së PS-së, njëherësh Ministri i Financave, Arben Ahmetaj: 

Përshëndetje të gjithëve. Sot ne jemi mbledhur jo për të prezantuar planin, por për të filluar fushatën tonë elektorale për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, sepse është i njëjti grup, i njëjti shtab, i njëjti drejtues që do drejtojë qoftë fushatën për zgjedhjet e 7 majit, qoftë fushatën për 18 qershorin.

Unë dua të ndaj dy, tre elementë politikë dhe disa elementë organizativë me ju. Ju jeni një nga grupet më të mira të Partisë Socialiste në Shqipëri. Keni pasur rezultate të shkëlqyera në të gjitha zgjedhjet, qoftë në zgjedhjet elektorale, qoftë në zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje kanë një specifikë shumë të madhe jo vetëm për Kavajën, por për të gjithë Shqipërinë. Duhet marrë ashtu siç e kemi marrë ne gjithmonë, por edhe me më shumë seriozitet, me këmbëngulje dhe me modesti, në mënyrë që këtë radhë Kavaja të bëhet shembull sërish në të gjithë Shqipërinë.

Ju e shikoni që opozita e çadrës, sot kërkon që ta kthejë Kavajën në një mollë sherri në të gjithë Shqipërinë. Kërkon të thyejë çdo lloj ligji. Të bëj një, le të themi, takim apo protestë në datën e zgjedhjeve duke shkelur dhe heshtjen zgjedhore, duke shkelur çdo lloj ligji, çdo lloj normaliteti politik dhe duke provokuar qytetin e Kavajës.

Ju e shikoni që ne nuk kemi garë, nuk kemi garë me askënd. Ne garën e kemi me pjesëmarrjen tonë dhe me qetësinë tonë. Qyteti i Kavajës nuk mund të provokohet nga askush dhe qyteti i Kavajës nuk mund të bëhet pjesë e një sherri të paprincip që opozita do të hapë në kurrizin e Kavajës dhe në kurriz të Shqipërisë.

Kështu që sfida jonë do të jetë pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Kavajës në zgjedhje. Ne nuk kemi garë me kandidatët e tjerë, ne kemi garë me numrin e pjesëmarrjes. Kjo është sfida që do të kemi ne dhe me këtë logjikë do të punojë Partia Socialiste.

Pra ka tre elementë që duhet të fokusohemi. E para, qetësia. Nuk do të prekeni nga asnjë provokim qoftë hormonal, qoftë personal. Ne nuk kemi nevojë të tregojmë forcë, forca jonë qëndron tek modestia.

E dyta, ne do të do të marrin çdo qytetar që kërkon të zgjedhë Kryetarin e vet të Bashkisë së Kavajës. Ne kemi shumë punë për të vazhduar dhe Klodiani ka qenë pjesë e ekipit drejtues dhe tani ka mundësinë nga nënkryetar, të jetë me datë 8 maj Kryetar i Bashkisë së Kavajës. Është njeriu juaj, që e keni mbështetur dhe e keni promovuar.

Ju e zgjodhët, ju e sollët në Tiranë si kandidat, ju do ta zgjidhni. Dhe nuk është në garë as me atë inxhinierin, as me kandidatin tjetër; është në garë me numrin e pjesëmarrjes, me qetësinë, me këmbënguljen dhe me mesazhin pozitiv për datën 18.

Kam nevojë të ndaj me ju edhe një aspekt tjetër politik, që ka të bëjë me atë që po ndodh. Siç e shikoni, opozita refuzon vendin e vet, refuzon të dialogojë për zgjidhjen e një ngërçi artificial. Nuk është krizë politike.

Ju e shikoni, mazhoranca, Partia Socialiste është shumë e fortë, Kryeministri është shumë i qartë për atë që po bën. Ka mbështetje jo vetëm të Partisë Socialiste, jo vetëm të koalicionit, por të të gjithë qytetarëve. Ju e keni vënë re ndër vite se sa herë Shqipëria fillon rimëkëmbjen, dikush kërkon t’i vërë stërkëmbëshin. Kjo është një nga ato herët ku opozita e humbur, pa drejtim nuk do të futet në zgjedhje sepse e di që humbet dhe nuk do të futet në zgjedhje mbi të gjitha sepse do të frenojë Vettingun. Shumëkush mund të thotë se çfarë lidhje ka Kavaja me Vettingun? Çdo njëri nga ne ka një lidhje me atë reformë, me Reformën në Drejtësi dhe me Vettingun, që do të bëjë diferencë për Shqipërinë, këtë ma besoni. Reforma në Drejtësi është kyç, mos e shikoni si shaka atje tej, sikur ndodh përtej Kavajës. Është gjëja më e qenësishme që ndodh për qytetin dhe është gjëja më e qenësishme që ndodh për Shqipërinë. Janë futur në çadër për të penguar Vettingun. E patë vëllain e Bashës si dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë. Po e keni pyetur ndonjëherë veten pse dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë? E keni pyetur ndonjëherë veten? Sepse me Vettingun nuk justifikon dot pasurinë. Nuk justifikon dot pasurinë dhe dha dorëheqjen, iku, vëllai i Kryetarit të Partisë Demokratike. Imagjinoni sa e sa të tjerë ka dhe kujtoni se cila është arsyeja që ata janë ngujuar në çadër dhe nuk pranojnë të dialogojnë me askënd.

Ne e kemi thënë, do të ketë zgjedhje me 18 qershor, shqiptarët do të votojnë me 18 qershor. Ne kemi thënë që votimet, zgjedhjet nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe prandaj do të shkojmë në 18 qershor në zgjedhje.

Ne themi dhe do ta themi që nuk ka qeveri teknike. Ne jemi gati të dialogojmë për çdo gjë, por për datën e zgjedhjeve dhe për qeveri teknike ne nuk dialogojmë. Ne dialogojmë për çdo gjë, jemi të hapur të dialogojmë pa kushte, të ulemi në tryezë me opozitën, të diskutojmë çfarë të duan ata, por mandatin e dhënë, mandatin e qeverive e kanë me 1 milion vota. Qeverisja është përgjegjësi, nuk është privilegj.

Pra, kjo ishte pjesa që unë doja të ndaja me ju, mos u konfuzoni dhe as mos u shqetësoni, ne edhe vetëm do të futemi në zgjedhje. Dhe sikur vetëm të jemi, vetëm do të shkojmë në zgjedhje, do të zgjedhim parlamentin. Sfida është me pjesëmarrjen, kjo është ajo që unë dua ta theksoj në vazhdimësi të këtij takimi.

Qytetaria jonë dhe pjesëmarrja në votime. Këto të dyja janë elementë që do të bëjnë diferencën dhe do t’ju lutesha që gjithësecili nga ju të flasë më bashkëqytetarët që njihen, që votojnë në krahun e kundërt, në respekt të tyre t’i tregoni që Kavaja nuk duhet të bëhet pjesë e një sherri artificial nacional. Me qetësi, me përgjegjshmëri, pa asnjë inat, me modesti, me këmbëngulje të shkojmë si qytetarë atë ditë dhe të zgjedhim Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, të vazhdojmë projektin e Rilindjes Urbane dhe projektin e refomave që kanë nisur Partia Socialiste dhe aleanca jonë.

Sa i përket anës organizative, unë këtë gjë nuk e kam merak fare, megjithatë duke filluar që nga sot, unë do desha që së bashku me kandidatët, por edhe me drejtuesit e partisë të bënim një agjendë ku të preknim terrotorin. Do donim ta përdornim këtë kohë për të prekur të gjithë qytetarët e Kavajës në qytet dhe në fshat, t’i tregojmë se çfarë do të bëjmë në mandatin tjetër së bashku.

Mos harroni, qyteti është duke kaluar një periudhë tranzitore, nga një qytet-fshat, në një qytet destinacion turistik. Mos harroni që zona e Kavajës, me logjikën e re urbane dhe me logjikën e re të ndërtimit të segmenteve rrugore nacionale,  kthehet në destinacion turizmi e gjitha. Mos harroni që është përfitimi juaj, i familjeve tuaja, i fëmijëve tuaj që nesër të kenë punë, të kenë më shumë të ardhura dhe zona të përfitojë nga industritë që kanë filluar të qendërsohen këtu, nga turizmi dhe nga vlerat e pasurive të patundshme.

Ju jeni sot dëshmitarë që qyteti nuk ka qenë kështu para 10 vjetësh e 15 vjetësh. E do të jeni dëshmitarë që qyteti do të jetë dy herë më mirë se çfarë është sot, pas katër apo pas tetë vitesh. Benefitet, më besoni, shkojnë në familjet e tuaja, në familjet e gjithë qytetarëve të Kavajës, në mënyrë që kur të garojmë politikisht, këtë herë e herët e tjera, të diskutojmë për zhvillimin ekonomik, të diskutojmë për urbanizim, të diskutojmë për turizëm, të diskutojmë për eksporte, të diskutojmë për arsimin, të diskutojmë për teknologji, të diskutojmë për qytetari. Fillojmë tani një debat, diskutim të një niveli tjetër qytetarie sepse Kavaja e meriton.

Unë gjysmën e vitin realisht e kaloj në këtë qytet, shumë afër, në Qerret. Duhet të kem qenë një nga të parët që kam filluar të banoj në Qerret. Nuk ka qenë qyteti kështu, nuk ka qenë zona kështu, nuk ka qenë turizmi kështu. Imagjinoni si do ta keni pas pesë apo tetë vitesh së bashku.

Pra kthehemi tek ana organizative. Siç e thashë, do desha që këtë periudhë ta përdorim për të shpërndarë komplet mesazhin e Partisë Socialiste në të gjithë territorin. Do desha që të kemi rritje e pjesëmarrje në 18 qershor; patjetër që unë e quaj të mbyllur nga ana logjistike.

Do dua që ta përdorim këtë periudhë si një periudhë shumë serioze, për të shpërndarë komplet fjalën e Partisë Socialiste. Le të fokusohemi tek rritja e numrave të pjesëmarrjes.

Dua që të prekim të gjithë ata që votojnë për herë të parë, të gjithë. Dua të bëjmë një takim shumë të madh me të gjithë ata që do votojnë për herë të parë këtu në Kavajë, ndaç në ambiente të mbyllura, ndaç në ambiente të hapura, gjykojeni vetë.

Do t’i presim të gjithë komunitetet në qytet dhe në fshat që nga gratë, që nga pensionistët që nga takimi me qytetarët. Më besoni që e keni fat të mirë që me qetësi, me modesti të kemi mundësi të shohim përpara. T’ju kërkojmë ndjesë për ato që s’bëmë dot dhe t’ju tregojmë se çfarë do bëjmë në katër vitet e ardhshme.

I kemi të gjitha mundësitë. Do të bëjmë një fushatë derë më derë. I kemi të gjitha mundësitë që të shkojmë edhe tek kundërshtarët tanë, t’i flasim për domosdoshmërinë e kësaj që do ndodhë në Shqipëri në katër vitet e ardhshme, domosdoshmërinë e Reformës në Drejtësi. T’i tregojmë kush na mbështet dhe t’i tregojmë se çfarë do të bëjmë në Kavajë në tetë vitet e ardhshme me ju, së bashku me ju.

Grupi është i njëjtë, nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Partia vazhdon të drejtohet nga Genti. Klodiani është, le të themi, në pararojë të të gjithë mesazhit politik të qytetarëve të Kavajës. Ta ndihmojmë të prezantojë atë që ai vërtetë ka, ta ndihmojmë të rrezatojë atë që ju doni, që ai të rrezatojë në çdo komunitet me të gjithë qytetarët e Kavajës pavarësisht se është i majtë, i djathë apo ballkanik. Ta mbështesim Klodianin që të shpalosë Kavajën e dhjetë viteve që vijnë. Kavajën e gjeneratës tjetër. Kavajën e Shqipërisë që duam.

Të gjitha këto kanë mesazhe të forta politike; janë mesazhe që tashmë ne i kemi kthyer në mesazhe zyrtare të fushatës.

Faleminderit!