Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Koha kur Kuvendi i Shqipërisë ishte një teatër jo i këndshëm ka mbaruar njëherë e përgjithmonë, askush mbi rregulloren e Kuvendit

Të reja

Koha kur Kuvendi i Shqipërisë ishte një teatër jo i këndshëm ka mbaruar njëherë e përgjithmonë, askush mbi rregulloren e Kuvendit

05 Oct 2017    

Më vjen shumë keq dhe ndaj të njëjtin vlerësim që ndau sot paradite edhe kryetari i Kuvendit; atë që respektimi i rregullores dhe parashikimet e neneve 63, 64, 65 të rregullores sot u zbatuan ashtu siç parashikohen ndaj kryetarit të PD-së. Ato janë të njëjta ndaj çdo deputeti. Në rast se çdo deputet, edhe i Partisë Socialiste qoftë apo i kujtdo partie tjetër, do të bënte të njëjtat shkelje, i njëjti vendim do merrej për të.

Dua t’i them gjithë publikut shqiptar se nëse ka një nen të shkelur nga Kryetari i Kuvendit, atëherë Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë të drejtën e tyre ta thonë.
Edhe në komunikimin që sapo bënë me ju nuk gjejnë dot një nen të rregullores që të jetë shkelur në punimet e Kuvendit të Shqipërisë.
Koha kur Kuvendi i Shqipërisë ishte një teatër jo i këndshëm për sytë e veshët e shqiptarëve, kur shihnin se si ata që bëjnë ligjet vetë i shkelin ligjet, ka mbaruar njëherë e përgjithmonë.
Sot është rasti më i mirë për t’i thënë çdo deputeti se nuk ka as deputetë të veçantë, nuk ka as super deputetë; përsa i përket Rregullores së Kuvendit, aty jemi të gjithë të barabartë.
Ju e patë, edhe mua vetë si kryetar i grupit parlamentar të mazhorancës më është ndërprerë fjala sot nga ana e z. Ruçi në momentin më të parë që kalova kohën që kisha në dispozicion.
Kjo duhet të jetë një praktikë pune, e cila jam i sigurt se do të vazhdojë.
 
Z. Balla, a do ketë seancë të posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore apo do të pritet e enjtja?
Është tërësisht e paimagjinueshme se si PD-ja sot shpërdoroi gjithë këtë kohë të rëndësishme për çdo deputet, për të bërë punë më të rëndësishme sesa ato që në fakt bënë sot deputetët e Partisë Demokratike, që thjesht dhe vetëm çuan kot kohën brenda sallës në kundërshtim me rregulloren.
Dua t’ju them që ditën e djeshme Konferenca e Kryetarëve me konsensus ka përcaktuar se kur janë seancat. Kështu vendimi më i fundit i Konferencës së Kryetarëve me konsensus, pra edhe me votën e z. Spaho, është seanca e ditës së enjte, sot një javë.
 
Z. Basha foli pak më parë për një thirrje qytetare për të marrë në dorë situatën pas kësaj që ndodhi sot. Ju si e komentoni, a e merrni seriozisht këtë thirrje?
Nuk e komentoj këtë. E kam dëgjuar shpesh këtë thirrje; jemi lodhur me këtë thirrje. Duhet të pyesni z. Basha. Unë nuk do ta komentoj kurrë z. Basha. Dua t’ju them që Kuvendi i Shqipërisë më në fund po hyn në një bindje se resepektimi i rregullores duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, dhe në këtë kontekst asnjë deputet nuk duhet të thyejë rregulloren. Ky është mesazhi për sot.
Ndërkohë që kemi plot punë të rëndësishme që e presin Kuvendin e Shqipërisë. Unë doja t’i sugjeroja kolegëve të Partisë Demokratike se rregullorja e Kuvendit lë hapësira për kërkesa, për debat, lë hapësira për diskutime. Mirëpo duhet që çdo grup parlamentar të respektojë edhe grupet e tjera parlamentare.
Ju sot keni parë se si grupi parlamentar i PS dhe ai i LSI, në respekt të asaj çfarë ishte vendosur në Konferencën e Kryetarëve, morën atë vendim për ta shtyrë diskutimin. Nëse do të ishte mbyllje goje, siç u mundua ta quante kryetari i Partisë Demokratike, mund të ishte bërë propozimi nga ana ime që për këtë çështje nuk do të ketë diskutime. Përkundrazi, unë nuk e thashë kurrë këtë; por ashtu siç u propozua edhe nga LSI, propozuam që kjo çështje të zgjidhej sipas nenit 49 të rregullores.
Mund ta lexoni edhe ju këtë nen, i cili thotë se një çështje hiqet nga rendi i ditës nëse në favor të saj votojnë më shumë se gjysma e deputetëve të pranishëm. Për këtë Kuvendi u shpreh me vote, ndaj nuk kishte më hapësirë për diskutime. Asnjë deputet qoftë ky edhe kryetari i Partisë Demokratike, pa ditur se si funksionon Rregullorja e Kuvendit, nuk mund të çohet dhe të kërkojë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Nuk e ka atë të drejtë.
Ajo që do t’ju sugjeroja miqësisht deputetëve të Partisë Demokratike, grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe z. Basha është që: si deputet i ri e ka detyrim ta konsultojë rregulloren e kuvendit  kur merr fjalën për procedurë apo kur propozon diçka.
Nuk ka të drejtë kryetari i PD-së që të kërkojë mbledhjen me urgjencë të Konferencës së Kryetarëve, sa kohë që kuvendi është i mbledhur në seancë plenare. Në atë moment janë deputetët e pranishëm në sallë që marrin vendime. Duhet ta dini që Konferenca e Kryetarëve është një organ konsultativ, sepse gjithmonë vendimet e saj i referohen seancës. Është seanca ajo që merr vendimet lidhur me çdo çështje, sa kohë që në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk ka konsensus.
 
Zoti Balla, ka një diskutim mes jush si Kryetar i Grupit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, për të përcaktuar një seancë tjetër me debat përsa i përket kodit zgjedhor?
Unë dua ta bëj të qartë: kam dashur shumë që deputetët e Partisë Demokratike të mos rrinin pesë orë ngujuar më kot në bllokim të respektimit të rregullores, sepse sot duhet ta kuptojmë të gjithë që Partia Demokratike, deputetët e saj kanë thyer rregulloren me të dyja këmbët. E ka thyer rregulloren i pari Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe më pas të tjerët. Thirrja ime ka qenë shumë miqësore, edhe ndaj kolegut Spaho,-  po e bëj publike këtë meqënëse vetë është bërë publike nga ana e Partisë Demokratike,-  që të gjendej një zgjidhje, por gjithmonë brenda kuadrit të rregullores. Kuadri i rregullores ishte shumë i qartë. Në përfundim të kësaj seance, siç u mbyll, të mblidhej Konferenca e Kryetarëve për të rimarrë në shqyrtim vendimin e marrë dje për përcaktimin e seancës. Kjo gjë nuk u pranua, nuk e di pse. Kjo tregon sesa bosh ishte gjithë kjo kauzë që u ngrit sot për një gjë që nuk ekziston.
Unë jam shumë i bindur që këtu kërkohen kauza, sepse hallin e Partisë Demokratike të gjithë e dimë kush është, por këto nuk mund të bëhen në kurriz të Kuvendit të Shqipërisë dhe në kurriz të Rregullores së Kuvendit.
Rregullorja e Kuvendit është një vendim që e kemi marrë të gjithë sëbashku, e ne jemi të gjithë të detyruar ta respektojmë. Edhe njëherë e theksoj: nuk ka më një histori të vjetër në Kuvendin e Shqipërisë, ku një deputet do dhe e respekton rregulloren dhe një tjetër do e nuk e respekton rregulloren. Rregullorja është e njëjtë për të gjithë.
Kur rregullorja u respektua fjalë për fjalë përkundrejt Kryetarit të Opozitës, Kryetarit të Partisë Demokratike, besoj se të gjithë deputetët e tjerë duhet të vënë mend për seancat e ardhshme.
Megjithatë gjej rastin ta vlerësoj mirëkuptimin në fund të z. Ruçi, i cili nuk kërkoi mbledhjen e Byrosë për të vijuar me masa të tjera ndëshkimore, por besoj se ka një hap të parë deri tek tërheqja e vëmendjes.
 
A u shkel rregullorja sot?
Jo nuk u shkel rregullorja, e keni gabim. Nuk është shkelur rregullorja sepse masa ndëshkimore e parë u mor, dhe sigurisht zotëria u përjashtua nga kjo seancë; vijimin e seancës besoj të gjithë e kemi parë se si u zhvillua. 
 
I përshëndes kolegët e Partisë Demokratike dhe shihemi të enjten në seancë plenare.
 
Prononcimi për media i kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm