Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Komunikim, bashkëveprim dhe llogaridhënie direkt tek qytetari

Të reja

Komunikim, bashkëveprim dhe llogaridhënie direkt tek qytetari

29 Jul 2017    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Korçë:

Në të gjitha dëgjesat mbahen shënime, por disa gjëra janë shumë të vlefshme për ne, të cilat mbase disa njerëz që i quajnë të kota, të vjetra, të pakuptimta. Në fakt, këto dëgjesa kanë kuptim shumë të madh. Në radhë të parë, ne bëmë gjënë e duhur në shenjë jo thjesht respekti, por edhe përgjegjësie ndaj të gjithë atyre që na dhanë të gjithë atë besim të madh, që, kur mbaroi numërimi i votave, nuk mbyllëm komunikimin e nuk i dhamë fund kontakteve me njerëzit për të bërë pushime, por vazhduam fushatën në një formë tjetër, jo më duke folur, por duke folur njerëzit, për të dëgjuar dhe për të nxjerrë disa konkluzione lidhur me atë që duhet të bëjmë.

Natyrisht, fushatën e zhvilluam duke thënë çfarë duam të bëjmë. Nuk është se nuk i dimë gjërat, por është shumë e rëndësishme të kemi një pamje sa më të qartë të pasqyrës shpirtërore, ekonomike, sociale të çdo komuniteti, në funksion të të cilit duam të punojmë 4 vitet e ardhshme.

Thelbi është që ka një hendek të madh mes njerëzve të zakonshëm që votojnë dhe qeverisë që është e votuar për të drejtuar vendin dhe për të bërë punët për vendin. Këtë hendek e krijon një administratë, e cila në një pjesë të konsiderueshme të saj është e kalbur, nga pikëpamja e mekanizmave. Po ashtu ka brenda saj shumë parazitë e grabitqarë, që e bëjnë të pamundur për njeriun e zakonshëm zgjidhjen e një problemi që mund të zgjidhet menjëherë, mjafton vullneti i mirë për ta zgjidhur, por ia bëjnë të pamundur dhe kontaktin me më lart sesa një zyrë.

Nga ana tjetër, kjo lidhet dhe me mënyrën sesi ne kemi qenë të organizuar deri tani, me sistemin që kemi pasur deri tani dhe që ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht, që është ai sistemi i tepsisë së famshme, ku, pavarësisht se Partia Socialiste nuk është bartësja e sëmundjes, apo vatra më e nxehtë e saj, kanceri që e ka kapur sistemin, është patjetër pjesë e problemit dhe e infektuar nga ky kancer, si të gjitha partitë.

Duke e parë këtë hendek dhe duke kuptuar që këtë sistem dhe këta parazitë e grabitqarë mund t’i pastrojmë nga sistemi vetëm nëse bëhemi bashkë me njerëzit çdo ditë, ne po ndërtojë një mekanizëm real bashkëqeverisjeje me njerëzit e zakonshëm, një koalicion real. Nuk do kemi një koalicion partish, siç e kemi deri tani, po duam të kemi një koalicion të Partisë Socialiste me njerëzit e zakonshëm. Dëgjesat janë të mira, por nuk mund të rrimë me dëgjesa 4 vjet. Dëgjesa mund të bëhen në kohë të caktuara, për probleme të caktuara, por ajo që është themelore është si të garantojmë që çdo njeri të mos presë të shfaqet apo jo Kryeministri, një ministër a një deputet, që t’i thotë problemin, por si të përcillet problemi në kohë reale deri në majën e qeverisë.

10 vite më parë, mbase do të ishte e pamundur, por sot teknologjia na jep mundësinë të jemi të gjithë të lidhur në kohë reale, mjafton një celular, një kompjuter apo një pikë me kompjutera për ata që s’kanë dhe çdo njeri i zakonshëm mund të bëhet anëtar i këtij koalicioni. Ne po përgatisim një platformë, e cila do të çelet me krijimin e qeverisë së re dhe të gjithë janë të ftuar të regjistrohen si anëtarë të koalicionit qeverisës. Jo me pseudonime dhe me “qytetar dixhital”, por me emër e mbiemër, me numër telefoni. Nëse do të marrin pjesë në zërin e ankesave, do t’i dalin për zot ankesave, jo shpifje.

Ajo që do të mundësojë ky mekanizëm do të jetë që këto ankesa të mos i marrë era. Nëse ne bashkëpunojmë për këtë mekanizëm, çdo ankesë do trajtohet në kohë reale. Prapa ekranit do jetë një armatë e tërë njerëzish që do merret me çdo çështje që shtrojnë anëtarët e koalicionit. Në këtë mënyrë të gjitha ankesat e kërkesat do ndiqen deri në fund.

Dikush këtu tha se ka shkruar në Kryeministri dhe ka marrë përgjigje disa herë. Por sistemi që ne kemi aktualisht ka një dobësi, i mungon një hallkë. Kryeministria u kthen përgjigje të gjithëve, por e drejtojnë te zyra ku duhet të zgjidhë problemin. Atje pastaj mbetet. Këtë hallkë ne do ta plotësojmë. Nuk do ta lëmë përgjigjen me kaq, që të thotë “drejtohu tek “x” zyrë”, por do merret vetë Kryeministria dhe ministria përkatëse me zyrën tjetër. Për çdo rast do ketë përgjigje finale. Ka dhe raste që s’të takon e drejta, ka raste që janë çështje gjykatash dhe aty qeveria nuk ka çfarë të bën. 

Në rastet kur rezulton që qytetarit përgjigjja i është mohuar padrejtësisht, jo vetëm që do marrë zgjidhje problemi, por ai që e ka mohuar përgjigjen do ikë nga puna. Nuk mund të paguhesh nga shteti, nga taksat, nga kontributet, nga djersa e gjithë atyre njerëzve që iu shërben dhe s’pyet për ta.

Kjo do të bëjë që administrata, zyrtarët të jenë në një presion të dyfishtë, nga lartë dhe nga poshtë. Kjo do t’iu japë njerëzve që janë pjesë e bashkëqeverisjes një fuqi të re.

Në momentin kur ne e ndërtojmë këtë koalicion, ai tek Hipoteka nuk e di kë ka përballë. Mund të ketë përballë një njeri që nuk e njeh, ama ai njeri, në momentin kur nuk merr shërbimin, mund të jetë anëtar i koalicionit dhe mund t’i bëjë atij punonjësi, atë që deri më sot s’ia bën askush, thjeshtë duke bërë të mundur që të verifikohet plotësisht çështja deri në fund.

Por, nuk do të jetë vetëm një portal ankesash. Por ata që janë anëtarë të koalicionit në çdo komunitet do të mund të marrin pjesë në diskutime për çështje të caktuara, do mund të ngrenë çështje të caktuara, që janë çështje politike dhe që kanë të bëjnë me politikat e qeverisë.

Një grup deputetësh mund ta thërrasin Kryeministrin apo ministrat në interpelancë e t’i kërkojnë llogari, se janë deputetë dhe e kanë të drejtë me ligj ta bëjnë këtë gjë. Në këtë platformë, ne do ia japim këtë të drejtë njerëzve të zakonshëm. Një komunitet i caktuar ka një problem, le të themi, me djegien e mbeturinave, me ndotjen e lumit, një problem me një ndërtim, do mjaftojë një numër i caktuar anëtarësh të koalicionit, njerëzish të zakonshëm, të cilët do i kërkojnë ministrit përkatës interpelancë. Interpelanca do të zhvillohet në platformën online. Ministri do të japë llogari, siç bëhet në parlament.

Kjo është njëra anë e medaljes. Të gjithë ata që do të jenë të regjistruar në këtë koalicion do të kenë akses, njësoj siç kanë anëtarët ose pjesëtarët e një koalicioni qeverisës, për të marrë vendimet, projektligjet e qeverisë, sipas sektorëve të ndryshëm që u interesojnë. Do të organizohen diskutime të brendshme, me ministra, zëvendësministra e grupet e punës për ligje të caktuara. Një koalicion real, jo propagandë. Kjo do të na ndihmojë për të fuqizuar shumë të gjithë procesin qeverisës dhe për të marrë vendime sa më të drejta, me mbështetje sa më të madhe popullore.

E di që nuk mjafton presioni mbi administratën, sepse duhet vazhduar reformimi i sistemit. Këto janë gjëra që shkojnë bashkërisht, por nuk mundet  që të presim të modernizohen të gjitha sistemet dhe të lëmë çakejtë të bëjnë kërdinë, siç e kanë bërë gjithë këto vite. Aty përgjegjësia ka qenë e të gjitha partive, pa përjashtim, pavarësisht se ndonjë parti më e vogël, që filloi të bëhet e madhe dhe deshi të bëhej aq e madhe, sa nuk arriti dot të përballojë madhësinë dhe plasi, ka bërë më shumë, të tjerat kanë bërë më pak. Rëndësi ka që është një sistem i infektuar i partive.

Unë mendoj që Korça, Maliqi, Devolli dhe çdo bashki tjetër i kanë aq njerëz të zotë, të shkolluar, të ndershëm që të marrin përgjegjësi për të drejtuar zyrat, drejtoritë, agjencitë. Kjo nuk mund të jetë më një histori t’i gjejmë punë njerëzve brenda një rrethi të ngushtë partiak. Kjo duhet të jetë, t’i gjejmë punëve që kemi njerëzit e duhur. Duke u nisur t’i gjejmë njeriut punë në shtet, shkatërrojmë punët e shtetit. Duke i gjetur punës së shtetit njeriun, bëjmë punën e shtetit dhe e bëjmë për shumë njerëz.

Drejtorët e hipotekave nuk do t’i zgjedhim më, siç janë zgjedhur deri më sot. Do t’i zgjedhim me një shpallje publike dhe do t’i ftojmë të gjithë ata që janë inxhinierë, arkitektë, juristë, me diploma të vërteta, le ta ketë emrin si të dojë, le të vijë nga cilado rrugë e jetës, le të jetë i majtë, i djathë, çfarë të dojë, sepse ne e kemi kërkuar votën kuqezi dhe ne nuk do t’i ndajmë këto. Tani që e morëm tepsinë do ta çojmë për skrap, se nuk e kemi marrë votën që, t’ua hedhim këtyre, pastaj tepsinë ta marrim të gjithën për vete. Ajo tepsi duhet të ikë për skrap, në qoftë se duam që fëmijët tanë të rriten dhe të plaken këtu. Pastaj, me një komision të posaçëm do të zgjidhet më i duhuri nga të gjithë ata që janë aty. Kështu për të gjitha agjencitë dhe për të gjitha drejtoritë.

Po t’i ndjekësh dëgjesat, më shumë se 95% e ankesave nuk janë çështje buxheti, janë çështje shteti. Njerëzit thonë, më jep të drejtën që më jep ligji dhe që unë nuk e marr dot. Ju e jetoni në kurriz, sa shumë stres, mërzi, zhgënjim, energji negative, dëshpërim krijohet nga marrëdhënia e një njeriu të zakonshëm me një zyrë shteti. Ne na duhet të luftojmë pikërisht këtë pikë. Ne na duhet të heqim një numër të pafundmë, kot më kot, licencash e vërtetimesh. Një familjeje që kërkonte të hipotekonte truallin bujqësor, hipoteka i thoshe më sill me noteri të gjithë anëtarët e familjes tënde. Ndërkohë që s’ka nevojë fare të kesh bërë asnjë ditë mësimi juridik dhe e di që kryefamiljari është edhe personi që firmos për pronën, përsa kohë familja është bashkë. Kur ndahen, fillojnë historitë e tjera. Por prona pavarësisht se firmos kryefamiljari, nuk është vetëm e atij. Ose ta jep ALUIZNI, shkon në hipotekë dhe hipoteka të thonë, merr një topograf se ke mbivendosje dhe mate nga e para. Kjo është e paligjshme, sepse e ka bërë ALUIZNI atë punë.

Problemi është që në 20 e kusur vite dhe as në 4-vjeçarin tonë nuk u arrit dot të bëhej ajo që duhej bërë që në fillim, që të punohet me një hartë. Hipoteka ka një hartë, një hartë e ka ALUZNI. Ndërkohë duhet të kemi një hartë. Në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka mbivendosje në terren. Shkon në hipotekë, të del se je i mbivendosur me dikë tjetër. Në fakt, në terren t’i s’je i mbivendosur. Hipoteka të thotë, merr topografin dhe jo vetëm kaq, por gjej topografin që është i lidhur me mua, se topografi do të marrë 200 mijë lekëshin ty e do ta ndajë me atë.

Atëherë është një pjesë e zgjidhjes së përkohshme, që të vendosim njerëzit e duhur. Por duhet të bëjmë edhe hartën e unifikuar, menjëherë. Ne duhet të bëjmë që brenda këtij mandati, po them më shpejt sesa vonë duhet ta bëjmë hipotekën një procedurë që është 5 minuta, s’ka nevojë fare të takosh njeri, as drejtor, as shef, as deputet, as Kryeministër, as të regjistrohesh në koalicionin qeverisës për këtë punë, por shkon tek hipoteka, paguan atë çfarë ke për të paguar dhe shtyp kompjuterin, del prona. Kjo nuk është një ëndërr që unë e kam parë natën. Kjo është diçka që ndodh në vendet rreth e rrotull në rajon, sepse kanë një hartë. Nëse është një hartë e arkivuar, e dixhitalizuar s’kanë çfarë të fshijnë fare ata.

Përsa i përket zonës, ne kemi bërë shumë këtu. Do vazhdojmë të bëjmë për të gjitha bashkitë e zonës dhe gjithë qarkun. Zyra e deputetëve do të jetë e hapur, për të pasur kontakt të vazhdueshëm.

Pas krijimit të qeverisë, ne do të bëjmë përsëri dëgjesa për buxhetin, për investimet në çdo qark. Edhe kjo është e rëndësishme, që njerëzit të jenë bashkë, të kuptojnë logjikën e investimeve që bëjmë, por edhe ne të marrim maksimumin nga çfarë është pritshmëria dhe njëkohësisht çfarë janë sugjerimet e njerëzve. Jam i bindur që, sado e vështirë që është sfida që kemi, do ia dalim, nëse jemi bashkë. Do ia dalim, nëse arrijmë nga njëra anë ta çojmë deri në fund operacionin shumë të thellë në administratë dhe nga ana tjetër të vazhdojmë si duhet me investimet, me punësimin, me rritjen ekonomike, që kemi marrë përsipër ta çojmë mbi 5%, në mënyrë që të ndihet tek të gjithë.

Unë iu jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që na votuan në këtë qark. I falenderoj edhe ata që nuk votuan për ne, por që morën pjesë në zgjedhje. I siguroj të gjithë, edhe ata që nuk votuan fare, që ne do të punojmë për të gjithë. Ne nuk i lëmë ata që s’na votuan në dorë as Lulit e as Monikës. Nuk do i lëmë rrugëve. Do punojmë për të gjithë, do ta bëjmë shtetin sëbashku. Do të jemi jashtëzakonisht të ndershëm dhe të drejtë në përzgjedhjen e njerëzve. Nuk do bëjmë një tepsi të madhe, që në fund të mbytemi brenda bashkë me byrekun, por bashkërisht do ta zhdukim shtetin-tepsi që i ka marrë frymën këtij populli 27 vjet.

Kjo ishte arsyeja pse njerëzit votuan. Unë e kam thënë dhe e përsëris. Unë jam i bindur se njerëzit nuk na kanë votuar se kemi bërë mrekulli të mëdha, por na kanë votuar se kanë besim se po ta kemi timonin vetëm, do bëjmë shumë më tepër seç kemi  bërë, se e kanë parë se çfarë kemi pasur ne në prehër dhe se çfarë kemi pasur në kurriz.

Kjo do të thotë qe ne do ta shohim këtë proces, jo si betejë me opozitën. Nuk do bëjmë betejë me opozitën, në kuptimin që të konsumohemi me histori “më the e të thashë”. Ne nuk jemi votuar që të merremi me opozitën politike. Ne jemi votuar që të merremi me këto probleme që folëm. Ata janë votuar të merren me ne. Ata të merren me ne, ne do merremi me punën tonë, do ta ndryshojmë kulturën qeverisëse, edhe në kuptimin e debatit dhe të dialogut me opozitën.

Opozita jonë janë parazitët dhe grabitqarët, që iu marrin frymën njerëzve. Kundërshtarët tanë janë të gjithë ata që ju i përmendët këtu.

Shumë faleminderit! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm