Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Konferenca e pare Rajonale e Bujqesise ne Shkoder

Të reja

Konferenca e pare Rajonale e Bujqesise ne Shkoder

09 Jun 2008    
Ne kemi detyrën t'i rikthejmë dinjitetin fshatit, bujqërve dhe fermerëve, këtyre njerëzve të mëdhenj të punës, që sot janë viktimat më shembullore të keq qeverisjes prej 17 vjetësh, të abuzimit dhe të raportit poshtërues që politika e vjetër ka vendosur në fshat. Jam i bindur se së bashku do ta bëjmë të mundur kthesën e madhe, sepse jam i bindur se çka po bëjmë në këtë “Dialog me Shqipërinë.

Është çelur në qytetin e Shkodrës cikli i Konferencave rajonale për Bujqësinë.

Ky është proçesi më i madh dhe më seriozi që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë forcë politike në Shqipëri, e cila përgatitet seriozisht për të qeverisur vendin pas një viti. Në qarkun e Shkodrës ka një traditë të madhe në fushën e zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, fakt të cilin, e vuri në dukje dhe lideri i opozitës Edi Rama gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës. Për të arritur tek konferencat rajonale janë zhvilluar mbi 300 tryeza të bujqësisë në mbarë vendin:

Pjesë nga fjala

Rama: Pa treg nuk ka bujqësi dhe blegtori

Do të kemi 12 tryeza të tilla në të gjitha qarqet e Shqipërisë, pasi kemi bërë një punë kolosale, jo thjesht me debatin publik për bujqësinë në nëntorin e shkuar, në shumë fshatra të Shqipërisë me tryezat e bujqësisë në çdo komunë. Pra në 300 e disa komunat e vendit, janë ftuar dhe kanë folur rreth 10 mijë vet, që kanë qenë bujq e fermerë, në të cilët edhe ekspert të bujqësisë, që kanë ngritur zërin për problemet e zhvillimit në fshatrat e tyre, për gjendjen e përgjithshme, për potencialet dhe për idetë e mundshme, në rrugën e zgjidhjes së problemit. Ky besoj se është procesi më i madh, më i artikuluar dhe më serioz që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë forcë politike në Shqipëri, me vetëdijen se pushteti nuk është qëllim, por është mjet për të realizuar qëllimet e përbashkëta, se fitorja nuk është pika e mbërritjes, por është pika e nisjes për t'i hapur rrugë realizimit të këtyre qëllimeve dhe se pikërisht për këtë një forcë politike përgatitet seriozisht për të qeverisur si një alternativë qeverisëse, jo si pasqyra ku populli shikon sa e deformuar është qeverisja, por edhe si dritarja ku populli shikon të ardhmen, shikon rrugën e ndryshme nga ajo e qeverisjes, aktuale, shikon mundësitë dhe idetë e reja. Besoj se ky është një proces historik, pasi ne do të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme, me një program të shkruar, me shqiptaret dhe shqiptarët në të gjithë Shqipërinë, i shkruar jo mbi bazën e dëshirave dhe pa lidhje me realitetin konkret, por mbi bazën e realitetit konkret, ku lindin dhe janë mbledhur me kujdes dëshirat e kombinuara me mundësitë dhe idetë. Kjo na jep sigurinë, se pushtetin do ta kthejmë në një mjet për të realizuar qëllimet e përbashkëta.

Në qarkun e Shkodrës ka një traditë të madhe në fushën e zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, që i ka rrënjët e veta në historinë e largët. Është një qark ku në zona të tëra është prodhuar dhe eksportuar në kohëra të lashta, në kohën përpara luftës së dytë botërore, ku njerëzit kanë jetuar me një kulturë të trashëguar bujqësore, e cila është një kulturë në humbje, një kulturë ku toka e papunuar, arratia nga tokat e të parëve për të shkuar larg, të cilëve ia ka zënë vendin mungesa e shpresës.

Besoj se këto tryeza janë njëkohësisht edhe përpjekja e parë serioze për ta ringjallur këtë kulturë, për t'ju adresuar njerëzve që e kanë këtë eksperiencë dhe sa më shumë ka kaluar vitet e tranzicionit, ai më shumë është harruar, është braktisur, është lënë mënjanë, sepse askush nuk ka shkuar ti pyes dhe jo tu ngarkoj përgjegjësi, që ta kultivojnë më tutje këtë kulturë dhe këtë eksperiencë, që është një trashëgimi e madhe. Unë jam besim plotë, se edhe sot, nga diskutimi juaj, do të vazhdoj të lakohet materiali i programit, i cili do të jetë i gatshëm për tu konsultuar edhe një herë tjetër në fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë, në të gjitha fshatrat e vendit, jo më me idenë thjesht për të dëgjuar shqetësimet dhe idetë, apo sugjerimet e njerëzve, por me idenë për të shkëmbyer mendimet konkrete, mbi propozimet konkrete. Këtu dua të përfitoj nga rasti për të risqaruar ata që kërkojnë propozimet. Që të mos ngutemi, sepse nuk është vendi për t'u ngutur, propozimet po vijnë dhe po vijnë nga një harmonizim i eksperiencës së mbledhur në të gjitha këto tryeza, ku siç e thashë, afro 10 mijë bujq e fermerë, kanë dhënë opinionin e tyre bashkë me punën e përditshme të ekspertëve, të grupit tonë qëndror, që po bën një punë të shkëlqyer dhe bashkë me eksperiencën ndërkombëtare, të cilën ne kemi filluar dhe do të vazhdojmë ta konsultojmë në vijim, duke bërë kështu të mundur një trekëndësh, pa të cilin nuk mund të themi se kemi një program të ri, që na garanton se përmban brenda zgjidhjet e qëndrueshme për të ardhmen. Ky trekëndësh është eksperienca e njerëzve të dobët, siç i quaj bujqit dhe fermerët, që japin çdo ditë prej 17 vjetësh, me vështirësi dhe të braktisur nga shteti, që janë të vetmit në Europë, qoftë në vende demokratike apo në Europë, që janë fermerët dhe bujqit pa shtet. Askund tjetër nuk ndodhë kjo. Mund të them, se kemi instrumentin për ta kthyer programin jo në një libër elektoral me ëndrra dhe dëshira të mira që nuk realizohen kurrë, ku më pas burojnë premtime që krijojnë iluzione dhe zhgënjime, por me objektivave dhe zgjidhje konkrete. Ambicia ime është, se qysh të nesërmen e fitores, ministrat dhe dikasteret të kenë përpara planin e punës për 4 vitet, që do të shënojnë shpresën e madhe në vendin tonë, për sa i përket sektorëve jetik dhe posacërisht bujqësisë, blegtorisë dhe zhvillimit rural. Ky plan po ndërtohet sot dita ditës, përmes këtij dialogu. Nuk kam pretendimin sot të hyj thellë në çka kemi mbledhur dhe në çka ka filluar të përmirësohet një mendim i pjekur për rrugët që duhet të ndjekim, sepse jemi ende në fazën e diskutimeve dhe do të jeni ju që do të diskutoni bashkë me të tjerë, që do t'i bashkëngjitet në muajt në vijim diskutimit nga ekspertiza ndërkombëtare. Dua të theksoj, se pronësia është një problem i shtruar dhe i pazgjidhur në dialogët tona, edhe këtu në Malësinë e madhe, ku kjo temë u rimorë, siç u rimor në rrethina dhe siç do të rimerret në çdo vend, ku ka fshat dhe ku ka njerëz që presin të jetojnë me tokën, duke garantuar të nesërmen e familjes së tyre me tokën. Roli i shtetit në lehtësimin e barrës që ka prodhimi bujqësor, kur është fjala për karburantet, për farërat, pesticidet, infrastruktura që pa dyshim është një çështje më vete dhe këtu kam parasysh atë të rrugëve rurale, ku jemi një nga vendet më të pasura në Europë për burime ujore, por që për faqe të zezë, kemi toka djerrë po aq sa toka të punuara, ku kjo lidhet me sistemin e ujitjes. Blegtoria e cila në këtë qark ka një traditë të madhe, por që sot është në tre vjet dhe këtu kam parasysh racat që po degradojnë në mënyrë të frikshme, pasi të shkretët njerëz blejnë dhe nuk dinë çfarë blejnë. Pa dyshim, që bujqësi, blegtori, zhvillim rural, pa treg nuk ka dhe për këtë arsye sot ne kemi qytetarin që jeton në fshat dhe që detyrohet, që atë pak prodhim që i mbetet për ta shitur, të marrë rrugën për ta shitur në buzë të rrugës, duke i tundur në dorë makinave që kalojnë, sepse s'ka asnjë sistem grumbullimi dhe këtu kam parasysh, qoftë tregjet e shitjes së prodhimit, qoftë bazën frigoriferike që mungon krejtësisht në Shqipëri. Kemi parasysh mekanikën bujqësore si një element i patjetërsueshëm i zhvillimit, që sot mungon për shkak se mungojnë qoftë direktivat, qoftë subvencionet për këtë mekanikë dhe padyshim pastaj vijmë te teknologjia si kualifikim dhe si arsim, që është tërësisht e munguar dhe këtë mund ta dëshmojmë ekspertët e njohur e të braktisur, që janë lënë rrugëve për ju lënë vendin injorantëve, që i subvencionon pushteti me taksat e qytetarëve dhe që çojnë një rrogë në shtëpi për të prodhur varfëri për zona të tëra, me injorancën e tyre. Të gjitha këto, pa dyshim që janë pika që duhen zhvilluar dhe janë zhvilluar në tryeza, ku në përmbledhjen e tryezave të këtij qarku, kanë marrë edhe përgjigje një sërë pyetjesh përmes sugjerimeve të bujqve, fermerëve, ekspertëve.

Do të doja të fokusohesha vetëm te një pikë, për ta lidhur me aktualitetin qeverisës. Janë premtuar mijëra kilometra rrugë rurale dhe sot janë rrugët rurale që mungojnë e që janë problemi kryesor i fshatit. Ashtu si kundër në 17 vjet, janë investuar 120 milion dollarë, për të infrastrukturën e ujitjes dhe në rast se i dëgjojmë bujqit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka gjurmë të kësaj infrastrukture, sepse ky investim është një nga gropat thithëse më të zeza të menaxhimit të fondeve të publikut shqiptar. Kjo është një pasuri që nuk është larg nga ajo në të cilën regjimi i shkuar ngriti në sistemin e ujitjes, që është e vetmja gjë që ka mbetur sot, për të garantuar mbijetesën e qytetarëve shqiptar dhe mijërat e rrugëve rurale të premtuara nga Sali Berisha, i ka marrë me vete lumi i mijëra gënjeshtrave të tjera, që ka prodhuar vazhdimësi fabrika e rrenave e partisë demokratike, ku drejtoi është një njeri që gënjen sa herë merr frymë. Sepse, ajri që ai thith, pa rrenën nuk i jep mundësi të jetojë.

Dua gjithashtu ta mbyll, duke folur për problemin e kualifikimit dhe të problemit profesional. Ky nivel po shkon poshtë e më poshtë, sepse ata që mund ta mbanin këtë nivel lartë, u lanë rrugëve kohë më parë. Sepse problemet e bujqësisë janë thelluar në dy vitet e fundit, por nuk kanë filluar në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, të rejat dhe të rinjtë që duhet ta trashëgojnë zanatin, punojnë si skllevër në Greqi e Itali, për të mbledhur portokalle dhe patate, sepse toka e të parëve nuk ka ujë, prodhon sa për të mbajtur frymën gjallë dhe me atë prodhim ushqehet shtëpia, kurse me pjesën tjetër blihen këpucët dhe rrobat e dimrit. Ky është turpi i madh i politikës së vjetër, cinike e përçmuese për fshatin. Fshati shqiptar është një njësi njerëzore e poshtëruar nga pushteti i popullit. Ne kemi detyrën t'i rikthejmë dinjitetin fshatit, bujqërve dhe fermerëve, këtyre njerëzve të mëdhenj të punës, që sot janë viktimat më shembullore të keq qeverisjes prej 17 vjetësh, të abuzimit dhe të raportit poshtërues që politika e vjetër ka vendosur në fshat. Jam i bindur se së bashku do ta bëjmë të mundur kthesën e madhe, sepse jam i bindur se çka po bëjmë në këtë “Dialog me Shqipërinë. Në këto diskutime pa fund në të gjithë Shqipërinë, në këto tryeza ku 10 mijë veta janë përfshirë dhe ku ekspertët më të mirë po rikthehen në qendër të vëmendjes. Sepse na duhet mendja e tyre, pasi mund t'i japim një shans të ri atyre që jetojnë me tokën dhe që për këtë meritojnë mbështetjen e shoqërisë apo shtetit. Ata janë të vetmit, e përsërisë, në të gjithë globin, në demokraci dhe diktaturë, që janë vetëm apo të braktisur totalisht. Ata janë pa shtet, pa sistem, pa përkrahje, pa vëmendje. Janë jetim dhe të huaj në atdheun e tyre.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm