Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Konferenca rajonale e Arsimit: Liberalizimi pa konkurrence eshte shperdorim i endrrave te te rinjve

Të reja

Konferenca rajonale e Arsimit: Liberalizimi pa konkurrence eshte shperdorim i endrrave te te rinjve

31 May 2008    
Nuk ka liberalizim pa konkurrencë. Liberalizimi pa konkurrencë është kolektivizim, që nuk ka të bëj fare me sistemin ku ne jetojmë. Liberalizimi pa konkurrencë është shpërdorim i ëndrrave, ambicieve, interesave, të të gjithë atyre që bëjnë pjesë në një sistem, ku ky liberalizim funksion dhe në rastin e konkret të të gjithë të rejave dhe të rinjve që studiojnë në universitet tona dhe që e përfundojnë proçesin e nxënies në sistemin arsimor shqiptar.

Partia Socialiste zhvilloi, Konferencën rajonale të Tiranës: “Arsim për Shekullin e Ri. Kjo tryezë mbyll ciklin e 12 konferencave rajonale që janë zhvilluar në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Kjo konferencë shënoi dhe mbylljen e dialogut për arsimin në nivelin e tretë të tij, pasi më parë është bërë një debat publik, që ka filluar në shtatorin e shkuar, koha ku është iniciuar ky dialog. I pranishëm në këtë tryezë të fundit për arsimin, ishte Kryetari i PSSH-së, Edi Rama i cili u shpreh se në këtë proces dialogimi të celur nga PSSH kanë marrë pjesë mbi 2500 njerëz të sistemit, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre, për ndërtimin e një programi të ri për arsimin nga Partia Socialiste.

Fjala e plotë e Kryetarit të PSSH Edi Rama në këtë Konferecë:

“Dua në radhë të parë të flas për aspektin e metodoligjisë së këtij dialogu, që besoj se është një bazë shumë e sigurt për çka po ndërtojmë në funksion të programit të ri qeverisës. Programi i ri nuk është thjesht i Partisë Socialiste, por është program i ri për Shqipërinë. Nuk është thjesht një alternativë ndër alternativat në këtë proçes, ku të gjitha forcat politike pretendojnë të kenë një alternativë, por është një mundësi e re për t'i parë gjërat ndryshe. Është një rrugë e re për të shkuar në një drejtim tërësisht tjetër dhe për të arritur objektivin e përbashkët të transformimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë, përmes një proçesi tërësisht të transformuar.

Dua të them, se kjo është tryeza e fundit rajonale për arsimin, pasi janë zhvilluar këto tryeza në të gjitha qarqet e Shqipërisë, por është njëkohësisht edhe mbyllja e dialogut për arsimin në nivelin e tretë të tij. Pasi kemi bërë një debat publik në shtatorin e shkuar, ku kemi iniciuar këtë dialog dhe kemi ftuar të gjithë qytetare e qytetarë, në të gjithë Shqipërinë, që të marrin pjesë në të, duke bërë të qarta, arsyet dhe njëkohësisht ambiciet e dialogut.

Dua të kujtoj këtu, vështirësitë e mëdha që ka patur në fillim ky proçes për shkak se kultura e këtyre 17 vjetëve ka rrënjosur te njerëzit perceptimin se kur një parti politike i mbledh qytetarët, aty duhet folur për politikën e poilitikanëve dhe jo për çështjet e jetës. Ka qënë shumë e vështirë që njerëzit të ktheheshin drejt vetes, drejt problemeve të tyre konkrete, drejt zgjidhjeve që sipas tyre janë më të përshtatshmet, lidhur me çështje që çuditërisht, por në fakt nuk ka asnjë çudi, njerëzve u janë dukur e vazhdojnë t'u duken si pa lidhje me politikën. Kjo sepse politika është perceptuar dhe ngulitur si perceptim, e lidhur me politikanët, e lidhur marrdhëniet mes politikanëve, e lidhur mes ngjarjeve që krijojnë këto marrdhënie dhe jo si instrumenti për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve. Duke kujtuar këtu debatin publik të shtatorit, që ishte i pari debat publik i Dialogut me Shqipërinë, nuk mund të mos marr disa sekonda për të kujtuar se me sa shumë vështirësi ndërtohej dialogu, për shkak të perceptimit që thashë dhe për shkak të pamundësisë psikologjike të njerëzve për ta parë veten si pjesë reale e proçesit dhe jo thjesht si figurantë, apo spektatorë. Kjo është e kuptueshme, pasi kështu janë ndarë gjërat për fat të keq në 17 vjet, ku politikanët e mbyllur në kutinë e televizorit dhe populli zgjedhës i kthyer në një turmë telespektatorësh. Politikanët në shfaqjen e tyre, plot psikodrama dhe plot episode të larmishme, të papritura dhe spektakolare të sherrnajës së tyre dhe populli telespektator, në ndjekje të tyre. Populli harron se ata politikan nuk janë aty për të dhënë një shfaqje, por janë aty për të zgjidhur problemet e atyre që i shohin.

Kalimi i kësaj barrikade të vendosur mes politikës së politikanëve dhe jetës së qytetarëve, është një ushtrim i vështirë, dhe ka kërkuar një këmbëngulje të jashtëzakonshme përpara shumë shprehjeve shkurajuese, deri dhe në nivelin e komentatorëve fillimisht të këtij proçesi. Pastaj, nga debati publik, kemi kaluar në tryezat e arsimit në çdo qytet të Shqipërisë. Kemi kaluar në tryezat e arsimit, jo për të bërë thjesht biseda, por mbi bazën e një dokumenti të nxjerrë nga debati publik. Ky dokument nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër përveçse të jetë një fotografi besnike e realitetit të arsimit në Shqipëri, bazuar në përshtypjet e mbledhura nga njerëzit, në faktet dhe shifrat e mbledhura në dokumentacionin zyrtar dhe sigurisht në opinionet e ekspertëve, që kemi vënë në dispozicion të këtij projekti. Një fotografi e vendosur në çdonjërën nga këto tryeza, duke ftuar njerëzit të flasin, duke ftuar mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë në çdo qytet të vendit, që të mblidhen, duke ftuar pedagoge dhe pedagogë, arsimtare e arsimtarë, prindër, nxënës, studentë të interesuar, me qëllim që mbi këtë fotografi të gjendjes, të lind një diskutim mbi diagnozën dhe recetat e mundshme, për të shëruar arsimin shqiptar.

Kam kënaqësinë të them, se në këtë proçes janë përfshirë drejtpërdrejtë rreth 2500 njerëz, të cilët janë njerëz të sistemit arsimor në Shqipëri dhe njëkohësisht është i kënaqshëm fakti se këto tryeza nuk kanë qënë partiake. Kushti i parë, për ta konsideruar një tryezë cilësore, për të gjithë organizatorët e rrjetit të Partisë Socialiste, ka qënë që në këto tryeza të vijnë qytetarë të lidhur me sistemin arsimor, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht nëse sot jemi së bashku në tryezë dhe nesër na ndan bindja, apo na ndan gjykimi që përcakton votën.

Pasi, sipas mendimit tim modest, dhe sipas mendimit të përbashkët të këtij dialogu, këtu bëhet fjalë për të shkuar përtej paragjykimeve dhe bëhet fjalë për të shkuar përtej kufijve të vjetër që partitë kanë vendosur mes njerëzve, në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të programit. Në funksion të interesave të elitave të tyre dhe jo në funksion të filozofisë dhe të një vije sjellje të përcaktuar nga ideale dhe ide të ndryshme. Mbi të gjitha, sepse ne besojmë që reformat për të cilat ka nevojë Shqipëria, janë reforma të domosdoshme, që duhen parë pa asnjë prapavijë ideologjike dhe pa asnjë paragjykim. Në këtë aspekt, ne dëshirojmë t'i japim jetë një proçesi konceptual dhe qeverisës. Kjo është në fund të fundit, rruga e re e të gjithave partive që e kanë kapërcyer barrikadën e ideologjieve të shekullit të shkuar dhe që ndarjen mes tyre e shikojnë si një ndarje mes idealesh dhe idesh të ndryshme, në funksion të objektivave të përbashkëta. Në fund të fundit, objektivi i të gjitha forcave politike sot është i përbashkët, pra të ndërtojmë Shqipërinë evropiane, të mirqënies dhe të zhvillimit.

Pas këtyre tryezave, në nivelin e parë, të qeverisjes dhe nivelit të dytë të dialogut për arsimin në bashkitë e vendit, u erdhi radha tryezave rajonale, si moment i sintezës mes atyre ideve të mbledhura dhe atyre shqetësimeve të përcaktura, si shqetësime të përbashkëta. Sigurisht, që mbas këtyre tryezave rajonale, do t'i vijë radha një momenti tjetër, që është edhe faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë, ku do të fillojmë të diskutojmë, jo më mbi bazën e dëgjimit, por mbi bazën e ndërveprimit, zgjidhjet tona. Shtatori, do të jetë momenti i hapjes së një faze të re, të fazës së dytë të dialogut, ku së bashku me shqiptaret e shqiptarët, do të disuktojmë për fushat që kemi dialoguar gjatë gjithë kësaj periudhe, për zgjidhjet tona, që janë rezultat i një analize të thellë dhe me vetëdije të shtresëzuar te të gjithë në vite. Por, që do të na japë një sintezë të efektshme, për shkak se programi ynë, nuk do të jetë as një recetë e shkruar nga mjeku pa parë pacientin dhe as një recetë e mbështetur në nevojën ekskluzive për të fituar pushtetin.

Në Shqipëri, një nga arsyet e dështimeve të këtyre 17 viteve, është fakti se partitë kanë menduar të shkruajnë për të marrë pushtetin, por nuk kanë menduar se çfarë do të bëjnë të nesërmen e fitores. Fitorja e pushtetit ka qënë qëllimi i fundëm i çdo ballafaqimi dhe përplasjeje mes forcave politike gjatë periudhës para elektorale, ndërsa transformimi i kësaj mundësie të jashtëzakonshme dhe këtij privilegji të madh që zgjedhësit na e japin në rezultate, ka qënë një shqetësim që ka lindur vetëm të nesërmen e fitores. Për ne, fitorja nuk është qëllim, por është mjet. Nuk është momenti i fundëm i betejës, por fillimi i rrugës për të vënë në jetë të gjitha ato për të cilat jemi votuar. Sigurisht, kjo nuk mund të bëhet pa një përgatitje të gjatë, serioze në një proçes që ne kemi zgjedhur të jetë ky proces, por që na jep mundësi që të nesërmen e fitores, t'ju themi konkretisht njerëzve me vepra, jo me fjalë, se si do t'i zgjidhim problemet e tyre.

Mendoj se aspekti më i rëndësishëm, për sa i takon fjalës time sot, ishte të trajtoja, këtë proçes, duke qënë i bindur se këtu ka mjaft specialistë, të nderuar, të të gjitha niveleve të arsimit, që mund të thonë shumë më tepër se sa unë lidhur me temën. Dua ta mbyll, duke theksuar bindjen, se sistemi ynë arsimor është në një krizë, pasojat e së cilës, janë sot të pa llogaritshme ende. Sistemi ynë arsimor është sot në një krizë që lidhet me rënien e aftësisë mësimdhënëse, për arsye që janë analizuar dhe do të analizohen edhe më thellë. Nga ana tjetër, me rritjen sistemike të fallcitetit të kryerjes së një proçesi nxënie që në fëmijëri dhe deri në nivelin më të lartë pasuniversitar, gjithmonë e më pak cilësi, gjithmonë e më shumë fallcitet e boshllëqe. Besoj se ndajmë së bashku bindjen se cilësia e këtij proçesi, duke filluar që nga në hapin e parë të shkollës, është e papranueshme në rast se konsiderojmë vështirësitë e jashtëzakonshme të familjeve shqiptare, për t'u dhënë fëmijëve arsimin e nevojshëm dhe pamundësinë e jashtëzakonshme të dhjetra mijërave, për të patur sukses, në një sistem normal arsimor. Në rast se e konsiderojmë se universitet tona tani më janë kthyer në fabrika diplomash, që çdo vit e më shumë e humbin vlerën e tyre, duke shtuar numrin e të papunëve dhe të zhgënjyerve, në radhët e gjeneratës së re. Duke rritur piramidat e iluzioneve në emër të një liberalizimi, i cili ka në thelbin e vet, në qelizën e vet, një sëmundje vdekjeprurëse, që është mungesa e meritës.

Nuk ka liberalizim pa konkurrencë. Liberalizimi pa konkurrencë është kolektivizim, që nuk ka të bëj fare me sistemin ku ne jetojmë. Liberalizimi pa konkurrencë është shpërdorim i ëndrrave, ambicieve, interesave, të të gjithë atyre që bëjnë pjesë në një sistem, ku ky liberalizim funksion dhe në rastin e konkret të të gjithë të rejave dhe të rinjve që studiojnë në universitet tona dhe që e përfundojnë proçesin e nxënies në sistemin arsimor shqiptar.

Sot, jemi në këto kushte, kemi një liberalizim pa konkurrencë, kemi një liberalizim ku talenti dhe merita janë absolutisht irrelevant. Kemi liberalizim, ku pas iluzionit vjen zhgjëndrra e madhe e daljes në jetë, për t'u futur në radhët kilometrike të të papunëve. Duke parë ende në vitin 2008, si të vetmen mundësi reale për të dalë nga dëshpërimi social, marrjen e arratisë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm