Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kryetari i PSSH, Edi Rama, ka nisur nje tur takimesh me zyrtare te larte te BE ne Bruksel

Të reja

Kryetari i PSSH, Edi Rama, ka nisur nje tur takimesh me zyrtare te larte te BE ne Bruksel

23 Jun 2008    
I shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, nga Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Qemal Stafa, Saimir Tahiri, nga N/Sekretarët e Programit, Ilir Beqja dhe Ervin Bushati, nga Kryetarja e Komisionit të Arsimit, Ledi Shamku si dhe nga N/Kryetari i Komisionit të Bujqësisë, Rezar Kola, Kryetari i PS do të zhvillojë takime sipas një axhende të ngjeshur, takime në të cilat do të diskutohet për aspektet e veçanta të programit dhe koordinimin me prioritetet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, këto takime do të shërbejnë për të shkëmbyer eksperiencën e specialistëve të BE me ekipin që po harton programin e PS.

Sot paradite, Rama u takua me Z. Pierre Mirel, Drejtori i Drejtorisë së Zgjerimit për Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Në këtë takim merrte pjesë edhe Z. Dirk Lange, Drejtori i Njësisë për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Pasi shpjegoi procesin e deritanishëm të dialogut me qytetarët shqiptarë në çdo komunë dhe bashki si dhe procesin e konsultimit me ekspertët e pavarur dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, Rama theksoi nevojën për një “Program konkret dhe të realizueshëm për qeverisjen e ardhshme, një program që duhet të shkruhet jo nëpërmjet një procesi burokratik, por nëpërmjet një procesi që duhet të jetë vetë shpirti i qeverisjes.

Duke iu referuar situatës politike në vend, Rama theksoi me shqetësim prirjen e maxhorancës për të cënuar pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ai tha se “Kryeministri kërkon të kontrollojë sistemin gjyqësor, dhe shembulli më i mirë ishte vota politike ndaj 5 kandidaturave për Gjykatën e Lartë, të cilët nuk u miratuan megjthëse disa prej tyre kishin eksperiencë dhe kualifikim të pëlqyeshëm. Gjithashtu, Rama shprehu shqetësim edhe për procesin e reformës zgjedhore, duke qënë se qeveria nuk ka filluar ende me procesin e kartave të identitetit dhe aspektet e tjera të infrastrukturës zgjedhore.

Z. Mirel theksoi se “Nisja pothuajse një vit e gjysëm përpara zgjedhjeve e konsultimit me publikun dhe shoqërinë në tërësi për të ndërtuar konsensus për çështje të programit të PS, është një iniciativë e shkëlqyer ndaj më duhet t'ju komplimentoj ju dhe partinë tuaj. Më duhet të theksoj se duhet konsensus, ashtu siç duhet energji dhe forcë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne kemi dëgjuar angazhime nga qeveria, por tashmë ka ardhur koha jo vetëm për zotime publike, por edhe për aksion dhe rezultate konkrete. Nga ana tjetër, çështjet e shtetit ligjor paraqiten shqetësuese. E vërteta është se ka pasur progres, kjo falë edhe kontributit tuaj dhe të opozitës që kërkuat dialog me maxhorancën për çështje madhore. Megjithatë, tani shohim që ky progres ka ndaluar. Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më. Qeveria duhet të garantojë pavarësinë reale të institucioneve të pavarura, veçanërisht të prokurorisë. Vetëm në qoftë se ka sukses, atëherë kjo na ndihmon që të shohim drejt integrimit.

Takimet e ekipit të programit do të vazhdojnë sot me një takim për bujqësinë, ku Drejtori i Zyrës së Zgjerimit për Bujqësinë Z. Aldo Longo, do të bashkëbisedojë me ekspertët mbi aspektet e programit të PS për bujqësinë dhe prioritet e BE. Gjithashtu, po sot do të zhvillohet një takim i veçantë për çështjet e Sipërmarrjes dhe Industrisë me Drejtorin e Zyrës së Zgjerimit për Sipërmarrjen dhe Industrinë, Z. Christian Siebert.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm