Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kryetari i PSSH, Edi Rama ne Shkrel e Bajze te qarkut Shkoder

Të reja

Kryetari i PSSH, Edi Rama ne Shkrel e Bajze te qarkut Shkoder

07 Jun 2008    
Kam ardhur për t'ju thënë disa fjalë, se si e mendoj unë rrugëdaljen nga këto situata shumë të vështira, që na shoqërojnë prej 17 vjetësh dhe që shkojnë duke u vështirësuar, veçanërisht pas ardhjes apo riardhjes në pushtet të Sali Berishës, i cili ka abuzuar në mënyrë të jashtëzakonshme me besimin e njerëzve, me votën e demokratëve të ndershëm, me shpresat e popullit shqiptar, për një ardhmëri të re, që nuk mund të vijë as me politikën e vjetër dhe as me Sali Berishën.

Në rrugëtimin e tij Dialog me Shqipërinë Kryetari i PSSH ka bashkëbiseduar në takime të veçanta me banorë të fshatrave Bajzë dhe Shkrel të qarkut Shkodër. Duke tentuar përshkimin e të gjithë fshatrave të këtij qarku në harkun e disa ditëve Kryetari i socialistëve ka bërë apel për ndryshimin tërësisht të këndvështrimit të qytetarëve ndaj politikës. Politika u shpreh Rama në takime duhet të ketë në qendër qytetarin dhe jo politikanin. Gjatë bashkëbisedimit me fermerët e fshatit Shkrel, ata shprehën pakënaqësinë ndaj premtimeve që bëhen nga kryeministri dhe që për ta janë të pavlera. Një nga banorët në Shkrel u shpreh se janë të kota premtimet e Kryeministrit për rritje të pagave në një kohë kur 90% e fshatarësisë është tërësisht e papunë. Bashkëbisedimi i Kryetarit socialist Edi Rama ka vazhduar edhe në takime spontane në lokale të konsideruara, në fshat, si të demokratëve duke diskutuar po për problemet e bujqësisë, varfërisë së tejskajshme të fshatit dhe mungesës së punës në blegtori e bujqësi. Tokat e pavaditura dhe të papunuara ishin shqetësimi kryesor i banorëve në këto biseda të paorganizuara në fshatrat Shkrel e Bajzë.

Pjesë nga bashkëbisedimi i Kryetarit të PSSH në Shkrel me banorët e këtij fshati:

Dialogu me Shqipërinë është një përpjekje për ta vendosur politikën mes zgjedhësve dhe për ta përdorur politikën si një instrument, i cili u takon të gjithëve dhe jo vetëm një grushti politikanësh, të mbyllur në kutinë e televizorit. Kjo është një përpjekje për t'u thënë të gjithëve, se në rast se duam me gjithë shpirt ta ndryshojmë realitetin dhe në rast se duam t'i japim lamtumirën një epoke premtimesh pa mbarim dhe zhgënjimesh pa mbarim, në rast se duam që të çelim një rrugë të re për familjet tona dhe fëmijët tanë, duhet t'i japim jetë një bashkimi të ri. Një bashkim që do të jetë përtej kufijve të vjetër të partive, përtej pengesave që kanë ngritur mes nesh partite. Një bashkim përtej të majtës dhe së djathtës, në një kuptim shumë të thjeshtë. Duke u nisur jo nga flamuri i partisë, por nga flamuri i interesave të komunës, nga flamuri i interesave të familjeve të tuaja, nga flamuri i interesave të tuaja, në radhë të parë si qytetarë. Kjo është të shkosh përtej të majtës dhe të djathtës. Kjo është ta shohësh si të mundur bashkimin mes socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, të cilët nuk duhet në asnjë mënyrë të mbeten peng i një historie dhe një klan interesash për pushtet, i një historie që ka si protagonist, kryeministrin e vendit tonë, që është shpërdoruesi më i jashtëzakonshëm i besimit të njerëzve, i votës së tyre, i përkatësisë së njerëzve, në një kamp politik. E pra, këtyre demokratëve të thjeshtë, të ndershëm, që kanë ideale për të ardhmen, unë ju them se është koha për t'i dhënë jetë një bashkimi, duke dalë nga llogoret e partive dhe duke u bërë bashkë në emër të nevojës për një program të ri, për një rrugë të re, dhe duke mos nguruar të na besojnë dhe votojnë, sepse sot jemi ne që i përfaqësojmë më mirë dhe më drejt interesat e njerëzve të thjeshtë, ashtu si kundër jemi ne forca e së ardhmes. Kjo do të bëjë që të ndryshojë raporti i politikanëve me njerëzit, i partive me njerëzit, raporti i politikës, e cila deri më sot ka mbetur një monopol në dorë të atyre që janë mbyllur në kutinë e televiziorit dhe prej 17 vjetësh japin një shfaqje bajate, me konflikte, dasi, sherre, shpifje, kundër shpifje. Kjo përbën një arsye për të postuar vëmendjen dhe për të na treguar arsyet e tyre të vogla. Unë dua që ne t'i japim jetë këtij programi të ri, duke dëgjuar bujqërit, fermerët, mësueset, mësuesit, mjeket, mjekët, të gjithë ata që jetojnë në sektorë të ndryshëm të jetës tonë, që kanë nevojë për t'i transformuar dhe për 17 vjet nuk i ka dëgjuar askush. Vetëm duke i dëgjuar njerëzit, ata që jetojnë me probleme për ditë, vetëm duke marrë prej tyre shqetësimet dhe idetë, në do të mund ta transformojmë këtë vend përmes programit. Ky është sensi i dialogut dhe kjo është bindja jonë, kjo është edhe filozofia ime e transformimit të politikës, duke e kthyer politikën në një hapësirë, ku gjithkush ka të drejtën jo vetëm të flasë, por edhe të dëgjojë. Ku gjithkush ka të drejtën të sugjerojë, të ndikojë, të bëhet pjesë e një fuqie të madhe njerëzish, duke ngritur zërin e tij në këtë korr që mbron interesat e përbashkëta. Kemi të drejtë të shohim rezultatet e kësaj energjie të bashkuar, jo thjesht të votojnë dhe më pas të shohim zhgënjimin e radhës.

Nga dialogimi i Kryetarit të PSSH Edi Rama në fshatin Bajzë:

Kam ardhur për t'ju thënë disa fjalë, se si e mendoj unë rrugëdaljen nga këto situata shumë të vështira, që na shoqërojnë prej 17 vjetësh dhe që shkojnë duke u vështirësuar, veçanërisht pas ardhjes apo riardhjes në pushtet të Sali Berishës, i cili ka abuzuar në mënyrë të jashtëzakonshme me besimin e njerëzve, me votën e demokratëve të ndershëm, me shpresat e popullit shqiptar, për një ardhmëri të re, që nuk mund të vijë as me politikën e vjetër dhe as me Sali Berishën.

Jam këtu për t'ju thënë se është koha që të gjithë të sillemi në radhë të parë si qytetare dhe qytetarët e një vendi që ua kemi borxh fëmijëve tanë. Është koha që të sillemi në radhë të parë si shqiptare e shqiptarë, që dëshirojmë një Shqipëri të punës, një Shqipëri të qetësisë, të zhvillimit, të perspektivës për fëmijët tanë. Këtë Shqipëri që të gjithë bashkë e dëshirojmë, nuk mund ta realizojmë në rast se qëndrojmë të ndarë, në rast se pranojmë se politika e vjetër të na mbajë majtas e djathtas, me një mur i cili ju shërben vetëm një grushti njerëzish për pushtetin e tyre, i cili u shërben vetëm një grushti politikanësh, që duke na ndarë dhe përçarë, na sundojnë më lartë, i cili u shërben një pakice gjithmonë e më të vogël, në dëm të një shumice gjithmonë e më të madhe. Një pakicë që pasurohet për ditë e më shumë dhe një shumicë që varfërohet për ditë e më shumë. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se është koha për të bërë zgjedhjen e duhur, në raport me të ardhmen e fëmijëve tanë. Është koha për të bërë zgjedhjen e duhur, në raport me nevojën për të shpëtuar nga një e shkuar, që na ndjek pas si një hije dhe na pengon që të shkojmë përpara me atë shpejtësi që na duhet për të mbërritur në Bashkimin Europian, për t'u bërë pjesë integrale e këtij kontinenti të paqes, zhvillimit dhe mirëqënies, për të qënë në gjendje për të ecur me atë ritëm që ecin fqinjët tanë. Nuk dua në asnjë mënyrë t'ju them se mjafton të besoni te unë dhe gjërat do të zgjidhen, por dua me të gjitha mënyrat t'ju them, se secili duhet të besoj te vetja dhe pastaj të gjithë së bashku te fuqia jonë, për të kapërcyer hendekun e madh mes së shkuarës dhe të ardhmes, ku na mban politika e vjetër, që prej 17 vjetësh na jep një shfaqje të shëmtuar dasish, akuzash, fyerjesh, shpifjesh dhe që nuk arrin dot, të na japë më shumë se sa kjo shfaqje, që është një shfaqje në kurriz të interesave të të gjithëve dhe mbi të gjitha që paguhet me sakrificat e shqiptareve dhe shqiptarëve, të cilët janë sot më të varfër, më të papunë, më të pashpresë.

Është koha që t'ju kthejmë të gjithë burrave dhe grave, që duan të jetojnë me punë të ndershme, të drejtën për të jetuar me punë të ndershme dhe mundësitë e barabarta, që mes punës të bëjnë përpara, duke ngritur ekononominë e tyre familjare, në atë shkallë ku muaji të mos bëhet një kërcënim dhe një ankth për familjen që nuk e mbërrin dot fundin e muajit, për shkak të mungesës ekonomike dhe që e ardhmja të mos jetë një prespektivë e mbyllur, por të jetë një rrugë e hapur. Kjo është koha për të besuar tek vetja, është koha për të besuar te energjitë pozitive të secilit prej nesh, është koha për të besuar te një shqiptari evropiane dhe te një qytetari evropiane. Është koha për të besuar se ne e kemi të mundur t'i lëmë pas politikanët e vjetër të së shkuarës, së bashku me klanet dhe interesat e tyre të vogla, dhe të shohim përpara në emër të një politike të re, që do t'i japim jetë, kështu duke biseduar së bashku, duke trajtuar së bashku hallet dhe problemet tona, duke gjetur zgjidhjet dhe duke i bërë së bashku të mundura zgjidhet, në një realitet të përditshëm, që pa dyshim duhet të ndryshojë, që pa dyshim mund të ndryshojë dhe që pa dyshim do ta ndryshojmë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm