Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kush guxon të ngrejë dorë kundër procesit zgjedhor do përballet me pasoja të rënda sikurse parashikon ligji!

Të reja

Kush guxon të ngrejë dorë kundër procesit zgjedhor do përballet me pasoja të rënda sikurse parashikon ligji!

25 Apr 2019    

Fjala në Parlament e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:


Së pari, është një moment i rëndësishëm për ri-vijimin e punës së lënë në mes në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Me rifillimin e punës së këtij Komisioni të gjitha veprimtaritë e punës parlamentare marrin formë dhe përmbajtje.


Unë do ti nxisja të gjithë anëtarët e Komisionit që t’i lënë mënjanë flamujt e partive dhe të punojnë si përfaqësues të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë, për të përfunduar një reformë tërësore të Kodit Zgjedhor që rregullon infrastrukturën e një procesi zgjedhor demokratik, duke adresuar plotësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe duke hulumtuar të gjitha mundësitë për të identifikuar një sistem zgjedhor, i cili duhet të kalojë përmes konsensusit. Duhet të ketë një diskutim të hapur me të gjithë aktorët politikë në vend.


Ne nuk kishim asnjë kusht për Reformën Zgjedhore edhe me paraardhësit tuaj. Këtu, në këtë sallë, paraardhësve tuaj u kam thënë: merrni një letër të bardhë, shkruajeni si ta doni Reformën Zgjedhore dhe ne do ta miratojmë. Për ne e rëndësishme është të kemi zgjedhje demokratike, të kemi zgjedhje sipas të gjitha standardeve. Unë jam shumë i sigurt që zgjedhjet e 30 Qershorit do të jenë zgjedhje të mira e demokratike. Përshëndes të gjithë ato 42 parti të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit.


Rekomandimet e OSBE/ODIHR janë pjesa themelore e punës së komisionit. 


Kemi rënë dakord, pas konsultimeve me dy kryetarët e grupeve të opozitës, që ne të fillojmë punën për ashpërsimet lidhur me “gjëmën”, me pjesën më negative të proceseve zgjedhore, atë të shitblerjes së votës.


Edhe pse ju keni ndryshuar emrin, nga grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në grup të pavarur, partia nga lista e së cilës vini, ka damkën më të turpshme të blerjes së votës në këto 28 vite në Shqipëri. Duhet ta themi troç.


Duhet ta themi troç, shumë mirë që sot, deputetët të cilët vijnë nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kërkojnë bashkëpunim për të luftuar shitblerjen e votës.
Unë dua ti kujtoj sot qytetarëve shqiptarë që ndjekin punimet e Kuvendit të Shqipërisë se kush hakërrehet nëpër sheshe apo nëpër rrugë, se në Shqipëri nuk do të mund të zhvillohen dot zgjedhje, duhet ta dijë se nuk ka më budallenj në Shqipëri, që të shkojnë e të bëjnë deri në 8 vite burg për Sali Berishën apo Lulzim Bashën duke dëmtuar qoftë edhe një fletë apo kuti votimi.


Kush guxon të dëmtojë me dashje materialet zgjedhore, thotë neni 326 i Kodit Penal, prishjen, shkatërrimin me dashje apo zëvendësimin në kundërshtim me ligjin e pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë të çdo materiali tjetër zgjedhor, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.


Ndërkohë që kur kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cënuar rezultatin e votimit dënohet me burg nga 3 deri në 8 vite burg.


Nuk ka më budallenj që të dëgjojnë Lulin me Monikën, e që të guxojnë të ngrenë dorë kundër procesit zgjedhor.


Zgjedhjet nuk janë as të grupit të PS-së dhe Partisë Socialiste, as të grupit demokrat, qofshin këta demokratë të Partisë Demokratike apo Bindjes Demokratike.
Është qesharake që nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, sulmon sistemin politik në këtë vend për parti-tokraci.


Astrit Patozi ka qenë kryetar i grupit të Partisë Demokratike 8 vite në pushtet dhe i ka pasur të gjitha mundësitë që ta ndryshojë parti-tokracinë.
Ju nuk keni faj, por partisë mëmë thuajini që Patozi është i tyre dhe jo i yni.


Si mund të mbështesim ne kundërshtarin tonë?


Ku ta dimë ne se nuk e ka futur Sali Berisha, Astrit Patozin? Dështoi Luli, futi Patozin.
Ajo që dua t’i them qytetarëve shqiptarë në ringritje të këtij Komisioni është le t’i ashpërsojmë edhe më tej dënimet për çdokënd që tenton të fusë duart në zgjedhje, për çdokënd që bën thirrje se mund të tentojë të pengojë procesin zgjedhor.


Zgjedhjet e 30 Qershorit do të zhvillohen. Neni 330 i Kodit Penal për pengimin e zgjedhësve është më i rëndë se ai që përmenda më lart, sepse edhe këtu dënimet fillojnë me nga 5 vite burg për këdo që tenton të pengojë një qytetar shqiptar të shprehë lirë votën e vet. 


Bashkohem me propozimin e znj. Hajdari dhe z. Musaj që ky Komision duhet menjëherë të fillojë punën.
Për të dy bashkëkryetarët, për të cilën ne do të vendosim në fund të seancës, thirrja ime është që të fillojmë punën menjëherë që në fillim të javës tjetër, pa humbur kohë, me qëllim që gjithçka që duhet ta kishim bërë deri tani dhe që lidhet edhe me nevojën që Shqipëria ka që edhe Reformën Zgjedhore ta kishte realizuar para zgjedhjeve të 30 Qershorit, si detyrë shtëpie nga Këshilli Europian.


Nuk e bëmë dot me paraardhësit tuaj në listat e deputetëve, por ju jeni deputetë tërësisht legjitimë në funksion të parlamentarizmit në vend. 
Po ua rikujtoj, gjatë punës së Komisionit ne nuk insistuam për ta vendosur në kushtet e këtij Komisioni, por në dokumentet e punës së deritanishme të Komisionit për Reformën Zgjedhore do të ri-gjeni kushtin e vetëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë që është vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Ky është i vetmi kusht që ne kemi.  


Ne nuk arritëm dot t’ua japim mundësinë shqiptarëve të Hasit, që jetojnë në Londër, që të votojnë për kryetarin e bashkisë së tyre në Has apo shqiptarëve që jetojnë në Athinë, të votojnë për kryetarin e Bashkisë së Sarandës. 


Në 2021-in ne duhet tua mundësojmë të gjithë shqiptarëve, që jetojnë jashtë territorit, mundësinë për të votuar. Ua kemi borxh prej 28 vitesh. 
Jam shumë i sigurt se nëse nuk do të kishte qenë emigracioni, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot. Po ua rikujtoj që gjatë punës së Komisionit nga ana e anëtarëve tanë, do ta keni si pikë të rëndësishme referimi për Reformën Zgjedhore.


Së fundmi, plotësimi i vendeve bosh në Komision krijon mundësinë e rifillimit të punës. Jam i sigurt që nga deputetët e tjerë, që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, do të ngrihet shqetësimi se përse nuk janë pjesë e këtij Komisioni. Dua t’i sqaroj se Komisionet ngrihen si profil i propozimeve të grupeve parlamentare.


Jam shumë i sigurt se nga ana jonë nuk mungon dhe nuk do mungojë asnjëherë mirëkuptimi për ta zgjeruar edhe më tej përbërjen e komisionit, me qëllim që kushdo që është në këtë sallë të parlamentit të ndjehet i përfaqësuar. 


Doja t’u bëja thirrje të dyja grupeve politike të konturuara tashmë, ju lutem bëni propozimet sot për të rimarrë të gjithë pozicionet që i takojnë opozitës, tre kryetarë të komisioneve, nënkryetarin e Kuvendit dhe të gjitha delegacionet e tjera, të cilat me të drejtë i takojnë opozitës.
Punë të mbarë Komisionit dhe punë të mbarë të gjithëve në këtë ushtrim demokratik të punës parlamentare.
Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm