Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lajm i mirë, sot Shqipëria ka një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm

Të reja

Lajm i mirë, sot Shqipëria ka një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm

18 Dec 2017    

Prononcimi i sotëm për media i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, pas votimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm:

Tani, e dëgjuat Monikën? E kishte hallin te duart në xhepa, se shqetësimi i tyre sigurisht dihet se kush është. 
Për fat të mirë, shqiptarët e shohin se kush janë bërë bashkë; janë bërë bashkë të gjithë ata që prej 2014 kanë qenë me shpirt e me zemër, me veprime konkrete kundër Reformës në Drejtësi. Në 22 korrik 2016 nuk mundën ta bllokonin Reformën në Drejtësi, për arsyet që shqiptarët i dinë. Shqiptarët në 25 Qershor na kanë dhënë një mandat për të çuar më tej implementimin e plotë të Reformës në Drejtësi.


Ky debat nuk mund të zhvillohet as me dhunë, as me bomba, as me goditje, bidona me ujë e gjithçka pati mundësi Luli e Monika bashkë, nën dirigjimin e Saliut, të bënin sot në këtë seancë. Debati në demokraci zhvillohet në institucione e zhvillohet, në rastin në fjalë, nëse ata kanë kontestim për vendimin e Kuvendit; është Gjykata Kushtetuese që e ndan, nuk mund ta ndajë Partia Demokratike dhe simotra LSI, çështjen e procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm. 


Ju them me plot bindje, që kemi respektuar fjalë për fjalë e gërmë për gërmë të gjithë kuadrin ligjor që rregullon këtë çështje; e Kuvendi sot ka caktuar një Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm.


Ata që bërtasin atje, pak syresh, gjysma nga PD e gjysma nga LSI, kanë probleme të theksuara me drejtësinë. 

Për vëmendjen e gazetarëve, do doja t’ju sillja vetëm një moment: Mbani mend, në shkurt të 2017-s, kur ne thirrëm në Komision Hetimor Shkëlzen Berishën, tre ditë më pas Partia Demokratike thirri protestë. 
Para tre ditësh, Gjykata e Tiranës vendosi marrjen në  hetim, marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës, Sali Berishës e të gjithë të tjerëve. Pas tre ditësh, Partia Demokratike sot është në protestë.

Të jeni të sigurt që ne jemi zgjedhur për të bërë detyrën që na kanë ngarkuar shqiptarët. 
Jeni të gjithë gazetarë me eksperiencë: merrni dhe lexoni raportin e Komisionit.


Pse votuan kundër dy prej deputetëve tuaj dhe dy abstenuan?

E para njëherë, si të mësuar me vjedhje: Monika vodhi disa karta deputetësh socialistë. E kanë këtë, këtë pjesë nuk ua heqim dot; është ves i keq ky, por s’kemi çfarë t’i bëjmë, nuk e rregullojmë dot. Kur i patëm në koalicion, u munduam t’i vëmë në rrugë të drejtë; nuk drejtohen ata, e kanë këtë pjesën e “të futurit duart në xhepa”.

Në mënyrë procedurale, më lejoni t’ju shpjegoj që, karta elektronike është një sistem aksesi në Sistemin e Përgjithshëm Elektronik të Kuvendit. Për këtë çështje të jeni të sigurt, që është tërësisht e bazuar në  Rregulloren dhe në punën e përditshme të Kuvendit. Në ato kushte, kur salla ishte e mbuluar me tym, mund të ketë pasur ndonjë koleg që ka gabuar në votim; por kini parasysh që kishte edhe parti të tjera që morën pjesë në procesin e votimit, dhe të gjithë së bashku kemi votuar. 

E rëndësishme është që Shqipëria, nga data 7 deri në 18, nuk kishte një Prokuror të Përgjithshëm. Sot ka një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, e cila ka bërë edhe betimin, e cila mori mbështetjen e më shumë se gjysmës.

Ky është një vendim i Kuvendit, i cili kërkon vetëm 36 vota nëse 71 janë prezent; dhe si i tillë ka vlefshmërinë e plotë juridike. Ju nuk e çoni dot në Gjykatë Kushtetuese.

Ky që bërtet këtu, e dini të gjithë, ka një hall shumë të madh: aktualisht është nën hetim ndërkombëtar për transferta parash të pista e për pastrim parash.

 

Hetimi është për të gjithë palët, zoti Balla, e kam fjalën që dosje ka për të gjithë krahët?

Se ju keni filluar të merrni dhe informacione të fshehta. 

Ky po bërtet, unë s’po bërtas; unë po komunikoj me ju. Ky që bërtet, e ka një hall. Shqiptarët e kanë shprehje këtë: Kush bërtet, e ka një hall! Unë s’po bërtas; jam shumë i qetë. 

Ajo që duhej t’u kishte rënë në vëmendje të gjithëve sot, është që drejtimin e kësaj proteste e mori Sali Berisha. Fakti që Berisha e pa se Mona dhe Luli nuk e bënin dot këtë punë dhe doli vetë për të sulmuar Gardën e Republikës e për të marrë drejtimin e protestës, ky është një fakt kuptimplotë që shqiptarët e kuptojnë. 

 

Z. Balla, ju lutem, sa e dëmton marrëdhënien mes mazhorancës dhe opozitës zgjedhja e Prokurorit të ri të Përkohshëm; sepse opozita mesa duket është vendosur në një barrikadë duke deklaruar se procedura është antikushtetuese dhe marrëdhënia mes jush duket se është krisur përfundimisht?

Të gjithë  e dini, po të ishte për Partinë Demokratike dhe për LSI, Shqipëria nuk do të kishte sot një Reformë në Drejtësi. Po të ishte për Partinë Demokratike dhe për LSI, ne nuk do të kishim vijuar sot procesin e Vettingut dhe nuk do të ishim në fazën ku është e thënë qartë, e zezë mbi të bardhë, që kur pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm mbetet vakant, Kuvendi i Shqipërisë cakton një Prokuror të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm.

Unë jam shpresëplotë që menjëherë në janar, institucionet që kanë përgjegjësi nga kushtetuta dhe nga ligji do të punojnë për të kompletuar tërësisht trupën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë; dhe më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm të Mandatuar.

Dëshira e atyre që bërtasin atje është që të bllokohet ky proces dhe vendi të mbesë pa një Prokuror të Përgjithshëm.

Ju i dini kompetencat që ka Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm për administrimin e institucionit. Të gjithë duhet ta kuptojnë që me Reformën në Drejtësi janë prokurorët e çështjeve ata që janë vendimmarrës.

Këtu do doja t’ju kujtoja rastin më flagrant, siç është rasti i para pak ditëve, ku vetëm me 10 ditë hetim, 5401 faqe, një prokurore,- e sjellë nga Burreli në Tiranë vetëm me qëllimin për të mbyllur çështjen,- e mbylli çështjen për 10 ditë; ndërkohë që gjykata e hodhi poshtë. Ky është i njëmiti i shumë rasteve sesi janë mbyllur dosjet  e korrupsionit.

 

Z. Balla, në momentin që Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrihet, prokurori i ardhshëm duhet të zgjidhet me 85 vota. Ju i keni 85 vota pa opozitën?

Nëse nuk ka 84 vota për të mbështetur njërin nga tre kandidatët që sugjeron Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kandidati që renditet i pari vazhdon detyrën.

Ne e kemi thënë shumë qartë prej ditës së parë: këta e filluan me pak dhimbje në fillim, tani i janë shtuar dhimbjet më shumë, ndaj ne nuk kemi si t’ua zgjidhim dhimbjet këtyre.

Një opozitë që hedh bomba me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, një opozitë që dhunon deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, janë goditur deputetë të Partisë Socialiste me bidona, përbëjnë një rast të rëndë.

Më vjen keq edhe për deputeten e re që është gjakosur. Por, gjithashtu më vjen keq që një vajzë 23-vjeçare ende nuk e ka kuptuar për çfarë ka dalë në protestë.

Unë jam i sigurt që ajo nuk ka hallet e Monikës. Monika ka halle, por ajo nuk ka pse të ndajë hallet e Monikës apo hallet e Lulit. Hallet e Monikës dhe të Lulit nuk ka zot që i shpëton.

Ky është një rast i rëndë, është hera e parë në Kuvendin e Shqipërisë që ndodh kaq ashpër një shkelje e rregullores. 

Kam vënë re që deputeti Salianji dhe një deputet tjetër i PD-së, për fat të keq, kanë thyer Rregulloren e Kuvendit: kanë futur brenda bomba me gaz lotsjellës. Goditjet për shkak të detyrës që kanë ekzekutuar këta njerëz të papërgjegjshëm, sigurisht që janë vepra të cilat hyjnë në jurisprudencën e Kodit Penal, por këto janë çështje që i takojnë institucioneve kompetente.

Për sa i përket emrave në fjalë, Byroja e Kuvendit të Shqipërisë do të informohet dhe do të marrë vendimet përkatëse.

 

Si do të bashkëpunoni me opozitën kur të fillojë sesioni i ri parlamentar?

Dëshira jonë është që ne të bashkëpunojmë me opozitën në dobi dhe interes të integrimit europian të Shqipërisë.

E kemi thënë që prej ditës së parë: ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë e të ulemi së bashku në një tryezë të madhe, për çështje të mëdha që e shqetësojnë Shqipërinë. Mirëpo një gjë duhet ta dinë të gjithë, shqiptarët e dinë sepse për këtë na kanë votuar në 25 Qershor: ne nuk bëjmë pazar në kurriz të drejtësisë. Për ne drejtësia është gjëja më e rëndësishme për të cilën na kanë votuar shqiptarët në 25 Qershor. Ata kërkuan që ne të bëjmë një pazar të pisët për të lënë në detyrë prokurorin aktual. Të jeni të sigurt që drejtësia në këtë vend po vjen; fakti që këta po bërtasin kaq shumë, është se kanë filluar t’u vijnë dhimbjet.

 

Z. Balla, tre kandidatët e KLP-së janë tashmë. Pse nuk u ndërmor direkt procedura për ngritjen e saj, por u ndërmor procedura për Prokurorin e Përkohshëm?

Nuk dua t’ju marr shumë kohë, por ju nuk jeni informuar mirë për ligjin, kjo ka një procedurë. Duhet të ngremë komisionin ad hoc si fillim.

Unë jam shpresëplotë që për disa javë kjo çështje do të mbyllet dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrihet.

Por edhe një herë e theksoj, qoftë edhe një ditë të vetme një institucion kaq i rëndësishëm si Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të ngelet vakant.

Ata që kërkonin ta mbanin vakant vendin e Prokurorit të Përgjithshëm, janë ata që kanë halle me drejtësinë.

 

Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri të gjithëve!

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm