Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Leskaj: Kuvendi nuk mund te refuzoje dekretet e Presidentit duke dhunuar Kushtetuten

Të reja

Leskaj: Kuvendi nuk mund te refuzoje dekretet e Presidentit duke dhunuar Kushtetuten

11 Jun 2008    
Grupi Parlamentar i PS e konsideron qëndrimin e fundit të mazhorancës ndaj Dekreteve të Presidentit të Republikës, dhe etiketimin e tyre si antikushtetues si një kërcënim të hapur për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve, si një kërcënim për demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ky qëndrim është një shfaqje e re e konfliktit të vjetër të Kryeministrit Berisha dhe pasuesve të tij qëndrim që ka ndodhur me çdo pushtet të pavarur në Shqipëri.

Grupi Parlamentar i PS, vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit Gjyqësor duke konfliktuar artificialisht institucionet.

Këto pushtete janë të ndara në kushtetutë sic janë të ndara dhe rolet mes Presidentit dhe Kuvendit në emërimet e gjyqësorit.

Kuvendi emëron ose jo dekretet e Presidentit të Republikës, po nuk mund të refuzojë dekretet duke dhunuar rendin kushtetues dhe bllokuar Gjykatën e Lartë me mjete politike arkaike. Gjykata e lartë sot ka 7 vende bosh për pasojë vendimmarrja e saj është e bllokuar.

GPS, i bën thirrje Kryeministrit dhe pasuesve të tij t'i hapin rrugë logjikës kushtetuese dhe procesit demokratik.

Ne kërkojmë futjen në procedurë votimi dhe natyrisht me votim të fshehtë të të gjithë dekreteve të paraqitur nga presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Në të kundërt do gjendemi në një udhëkryq me një Gjykatë të Lartë të bllokuar e me një President të Republikës me autoritet Kushtetues të cënuar.

Me këtë akt njolloset Kushtetuta, Kuvendi dhe fytyra e Shqipërisë në sytë e botës demokratike.

Mazhoranca duhet të reflektojë për t'ja kursyer këto probleme vendit.

Pyetje:

Zonja Leskaj keni hequr dorë nga mocioni për shkarkimin e kryetares?

Nuk kemi hequr dorë nga mocioni për shkarkimin e kryetares. Siç e kam thënë edhe herë tjetër kjo është në proces vlerësimi.

Si do të sillet opozita nesër në momentin e kalimit në rendin e ditës së dekreteve të presidentit, pavarësisht mënyrës se si do të sillet mazhoranca?

Natyrisht që opozita do të votojë pro dekreteve të presidentit, do të insistojë me forcë dhe do kërkojë që dekretet të futen në procedurë sipas rregullores së Kuvendit dhe sipas të gjitha procedurave dhe ligjeve të shtetit. Të futen me votim të fshehtë sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk mund të futet në Kuvend raport-komisioni, në Kuvend duhet të futen dekretet e presidentit për u votuar. Maxhoranca në rast se do t'i rrëzojë, le t'i rrëzojë në Kuvend. Ne do të votojmë natyrisht pro dekreteve të Presidentit, pro Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm