Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Leskaj: Nuk do lejojme qe ky Kuvend te mbroje krimin

Të reja

Leskaj: Nuk do lejojme qe ky Kuvend te mbroje krimin

05 Jun 2008    
Kryeministri dhe qeveria e tij nuk kanë as vullnet dhe as kapacitete për të luftuar krimin dhe korrupsionin, përkundrazi e kanë kapur për fyti.

Dëshmia e qartë është Gërdeci po e ktheni Shqipërinë në një Gërdec të madh me këtë nivel krimi e trafiku. Më duhet ta them edhe njëherë se nëse nuk e sillni kërkesën e prokurorisë, ne do bllokojmë Kuvendin, për të mos e lejuar të kthehet në një Kuvend që mbron krimin

Së pari, dua t'i kujtoj parafolësit që u rrek të mbronte këshilltarët e Kryeministrit për konfliktin e pastër të interesave që ata kanë, po duhet ta kishte bërë këtë edhe për kunatin e Kryeministrit që është gjithashtu në konflikt të pastër interesi, gjynah që nuk e mbrojti dhe atë.

Së dyti, dua ti them parafolësit se Kryeministri kur ishte në opozitë ka qenë kundër sundimit të bordeve nga këshilltarë të kryeministrit. Pse ka ndryshuar Kryeministri? Pse i ka futur këshilltarët e tij nëpër borde?

Së treti, zotëria tha se po merremi me raporte krimi e trafiku e s'po merremi me probleme të shqiptarëve. Kjo është pikërisht ajo që na shqetëson ne. Për fat të keq në këtë Kuvend gjithnjë e më shumë po diskutojmë për raporte tronditëse mbi nivelin e korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve në Shqipëri. Po nuk është faji i opozitës që është rritur krimi, korrupsioni dhe trafiqet. Ju e katandisët vendin në këtë ditë, që ç'do muaj vinë raporte të zeza ne nuk mund ti anashkalojmë këto.

Janë të njëpasnjëshme raportet negative, që po vinë nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Kjo ka bërë që në vend që debatet në Kuvend t'jua kushtonim reformave dhe problemeve të tjera jetike për shqiptarët, arsim, shëndetësi që po kthehen në makth, duhet të mbetemi në vend te trafiku e krimi.

Dje ka dalë raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me situatën e trafikut të qenieve njerëzore, me vlerësime që do bënin me turp ç'do shqiptar, për të vërtetat që thuhen atje.

Ndërkohë që pritej që Shqipëria të dilte nga shkalla e dytë, ku ka mbetur prej vitesh, lidhur me nivelin e trafikut të qënieve njerëzore, në fakt ka bërë hapa mbrapa.

Katër vjet më parë Shqipëria kaloi nga shkalla e tretë në atë të dytë, jo vetëm nuk vazhdoi ulja por po e çoni vendin në grupin më të zi.

Po flas me gjuhën e raportit të DASH , duke cituar disa nga vlerësimet që ky raport jep për situatën e trafikut të qenieve njerëzore në Shqipëri :

Shqipëria është një vend burimi për gra dhe vajza të trafikuara për qëllime të shfrytëzimit seksual për përfitim dhe punë të detyruar;

Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eleminimin e trafikimit;

Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet ligjzbatuese për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007.

Qeveria e Shqipërisë dështoi në vazhdimin konseguent të përpjekjeve për të identifikuar, referuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007.

Qeveria e Shqipërisë vuri në zbatim një numër veprimtarish për parandalimin e trafikimit, por lejoi që plani i saj kombëtar anti-trafikim i veprimit të skadonte.

Qeveria nuk paraqiti fakte se bën përpjekje të parandalojë angazhimin në trafikim apo shfrytëzimin e viktimave të trafikimit nga ana e trupave të saj paqeruajtëse të dislokuara jashtë vendit.

Pas këtyre vlerësimeve tronditëse do ishte e tepërt të bëje ndonjë koment. Sa herë flitet për trafikun vjen Ministri i Brendshëm që rreket me shifra policësh të na mbushë mendjen. Në fakt është i vetmi serioz që vjen këtu e përgjigjet, po çështja e trafikut nuk është thjesht çështje policie e shtrëngimi kufiri, po me dimension të drejtash njerëzore e sociale. Këtu qeveria ka dështuar tërësisht dhe as nuk e kupton këtë.

Për fat të keq ky nuk është i vetmi raport.

Janë një sërë raportesh në harkun e një viti që po venë theksin gjithnjë e më fortë në çështjen e krimit korrupsionit dhe trafiqeve dhe problemi më i madh është që nuk ka përmirësim, po janë raporte të përkeqësuar. (BE)

Një ditë më parë në raportin e Komisionerit të BE, Olli Rehn, përmendej çështja e Krimit të organizuar si pengesë për lëvizjen e lirë, dje raporti Departamentit e quan qeverinë të dështuar në luftën ndaj trafikut të qënieve njerëzore. Një muaj më parë raporti IDR me financim të USAID, jepte tregues tronditës korrupsioni.

Raporte të rënda kanë ardhur më parë nga BE, CIA, OKB, Banka Botërore dhe së fundi edhe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Asnjëherë nuk ka patur një intensitet kaq të lartë raportesh negative nga Institucionet ndërkombëtare për situatën e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Ky duhet të ishte sinjal alarmi.

Kjo tregon se Kryeministri dhe qeveria e tij nuk kanë as vullnet dhe as kapacitete për të luftuar krimin dhe korrupsionin, përkundrazi e kanë kapur për fyti.

Dëshmia e qartë është Gërdeci po e ktheni Shqipërinë në një Gërdec të madh me këtë nivel krimi e trafiku.

Më duhet ta them edhe njëherë se nëse nuk e sillni kërkesën e prokurorisë, ne do bllokojmë Kuvendin, për të mos e lejuar të kthehet në një Kuvend që mbron krimin.

Lërini presionet ndaj prokurorisë po sillni kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm