Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Leskaj: TVSH eshte kthyer ne varesi te qeverise Berisha

Të reja

Leskaj: TVSH eshte kthyer ne varesi te qeverise Berisha

05 Jul 2008    
Komunikimi i sotëm, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhet me situatën alarmante që është krijuar në Televizionin Publik Shqiptar, i cili është vënë tërësisht në shërbim të PD e veçanërisht të Kryetarit të saj.

Ky është një konstatim që nuk vjen vetëm nga opozita. Një institucion i pavarur KKRT-ja, që e ngarkon ligji për të monitoruar kohën televizive sipas subjekteve, afron një raport skandaloz.

Sipas të dhënave të raportit në fjalë, Kryeministri dhe Qeveria, në edicionet informative zënë gati 2.5 herë më shumë kohë se opozita dhe bashkë me PD gati 4 herë më shumë.

Vetëm Berisha merr më shumë se dyfishin e kohës së gjithë opozitës ose 3 herë më shumë se Parlamenti. Në Radio Tirana opozita merr 5 herë më pak kohë se mazhoranca.

Kjo është maja e ajsbergut sepse jashtë kohës së lajmeve raportet janë gjithashtu skandaloze. P.Sh Mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD, bëhen emision special.

Nuk është vetëm koha që tregon pushtimin e RTSH, në përmbajtjen e lajmeve ndodh dhe manipulimi më i madh. Kjo ka ndodhur jo vetëm me opozitën po edhe me Presidentin e Republikës, të cilin ose e rradhisin nga fundi i lajmeve ose nuk e japin e deri në raste të linçimit të tij.

Duke parë RTSH-në, ku Berisha dominon edicionet, të krijohet bindja se Shqipëria është një vend si ai i chavezit, jo një republikë parlamentare.

Asnjë nga TV private, që operojnë në Shqipëri, që nuk marrin para nga taksapaguesit, nuk janë në këtë gjendje. TV private janë më të balancuar se RTSH si në kohë edhe në përmbajtje të lajmeve.

Ne vlerësojmë se kjo është një situatë e krijuar jo për shkak të paaftësisë profesionale të njerëzve të RTSH-së, por për shkak të pamundësisë për të përballuar presionin e madh që ata kanë.

Që kur ka ardhur PD në pushtet, janë tre drejtorë të departamentit të informacionit që kanë dhënë dorëheqjen. Edhe pse motivet nuk bëhen publike është lehtësisht e kuptueshme që mbi ta është ushtruar presion.

(Thuhet se në rastin e dorëheqjes së fundit tensioni dhe trysnia për të minimizuar tragjedinë e Gërdecit dhe Gërdecët e tjerë ekonomikë e sociale të vendit, kanë qenë shkaku i largimit të drejtorit.)

Për të mos lejuar përdorimin, kanë bërë dorëheqjen edhe anëtarë të këshillit Drejtues.

Kjo mazhorancë e ka futur RTSH në krizë me përdorimin që po i bën, që është sëmundja e vjetër e sjelljes së saj me gjithë institucionet e pavarura.

Grupi Parlamentar Socialist mendon se situata e përdorimit të RTSH ka ardhur duke u rënduar për shkak të nevojës që ka pushteti i sotëm për të mbuluar dështimet dhe korrupsionin. Njëherësh ai po e përdor si autoparlant për zgjedhjet që afrojnë.

Kjo është arsyeja që sa më shumë afrohen zgjedhjet aq më keq po bëhet RTSH si dhe rezulton nga të dhënat e raporteve zyrtare të monitorimit jo nga të dhënat e opozitës.

RTSH sot është në ditën më të keqe e në këto kushte ai nuk ka asnjë shans të bëhet publik.

Ne denoncojmë në rradhë të parë, shkeljen e të drejtave të taksapaguesve shqiptarë të cilët paguajnë taksa për të patur informacion të vërtetë dhe të paanshëm jo për mitingje të PD. RTSH është TV i gjithë Shqiptarëve, të cilët nuk kanë borxh të paguajnë taksa për autoparlant të PD.

Përfaquesit e opozitës në Komisionin Kuvendor të Medias i kanë kërkuar Këshillit Drejtues të RTSH analizë serioze për situatën. Ne jemi në pritje të këtij raporti përpara se të përshkallëzojmë masa të tjera, në rast se nuk do të ketë reflektim.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm