Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lufta me krimin do përshkallëzohet më tutje

Të reja

Lufta me krimin do përshkallëzohet më tutje

08 Oct 2018    

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste:

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Dua ta nis këtë fjalë me një pyetje. Pse nuk flet më njeri për kanabis? Sepse kanabisi u çrrënjos përfundimisht. E gjithë makineria, thuajse 30 vjeçare e asaj industrie kriminale u shkatërrua. Por, pikërisht pse ne e luftuam kanabisin, si askush më parë, duke i hapur një luftë frontale sistematike, në çdo zonë të vendit, jo një shfaqje këtu e një atje, një sot e një pas një viti, - u sulmuam dhe u baltosëm, si askush më parë. Si askush më parë, po sulmohemi përsëri, tanimë për krimin, sepse si askush më parë, ne kemi trazuar keq krimin, po e godasim dhe po e shtrëngojmë. Eksponentë dhe grupe që janë krijuar e fuqizuar prej shumë e shumë vitesh, njësoj si makineria e industrisë së kanabisit, ndjejnë gjithnjë e më pranë qafës frymën e goditjes.

Megjithatë njësoj, në të dyja rastet, akuzuesit janë ata që nuk bënë asgjë, as kundër kanabisit, as kundër krimit. Qofshin ata që ishin në qeveri dhe qofshin ata që në banaqet dhe sallonet Vip të klubeve mediatike nuk u morën kurrë me kanabisin, nuk u morën kurrë me krimin, sepse Lazarati ishte normalitet shtetëror, pjesa tjetër nuk ekzistonte, ndërsa krimi ishte thjeshtë pjesë e lajmeve.

Kur ne filluam të merremi seriozisht me kanabisin, në klubet e katundit tonë politik e mediatik, plasi një zhurmë e ububushme a thua se i dëgjohej emri për herë të parë një droge që në Shqipëri mbillej e trafikohej prej një çerek shekulli. Ndërsa sot, gdhihen e ngrysen klubet e politikës dhe të medias me “krim dhe kriminelë” në majë të gjuhës, sikur këto nuk kanë ekzistuar më parë, as si fjalë. Madje kaq shumë nuk u punon kujtesa dollibashëve dhe dolli pritësve të atyre klubeve, saqë Shqipëria e 97 vrasjeve në vitin 2012, duket sikur nuk ka ekzistuar. Ndërsa sot që vrasjet janë përgjysmuar, nuk ka pikë rëndësie ulja drastike e tyre por llafollogohet sikur vrasjet njësoj si kanabisi u shfaq në Shqipëri si një nga të këqijat që soli qeveria e rilindjes.

Thuaj sa të duash që Shqipëria që gjetëm e kishte mbi 80 mesataren e vrasjeve në katër vjet, sot e ka nën 50. Thuaj sa të duash që në Tiranë, në 2013 u vranë 31 persona, ndërsa vjet 9 dhe sivjet 5. Thuaj sa të duash që në Shkodër mesatarja e katër viteve të tyre ishte 15 vrasje në vit, katër vitet e fundit është 8. Thuaj sa të duash që në Elbasan të vrarët në vitin 2010 kanë qenë 11, kurse në 2017 apo dhe në 2018 vetëm 1.

Thuaj sa të duash, çfarë të duash, avazi vazhdon në dritaret e SHQUP-it, “droga, droga, droga”, “krimi, krimi, krimi” dhe jehon në kanalet mediatike, kanale më kanal e portal në portal e sa më shumë përshkallëzohet lufta frontale e Policisë së Shtetit me krimin, aq më shumë përshkallëzohet dhe ky avaz i dëshpëruar balte dhe shpifjesh.

Nga viti 2005 në vitin 2013 u sekuestruan gjithsej në 8 vjet, 27 milionë euro asete kriminale.

Nga viti 2014 e deri më sot, pesëfishi pra 5 herë më shumë e ne jemi të lidhur me krimin, ndërsa ata duan të zgjidhin Shqipërinë nga zinxhiri i krimit. Ne që sekuestrojmë pesëfishin e pasurive në euro të krimit jemi të lidhur me krimin. Ata, që në vitin 2013 sekuestruan gjithsej 1.2 milionë euro, janë ata që duan të zgjidhin shqiptarët nga zinxhiri i krimit ndërsa ne që në 11 muajt e fundit, vetëm nga ofensiva e forcës së ligjit, kemi sekuestruar 16 milionë euro asete të krimit të organizuar, jemi të lidhur me krimin.

Por po këtë periudhë është ndërmarrë edhe ofensiva më e madhe e baltës ndaj policisë së shtetit, ndaj ministrave dhe ndaj deputetëve. Veten nuk po e përmend se i bie të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Në këtë periudhë janë regjistruar dhe shpifja më e egër ndaj një ministri të brendshme në kohën e demokracisë, si dhe një shpifje halucinante e padëgjuar ndonjëherë ndaj kryetarit të grupit tonë parlamentar, ndaj një kryetari grupi parlamentar qysh se ka kryetarë grupesh parlamentare në këtë vend.

Monstruoze është shpifja ndaj ministrit, u sajua në dy skuta të shtetit, me të cilat do të presim me durim që të hedhë dritë hetimi i mëtejshëm i Prokurorisë. Më pas, PD-ja në bashkëpunim me një trafikant të njohur e të degraduar rrugëve të Vlorës e me ca mjeranë të tjerë, bënë filmin që dihet. Një skandal i fabrikuar për vëllain e ministrit të brendshëm të përfshirë në një bisedë për trafik droge. Një shfaqje në SHQUP e opinioni publik u mor peng dhe u dhunua pa pushim, foltore më foltore, kanal më kanal, portal më portal. Jua kam thënë këtu, që kur plasi ai gjiriz ndyrësie politike dhe mediatike e po jua them sot përsëri: Ajo bisedë nuk ka ekzistuar kurrë.

Vëllai i ministrit në atë audio përgjim është një aktor. Më sak një mjeran i joshur për ta luajtur atë rol në këmbim të parave. Kur fola atë ditë, natyrisht që kisha, tamam siç e thashë, konfirmimin nga një laborator shkencor ndërkombëtar, përndryshe nuk mund ta ndërmerrja atë hap. Por sot, për fatin shumë të keq të Lulzim Bashës dhe të gjithë lehaqenieve të kazanëve politike e mediatike nuk është vetëm analiza shkencore e laboratorit britanik që e nxjerr audio përgjimin të fabrikuar. Jo, është vetë aktori, i papaguar sipas premtimit të dhënë në emër të Lulzim Bashës që i ka dalë për zot zërit të vet në audio përgjim.

Shkurt muhabeti, edhe njëherë si zakonisht, ky që kërkon vetting për thashetheme mbi lidhjet e politikanëve me kriminelë, nuk ka mbajtur fjalën e dhënë dhe aktori i kësaj farse kriminale e ka tradhtuar regjisorin sepse nuk i ka marrë, njësoj si babalja eurot e premtuara për rolin.

Si mundet një parti politike të katandiset nga një alternativë qeverisjeje në një kinostudio fabrikimesh të tilla kriminale, në bashkëpunim me llumin e shoqërisë. Por, dëgjojeni me vëmendje, fatkeqësisht zullumi është ende më i trashë se kaq. Po, ende më i trashë për fat të keq sepse Babalja nuk ra nga qielli e as nuk e çoi tek SHQUP-i ai i ashtuquajturi gazetar kurajoz siç pretendohet në filmin e kinostudios, Luli SH.P.K. Dhe këtë e di mirë kryetari rrugëhumbur i opozitës prandaj u ngut të kërcënojë prokurorinë me një ton shumë të sforcuar për t’u dukur shumë i vendosur, por në fakt është shumë i tendosur. Kush si unë, i di ato që ai di, thotë, “nuk ka faj i shkreti”. I ka shumëfishuar gojët e shqyera në adresë të Prokurorisë flet për fundin e botës, por në fakt po i vjen fundi i lojës.

Lajmëron revolucione të tjera si ai revolucioni që bëri në shtator, por që u censurua nga mediat e kapura prandaj nuk e mori vesh asnjeri që ka ndodhur dhe siç ju sigurova dje se biseda e pretenduar nga audiopërgjiimi nuk ka ekzistuar, ju siguroj sot që asnjë manovër nuk ka për ta mbajtur të mbuluar pjesën ende të pazbuluar të “Babale 1” nga Vlora. Ashtu sikundër ju siguroj se do të dalë e plotë edhe e vërteta diskredituese për të gjithë ata që e dhunuan vajzën e “Babale 2” nga Kruja.

Unë i bëj thirrje Prokurorisë që t’i çojë deri në fund hetimet e “Babale 1” pa u kompleksuar nga kërcënimet dhe sulmet e dëshpëruara të PD-së. Lulzim Basha kërkon dëshpërimesh të pengojë daljen në dritë të të gjithë të vërtetës së atij filmi dhe i porosit gojët e shqyera të SHQUP-it të përsërisin avazin se Edi Rama synon të paravendosë rezultatin e hetimeve me ato që thotë, por në fakt jo. Unë nuk synoj të paravendos asgjë, por vetëm të mos lejoj mbulimin e të vërtetës të cilën e kam mësuar deri në fund, siç do ta kishte mësuar dhe çdo gazetar i interesuar për të vërtetën e jo për logjet e kazanit. Përgjegjësit e vërtetë dhe ende të pazbuluar të krijimit të këtij makinacioni kriminal nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor dhe as kjo polikë e ulët filmash me kriminelë nuk ka për t’i shpëtuar ndëshkimit të qytetarëve të gënjyer kaq poshtërsisht.

Mbrëmë natën, vajzës së kthyer në “mish për topat” e kësaj politike të ulët i është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar të krijojë në publik idenë se vajza është nën trysnin e një terrori psikologjik? Ne?! Jo! Nuk ka mendje normale, madje dhe peshqit e liqenit artificial e kuptojnë që për këtë kanë interes vetëm ata që e dhunuan publikisht për ditë e ditë të tëra dhe askush tjetër. Ata që i dinë shqiptarët për budallenj e synojnë t’i bindin se një histori dhune fizike, marrëdhënieje mes dy të rinjve, sigurisht nga ana e djalit mbi vajzën, na qenka në fakt një histori dhune seksuale, e frymëzuar politikisht nga një baba deputet dhe e pandëshkuar ligjërisht sepse kryetari i deputeteve, me armë në dorë ka shkuar e ka kanosur oficerin e policisë që të mbyllë gojën.  

Këta, që shohin se si i gjithë turpi i kësaj historie lehaqeniesh pa din e pa iman do t’u mbetet i gjithi atyre dhe askujt tjetër, kanë interes të cytin këtë histori me lëndë plasëse.

Pashë qëparë, në zyrën e Gramozit, një palo çarçaf të një grupi deputetësh opozitarë, që i kërkonin kryetarit të Kuvendit përjashtimin e Taulant Ballës nga delegacioni parlamentar i Stabilizim-Asociimit. Shkruanin, a thua se virgjëria e tyre politike dhe morale i pengonte të ishin në të njëjtin delegacion me dikë, që,  citoj: “Ka kërcënuar me pistoletë në kokë një oficer policie, për të mbyllur çështjen e përdhunimit të djalit të një deputeti tjetër”.

Zakonisht nuk e flasin mirë shqipen, por, në këtë rast, tronditja morale, politike është kaq e madhe sa e kanë shkruar sikur është përdhunuar djali i një deputeti dhe imagjinoni si do llahtarisen europarlamentarët për faj të gramatikës së këtyre sojlive gjakprishës.

Sidoqoftë, përtej gramatikës, unë dua t’i drejtohem këtu, njërit syresh nga firmëtaret, të cilën e kam pasur edhe ministre Integrimi dhe me të cilën jam ndarë me përshtypjet më të mira.

E dashur Klajda, qetësohu! Taulanti është ai që ka qenë kur bashkëpunoje me të si drejtues i delegacionit. Ai nuk e ka bërë kurrë atë që e ka tronditur kaq shumë Monikën dhe për pasojë edhe ty, sa të bashkosh zërin në atë kujë drejtuar Parlamentit Europian. Materialet filmike të Komisariatit të Krujës në ditën e ngjarjes të denoncuar nga heroi i “Babale 2”-shit janë në prokurori. Por si deputete, thellësisht e shqetësuar nga mundësia e qëndrimit në një delegacion me një kriminel të armatosur dhe të maskuar si kryetar delegacioni, ti mund t’i drejtohesh policisë me kërkesën për të parë ato materiale. Shko shikoji vetë nga fillimi në fund filmimet në videot e komisariatit. Nëse do gjesh gjëkundi në ato filmime Taulant Ballën, apo qoftë dhe vetë heroin, të cilin Taulanti e paska kërcënuar me pistoletë në kokë, unë do votoj bashkë me ty, jo për të hequr Taulantin nga drejtimi i delegacionit për Brukselin, por për t’i hapur rrugë arrestimit të tij, pasi ta kem kallëzuar po unë dhe ti në prokurori.

Të jap fjalën publikisht për këtë.

Por, ama, edhe ti, nga ana jote, po s’gjete as Taulant, as oficer policie, as deputet, as kryetar bashkie që të ketë kapërcyer pragun e komisariatit në filmimet e të gjithë asaj dite që përshkruan heroi i “Babale 2”-shit, do ia shkruash, besoj, një letër ndjese Parlamentit Europian, pavarësisht se Monika do të të thotë, Klajda, mos e bëj.

Nuk po të them t’i kërkosh ndjesë kryetarit të Kuvendit, se Gramozi mban, dihet ajo punë, Taulantit jo e jo, se punë e madhe, “politikë është kjo,” - kur thotë Mona, hiq çizmen dhe qepju mbrapa kryetarit me gjuhën si të qenit të gjahut përjashta dhe me lehje nga ato që çmendin lagjen, që sa gdhihet e deri ngryset, e pastaj “të dalë, ku të dalë, motra”.

E kështu, të nderuar kolegë deputetë, hiq çizmen dhe vrap me gjuhën jashtë do të vazhdojnë përditë këta që kemi kusurin të kemi përballë. Lehje sa gdhihet deri kur ngryset dhe “të dalë, ku të dalë, motra”. Kjo është opozita.

Janë të dëshpëruar. S’kanë asnjë vizion, asnjë ide, asnjë shpresë. E thonë vetë me gojën plot, me vota nuk na mundin dot. Tani që jemi gati, - ka punuar gjithë verën Blendi Çuçi dhe grupi i tij, për t’i ofruar dakordësi dhe për votimin elektronik, që të bëjmë votime elektronike në 2 apo 3 zona pilot në zgjedhjet vendore, - thonë jo, nuk duam.

Po çfarë duan?

Ua them unë, sepse ma ka thënë Luli, pushtetin me marrëveshje në tavolinë; Njëherë ti, njëherë unë.

Por është e vetmja gjë që unë Lulit nuk ia jap dot. Mund t’i jap dhe gjysmën e zemrës, por këtë nuk ia jap dot, sepse pushteti nuk është i yni, është i atyre që kanë votën dhe ata, edhe po të dal unë me Gramozin dhe t’iu lutemi, nga veriu në jug, - se Taulanti, ndërkohë, nuk del dot, se do presë sa Klajda të shikojë filmimet - dhe t’iu themi, aman na e hiqni neve pushtetin dhe jepjani Lulzim Bashës, harrojeni. Ne na marrin me gurë, por Lulzimit pushtetin s’ia japin kurrë.

Prandaj, Lulzimi, Monika, opozita, sot janë i mbyturi që bërtet sa hap sytë e derisa i mbyll, - Monika i hap më shpejt, i mbyll më vonë, ai i hap më vonë, i mbyll më shpejt, për hir të të vërtetës. I mbyturi që thotë do të mbys. S’duan t’ia dinë më për asgjë. Të pafytyrë dhe të pabesë deri në fund me opinionin publik. Gënjeshtra, shpifje, sharje, kërcënime, presione, pa asnjë gajle, pa asnjë fre, gjuhën jashtë si qen i gjallë, çizmen në dorë dhe “të dalë, ku të dalë, motra”.

Kanë dhe fatin, - kjo duhet pranuar, - që mediat në përgjithësi janë dhe ato “të dalë, ku të dalë, motra”. S’kanë asnjë lidhje me misionin e tyre, me ndonjë përjashtim, kuptohet, që përforcon rregullin, me çizme në dorë, me gjuhën jashtë dhe mjerë ky milet çfarë i shohin sytë dhe i dëgjojnë veshët sa ndizet ekrani, apo sa çelet portali.

Si i bëhet?

I bëhet vetëm duke u bërë edhe më shumë opozita e vetvetes, duke qenë vetëkritikë sa gdhihet e deri kur ngryset, duke u fokusuar tek punët, me të gjithë vëmendjen tek njerëzit.

Nuk ka asnjë rrugë tjetër!

Këta na akuzojnë ne, ndërkohë që, nëse bëjmë një llogari shumë të thjeshtë, një ministër i Brendshëm është në hetim, jo pa asnjë mbrojtje politike, por i përjashtuar nga e gjithë jeta jonë politike, deri kur drejtësia të bëjë të vetën dhe të thotë fjalën e fundit. Kush e ka bërë këtë, ndonjëherë, në historinë e këtij vendi? Sepse ne jemi ndryshe.

Lehaqeniet e kazanit thonë, e bënë nga halli. Nga cili hall? Kush ishte halli ynë? Nëse ne jemi ata që s’duan t’ia dinë për asgjë, kush ishte halli ynë? Jo nga halli, por sepse jemi ndryshe nga ata që kurrë nuk i hapën rrugë drejtësisë. Por, përkundrazi, e kapën drejtësinë për fyti dhe prandaj llumi u bë mal në pallatin e drejtësisë.

Vëllai i ministrit të Brendshëm, sot kryen një dënim 20 vjet të vjetër, pa asnjë obligim ligjor të Republikës së Shqipërisë. Nga cili hall u bë kjo? Jo, por sepse ne jemi ndryshe.

Sot, djali i një deputeti është në burg. Më vjen shumë keq për Rrahmanin, se po kalon një moment tejet të vështirë, pranë shtratit të spitalit ku e shoqja po lufton me vdekjen dhe natyrisht, edhe si baba, me një djalë që është aty ku e meriton të jetë.

Kush është pjesë e kësaj familjeje politike, e këtij grupi parlamentar, ka marrë përsipër që të jetë pjesë e të qenit ndryshe. Ne nuk jemi engjëj. Ne nuk jemi të rënë nga qielli. Ne nuk jemi të pagabueshëm. Përkundrazi, kemi të gjitha të metat dhe dobësitë tona.

Por ne, të lidhur me krimin! Ne, që për vite u baltosëm sikur ishim një grup parlamentar me 19 kriminelë dhe në fund fare, kaloi ligji i dekriminalizimit, nuk doli njëri. Edhe Arben Ndoka që prekej nga ligji dha dorëheqjen më parë, njëri. Katër të tjerë s’ishin fare pjesë e grupit tonë.

“Shpif, shpif, se diçka do të mbetet,” – është motoja. Këtë nuk e ndryshojmë dot.

Opozitën nuk e kemi zgjedhur ne. E kanë zgjedhur ata fatkeqë që kanë besuar dhe për fatin e tyre më të keq vazhdojnë besojnë tek këta klounë dhe sharlatanë, që kanë marrë peng dhe e kanë katandisur Partinë Demokratike të Shqipërisë, alternativën e shpresës, nga një alternativë pushteti, në një punishte që fabrikon shpifje dhe bën filma duke i thirrur me para llumit të shoqërisë. Çka na mbetet është vetëm të jemi të drejtë deri në fund dhe të kemi të gjithë kapacitetin të pranojmë qoftë të metat, qoftë gabimet, duke u fokusuar tek të gjitha zotimet që kemi marrë përballë njerëzve.

Meqë tema e sotme ishte e lidhur me krimin, unë dua t’i siguroj të gjithë, se lufta me krimin do të përshkallëzohet më tutje, ashtu siç është parashikuar. 140 personave që janë sot mbrapa hekurave nga ofensiva e Forcës së Ligjit do t’iu shtohen të tjerë dhe nuk do të ndalet Forca e Ligjit përpara askujt.

Ashtu sikundër, ne nuk do të tërhiqemi përpara shpifjeve, por shumë shpejt do t’i sjellim Kuvendit paketën antishpifje, jo për të mbyllur rrugët e lirisë së shprehjes, por që secili t’i dalë për zot asaj që thotë. S’kemi asnjë punë me Kodin Penal, asnjë lidhje me ndëshkime penale. Paketa antishpifje do të jetë një paketë e standardeve europiane, që, ju siguroj, do të përshëndetet edhe nga institucionet ndërkombëtare, padiskutim.

Në mbyllje ju falënderoj edhe njëherë, për të gjitha angazhimet e marra dhe do kërkoja një fokusim maksimal te paketa e re fiskale dhe te projekti i buxhetit të ri, që është dhe themeli i punës së këtij fundviti.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm