Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Luli i Saliut do të blejë vota me miell e sheqer

Të reja

Luli i Saliut do të blejë vota me miell e sheqer

01 May 2011    

“Luli i Saliut kërkon të blejë votat e qytetarëve duke i gënjyer me miell, makarona dhe sheqer.” Kështu u shpreh gjatë një konference për mediat deputetja socialiste Ledi Shamku, duke thënë se Luli i Saliut e ka të kotë nëse shpreson se kryeqytetasit do t’i japin votën për një kile miell e një pako makarona. “Tiranasit, ka theksuar Shamku, kanë jetuar gjithnjë falë punës së vet të ndershme, po Luli i Saliut nuk i njeh tiranasit sepse në Tiranë ai ka jetuar si turist me shtatë pasaporta ose si ministër i oborrit.

Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e deputetes Ledi Shamku:

Kandidati i Saliut për Tiranën e ka humbur toruan. Aq i sigurt është Luli i Saliut se kryeqytetasit nuk do t’ia japin votën sa tani ka filluar të shpërndajë miell, sheqer e makarona për të blerë vota.
Ky kandidat dy herë i kërkuar nga drejtësia për vjedhjen e 200 milion eurove e për vrasjen e katër shqiptarëve të pafajshëm në 21 janar.
Ky Luli i Saliut që firmosi shitjen e detit kur ishte ministër e që bridhte nëpër botë me shtatë pasaporta, tani ka dalë të blejë vota me miell, njësoj si Saliu vaktit. Deri dje Saliu bridhte me thasë me miell në kurriz në fshatrat e thella të këtij vendi te varfër, kurse sot, Luli i Saliut del sërish po me miell, kësaj here të ambalazhuar në qese Big Market. T’i vijë turp, e t’i vijë shumë turp që i fyen në këtë farë feje tiranasit, duke u rrekur t’u blejë nderin më këtë qese. Tiranasit nuk kanë jetuar kurrë me lëmoshë, as në kohë të Enverit e as në kohë të Saliut të Enverit.
Tiranasit kanë jetuar gjithnjë falë punës së vet të ndershme, po Luli i Saliut nuk i njeh tiranasit sepse në Tiranë ai ka jetuar si turist me 7 pasaporta ose si ministër i oborrit.  
Luli i Saliut e ka të kotë nëse shpreson se kryeqytetasit do t’i japin atij votën për një kile miell e një pako makarona. Mbarë shqiptarët e dinë mirë se vota është hakmarrja e tyre më e mirë për këtë regjim të Lulit e Saliut që ka vjedhur e ka vrarë për të mbushur xhepat ndërkohë që shqiptarët janë zhytur në varfëri e papunësi.

Në 8 maj banorët e kryeqytetit do t’i japin Saliut dhe Lulit të Saliut atë që meritojnë: humbjen e thellë në Tiranë dhe disfatën në mbarë Shqipërinë. E vetmja rrugë në 8 maj është Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm