Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Luli të mos derdhë lotë krokodili por të japë shpjegime për ndihmën ekonomike ruse

Të reja

Luli të mos derdhë lotë krokodili por të japë shpjegime për ndihmën ekonomike ruse

15 Mar 2018    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Tauant Balla :

Z. Kryetar,

kolege e kolegë deputetë,

Në radhë të parë, një përkujtim në memorie të 26 të vrarëve në Gërdec, sepse sot bëhen 10 vite nga dita kur shteti hidhte në erë një fshat të tërë e ku përgjegjësitë penale të atij krimi dhe asaj tragjedie të rëndë ende nuk ka shkuar te fajtorët e vërtetë.

Edhe ju që ikni nga salla, sa herë që në sallë fillojnë të fliten të vërtetat. Lulzim ke bërë mirë sot që Saliun nuk e ke lejuar të vijë në sallë e as nuk ia ke vënë emrin në listë për të folur, sepse në fund të fundit në 10-vjetorin e Gërdecit do të ishte një tjetër provokim i rëndë.

Në pamundësinë që drejtësia deri më sot të kishte bërë detyrën, por në dritën e drejtësisë së re që po lind, tragjedia dhe krimi i Gërdecit duhet të jetë një prej çështjeve që duhet hetuar deri në fund dhe të gjithë fajtorët për 26 jetë të humbura e plot të tjera të shkatërruara, e plot prona të dëmtuara; duhet të vihet aty ku i takon dhe fajtorët të shkojnë aty ku u takon.

“Tavarish” Luli, çdo diskutim për ndihmën ekonomike duhet të fillojë në radhë të parë nga disa pyetje që janë themelore për këtë çështje.

A janë realisht familjet e varfëra përfituese të skemës së ndihmës ekonomike?

A krijon skema e ndihmës ekonomike përjashtime të padrejta?

A mund të quhet e kryer përgjegjësia e shtetit vetëm nëse e mban një familje gjithë jetën me lëmoshë për një kohë të gjatë?

Apo shteti në radhë të parë duhet t’i ofrojë një mundësi punësimi për ta nxjerrë nga situata e vështirë ku, të gjithë e dimë, kurrsesi ndihma ekonomike nuk të lë të shpëtosh nga varfëria; është vetëm një lëngim i vazhdueshëm, por nuk shpëton kurrë nga varfëria.

Në fakt, ky duhet të ishte sot dhe diskutimi bazë dhe për këndvështrimet ndoshta të kundërta që ne kemi për këtë çështje, nëse realisht qëllimi juaj, i kërkuesve do të kishte qenë i ndershëm e jo një përpjekje e turpshme me vaj, lot krokodili.

Ne e dimë se çfarë jemi duke bërë dhe çfarë duam të arrijmë në fund të kësaj beteje për të bërë shtet. Shtet që të garantojë në radhë të parë mirëqënie përmes punësimit, por edhe kujdes social për këdo që nuk i mundësojmë dot punësim, apo edhe atyre që zoti nuk ua ka bërë të mundur që të punësohen për shkak të paaftësive fizike.

Ne duam t’u garantojmë ndihmë ekonomike, Lulzim, “tavarish Luli”, më të varfërve.

Ne duam të bëjmë gjithçka për t’i garantuar mundësi punësimi real kujtdo, çdo kryefamiljari apo një anëtari tjetër të familjes që të dalë nga skema e ndihmës ekonomike. Në fakt ky është dallimi ynë i madh me ju: sepse ju i doni të varfërit vetëm mish për top për propaganda. Paturpësi, pa lejen e personave t’u nxjerrësh këtu fotografitë, për t’u tallur me ta me varfërinë e tyre. Vetëm ti mund ta bësh këtë, “tavarish” Luli!

Po çfarë i kujton ti shqiptarët, qorra që nuk shohin dot lotët e krokodilit që ti derdh? Një njeri që pjesën më të madhe të kohës së pushimit e kalon në Holandë.

Për çfarë i dini ju shqiptarët, qorra që nuk dinë të bëjnë dallimin me kryedembelin tuaj, që kujton se mund të fitojë zgjedhjet në Shqipëri me ndihmë ekonomike ruse?!

Imagjino, edhe për zgjedhjet i shkon mendja që të marrë ndihmë ekonomike ruse për të fituar kredibilitet, kredo publike dhe vota në Shqipëri. Vetëm ti mund ta bësh!

Kur kryeministri Edi Rama ju nxorri para pak javësh vendimin e qeverisë së fundit, tuajën, asaj të Sali Berishës, që përcaktonte në fakt formulën e pikëzimit që kemi sot, disa prej anturazhit të ngushtë tëndit, “tavarish” Luli, vrapuan të thonë se ky ishte një vendim i gabuar i shokut Sali. Formulë e gabuar, sipas teje dhe e anturazhit tënd të vogël, në atë përpjekjen për t’ia lënë dhe ti fajet Saliut, sikurse bëre para disa ditësh edhe me privatizimin e ARMO-s, edhe me privatizimin e OSSH-së.

Por le të kthehemi te skema e ndihmës ekonomike. Lulzim, më 18 shtator 2012, në këtë sallë, ku tashmë nuk duket asnjëri prej atyre që kanë qenë, ne kemi votuar së bashku një ligj me consensus, i cili ishte pikërisht ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale.

E kam votuar edhe unë atë ligj, Lulzim, sepse pranuam të gjithë bashkë faktin e hidhur që ne deri në atë moment nuk i ofronim ndihmë ekonomike të varfërve të vërtetë. Deri në atë moment, Lulzim, vetëm 14% e familjeve realisht të varfëra trajtoheshin me ndihmë ekonomike.

Vetëm një në shtatë familje realisht të varfëra trajtohej me ndihmë ekonomike dhe ishte momenti që asaj hipokrizie, ndoshta të përbashkët, 27-vjeçare t’i jepnim fund duke i dhënë ndihmë ekonomike familjeve realisht të varfëra, jo atyre që preferonte kryetari i komunës, Këshilli i Komunës, miqve të njërës parti apo miqve të partisë tjetër.

Ishte një kohë kur ndihma ekonomike ishte 8 mijë lekë të vjetra, më e madhja ishte 36 mijë lekë të vjetra. Ke njerëz që kanë shërbyer kryetar komunash apo bashkish edhe në grupin tënd, merri dhe pyeti. A mund t’i zgjidhje hall një familjeje sepse i jepje 8 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike? E coptonin kryetarët e komunave. Hajde se po u japim të gjithëve dhe asnjërit nuk i mbaronin punë.

Vendimi i gabuar i shokut Sali, “tavarish” Luli, për të përcaktuar këtë formulë pikëzimi? Jo! Ishte pikërisht zbatimi i këtij ligji që kishim miratuar këtu në Kuvend. Më pas, na takonte ne që ta lehtësonim të gjithë procedurën e aplikimit për ndihmën ekonomike; sepse me 9 dokumenta që kishte vendimi i shokut Sali, ishte e pamundur që familjet e vërteta të varfëra të merrnin ndihmë ekonomike.

 

Ky ndryshim mundësoi që 18.730 familje të aplikojnë për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike, të cilët më parë për shkak të kritereve përjashtuese nuk mund as të aplikonin. 18.730 familjeve që nuk u jepej mundësia të aplikonin, aplikuan dhe më pas u kualifikuan.

Pas pilotimit për tre vite, sipas projektit të Bankës Botërore, ku një ndër qarqet ishte dhe qarku Elbasan, në 2016-ën bashkë me kolegë deputetë të atij qarku kemi dëgjuar, kemi marrë kontakte me plot e plot familje të cilat në momentin e parë nuk përfitonin, por ky është një proces korrektimi. Sot mund të them se jo vetëm që kjo reformë ka ndikuar pozitivisht në tregun e punës, por është i vetmi mjet për të ndikuar në informalitet. Plot gra që punojnë nëpër njësitë e prodhimit fason, nuk pranonin të regjistroheshin me sigurime shoqërore vetëm e vetëm për të marrë edhe atë pagën e vogël aty, edhe ndihmën ekonomike. Ndërkohë që është e padrejtë që në 2018-ën ne të favorizojmë infromalitetin dhe dembelizmin, përkundrjet garancisë që vitet kalojnë dhe çdo njeri duhet të jetë i siguruar.

Ti Lulzim - prandaj po ta them atë “tavarish”, “tavarish” për ata që nuk e dinë është “shoku” në rusisht - ke për detyrë sot të çohesh dhe të japësh shpjegime këtu se ç’ke bërë me ndihmën ekonomike ruse në favorin tënd dhe të Partisë Demokratike. Ke detyrimin gjithashtu të na thuash se kush na qenkan këta 100 shqiptaro-amerikanët fantazmë që paskan mbledhur për ty 1 milion dollarë, për një kryedembel që nuk bën asnjë punë, për të baltosur Shqipërinë.

Kurrë nuk e mendoj që mund të mblidhen 100 shqiptarë në çdo cep të botës për të paguar para për ty për të sharë Shqipërinë; nuk mblidhen, nuk bëhen dot 100 në të gjithë cepat e botës për të mbledhur para, për të dhënë ty para për të sharë Shqipërinë, kurrë. Nuk janë shqiptarë ata, sigurisht!

Me të drejtë, mediat botërore, ato amerikane kanë vënë gishtin e akuzës për një përfshirje të disa biznesmenëve rusë në financimin tënd, në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë, ku me skenar të njëjtë vepronin edhe në vende të tjera të rajonit për destabilizim, për bllokim të zgjedhjeve dhe për futjen e vendit, të Shqipërisë tonë të përbashkët, në një spirale shumë të rrezikshme destabiliteti.

Ke 3 muaj që ç’gënjeshtër thua në një banak, nuk e thua dot në një banak tjetër. Madje në të njëjtin banak të të njëjtit televizion, me të njëjtin gazetar, thua dy herë rresht të kundërtën e asaj që the herën e parë. Ke dalë e ke thënë që PD nuk ka firmosur kontratë me lobistin Nick Muzin. Ja ku e ke, Lulzim, kontratën ku e ke firmosur ti; madje jo vetëm që e ke firmosur, por ke vënë dhe numrin tënd të pasaportës. Është kjo pasaporta jote, Lulzim, DB1159763? E ke firmosur ti! Ja ku e ke dhe firmën këtu. Ta shohin gjithë shqiptarët! Ja ku është! Lulzim Basha dhe Nickolas Muzin. Kontrata është ndërmjet “Muzin Capitol Partners” dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë. Qëllimi kryesor: elektoral.

Kjo kontratë është domosdoshmëri, detyrim ligjor, që të ishte e depozituar në KQZ për shkak se qëllimi i saj është elektoral dhe thuhet që në fillim të kontratës, për të dizenjuar vizionin elektoral tëndin. Duhet ta kishe çuar në KQZ. Pse s’e ke çuar në KQZ? Ti që merr nëpër gojë të gjithë, ti që i di të gjitha, ti që di kush e solli drogën, kush e bëri, kush e përdori. Ti i di të gjitha! Si ka mundësi që ti nuk dike këtë?

Edhe kjo historia e drogës, “droga, droga, droga, droga”, është pjesë e po të njëjtit skenar rus për të baltosur Shqipërinë, të jesh i sigurt. Kjo çështje, Lulzim, sapo ka filluar të zbardhet. Por e vërteta është që nuk je vetëm ti. Ke dhe njerëz brenda stafit tënd të ngushtë, që kanë marrë kontakte me shërbime të këtij lloji për të destabilizuar Shqipërinë.

Dole dhe the: ”Nuk e njoh Biniatta Trade LP”! Si ka mundësi që këtu, në të njëjtën faqe, është “Muzin Capitol Partners”, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe “Biniatta Trade LP”? Ja ku e ke, Lulzim. Një kompani më qendër në Edinburg, pronarë të të cilës janë 4 shtetas rusë. Kjo kompani, Lulzim, në këtë kontratë të depozituar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë!  Nuk është kjo një copë letër, por është e depozituar atje. Mund të të jap edhe linkun ta download-sh, ti dhe këta shokët e tu këtu, “tavarish” Luli. Të shohësh që “Biniatta Trade LP”, sipas kësaj që është depozituar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, ka paguar një pjesë të shpenzimeve në favorin tënd: 150 mijë dollarë për promovimin e lidershipit konservator në Shqipëri. Po mbeti konservatorizmi te ti, është edhe fundi i gjithë ideologjisë së djathtë botërore. Nëse konservatorizmi ka mbetur te ti, larg qoftë, unë uroj mos jetë e vërtetë që Putini paska zgjedhur aleat një si puna jote në Shqipëri.

Megjithatë, tani të gjithave ua fut kontekstin në linjën që duhet pikërisht kjo shkresë, kjo letër, ky dokument që Muzin ka deklaruar përsëri në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.

Tani, Lulzim, çohu dhe thuaj ku i ka gjetur PD-ja 500 mijë dollarë për të paguar një dorë të vetme, më datë 9 qershor 2017?!

Ku i keni gjetur këto 500 mijë dollarë, sepse nëse keni edhe të tjera, mirë është t’ia çosh Bashkisë së Kamzës; se bashkisë Time të Librazhdit e sigurt që nuk ia jep. Por çoja Bashkisë së Kamzës, që të rrisin fondin e ndihmës ekonomike, Lulzim. Për një muaj Bashkia e Kamzës ia del të rrisë e të përfshijë të gjitha familjet në ndihmë ekonomike.

Ku i ke gjetur këto 500 mijë dollarë, “tavarish” Luli?

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë, të nderuar kolegë deputetë, se këtu kemi të bëjmë me një skandal tepër të rëndë, ku së pari kemi burime të dyshimta që përfshijnë biznesmenë me shtetësi dhe rezidencë ruse; së dyti me transaksione të rpaligjshme, që përfshijnë kompani guaska offshore. Si tha Jozefina: “Ku e ke futur Partinë Demokratike pa leje?  Je bërë si Zheleznovi!” Së treti, për mosdeklarime sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri, ligjit për financimin e partive politike.

Ti që na përbetoheshe para fushatës për të rritur transparencën, për të ndryshuar ligjin e financimit të partive politike, për të ndryshuar kodin zgjedhor; po t’i paske qenë i zhytur keq fare! Ti nga hallet e tua niseshe për të ndryshuar kuadrin rregullator të zgjedhjeve në Shqipëri.

E pra Lulzim, mos u fshih as pas Arben Ristanit, sepse Arben Ristani nuk di çfarë ke bërë ti, e sigurt është. Ç’të dijë Arben Ristani? Ti edhe kur e fute në listë, e fute për ta hequr. Ç’të dijë Arben Ristani se ç’ke bërë ti?

Këtë firmën këtu, i sigurt jam, nuk e ke hedhur në Shqipëri. Nëse nuk e ke hedhur në Edinburg, e ke hedhur diku tjetër, por jo në Shqipëri dhe jo brenda zyrave të Partisë Demokratike. Edhe atë tjetrin, Dervishin, ç’punë ka ai? Shko vetë në Prokurori. Mbaro këtu këtë replikën që ke tani 2 minuta dhe ik në Prokurori. Ik atje jep përgjigje nga A-ja te Zh-ja. Ku e ke futur Partinë Demokratike, një parti që u themelua si një prej partive aleate e rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Rajersoni vinte bënte fushatë për Partinë Demokratike, ti bëre fushatë me fondet e Rusisë në Shqipëri, Turp të të vijë, Lulzim!

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm