Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të marrin të gjithë përgjegjësinë për financimin e paligjshëm në kohën e “Çadrës së Republikes së Re”

Të reja

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike të marrin të gjithë përgjegjësinë për financimin e paligjshëm në kohën e “Çadrës së Republikes së Re”

21 Mar 2018    

Prononcim për media i Kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla:

Faleminderit për praninë tuaj!

Qëndrimi i Partisë Socialiste në Komision nuk qe fort i qartë dhe i dukshëm. Cili është qëndrimi juaj zyrtar?

Së pari, duhet të kuptojmë që institucionet e pavarura të cilat zgjidhen nga Kuvendi çdo ditë raportojnë në Kuvend dhe më pas është Kuvendi që përmes rezolutës miraton gjetjet dhe rekomandimet për funksionimin e institucionit në vitin pasardhës.

Rasti i radhës është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka raportuar mbi veprimtarinë e tij gjatë vitit 2017, dhe jemi në fazë që do të bëjmë rekomandime për përmirësime të funksionimit të këtij insitucioni përgjatë vitit 2018.

Dua të jem shumë i qartë se, edhe nga të dhënat që kemi marrë zyrtarisht nga KQZ, ne kemi kërkuar dhe na është vënë në dispozicion i gjithë dokumentacioni i depozituar nga Partia Demokratike lidhur me shpenzimet e PD-së gjatë fushatës së vitit 2017 - këtu flas për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Nga verifikimi që është bërë tashmë publik, na rezulton që Partia Demokratike nuk ka deklaruar disa shpenzime me vlera të mëdha, pagesa me vlerë 525 mijë euro, paguar për subjektin lobues “Muzin Capitol”. Bëhet fjalë për një lobist amerikan, i cili ka një kontratë të firmosur nga Lulzim Basha me këtë person. Në kontratë thuhet qartë se ajo është për qëllime elektorale, dhe unë besoj se ju të gjithë e keni tashmë këtë kontratë. Kjo shumë nuk është deklaruar në KQZ!

Kjo do të thotë se jemi para një situate të tillë:

Së pari, Partia Demokratike ka shkelur ligjin për falsifikim të dokumentave zyrtarë, sepse në dokumentin e depozituar nuk rezulton të ketë deklaruar ashtu siç duhet. Të gjithë e dimë se në KQZ duhet të deklarojmë të gjitha shpenzimet që kemi bërë gjatë fushatës.

Së dyti, jemi përpara një vepre tjetër penale, që janë çështje të mosdeklarimit. Edhe kjo është një çështje tjetër që ngarkon me përgjegjësi përsëri z. Lulzim Basha, sikur se prishjen e provave apo të elementëve që përbëjnë një vepër penale. Kjo për shkak se në dokumentat zyrtarë konstatohet mospërputhshmëri të të gjitha këtyre deklarimeve.

Të gjendur përpara kësaj situate, për t’iu përgjigjur në mënyrë korrekte pyetjes tuaj, jemi përsëri këtu për t’i bërë thirrje Partisë Demokratike, kryetarit të saj Lulzim Basha, i cili në fakt është personi drejtpërsëdrejt përgjegjës po të kemi parasysh se ai është firmëtari. Nuk ka asnjë dokumentacion ku një prej institucioneve vendimmarrëse të Partisë Demokratike, që mund të ishte Kryesia e Partisë Demokratike apo Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, të ketë miratuar dhënien e autorizimit për z. Basha për të bërë një kontratë të tillë.

Jemi përpara faktit ku së pari duhet bërë një sqarim publik, sepse në fund të fundit në xhepa oligarkësh rusë, tashmë të konfirmuar sepse ata janë pronarë të “Biniada Trade LP”, janë bërë pagesa në interes edhe në emër të Partisë Demokratike përkundrejt Nick Muzin, lobuesit amerikan.

E pra, në gjithë këtë situatë jo vetëm sqarimi publik, por unë insistoj që është Prokuroria tashmë. KQZ në fakt ka dështuar, po të kemi parasysh skanimin, auditivin e këtij skandali tepër të rëndë. Nëse KQZ nuk i ka mekanizmat, publikisht duhet të kishte sqaruar edhe KQZ-ja. Por tashmë e kemi tejkaluar, sepse jemi në kushtet e një vepre penale në vijim. Shqetësimi im, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, është i qartë: Prokuroria nuk duhet të vonojë për asnjë moment thirrjen dhe marrjen në pyetje të Lulzim Bashës për të sqaruar gjithë këtë skemë financimi të paligjshëm. Më pas, të jeni të sigurt që ne do të ndërmarrim edhe nisma ligjore për sa i përket rritjes së transparencës së financimeve për partitë politike, që është një prej detyrimeve kryesore edhe në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Por jemi shumë të shqetësuar që një parti politike, sikurse është partia e dytë për nga madhësia në Shqipëri, është financuar me fonde të dyshimta. Deri më tani dyshimet çojnë në xhepa oligarkësh rusë. Është detyra e Partisë Demokratike, është detyrë e Lulzim Bashës të mos fshihet, të mos tejkalojë këtë moment të rëndësishëm për sa i përket transparencës së financimeve të partive politike dhe të japë menjëherë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve në publik; por të mos fshihet as pas Arben Ristanit, as pa një zotërie tjetër, Dervishi,  të cilët janë dy persona të thirrur deri tani në Prokurori; por të vihet në dispozicion të Prokurorisë. Rasti i djeshëm në Francë i ish-presidentit Sarkozy, i financuar nga fonde që vinin nga Libia dhe Gaddafi, është një model për drejtësinë shqiptare se si nuk duhet të falet askush kur bëhet fjalë për çështje që kanë prekur, pse jo, edhe sigurinë kombëtare.

Për tre muaj me radhë, çadra e republikës së re ka dyshime të jetë financuar nga të njëjtat burime të dyshimta.

Ky është një element që ka të bëjë tashmë me sigurinë kombëtare të vendit tonë, po të kemi parasysh një spirale të rrezikshme ku është munduar Partia Demokratike, gjatë pranverës së vitit 2017, të fusë Shqipërinë për të bllokuar zgjedhjet, për të nxirë imazhin e Shqipërisë në institucionet dhe mediat amerikane.

E rëndësishme është se kush janë financuesit? Çfarë u është premtuar financuesve rusë në këmbim të kësaj spiraleje të rrezikshme të sigurisë kombëtare?

Do pranojë Partia Socialiste të bëjë ndryshime mbi rezolutën me propozimet aktuale që janë, ku sugjerohet edhe ngritja dhe fillimi i transparencës që duhet bërë nga KQZ-ja?

Sigurisht që është në detyrat e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, që është edhe komisioni përgjegjës për shqyrtimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ne kemi rënë dakord që të bëhen një sërë rekomandimesh. Por kini parasysh që përkrah Komisionit të Ligjeve që shqyrton veprimtarinë gjatë vitit 2017, vepron dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ky komision do të shqyrtojë pikërisht të gjitha këto nevoja, që burojnë edhe nga rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR 2013,2015,2017 për të rritur transparencën.

Sot, çështja më e rëndësishme ka të bëjë pikërisht me prova të pakontestueshme tashmë të një financimi të huaj për një parti politike.

Legjislacioni shqiptar është shumë i qartë për këtë çështje, veprat penale tashmë janë shumë të qarta, falsifikimi i dokumentave zyrtarë, dëmtim të provave nga ana e Partisë Demokratike dhe Luzim Bashës personalisht - do të thotë se Prokuroria duhet të veprojë menjëherë.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm