Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Lulzim Basha iu fsheh drejtësisë me raporte mjekësore, vetëm një punë e bën mirë, të gënjejë

Të reja

Lulzim Basha iu fsheh drejtësisë me raporte mjekësore, vetëm një punë e bën mirë, të gënjejë

10 Nov 2017    

Fjala në seancën e sotme parlamentare e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla:

Kolegë, qytetarë të Vlorës e të gjithë Shqipërisë,

Jemi te pika e rendit të ditës ku diskutohet me qëllim që Kuvendi të japë miratimin e një marrëveshje huaje për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës. Zotëria që parafoli, në një demokraci normale, supozohet të jetë kryeministri hije. Po si mund t'i besojnë edhe ata  450 mijë njerëz që votuan kësaj radhe,  herën tjetër zotërisë që foli, që në 20 minuta nuk gjeti qoftë edhe 30 sekonda t'i drejtohej popullit të Vlorës e t’i thoshte: "Të nderuar banorë të Vlorës, unë e mbështes qeverinë e Shqipërisë që të ndërtojë këtë rrugë."

Miqësisht, Lulëzim, do duhej të të kisha sugjeruar që t’i të mos flisje në këtë pikë të rendit të ditës, sepse ti me rrugët ke konflikt interesi.

Sot po miratojmë një rrugë 94 kilometra, që na kushton 70 milionë dollarë. Ti do mbahesh mend si i vetmi njeri në botë që ke hapur procedurën për të ndërtuar një rrugë 60 km për 1 miliardë euro.

Je një njeri që i je fshehur drejtësisë për abuzimin me vlerë 230 milionë euro, si askush tjetër.

Ik, ik Lulzim. Ik, se po ikën ashtu sikur se ike nga dera e Prokurorisë kur i the se ishe sëmurë. Jam me raport, the. Ik Lulzim, se ti nuk di të bësh gjë tjetër. Nga Hollanda ti ke mësuar vetëm fjalën kanabis. Nuk mësove gjë tjetër nga vendi ku fëmijët e tu dhe bashkëshortja jote kanë marrë edhe pashaportën.

Mua më vjen shumë keq, sinqerisht, për degradimin e Partisë Demokratike. E kam dëgjuar shpesh Lulzim Bashën t'i drejtohet nga kjo foltore kësaj pjese të sallës ku qëndrojnë deputetët e Partisë Socialiste. Ai që e ka “mizën nën kësulë”, e që themeluesit e Partisë Demokratike e kritikojnë e i thonë se po shkatërron PD-në, ka ardhur dita e po i qan hallin Partisë Socialiste.

Lulzim Basha, i vetmi njeri në historinë e politikës shqiptare që është zgjedhur me vota të manipuluara në krye të Partisë Demokratike.  As Nard Ndoka  nuk i ka manipuluar votat në partinë e vet. Ju që përbetoheni nga mëngjesi deri në darkë për demokracinë, ju takonte pikë së pari që të kishit vendosur rregulla brenda partisë suaj, që kryetari i partisë të mos zgjidhej me vota të vjedhura.

"8 me 2" jua bëri Vlora në 2017-ën, dhe "9 me 1" nëse vazhdoni kështu. Nuk e llogaris Vangjelin si deputetin e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha, thoshte kolegia jonë e nderuar Jozefina Topalli, di të bëjë mirë vetëm një gjë, të gënjejë dhe vetëm të gënjejë. Sot patët mundësinë ta dëgjoni përsëri. Më vjen keq që  po merrem me të, por dua t'i them sot dy fjalë.

Ky zotëri nuk di t'i dalë problemeve ballë, madje sot përmendi përsëri edhe rastin e një personi në kërkim që quhet Klement Balili. Si mund të jesh Lulzim kaq gënjeshtar?

Ti Lulzim e di fare mirë që Klement Balili nuk ka lidhje me Partinë Socialiste; është përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nipi  i Klement Balilit është kryetar i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Pse LSI sot është në krahun tuaj? Ju thoni që Balili është në krahun e Partisë Socialiste. Jo mor jo, nuk ka lidhje fare me Partinë Socialiste. Mirëpo Lulzimi erdhi këtu dhe pa pikë turpi hodhi sërish të njëjtat akuza. Mund ta pranonim përgjegjësinë kur ishim në koalicion me LSI-në, por nuk e pranojmë dot përgjegjësinë sot. Nëse je burrë Lulzim, dil e thuaj kujt i takon Klement Balili.

Të njëjtën gjë je duke bërë edhe me Agron Kapllanajn. Agron Kapllanaj, të nderuar kolegë, hyn në ligjin e dekriminalizimit; nuk ka gjë që e shpëton, por e shpëtoi urdhëri i Lulzim Bashës përkundrejt Klemend Zgurit. Me urdhër të Lulzim Bashës, 4 anëtarë të KQZ-së e për turp edhe përfaqësuesi i LSI-së, mbajtën në detyrë një kryetar bashkie të akuzuar për vjedhje, të arrestuar për vjedhje, të dënuar me vendim të formës së prerë për vjedhje makinash dhe shtëpish në Itali.

Si nuk ju vjen turp që vini e na flisni për kriminelë, kur krimineli i partisë tuaj qenka burrë i mirë. Kryeministri e shkarkoi Elvis Roshin; bëni edhe ju si ne, shkarkojeni dhe lëreni popullin e Mallakastrës të mos drejtohet nga një kryetar bashkie hajdut, por të bëjmë zgjedhje. Meqë jeni bërë bashkë me LSI-në, hajdeni pra, a doni zgjedhje?! Hajde ta provojmë njëherë në Mallakastër, ne vetëm e ju të gjithë bashkë. Fitoni në Mallakastër, i bëjmë zgjedhjet për një muaj. Presidenti i Republikës z. Meta, vjen nga radhët e LSI-së; meqë ju e mundët në 2015-ën, tani LSI është me ju.  Hajdeni të bëjmë zgjedhje në Mallakastër. Të mos i lëmë Mallakastrës një të dënuar me vjedhje me vendim të formës së prerë. Për Partinë Demokratike, nëse je kriminel, je burrë i mirë.

Deputeti Fatmir Velaj sot i përmendi Lulëzimit lidhjet e tij familjare me familjen Habilaj. Nuk e di ku i ka gjetur deputeti të dhënat, por miqësisht kur ka një akuzë të këtij niveli për lidhje familjare mes z. Basha me Habilajt, e me protektoratin kriminal që Habilajt i siguronin  Bashës kur ndërtonte pallatin m'u në mes të detit në Vlorë, Lulzimi nuk flet. Lulzimi bën policin; Lulzimi bën hetuesin; Lulzimi bën prokurorin; por kur vjen për t'u përgjigjur, Lulzimi i fut një leje të zakonshme apo një recetë mjeksore, dhe nuk përgjigjet. Kështu iu shmang Prokurorisë, kështu i shmanget edhe shkarkimit të Kapllanajt.

Pse nuk flet Lulzimi, e keni pyetur ndonjëherë në mbledhjen e Grupit Parlamentar?! Ore, pse nuk e heqim këtë Agron Kapllanajn që ka qenë i dënuar me burg?

Si ka mundësi që nuk flet Partia Demokratike asnjë fjalë për një marrëveshje kaq të rëndësishme? Si nuk thotë Partia Demokratike që na u bëkan 94 kilometra rrugë edhe me 70 miliinë dollarë. Nuk mund të bëhen më rrugë 62 kilometra me 1 miliard euro.

Lulzimi nuk flet, Lulzimi ikën.

Kolegë e kolege deputetë,

Këtu, në këtë seancë do të doja të ngrija me ju përsëri diçka që ka të bëjë me standardin e dyfishtë që PD-ja ka për drejtësinë. Kur arrestohej kryetari i Bashkisë së Kamzës, një personazh historik, i dyti në hierarki pas Lulzim Bashës në PD, Partia Demokratike bënte me turne dërgimin e ushqimeve për Xhelalin. Në mëngjes shkonte dhe i dërgonte bukë Luli, pastaj Aldo; dhe kur doli Xhelali nga burgu, e priti Luli dhe e dërgoi deri në shtëpi.

Ky është standardi juaj për ata që drejtësia duhet të ndëshkojë. Po të arrestoi Policia, ju të bëni hero nëse je demokrat, po veproi drejtësia  ju keni standard tjetër.

Këto ditë, mbarë opinioni shqiptar dhe jo vetëm, edhe opinioni i një vendi anëtar i Bashkimit Europian,  Çekia është njohur me një rast flagrant të shpërdorimit të institucioneve të drejtësisë nga ana e politikës.

Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare ka miratuar në mars të këtij viti raportin e një komisioni hetimor, me 74 vota pro, në një prezencë normale të punimeve të Kuvendit.

Në atë raportin përfundimtar të komisionit, si rrallë herë, kur Komisionet Hetimore në Shqipëri e përmbyllin punën e tyre, iu kërkua Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorit të Përgjithshëm fillimi i procedimit penal për individë që për shkak të posteve të tyre publike kishin ushtruar ndikim të paligjshëm, shpërdorim detyre në dëm të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Si ka mundësi që ne ende sot kemi prokurorë që çojnë ndërmend që në Shqipërinë e 2017-tës,- që po bëhemi gati të hyjmë në 2018,- mund të mbyllë një aferë kaq të madhe korruptive pa bërë qoftë edhe një hetim minimal?! Në atë dosje të tmerrshme korrupsioni flitet sesi një individ, në një ditë për diell, paradite paraqitet në një derë banke, merr 6.8 milionë euro, rastësia e ka bërë ndoshta që ishte dy javë para zgjedhjeve të qershorit të 2009-tës. Rastësi ka qenë ndoshta që i mori këto 6.8 milionë euro si këmbim i asistencës, konsulencës që ky zotëria që nuk kishte universitet, nuk dimë ka mbaruar shkollën e mesme apo jo se nuk e dimë ku është ky zotëria. Ky na paskësh qenë konsulenti kryesor nëpërmjet kompanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare për privatizimin e OSSH. Ky pashkollësi, ky konsulenti na paskësh marrë më shumë para sesa vetë IFC dhe Banka Botërore që bënin konsulencën e këtij procesi. Ky mori 6.8 milionë euro në një ditë; IFC dhe Banka Botërore si fi konsulencë kanë marrë 550 mijë euro. Po ç'ishte kjo konsulencë?!

E dini se ç'thotë prokuroria e vendit tim, edhe tuajit dhe e të gjithë shqiptarëve?

Na rezulton, thotë, që pasi ka marrë këto 6.8 milionë euro ky nuk ka bërë transaksione të tjera dhe kjo nuk vërteton që këto para janë paguar ryshfet. Po çfarë priste Prokuroria, që ky t'i merrte këto lekët në thes dhe pastaj të shkonte në bankë dhe të hidhte tek llogaria e Saliut kaq, tek llogaria e Ridvanit kaq, tek llogaria e Shkëlzenit kaq!

Ky është institucioni i Prokurorisë së Shqipërisë në 2017!

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin t'i falin?

Kush është ai prokuror që merr përsipër që nga një raport i një komisioni hetimor të Kuvendit të Republikës së Shqipprisë, Kuvendi pasi kryen një proces të rregullt hetimor, mendon se Sali Berisha, ish kryeministër i asaj kohe duhet hetuar për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, të shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera apo ankande publike, mashtrim, ushtrim të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike, refuzim për të dëshmuar dhe vepra penale të parashikuara në nenin 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të kodit penal, se paska tagrin ta falë pa e hetuar?

Kush është ky prokuror që merr përsipër të bëjë edhe prokurorin edhe gjytarin, pa e hetuar aspak?

Në materialet e referuara Prokurorisë, ky konsulenti i çonte një email çekëve dhe u thonte: "Kur të vini në Shqipëri, do takoni kryeministrin Sali Berisha dhe lidhur me çfarë do i kërkoni ju, kryeministri Sali Berisha do të jetë dakord." Gjeni! Ky po, ky paska ditur, paska patur çelësin e mendjes së Sali Berishës kryeministër, që ky pohonte pa e ditur dhe pa e takuar kryeminsitrin e asaj kohe se çfarë do t'u përgjigjej! Ky konsulenti!

Për këtë nuk flisni ju, nuk ju çelet goja. Kështu për Nue Nik Kalajn. Kështu për Genc Rulin, për Florian Mimën, Eno Bozdon, Ledina Mandian, Bujar Nepravishtën, Sokol Ramadanin, persona përgjegjës me funksione të larta shtetërore. E Prokuroria e vendit tim, e tuajit dhe e të gjithë shqiptarëve thotë jo, nuk bën asnjë hetim. Për turp të atij insitucioni të kalbëzuar dhe të degraduar deri në rrënjë, në përgjigjen që i kthen Kuvendit vendos vetëm fraza të raportin tonë. Merrini dhe lexojini. Një institucion tërësisht i kalbëzuar.

Sot dua të ndaj me ju edhe një fakt tjetër shumë rrënqethës. Prokurorja që ka hetuar këtë çështje, në mars kur unë, Ulsiu, Evisi, Pjerini, Ervin Koçi dhe kolegët e opozitës, Arben Ristani, na mungon se pasditeve Ristani ishte i rëndësishëm se na e bënte seancën më interesante; më ka marrë malli edhe për Ristanin edhe për Jozefinën, kur ne përmbyllnim raportin përfundimtar të këtij komisioni, zonja prokurore ishte prokurore në Burrel. I bie telebingo dhe e transferojnë me urgjencë prokuroren në Tiranë, të komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme. Kësaj prokurores së Burrelit i bie përsëri telebingo dhe i japin të hetojë dosjen e CEZ-it. Pasi mbylli dosjen e CEZ-it, prokurorja është komanduar në Prokurorinë e Tiranës. Kjo prokurore është edhe kunatë e ish kryetarit të Bashkisë së Kavajës, përfaqësues i Partisë Demokratike.

Për ju të gjitha janë rastësi, sepse ju jeni hetuesit më të paparë. Kur bie e keqja në shtëpinë tuaj, ju thoni na e hodhi; por a ka mundësi të përgjigjeni përse ju nuk e shkarkoni dhe  nuk distancoheni nga kryebashkiaku i Mallakastrës? Pse nuk flisni ju? Sa fjalime keni mbajtur për Elvis Roshin? Ka ndonjëri nga ju që nuk ka folur për Elvis Roshin? Pse nuk flisni për Agron Kapllanajn? Kemi bërë së bashku një ligj shumë të rëndësishëm, ligjin e dekriminalizimit.

Dhe e fundit, e përmenda pak më parë sadopak lidhjen e Kelmend Balilit me LSI-në; dhe ju them miqësisht, si kujtoni ju se ato miqtë mbrapa ju duan shumë që erdhën e u dorëzuan te ju pa kushte? Koalicion PD-LSI pa asnjë kusht. E dini, ata kanë merak se mos ne vazhdojmë së bashku marrëveshjen e 18 majit për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Atë merak kanë ata. Faleminderit.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm